Gazeta "ODRIE" NR.49
GAZETA “ODRIA” 49
NË KËTË NUMËR, DO TË LEXONI:
1.Mirëbërësit e mëdhenj të Labovës, nga Thanas Meksi.
2. Kush e thau Kroin e Kallogresë, nga Josif Duka.
3. Nostalgji nga Amerika, nga Lame Prifti.
4. Të respektojmë brezin e më të moshuarve, nga Ina Dhimitri.
5. Mikut tim më të mirë, nga Miltjadh Muçi.
6. Kleua, nga Apostol Duka.
7. Baba Çiçi, nga Kristaq Meleqi.
8. Kisha e Profetit Ilia, nga Thoma Vojniku.
9. Dy skica nga Koço Lani.
10. Një botim që përcjell mesazhe të veçanta, nga Odhise Porodini.
11. Kujtime për Sofokli Papajanin, nga Këno Toti.
12. Kënga e Gjino Vakut, nga Sofokli Duka.
13. Labovitët i kanë mbrojtur edhe me gjak pronat e tyre,
nga Nine Xhavarra e Sofokli Duka
14. Letër e Kostandin Zhapës, dërguar pleqësisë së Leklit.
15. Patericat, skicë humoristike nga Niko Gjoni
etj.
BIBLOTEKES SE GJIROKASTRES I VIHET EMRI
I MJEKUT LABOVIT APOSTOL MEKSIKeshilli Bashkiak i Bashkisë së Gjirokastres, i dha bibliotekës së qytetit emrin e mjekut labovit Apostol Meksi. Apostol Meksi, mjek ne oborrin e Ali Pashe Tepelenes, ishte në të njëjtën kohë edhe studiues i zellshëm i zakoneve dhe dokeve të Labovës dhe më gjerë.
Nga vitet 1847 deri në vitet I860, kur studionte në gjimnazin "Zosimea" të Janinës, bashkëkohës me elbasanlliun Koatandin Kristoforidhi,të dy së bashku i mësuan shqipen konsullit të Janinës, austriakut Johan Hahn. Me vonë, ata e ndihmuan Hahnin, _ që ishte i pasionuar pas studimit të traditës shqiptare, te grumbullonte shumë gojëdhëna, përralla dhe rrëfenja dhe t’i pasqyronin ato në librin e tij "Studime Shqiptare”. Në ceremoninë e përurimit, merrnin pjesë shumë gjirokastritë dhe fare pak labovitë, si dhe kryetari i bashkisë, zoti Flamur Bime, duke e lënë mënjanë Shoqaten "Odria-Golik. Kaq e vëërtetë është kjo, sa që edhe në ftesat shënohej emri i Shoqatës "Lunxhëria”.
Pjesëmarrësit i falenderoi Profesor Fedhon Meksi.
Korespondenti i gazetës “Odria”
TAKIMI I ARSIMTARËVE TË RRËZËS
Me rastin e 7 Marsit, ditës së Mesuesit, në një nga klubet pranë shkollës 9 vjecare “Ali Demi" në Tiranë, u mblodhën arsimtaret e Rrëzës që banojnë në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë etj.
Prof. Dr. F.Toti është autor i librit "Labova", arsimi dhe arsimtaret e saj". Ne takim përshëndeti edhe veterani Thimjo Muçi, përfaqësuesi i Leklit Miltiadh Muçi dhe, nëpërmjet celularit, Vasil Muka, drejtor i arsimit të Qarkut te Gjirokastrës, nip labovit, i cili u dërgoi urimet më të mira arsimtarëve të Rrëzës. Këno Toti, kryetar i degës së Tiranës, falënderoi fëmijët, nipërit dhe mbesat e arsimtarëve që kanë shërbyer anë e kënd Atdheut, aktualisht të ndarë nga jeta: Sofik Zenjo (Zhapa). Athini Sina (Meçe), Petraq Xhavara, Viktori Gjikondi, Republika Muçi, Athina Shyti (Muçi) etj.
Takimin e gjallëruan veçanerisht interpretimet e këngëve të Jugut nga Parua, këngëtarja e njohur bënçiote, recitimet e Viktori Mihos dhe mbesës labovite, vogëlushes Françeska Duka për mësuesit dhe arsimin, vallet popullore, këngët labovite dhe përshëndetjet.
Menaxhimin e veprimtarisë e kreu përsosmërisht z. Këno Toti, nën kujdesin e kryetarit të Shoqatës, z. Thanas Meksi.
Korrespondenti i gazetës “Odria”
MIRËBËRËSIT LABOVITË TË ARSIMIT, PËRTEJ KUFIJVE TË BALLKANIT
- Nga: Thanas Meksi, krvetar i Shoqates A.K. "ODRIE GOLIK "
Krenohesh kur dëgjon që një fshat i vogël, me 70 shtëpi, 800 m mbi nivelin e detit, në një pllajë rrëzë malit, të quajtur Odrie, gjithë lisa e gjithë hije, nxjerr bashkëfshatarë bamireë. Ata e filluan rrugën e bamirësisë udhëve të botës, me trastën kraheve dhe atë çka fituan, diturinë, paranë, shkollën, jua kushtuan të tjerëve. Kjo ishte motoja e mireberesve labovite...
VANGJEL ZHAPA ishte njëri nga mirëbërësit e mëdhenj labovitë, i cili kapërceu shekujt me bamirësitë e tij. Por të tjerë labovitë e ndoqën atë me bamirësite e tyre dhe kryefjala ishte: arsimimi i bashkëfshatarëve dhe shqiptarëve. Të tillë mirëbërës kanë qene Kostandin Zhapa, Llukan Koci, Vangjel Kondili, Theodhor Meksi, Janaq Meksi e të tjerë.
Studiuesi grek Aleksander Farmaqis, në botimin e tij "Nder epirotëve " ( Janine, 1998, faqe 53 ), shkruan: "Asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamires sa Epiri ."
VANGJEL ZHAPA, fshatar i varfër, beqar i përjetshëm, me aftësi të jashtëzakonshme, arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit e më gjerë, një nga bamirësit më të mëdhenj shqiptarë të arsimit në shekullin e 19. U rrit i varfër dhe në prapambetjen e kohës, por me një dashuri ngazëllenjese prej mëmës së tij Sotirë, nga fisi i dëgjuar Meksi. U përgatit si mjek xherah, pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës në Janinë, nën kujdesin e veçantë të kirurgut labovit Panajot Meksi. U rreshtua në luftë me suljotët, u gradua për trimëri dhe zotësi të veçantë dhe, mbas viteve ‘30 të shekullit 19, pasi viziton për herë të fundit fshatin e tij të lindjes, Labovën, vendoset përfundimisht në Rumani.
... E filloi punën me mullinjtë e drithit ne Broshtein, u pasurua duke shëruar vajzën e mbretit rumun, bëri pasuri nga konçensionet e naftës të zbuluara në vendbanimin e tij. Mori në përdorim shumë toka bujqësore, që i punoi dhe, nga kjo, nxori fitime të mëdha. Ngriti një godinë të bukur disakatëshe dhe punësoi më shumë se njëqind burra nga Labova dhe fshatrat përreth, duke i veshur edhe me kostume popullore shqiptare.
V. Zhapa financoi evertoret ne shqip te Naun Veqilharxhit, ndihmoi bojarët rumunë të rënë nga vakti, si dhe ndërtoi godinën e Akademisë së Shkencave të Rumanisë në Bukuresht dhe një hotel luksoz. Në Turqi, V. Zhapa financoi ngritjen e një shkolle të mesme, të një hoteli dhe sponsorizoi bursa për shumë fëmijë të varfër. Kontribut bamirësie ka dhene edhe në Kinë, Brazil, Angli, por edhe në Rusi, në periudhën e luftës Ruso - Turke, duke dërguar trena me grurë nga Rumania. Ne Greqi, Vangjel Zhapa rilindi dhe organizoi Lojërat Olimpike në vitin 1859. Pas vdekjes, me fondet e tij u ndërtuan Pallati i kulturës "ZAPPION ", Stadiumi Olimpik i Athinës dhe shumë godina shkollore.
Shumë interesant është testamenti i tij. Ai rendit si më poshtë këto të dhëna financiare:
* 18.000 franga ari për fshatin e tij, Labovë.
* 30.000 leva rumune për farefisin e tij, si trashëgim.
* 1000 napolona flori për Epitropinë e Labovës
* 15.000 franga ari për Akademine Rumune të Shkencave etj.
Vangjel Zhapa la financime për ndërtimin e shumë shkollave, që nga Përmeti, në Himarë, Labovë, Delvinë, Çamëri etj., si dhe për ndërtimin e tre gjimnazeve të mëdhenj në Labovë të Madhe, në Kostandinopojë dhe ne Adrianopojë. Në këto shkolla, sipas porosisë së V. Zhapës, mësohej dhe gjuha shqipe...
Bamirësisë së V. Zhapës i është bërë jehonë e madhe. Fshati i tij i lindjes, deri ne vitin 1970, eshte quajtur Labova e Zhapës. Kompozitori grek M. Avlikos, në vitin 1908, kompozoi një këngë për Zhapën, që u këndua nga kori i Athinës në Ekspozitën e 4-t Olimpike. Në vitin 2008, grupi polifonik i Labovës, me vargjet e poetit të shquar labovit Arben Duka, këndoi këngën "Vangjeli me Kostandinë", e inçizuar në kasetën zanore dhe televizive " Labova këndon ".
Me veprimtarinë atdhetare dhe mirëbërëse të Vangjel Zhapës, janë marrë studjuesit rumunë N.Postolake, Th. Vasilesku; studiuesit greke A. Mamopullos, A. Farmaqis, G. Dolianitis, K. Jigas e te tjerë; studiuesit shqiptare Koço Dhima, Qirjako Hila, Prof. Arben Jorgoni, Prof Lluka Heqimi, Prof. Iljaz Gogaj, Thoma Noti, Prof. Foto Toti, Aposol Duka, Etnolog Thanas Meksi etj. Për të, janë shkruar disa
studime dhe libra, është xhiruar një film dokumentar " Njeriu që kapërceu shekujt " i D.Muçit dhe LI. Heqimit, janë derdhur ne bronx statujat e V.Zhapës në Labovë, Rumani dhe Athinë dhe janë organizuar disa sesione shkencore dhe mbledhje solemne ne Labovë, Tiranë, Gjirokastër, Bukuresht, Athinë, Stamboll e gjetkë. Për Vangjel Zhapën, është shkruar shumë dhe studimet për të vazhdojnë e nuk do të reshtin me siguri edhe në të ardhmen, sepse mirëbërësia e tij shtrihet në një sferë më të gjerë të kombit tonë.
KOSTANDIN ZHAPA, kushëriri i parë i Vangjel Zhapës, u lind në vitin 1814, në Labovë të Madhe të Gjirokastrës. Punoi gjatë në Rumani dhe Greqi, ku vuri pasuri të madhe. Pas vdekjes se V.Zhapës u mor me zbatimin e testamentit të tij. Nuk pati pasardhës, sepse nuk u martua. U interesua shumë për mbarëvajtjen e shkollave dhe kjo shihet edhe në dy letra që ai iu dërgon lekëliotëve, duke u kujdesur për shkollën e tyre, për përparimin e bashkëfshatarëve të tij dhe të ardhmen e kombit. Ne vitin 1891, kur ishte 77 vjeç, Kostandin Zhapa shkruan testamentin e tij. Ai le shumë pasuri në Vrosthenion dhe Kallarasion të Rumanisë, depozita të përbashkëta prej 1 milion franga ari; 30 aksione në Bankën Greke; 403.000 franga ari për hekurudhat Pire - Athinë - Peleponez etj. U le trashëgimi të afërmve dhe nipave të tij, vëllait, motrës dhe plakut te verbër, z. Cardin - 1000 franga ari në vit.
K.Zhapa le për shkollën " Zhapa" në Stamboll 30.000 franga ari dhe fonde për ndërtimin e një shkolle tekstili në Labovë. Ai jep edhe këto fonde për shkollat:
- Shkolla e Leklit Franga ari 3000
- Shkolla e Dhrovianit 1200
- Shkolla e Delvinës 1200
- Shkolla e Qeparoit 1000
- Shkolla e Karjanit e Kakozit 1400
- Shkolla e Kondekutis 500
- Shkolla e Nivanit 1200
etj.
Në testament, ai shënon fabrikën e tij " Olimpia " në Vrosinia, jep ndihmesa për kishën e Vriziothonit, etj.
LLUKAN KOÇI, është nga Labova e Vogël e Odries, Gjirokastër. Emigroi në Rumani në fillim të shekullit të 19-të.
Në testamentin e tij të vitit 1894, ai linte 110 napolona flori në vit, për fshatin e tij Labovë e Vogël. Këto para, do të përdoreshin për rogën e mësuesit të fshatit ( 50 ) dhe 60 napolonat e tjera par martesat e vajzave të varfra të fshatit.
Në testament flitej edhe për pasuritë që trashëgonte në fshat Llukan Koçi, si shtepi, ara, vreshta, kullota etj., që do të ishin një garanci për mirëbërësin e familjes Koçi.
Por nipat e tij me nënshtetësi rumune, nuk u përgjigjën më vonë për testamentin e lënë nga gjyshi i tyre. As nipi i ardhur nga Rumania, juristi Sokrat Beu ( Apostoli), i cili jetoi në Tiranë, aty nga vitet 70 të shekullit të kaluar, deri sa vdiq, nuk dha asnjë informatë konkrete për testamentin e Llukan Koçit. Asgjë më tepër nuk dihet për fatin e këtij testamenti, të lënë nga ky mirëbërës labovit për arsimin.
VANGJEL KONDILI, nga Labova e Zhapës, ishte emigrant në Greqi dhe kishte ortakëri me disa qytetarë grekë në disa hotele të mëdhenj në Athinë. Në testamentin e tij, i cili u hap në Athinë në vitin 1930, thuhej se ai kishte lënë për Akademinë e Athinës një shumë prej 2 milishon dhrahmi. Aty thuhej se më 10 mars të çdo viti, do t'i jepeshin 100 stërlina një vajze jetime nga Labova. 100 stërlinat e para, i mori labovitja Theodhora Noçka.
Gazeta " Ora " e Tiranës, në ato vite, i bënte thirrje dhe i tërhiqte vërejtjen qeverisë shqiptare, që testamenti i Kondilit të mos shkonte si ai i Zhapës dhe theksonte se pasuria e tij nuk duhet t'iu mungonte bashkëfshatarëve të tij labovitë.
THEODHOR DHIMITËR MEKSI, nga Labova e Madhe e Odries së Gjirokastrës, emigrant në Rumani, me punën e tij të lodhshme, bëri pasuri të madhe.
Pa prindër, pa familje, pa motra dhe vëllezër, në maj të vitit 1919 bëri testamentin e tij, ku tëre pasurinë e linte në të mirë të arsimit. Në vitin 1912, Theodhor Meksi caktoi 100 napolona flori në vit për hapjen e shkollës së Tepelenes dhe 70 napolona në vit për mësuesin e shkollës, kushëririn e tij Nane Panajoti Meksi.Por këto para, asnjëherë nuk u morën nga gjyshi im ( Th.M ), megjithëse ai ishte nismëtari i parë i hapjes së shkollës së Tepelenës në vitin 1913. Më vonë, mësohet se ato para i kishte përvetësuar Dervish Vehbiu nga Tepelena.
Testamenti i Theodhor Meksit ndahej në këtë mënyrë:
*700.000 lei për të ngritur një shkollë profesionale me konvikt
*700.000 lei për të hapur një shkollë të mesme në Korfuz
*700.000 lei për ngritjen e një shkolle të mesme në Vlorë.
*80.000 lei, komunës së Labovës, për të ngritur një shkollë fillore për djem, që do të mbante emrin "Vangjel Zhapa" dhe një shkollë për vajzat jetime, e cila do të mbante emrin e nënës së tij, "Vasiliqi Meksi",
*60.000 lei për një shkollë të mesme profesionale për vajza, që do të mbante emrin e të atit të tij, "Dhimitër Meksi".
Aq i vëmendshëm është për arsimin Theodhori Meksi, sa që cakton edhe lëndët profesionale në shkollat që do të hapeshin me fondet e tij. Krahas lëndëve ekzakte, si matematike, kontabiliteti etj., duhet të kishte dhe gjuhë të huaj, muzikë për mandolinë, violinë apo flaut, si dhe lëndët shtëpiake: bujqësi, kopshtari, blegtori, lulishtari etj.
Deri në vitin 1938, sa ishte gjalle Th. Meksi, testamenti nuk u zbatua dhe nuk u bë asnjë përpjekje e mëvonshme nga qeveritë e atëhershme.
JANAQ MEKSI, ishte nga Labova e Madhe e Odries, i emigruar që fëmijë në koloninë shqiptare të Bukureshtit në Rumani. Me punën e tij të ndershme, ai bëri mjaft pasuri. Në testamentin e tij, Janaq Meksi le 5 milion e gjysmë franga rumune për ndërtimin e shkollave në vendlindje.
Por dhe këto financime nuk dihet ku kanë shkuar, si të tjera, nga
mosinteresimi i qeverive se atëhershme.Është me vend që, në përfundim të këtij studimi, të themi disa fjalë mbi sa shkruam më lart:
* Së pari, shpirti labovit është mirëbërës.
* Laboviti është i lidhur ngushtësisht me fshatin e tij të lindjes, Labovën dhe kontribuon shumë për të. Paratë e fituara me dije dhe djersë, laboviti nuk i çon kot, por ndërton diçka.
- Duhet pranuar se shumë pasuri të emigrantëve labovitë kanë shkuar kot, nga mosinteresimi i qeverisë vendore të Gjirokastrës dhe Epitropisë së Gjirokastrës dhe Labovës.
- Laboviti, për t'u shkolluar, nuk e kursen pasurinë dhe sakrifikon çdo gjë.
- Edhe sot ka labovitë qe kontribuojne me sponsorizime për Labovën dhe Shoqatën e saj të dashur Atdhetare e Kulturore "ODRIE - GOLIK", dhe gazetën e tyre " ODRIA ".
Të ndjekim shembullin e tyre!...
VLERA E TOKES NE KOMUNEN ODRIE
Vlera (lek/m2)
Truall,tokë bujqësore,livadhe,kullota pyjore
Andon Pocci 1642 360 156 98
Hundëkuq 1541 381 165 98
Terbuq 1491 238 116 98
Labovë e Madhe 1441 189 91 98
Labovë e Vogël 1416 175 85 98
FALËNDERIME
Siç thekson etnolog Thanas Meksi, kryetari aq dinamik i Shoqatës sonë edhe sot, mjaft bij e bija të Labovës, Leklit dhe Hormovës tregojnë një interesim të veçantë për vendlindjen dhe shoqatën e tyre. Konkretisht, për këtë numër të gazetës "Odria", Profesore Ermelinda Meksi, bashkëshortja e nderuar e labovitit të njohur Vladimir Meksi, ka paguar shumën prej 15 mijë lekësh. E falënderojmë zonjën Ermelinda për gjestin e saj bujar dhe ftojmë edhe të tjerë të ndjekin shembullin e saj.
REDAKSIA
Kryetari i Shoqatës Atdhetare e Kultutore "Odrie- Golik", Thanas Meksi, falenderon labovitët Sokrat Meksi, Arben Toti etj., që u interesuan për shërimin e mësueses së Labovës së Madhe, znj. Fatime Pesha, e cila u shtrua për kurim mjekësor ne Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Falenderim të veçantë meriton kryetari i Komunes "Odrie" zoti Foto Jano, i cili mundësoi kurimin e mëtejshëm të z. Fatime Pesha në Spitalin e Janinës, Greqi.
KRYETARI:
THANAS MEKSI d.v.
SHËNIM I REDAKSISË:
Megjithë këmbënguljen tonë dhe kërkesat e herëpasherëshme, materialet në redaksi vazhdojnë të vijnë të shkruara me dorë, të daktilografuara me makina të zakonshme shkrimi, ose të printuara. Kjo e dy e trefishon punën tonë, pasi, përveç redaktimit, korrektimit e faqosjes, ndërkohë që nuk i kemi as mundësitë dhe as njerëzit për këtë.
Shumë nga vonesat në daljen e gazetës, ose disa nga mangësitë ne cilësinë e saj, shkaktohen puikërisht për këtë problem. Prandaj, me gjithë dëshirën e mirë për të mos prishur qejf me askënd, redaksia nuk do të pranojë asnjë shkrim, nëqoftëse ai nuk është në disketë, në disk, ose në USB.
Kryeredaktori: APOSTOL DUKAKUSH E THAU KROIN E KALLOGRESË?!...
Josif Duka
Në atë ditë të nxehtë korriku, po udhëtonim nga Saranda për në Elbasan. Kur kaluam kthesën e Kakavies dhe hymë në territorin e Gjirokastrës, seç m'u shkrep të ndalonim pranë ndonjë burimi që del nga mali, ku uji i ftohtë gurgullon lehtë e rrjedh pa pushim, duke shpërndarë përreth currila të arta e pastaj tretet ngadalë nëpër zall.Ne vendlindjen time, në Labovë, kishte plot kroje të tille po mua s'di se si më shkoi mendja tek Kroi i Kallogresë, poshtë Tërbuqit. Mbase ndikuan dhe plotë poezi, që vëllezërit e mi, Apostoli, Sofua e Arbeni kishin shkruar për të, sa që gati - ati për mua ai krua ishte bërë i shenjtë. Vetëm unë. s'kam shkruar asgjë për të, ndonëse aty jam çlodhur e freskuar me dhjetëra e qindra herë. Po ja, rasti e solli që unë të shkruaj epilogun, shkretimin e tij, trishtimin dhe shurdhërinë... Do të shkojmë në Labove, iu thashë bashkëudhëtarëve të mi. Jemi që jemi, kthehemi për pak orë aty dhe vazhdojmë rrugën përsëri. Kisha 15 vjet pa shkuar në vendlindjen time dhe më kishte marrë malli. Isha me gruan, vajzën me të shoqin, djalin me te fejuarën
dhe dy mbesat e vogla, Ornela dhe Maria. Vetëm unë, gruaja dhe vajza, që kishte ikur në moshën gjashtë vjeçe e njihnim fshatin, ndërsa pjesa tjetër e njihte vetëm nëpërmjet poezive të vëllezërve të mi, si dhe kujtimeve të mia gojore. Të gjithë ishin dakord, adje e pritën me entuziazëm faktin që do të shijonin bukuritë e fshatit. Unë u vura në rolin e ciceronit dhe fillova te ligjëroj, për vendet ku kalonim, për fshatrat anës rrugës e për çdo gjë tjetër.
Do ndalojmë tek Kroi i Kallogresë, do freskohemi, do pimë ujë të ftohtë e do rrimë pak aty , thashë unë. Dhe do ta vëmë bidonin e rakisë në ujë që të ftohet dhe pastaj do pimë nga një gotë me ato vezët qe kemi. ( Epo, kishim marrë me vete ca vezë, djathë e ca peshk Sarande të skuqur ).
Rruga nga Kakavija deri në Subash ishte shume e bukur dhe e drejtë, e gjerë, me tabela e vija të verdha, se domosdo, rrugë e re e porsambaruar. Në Subash dukej qarte tabela me mbishkrimin "Labove, 7 km " dhe atë çast malli, nostalgjia dhe emocionet e fuqishme më përshkuan krejt trupin. Morëm djathtas, kaluam urën dhe pikërisht aty e bëmë ndalesën e parë. Unë iu tregova fëmijëve se si atë urë e kishte ndërtuar babai im e se si ai ecte si nj akrobat cirku mbi skeletin e metaltë të urës nga njëri breg i lumit në tjetrin, kur ura ishte e pashtruar me dërrasa e se atë gjë nuk mund ta bënte dot asnjë burrë i anëve tona. Unë ateherë isha i vogël, por e mbaj mend shumë mirë. Ndërsa babai dhe të tjerët punonin, ne shikonin peshqit në fund të ujit, që lëviznin pa pushim. Luanim me gurë të vegjël, i hidhnim ata në ujë dhe peshqit mblidheshin aty me shumicë. Ata ishin shumë atëherë dhe askush nuk i peshkonte. Iu tregova atyre plot e plot vepra që kishte lënë im atë, kujtime te gjalla te tij.
Eeeh, babai, e ç'ishte Petro Korcari, para tij!..., thashë gati duke mërmëritur dhe pastaj e ngrita zërin:
- E dini kush e ka bërë Urën e Kushës në Elbasan? Babai im e ka bërë. Ka mbi 50 vjet e do të jetojë dhe 500 te tjera, ikni e shiheni!... Me këto biseda azhduam rrugën dhe ja ku iu afruam Kroit të famshëm të Kallogresë, dhe unë fillova të tregoj legjendën e tij..... Ja aty ndalo, i thashë djalit, kur pashë konturet e njohura të kroit, hape krahun përpara, djathtas. Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm me nge, njëri pas tjetrit, por pamja që u shfaq para syve tanë ishte befasuese, zhgënjyese, e shëmtuar, sa unë mbeta pa fjale.
Ku ishte kroi ? Ai nuk ekzistonte më. Nga lugu i gdhendur, nuk dilte asnjë pike ujë. Bari përreth ishte tharë e sofatet e gurta nuk ishin më. Pamja që shtrihej para meje, ishte e trishtuar, vrasëse, çnjerëzore. Currilat e argjendta ishin tharë; aty asgjë nuk pipëtinte, ishte zhdukur çdo gjë e gjallë që pinte ujë aty, kishin fluturuar zogjtë, kishin ikur të gjitha gjallesat e tjera. Dhe gjithë përshkrimi im që ishte fiksuar në përfytyrimin e fëmijëve, gjithë ato kujtime fëmijërie u tretën befas e vajtën mu në dreq të dreqosur, sikur të mos kishin qenë kurrë. Thatësira dhe shkretimi mbisundonin rreth e rrotull.
Nuk kishte më nevojë për fjalë, zhgënjimi lexohej qartë në fytyrat tona dhe trishtimi ndehej në ajër. Dhe të vinte të ulërije nga e gjithë kjo, që nuk ishte fatkeqësi e natyrës por vepra e dikujt, që për çudi, që e kishte bërë këtë thjesht për të vjedhur ca tuba, brenda rezervuarit të kroit! Po kush e thau Kroin e Kallogresë? S'ka mbetur në Tërbuq ndonjë burrë që të vejë dorë? Po Komuna, po kryeplaku i fshatit, ç'bëjnë?!... A do të gurgullojë serish uji i ftohtë nga lugu i gdhendur? A do të flasë sërish legjenda e Kokës së Foshnjës?...
Bëjeni, o njerëz, të ligjërojë e të burojë edhe një herë Kroi i famshëm i Kallogrese! Bëje, o Zot, ëndërr!...
Elbasan, 17 mars 2009
NOSTALGJI NGA AMERIKA
Mbi tavolinë, në dritën e llampës elektrike, lexoj gazetën "ODRIA" te muajit shtator 2008. Thirrja e redaksisë që të shkruajmë edhe ne, të larguarit nga atdheu, më bëri t'iu dërgoj disa kujtime nga familja, shokët dhe miqtë, të cilët i kam lënë në Shqipëri.
Jam Lame Lolo Prifti ose Vasi, sikurse na thërrisnin në Tërbuq, me origjinë nga Lekli dhe nënën Fotini (që i thoshin Fotika ose shkurt Tika) nga Sopiqotët e Labovës së Vogël. Me emrin tim, ka shumë të tjerë në Tërbuq, në Labovë të Madhe dhe të Vogël. U linda në Tërbuq, ku u rrita deri në moshën 14 vjeçe. Në mëndje e kujtoj lisin e kishës, me degët që binin mbi çatin e kishës. Ai ndodhet në qendër të fshatit, aty ku degëzohen dhe rrugicat e tij. Në hijen e tij shekullore, pushonin të gjithë bashkëfshatarët që vinin nga qytetet dhe vendet e largëta, ku ndalonin të freskoheshin dhe bisedonin me burrat e fshatit, më të moshuarit.
Shkollën e nisa në Labovën e Zhapës, deri në klasën e tretë, ndërsa pas çlirimit ajo u hap edhe në Tërbuq. Mësimet i zhvillonim në hajatin e kishës me mësuesin e parë Koço Hila. Në vitet e fëmijërise, muajt e verës mezi i prisja, sepse vinin moshatarët e mi nga Gjirokastra, Tepelena e Vlora, me të cilët loznin tre pllakat, cingla, me topa lecke e të tjera. Pasi mbarova klasën e pestë, shkova në Tiranë, të mësoja në shkollën e kadetëve, që e kishte emrin "Skënderbej". Aty gjeta bashkëfshatarët Prokop Dedi e Vangjel Nano, që ishin kthyer nga rreshtat partizane, të cilët më mbështetën shumë. Më vonë, vijnë edhe rreziotët e tjerë, si Dhimitër Noçka, Theofan Bezhani, Nako Muçi e Reshat Çela. Pasi u largova për në ish Bashkimin Sovjetik, në Shkollën Ushtarake erdhën dhe të tjerë, si Veniamin Qirjazi, Pano Xhavarra, Vangjel Stefani, Thoma Zherdi, Apostol e Arben Duka dhe plot të tjerë më të rinj, që nuk ua di emrat.
Kurrsesi nuk më largohen nga mendja njerëzit e mirë, të afërmit e në veçanti nëna e dashur, të cilët, kur shkonim në fshat, më përkëdhelnin dhe më gostisnin me arra e bukfike, shegë e mjaltë, me gjithçka të mirë të vendit. Nuk mund të harroj ata burra autoritarë,që me këshillat e tyre na impononin respekt, të cilët, sa herë i takonim, i përshëndetnim: "Mirëmëngjes" e "Mirëdita", "Ditën e mirë" e "Natën e mirë". Fjalët e xha Vangjelit, Lolos e Lames dëgjoheshin nga të gjithë. Ata, në kohë të ndryshme, kishin qenë kryepleq ose kryetarë të këshillit të fshatit.
Sa herë që në jetën time kam qenë në punë apo shërbime jashtë vendit, por sidomos tani që kam 15 vjet në Amerike, më shtohet nostalgjia për vendin tim dhe sidomos për fshatin. Bëj çmos të plotësoj dëshirën e madhe, të shkoj me shumë mall në Tërbuq. Jo vetëm sepse i dua njerëzit e mirë, por se atje prehen eshtrat e prindërve. Shkoj në varreza dhe ndez qirinjë. Shikoj fotografitë dhe lehtësohem që ndodhen në tokën e tyre.
Edhe pse kanë kaluar 15 vjet, që ndodhem familjarisht në Amerikë, në Boston, ku punuan dhe jetuan Noli me Konicën, ku ndodhet kisha e Shën Gjergjit, që quhet ndryshe edhe Kisha e Fan Nolit,n uk i kam shkëputur lidhjet me atdheun,me të dashurit e fisit,shokët e fëminise dhe më gjerë. Mbaj lidhje me kryesinë e Shoqates "ODRIE-GOLIK" dhe mezi presim gazetën e saj, të cilën e lexojmë disa herë. Gëzohemi shumë për arritjet, por dhe mërzitemi kur dëgjojmë që nuk shkojnë mirë aty. E shpërndaj tek të gjithë miqtë e mi dhe sidomos në bashkekrahinasit Diogjen Papajani, Sotir Vardhami, Thanas Hoda, Ilo Foto, Kondil Mitra etj., ndërsa me familjet e Polo Hodes, Llazo Mucit, Koco Dhimes, Elvira Budos, Mihal Vardhamit e Polo Mihës komunikoj shpesh me biseda telefonike.
Mirë u takofshim në Shqipëri!
Me shumë mall, Lame Lolo Prifti
Boston , nëntor 2008
TE RESPEKTOJMË BREZIN E MË TË MOSHUARVE
Gjatë festës së Vitit të Ri, ku u mblodhën lekëliotët nga Tirana, Durrësi, Fieri e Lekli, në fjalën e rastit nuk u lanë pa përmendur ëdhe emrat e atyre që kishin ndërruar jetë në vitet 2007-2008. Ata ishin Thinua e Llambre, Sokrati i Llavdanite, Theofani i Bezhane, por edhe Arjeli i vogël nip i Kure. Midis tyre, u largua Llukani i Cike, Harilla i Leske dhe, së fundi, Fonia i Vangjele me Cacen e Prifte. Ata ishin thuajse të një moshe, që lindën e u rritën në Lekël me lodrat e Çikurit, ku nisën të shkollohen pranë këtij sheshi. U madhuan për të shkelur në rrugët e vështira të jetës, sidomos të luftërave Antifashiste ku njëri kontribuoi më shumë se tjetri. Por edhe pas çlirimit të vendit, u larguan nga prindërit dhe familja me dëshirat e mëdha, që vendi të dilte nga flaka e zbehtë e kandilit në dritën elektrike, nga errësira e padijes në dituri, nga skamja e varfërisë në barazi njerëzore.
Në këtë shkrim, do të flas diçka për Llukanin, Harillën, Fonën e Cacen, të katërt të një brezi lekliot. Llukani dhe Fonia dolën partizanë si shumë lekëliotë të tjerë, midis tyre Vitua i Tote e Pirua i Koçe, Anastasi i Mate, Aretia etj. Disa prej tyre, u vranë në moshën më të re, tetëmbëdhjetë martirë, jo pak për një fshat me banorë sa të Leklit. Harilla dhe Cacia u bënë aktivistë të Frontit Nacionalçlirimtar, ndihmës të afërt të baballarëve të tyre Taqe Leska e Gole Prifti, anëtarët më të parë të Këshillit Nacionalçlirimtar për fshatin e krahinën. Njësoj aktivë u treguan edhe pas kësaj lufte. Llukani nisi karrierën ushtarake dhe Harilla bëhet propagandist i rinisë, të dy në rrethin e vështirë të Kukësit. Ndërsa Fonia rreshtohet në efektivat e policisë së Gjirokastrës, Cacia iu bashkohet forcave të ndjekjes kundër bandave.
Si lekliotë që ishin, të etur për dije, të katërt u shkolluan dhe përgatitën të marrin përsipër detyra shtetërore, që edhe pse jo të larta, ishin të vështira dhe me rëndësi për veprimtarinë dhe jetën e njerëzve që iu shërbenin. Llukani, të shumtën e viteve të jetës, e kaloi me përkushtim në fushën e ndërtimit, sikurse vëllezëërit Vasil e Petro. U lidh ngushtësisht me një nga fabrikat e tullave në Tiranë, të domosdoshme për ngritjen e objekteve industriale dhe shtëpive të banimit. Harilla u pasionua me gazetarinë, më parë redaktor në Agjensinë Telegrafike dhe më pas në gazetën" Bashkimi". Fonia ngarkohet me detyra të fuqisë punëtore në disa ndërmarrje ekonomike të Tiranës. Cacia gjithashtu, në jetën e tij gjithçka e lidhi me Leklin dhe lekëliotët, me ekonominë e kooperativës dhe të ndërmarjes bujqësore, të cilat morën emrin e djaloshit trim, luftëtar e patriot Polo Bezhani, themeluesit e komisarit të çetës "Prokop Meksi". Keta të katër kanë qenë edhe aktivë në veprimtarinë shoqërore. Xha Llukani, sikurse e thërrisnin edhe ata në moshë më të vogël, aktivizohej shpesh me banorët ku jetonte. Harilla, jo rrallë shkruante në gazetën "Odria", sidomos për personazhe nga jeta e njerëzve të thjesht të fshatit dhe bashkëfshatarët lekëliotë. Fonia, me ndjenja të forta dashurie për fshatin dhe bashkëfshatarët, shkruante e shpesh këndonte labçe me atë zërin e bilbilit, që gjithkush shtangej e mrekullohej kur e dëgjonte dhe e shikonte i magjepsur. Caci edhe pse i larguar nga Lekli, në dhjetë vitet më të fundit të jetës së, vazhdonte të fliste me nostalgji për të gjithë ata që banojnë në Lekël, për vitet e vështira të jetës së bashkëfshatarëve, për të mirat e jashtëzakonshme dhe pjesë të historisë së Leklit, të ruajtura në kujtesën e tij. Për të katërt të larguarit njëri pas tjetrit, si degët e prera nga lisi dhjetëra shekullor lekëliot, mund të shkruash shumë dhe me siguri këtë do ta bëjmë në të ardhmen. Pasi të kenë kaluar muaj apo vite, do të besojmë se vërtet ndodhen shumë larg nesh. Iu takon brezave pasardhës, filizave që ringjallin lisin dhjetëra shekullor lekëliot, të cilët më plotë dëshirë kanë nisur të mendojnë dhe kontribuojnë për Leklin tonë të lashtë, por edhe atë të ri. Do të shkruajnë në respekt të brezit më të moshuar, që do ta bëjnë me siguri, sikurse bëjmë ne sot.
Shkurt, 2009 Ina Dhimitri
SHKOLLAT E ZHAPËS NË LABOVË
Në zonën e Gjirokastrës, në të quajturën "Rrëzë", përfshihen fshatrat Kodër, Lekël, Hormove, Tërbuq, Karjan, Kakoz dhe Gjat (G. Gagari, kalendari DHODHONI, V. 1899, faqe 127-132).
Këto fshatra u ndihmuan në mënyrë të veçantë nga trashëgimia e vëllezerve ZHAPA.
Familja e Zhapajve e kishte origjinën nga Labova e Madhe. Këta bamires të mëdhenj, u kujdesën në mënyre të veçantë për vendlindjen e tyre.
Midis veprave të tjera me karakter shoqëror (pajën e vajzave që nuk kishin të ardhura, bursat për studentë në universitetet më të mira të botës, ndihmat për të varfrit, etj.) ata krijuan në Labovë shkollën e vajzave dhe punishten e tezgjahut për të rejat, shkollën e djemve me 4 mësues, ku ndiqnin mësimet nxënës jo vetëm nga zona e Rrëzës, por edhe nga Dropulli, e tj.
Trashegiminë e parë (1860) e la Vangjel Zhapa ( + 1865) dhe zbatuesi i
testamentit ishte kushëriri i tij Konstandin Zhapa, i cili vdiq në vitin 1892. Me
vdekjen e Konstandinit, nuk vinin më ndihmat e caktuara në testament, sepse Qeveria
rumune vuri pengesa në eksportimin e pasurisë së Zhapajve. Shkollat e Laboves
mbetën të mbyllura për 12 vjet.
Me testamentin e tij, K. Zhapa la: për shkollën e Leklit 1500 franga ari në vit, për Karjanin dhe Kakozin nga 1 .300 franga ari, për Hundkuqin 700 franga ari, për Nivanin 1200 franga ari, Dhrovjanin 1 .200 franga ari, Filatin 1 .200 franga ari dhe Qeparoin 1 .000 franga ari ne vit.Në gazetën e Konstandinopolit "Ylli i Lindjes" (Nr 1209, 3 gusht 1874), lexojmë se "...Në shkollen e Zhapës, në Labovën e Poshtëme (Sigurisht, termi "e Poshtëme" është vënë për të dalluar Labovën tonë nga ajo e Kryqit, shënimi im, V.M.) në vitin shkollor 1873-74, përfunduan shkollën 21 nxënës, me mësues loanis Mihas (Emri është greqizuar. Sigurisht duhet lexuar Jani Miha, V.M.)
....Në të njëjtën gazetë (Nr 1414, datë 31.7.1876), përshkruhen provimet e
shkollor 1875-76 dhe shkruhet se shkollat e Zhapës tani përbëhen nga shkolla me tri klasa, nga 2 klasa gjimnazi dhe nga shkolla fillore.
Botohet me hollësi lista e nxënësve që mësonin në çdo klasë. Kishte 108 nxënës ne foshnjore dhe në fillore, 13 në tre klasat e gjimnazit, 2 në klasën e parë të liceut dhe 2 në klasën e dytë te liceut. Në të njëjtin numër gazete, botohet edhe fjalimi që mbajti dhespoti ditën e provimeve.
Ne Labovën e Poshtme (Zhapës, V. M.), në vitin 1878, filloi funksionimin edhe shkolla e vajzave me dy mësuese, njëra prej të cilave u mësonte vajzave tezgjahun (gazeta "Ylli i Lindjes" ,Nr 47, datë 25 gusht 1878, faqe 745-746).
Labova e Vogël (Çeta e Vogël), fshat me rreth 60 familje, shpenzimet i mbulonte me testamentin që kishte lënë Llukas Kocis (Llukan Koçi), tregëtar në Rumani, (me origjinë nga ky fshat V. M.).
Përkthyer nga: Dr Thoma Ballkoni
Përshtati: Vasil Meleqi
MIKUT TIM TE MIRE
- ANASTAS SULIT
Midis lekliotëve, në shekullin XVIII nisën të dalin mjekët e parë të përgatitur në universitetet e Evropës. Deri tani, dokumentet më kanë ndihmuar të njoh të parin Llukë Vajën mjekun e Ali Pashë Tepelenës. Gjenerata e mjekëve të zotë lekëliotë si Lluka, vazhdoi me djalin e Thanasit Aleksandër Vajën, i cili studioi dhe punoi në Pizza të Italisë. Në 10-vjeçarin e parë të shek. XX, kemi mjekun Theodhos Llukani, për të cilin një vit më parë kam shkruar, kur lekëliotët, rreziotët e më gjerë nuk i kishin dëgjuar jo vetëm emrin, por as aftësitë, shpirtin human e patriotizmin për çështjen kombëtare.
Që të mësojmë sa më shumë për mjekun lekliot Anastas Suli nuk mund të mos e nisja nga prindërit dhe fëmijëria. Ai lindi nga Sevua e Velua të fisëve nga më të dëgjuar Suli e Kuri . I ati ishte mjeshtër midis rrobaqepësve të Vlorës dhe Tiranës, ndërsa Velua shtëpiake, si shumica e grave të Leklit dhe të brezit që u larguan nga fshati në vitet e luftës 1940-1944. Prindërit ndikuan shumë në karakterin, urtësinë, qetësinë dhe maturinë e mendimit të Anastasit. Ai është babai i dy vajzave të mrekullueshme Elona dhe Arminda Suli. Elona është e diplomuar në Psikologji Klinike, kurse Arminda në Biologji Molekulare dhe të dyja janë me titulj doktorature në filozofi.
Në Vlorë, Sevua e ktheu rrobaqepësinë në bazë të Lëvizjes Antifashiste. I lidhur ngushtë me Niko e Aristidh Kurin, babain e xhaxhain e Velos, të cilët në luftën Nacionalçlirimtare nuk kursyen as jetën. Njëri u zhduk në kampet naziste dhe tjetri u torturua në burgun e Shkodrës, për t'u pushkatuar në buzë të lumit Kir.
Së bashku me Nako Leskën, djalin e hallës Tote, nisi gjimnazin "Qemal Stafa", ku të dy ishin midis nxënësve më të mirë, deri në vitin e fundit të maturës. Më pas, Anastasi zgjodhi studimet për t'u bërë mjek, i specializuar në fushën e vështirë të psikiatrisë për fëmijë. Në karrierën e mjekut, krahas përvojës, ai i dha shumë rëndësi studimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm, duke u radhitur midis mjekëve më të mirë. Për shumë vite, drejton klinikën në fushën e tij të mjekësisë.
Nuk mund të përshkruash gjithë artikujt e punimet shkencore, pjesëmarrjet në takimet e konferencat ndërkombëtare, ku Anastasi është ftuar sidomos në dy dekadat e fundit. Vlerat e tij i shtojnë më shumë diskutimet në ekranet televizive, mbi problemet sociale që kalon shoqëria sidomos të moshës adoleshente e të mitur. Dashurinë dhe përkushtimin për mjekësinë, seriozitetin në punën dhe veprimtarinë e Anastasit, gjithkush e konstaton sapo hyn në institucionin e tij. Kushdo befasohet nga qetësia e pastërtia e mjediseve të klinikës psikiatrike të fëmijëve, shërbimi i kujdesshëm i personelit dhe sidomos tek reagimi e vlerësimi tepër pozitiv i pacientëve,prindërve e të afërmve.
Portretin për Anastas Sulin dëshiroj ta përfundoj me çfarë kam mësuar në bisedat me dy më të afërmit e tij, bashkëshorten Sofika, mjeke pediatre dhe nefrologun Nestor Tereska, nip i Theofan Dhimës nga Labova e Madhe.
"Nuk ka dyshim, - thotë Sofika, - si shoqe e jetës, më përket të shprehem për Cacin, se si gjithçka ia ka kushtuar mjekësisë dhe nuk ka lënë asgjë mangët edhe për familjen, për dy vajzat dhe mua si bashkëshorte. Në gjithë vitet tona, më ka shprehur mua dhe gjithë miqve dashurinë për Leklin e lekëliotët, duke dashur ta fusë këtë ndjenjë edhe tek fëmijët. Prandaj shumë shpejt them se Leklin do ta vizitojmë familjarisht...
Me superlativa më ka folur edhe Nestori, sa herë që kemi biseduar si kushërinj nga prindërit tanë Antigoni e Areti. "Anastasi mbetet midis miqve më të mirë dhe më të afërt. Ne na bashkon edhe origjina nga Rrëza e Tepelenës, edhe profesioni i mjekut. Nuk mund të diskutosh për aftësitë e larta profesionale të tij, prandaj po e vë theksin tek vlerat njerëzore, të cilat i ka tepër të veçanta në punë e jashtë saj. Me qetësinë, buzëqeshjen, humorin e rrallë dhe të spikatur, kujtdo i imponon dashuri e respekt.",pohon Nestori.
Një tjetër koleg, Profesor Sulejman Kodra, me rastin e diskutimit për miratimin e titullit Profesor Doktor .Anastas Sulit në Senatin e UT, është shprehur se profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë, me figurën e dr.Sulit i shtohet një personalitet që do të zërë vendin e merituar përkrah kolegëve të tjerë...
Ai është i pari që futi vizionin perëndimor bashkëkohor të psikiatrisë në vendin tonë, i cili e ka nisur veprimtarinë e tij akademike dhe studimore në Fakultetin e Mjekësisë, si i pari psikiatër shqiptar për fëmijë dhe adoleshentë.
Prandaj edhe unë i kam vënë detyrë vetes të shkruaj në gazetën tonë për njerëzit më të mirë, sikurse mbetet edhe Profesor Doktor Anastas Suli.
Tiranë, mars 2009 Miltiadh M Muci
APOSTOL DUKA
KLEUA
- Në vend të një homazhi.
Duke kërkuar dokumente e materiale, që flisnin për masakrën mbi oborrin kooperativist, nuk e di pse në çdo çast më shfaqej para syve portreti i tim vëllai. Më kujtoheshin fjalët e tij të rralla, që ishin si sentenca të mençura, më kumbonte në kokë zëri i tij dhe gjithçka nga ato që shfletoja e lexoja, më dukej e njohur prej kohësh. Ishin gjëra që i kishim biseduar mes nesh, që i kishim thënë e stërthënë, ndonëse me shumë kujdes, me nëntekste dhe fjalë dykuptimshme. Dhe, ja tani, se si vinte puna: unë, optimisti i pandreqshëm i dikurshëm, gërmoja nëpër arkiva e rafte bibliotekash për të gjetur dokumente që vërtetonin pikërisht fjalët e tim vëllai. I pushtuar nga ndjenja e pendimit dhe mallit të madh, nuk gjeta mënyrë tjetër për t'u çliruar prej tyre, veçse të shkruaja diçka për Kleon tonë të dashur e të paharruar.
Kleua ishte vëllai ynë nga babai, sepse nëna e tij kishte vdekur nga një sëmundje e pashërueshme në atë kohë. Ndoshta për shkak të diferencës së madhe të moshës që kishim me njëri-tjetrin, ndoshta se qysh para lindjes sime ai iku nëpër shkolla dhe nuk u kthye më në fshat, nga fëminia mbaj mend shumë pak gjëra për të. Dy e tri ardhje e ikje të nxituara. Bukuria e tij e rrallë, shtati i derdhur, sytë e kaltër dhe ata flokët e tij kaçurrela, të valëzuar, të verdhë si kallëzat e grurit, ardhja e tij e parakohshme nga Hungaria për shkak të ngjarjeve që ndodhën atje në vitin 1956, ca dhurata të sjella prej andej, kryesisht bluza shumëngjyrëshe dhe topa llastiku, me të cilët nuk mund të luanim më shumë se dy a tri ditë, sepse bënim një zhurmë të padurueshme në dhomat e katit të dytë të shtëpisë, sa që babai detyrohej të na i çante. Darkat me të ngrëna të shumta që bëheshin kur vinte ai, këngët e vallet dhe, më vonë, përgjigjet e çuditshme të gjyshes kur e pyesnin për të: "E, e, moj gra, moj motrani, e shpunë nga Hungaria dreq (drejt) e në Vrimë (Vrinë) të Kondispolit... Tani ka vatur ca ditë në Bythkuq (Vithkuq) të Korçës, po prapë në Vrimë do të kthehet. Lodhet djali, tërë ditën e natën nëpër stane e shkon, me delet e me qentë, se ashtu e ka zanatin..." Të gjitha këto, më vijnë e më ikin nga kujtesa si copëra të mjegulluara resh, të cilat nuk arrita kurrë t'i mblidhja në një të tërë, për të krijuar një përfytyrim më të saktë.
Në kuptimin e plotë të fjalës, ne u njohëm dhe folëm së bashku si vëllai me vëllain në vitin shkollor 1964-'65, kur unë erdha në Shkollën Ushtarake "Skënderbej". Po edhe atëherë, komunikimi ynë ishte disi i largët e i sforcuar, sepse diferenca e madhe e moshës mbetej përsëri. Merreni me mend se ç'biseda mund të bëjë një picirruk i sapoardhur nga fshati, i strukur brenda një uniforme dosido prej doku jeshil, që nuk më erdhi kurrë pas trupit dhe në ca këpucë të mëdha me qafa që i vishja për herë të parë në jetën time, me një punonjës hijerëndë të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, që tërë kohën, edhe në zyrë edhe në shtëpi, e kalonte i përkulur përmbi letra e formularë dhe fliste aq pak e aq rrallë, sa të merrte malli edhe për zërin e tij të ngrohtë. Ishte një njeri i çuditshëm. Mund të kishe javë e muaj të tërë pa u parë dhe prapë ai të takonte e të fliste sikur ishe ndarë prej tij vetëm para disa çastesh. Mund ta pyesje dhe të mos përgjigjej fare, ose të të thoshte një gjë tjetër për tjetër, i zhytur gjithnjë në një lloj misteri dhe bote të brendshme ku kushedi ç'kujtime e ngjarje të jetës ishin ndrydhur, për të mos u thënë më kurrë nga goja e tij. Pothuajse e njëjta gjë ndodhte edhe me Leonorën, të shoqen e Kleos, e cila ishte mësuese e matematikës dhe fizikës bash në shkollën time. Natyrisht, ndjehesha mjaft i përkëdhelur nga ky fakt, e thosha me një krenari të veçantë sa herë më jepej rasti se mësuesja më autoritare e shkollës ishte, as më shumë e as më pak, nusja e tim vëllai, por ... vetëm kaq. Leonora ishte aq e rreptë, sa ishte më mirë t'i rrije larg, për të mos iu hyrë telasheve të kërkesës së llogarisë. Prandaj mbaj mend se më shumë u gëzova, se sa u mërzita kur atë e transferuan në një shkollë tjetër. Të paktën, nuk do të merreshin vesh aq shpejt prapësitë e moshës dhe tersllëqet që më ndiqnin në atë shkollë aq të vështirë ushtarake, ku ndjehesha në çdo çast si i rrethuar nga muret e larta, telat dhe hekurat, si një zog në kafaz. Gjithsesi, deri sa fillova studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në shtëpinë e Kleos unë ndjehesha shumë mirë. Shkoja rregullisht çdo të diel, luaja me dy vajzat, haja me oreks drekë e darkë dhe kaloja aty orët më të shumta të liridaljes. Dhe, ndërsa ngutesha për t'u kthyer brenda kohës në shkollë, pas më ndiqnin përshëndetja e tim vëllai dhe fjalët që Leonora m'i thoshte gjithmonë pa të keq: "Pocol, Pocol, mëso, që t'i dalësh për zot vetes. Kanë ndryshuar kohërat, s'ka tani, burrë, grua, fëmijë, kështu ecën jeta, s'mbetet vend për të tjerët..."
Për herë të parë kjo marrëdhënie e ndërlikuar midis nesh ndryshoi ndoshta aty nga vjeshta e vitit 1966, kur kooperativa jonë u përfshi në fermën ushtarake të korpusit të Gjirokastrës. Unë u ktheva në Tiranë nga pushimet e verës, shkova në shtëpinë e Kleos dhe nisa të tregoja gjithë gjallëri se ç'ndodhte në fshat. Aha, s'ka tani, nisa të thosha, fshatarët marrin rroga si në qytet, s'kanë nevojë më të lodhen me lopët, dhitë e delet, as të mbjellin arat me misër e grurë, se të gjitha gjërat që iu duhen i kanë në dyqan. Arat dhe bagëtitë i kishte marrë shteti, ndërsa gomarin ua kishim shitur arixhinjve. Njerëzit shkonin e vinin nga puna me orar, lodheshin më pak dhe kjo ishte një gjë e mirë...
Kleua u gjallërua befas.
- Ashtu, ë? - nisi të më pyeste. - U bënë fermë, domethënë. Të tëra bagëtitë i dorëzuan...
- Të tëra, fyt u bënë.
- Po në Mursi, në Mavrambel, Nëngure dhe në Koçolula e Molevicë, nuk kami më asnjë arë, asnjë metër tokë?
- Asnjë, ore, po asnjë metër po të them. Toka i duhet fermës, bile tani po hapen edhe toka të reja në pyllin e Pallambellës, edhe në Shën Gjergj e Majën e Tëndës. Edhe gorricat e Shullërit i prenë, për t'i shartuar me dardhë, edhe nga Hieja e Mallkuar e nga Odria marrin dru me autokolona makinash për t'i çuar në Gjirokastër, edhe fushën e Çajupit e kanë mbjellë me patate. Kanë ndryshuar gjërat, ç'i do fjalët, jeta në fshat është më e bukur tani.
- Ah, mor kaqol i shkretë, ku di ti, ku kupton ti nga këto gjëra! Se si kanë ndryshuar gjërat, se sa e bukur është jeta atje, do ta marrësh vesh shumë shpejt. Pre drurët e pyjeve e korijeve, mbill patate në një pllajë si ajo e Çajupit, që është me nam në të gjithë Shqipërinë për bukurinë dhe virgjërinë e saj, prish Shullërin, prish Pallambellën, ta dish se një ditë natyra do të hakmerret dhe do të na kthehet kundër..., - e mbylli Kleua atë bisedë dhe, sakaq, entuziazmi im i zjarrtë u ftoh e u bë akull dhe vajti mu në dreq. Pothuajse e mora inat për ato fjalë aq cinike dhe ca kohë nuk shkova fare në shtëpinë e tij, por Kleua as që e ndjeu këtë gjë, e mori më shumë si një trill djaloshar, se sa si një protestë.
Se sa të drejta ishin fjalët e tij, unë do ta merrja vërtet vesh shumë shpejt, në vitet e universitetit. Jeta studentore ishte e bukur. Sidomos ne, të degës së gazetarisë, ndjeheshim shumë të përkëdhelur nga fati. Nisëm të botonim krijimet tona të para, nisëm të delnim edhe me shërbime jashtë Tiranës, për llogari të organeve të ndryshme të shtypit. Dhe, sa herë që ktheheshim nga këto shërbime, bisedat tona gjallëroheshin e mbusheshin plot kujtime e mbresa të reja. Fshati ishte kryefjala, kallëzuesi dhe të gjitha pjesët e tjera të fjalisë në bisedat e mia. Duke mbajtur mend fëmijërinë time të gëzuar dhe të begatë, flisja për Labovën aq bukur, me tone aq romantike, sa që shokët dhe shoqet mbeteshin me gojë hapur. Flisja për kodrat dhe lëndinat, për enët e mëdha të mbushura me mjaltin më të mirë në botë, për djathin e gjalpin që e kishim me tepricë, për mishin dhe koletë e derrit që rëndonin trarët e magjerisë, për perimet, frutat, për këngët e vallet e bukura, duke e përshkruar fshatin si një oaz të rrallë mes kodrave e maleve. Edhe vjershat e mia, për fshatin i bëja. Nën titullin e përhershëm "Lirikat e fshatit", shkruaja e shkruaja pa fund dhe nuk pranoja të hiqja dorë në asnjë mënyrë nga ai lloj konceptimi, megjithëse miku im Nexhati Tafa më kritikonte për arkaizëm dhe frymë të vjetruar.
- Vërtet aq bukur është atje? - më pyetën një ditë sinqerisht Zamira Koleci me Mira Bregun.
- Edhe më bukur akoma, sa që nuk kam fuqi ta them.
- Atëherë, përse nuk shkojmë me shërbim në Gjirokastër, që ta shohim nga afër dhe të kënaqemi me atë mrekulli?
- Shkojmë, moj, pse jo, - i rashë shkurt unë. - Në dorë e kemi. Ohu, shtëpia ime është mësuar të presë e të përcjellë miq, të gjithë të deleguarit nga rrethi dhe nga Tirana aty shkojnë.
U tha, u bë. Zamira e siguroi shërbimin nga Agron Çobani, Mira nga Alfons Gurashi, ndërsa unë i përlava një paradhënie Lirim Dedës në revistën "10 Korriku" dhe u nisëm në kërkim të mrekullive, si tre Donkishotë të pafajshëm. As të lajmëronim nuk e morëm mundimin dhe talleshim me Mirën, e cila, në ikje e sipër, na tha se nuk kishte lezet të shkonim në fshat duarbosh dhe u kujtua të blinte nja dy shishe me verë "Malaga" e një kile martadelë. Kot e ke, i thashë, në fshat kemi mish e raki sa të duash dhe nuk do të jetë fare nevoja për verën e sallamin tënd... Mira tundi kokën. "Mos u mburr, mos u lëvdo,/ O vëllai i motrës-o,/ Sonte darkës do të shoh...", - perifrazoi ajo një këngë të njohur të anëve tona dhe qeshi.
Dhe do ta shihja vërtet që atë natë. Do ta merrja vesh më në fund se sa kot ia kisha futur, se sa larg realitetit isha. Sa më pa në derë me dy vajza të panjohura tiranase, duke qeshur si një karafil me degë, nënës iu drodh buza dhe më hoqi mënjanë.
- Po ku i shpie, mor i zi, këto vajza! Po nuk kishe mundësi të na lajmëroje më parë, që të merrnim ndonjë masë? Me se t'i pres unë tani, me bukë e kripë? - gati sa nuk klithi ajo dhe sytë iu përlotën.
- Hë, moj mama, se nuk bëhet kiameti për një natë. Ja, një tas me mjaltë, pak djathë fshati ndonjë gjellë me mish dhe mbyllet kjo punë. Nuk besoj të jetë katandisur aq keq shtëpia e Pilo Dukës, sa të mos presë dot as dy miq.
- Mirë, mirë, do ta shohësh vetë. Në qafë më paç, që më bëre me turp në këtë moshë e në qafë e paç edhe veten, se ty do të shajnë atje në Tiranë...
Natyrisht, dy shoqet e mia nga Tirana e kuptuan se ç'kishte ndodhur dhe nuk e dhanë veten. Ato u kënaqën me bukuritë e fshatit dhe me çiltërsinë e dashurinë e njerëzve të mi, ndërsa bisedat dhe lirikat e mia të fshatit u harruan një herë e mirë. Edhe sot e kësaj dite më ndjek pas imazhi i asaj sofre të mjerë, të cilën nuk mundën ta bënin më të pasur as byreku me lakra të egra i nënës dhe as martadela dhe vera "Malaga" e Mirës. Po ato ditë, shkova tek Kleua. Folëm në përgjithësi për fshatin dhe pastaj nuk e di se si u hap biseda për shokët dhe shoqet e mia të fakultetit. Unë nuk hiqja dorë nga optimizmi im. Nisa të flisja me detaje, duke i thënë se aty kishim edhe fëmijë të anëtarëve të Byrosë Politike, por ata nuk dalloheshin fare nga ne, ishin të mirë, të thjeshtë e të dashur.
- Kë kini, për shembull? - pyeti Kleua me kureshtje.
- Po ja, vajzën e Beqir Ballukut, Lulen. Ta dish se sa e mirë që është. Po edhe babai i saj, nuk ka të sharë, është baballëk dhe shumë i drejtë. Kur na ngacmon ndonjë nga oficerët, ne i themi: "Aha, nuk ke ç'na bën, groshët dhe pilafin e makaronat na i jep xha Bequa ne, aq shumë e duam. Edhe ai na do shumë, na dërgon edhe të fala me të bijën...", - fola e fola unë, por Kleua bëri me dorë një shenjë neverie.
- Boll, o Cole, se ma shpife! Unë nuk e di se si është e bija, po sa për Beqir Ballukun, e di shumë mirë që është një hajdut i rëndomtë...
Unë i shqeva sytë dhe ngriva në vend. Për herë të parë në jetën time dëgjoja të flitej kështu për një anëtar të Byrosë Politike. Dhe jo për një dosido, po për njërin nga bashkëpunëtorët më të afërt të Enver Hoxhës. U mata të kundërshtoja, por Kleua nuk më la.
- Prit, prit, mos u nxito. Ti i sheh këta njerëz vetëm nëpër tribuna e festa dhe nuk i di ca gjëra. Ti nuk ke se si ta dish se çfarë bëri Beqir Balluku para nja dhjetë ditësh. Dërgoi në pularinë time (Atëherë, si kryezooteknik i rrethit të Tiranës, Kleua drejtonte përkohësisht edhe pularinë.) "Zuk - un" e Shtëpisë së Pritjes dhe e mbushi plot me pula. As dokument, as shkresë, as fletë-dalje, as fletë hyrje, as ndonjë sqarim, vetëm merr e ik, si në çifligun e babait. I duhen shokut Beqir, se do të shtrojë një aheng, më thanë dhe... kaq. Hë, ç'i thua ti këtij farë anëtari të Byrosë Politike? Po unë, çfarë të bëj, të shkoj e të ankohem, të shkoj e të raportoj për të? Nuk mund të shkoj, se ma zënë kokën me derë. Ama, babai ynë nuk ka marrë asnjë majë gjilpëre nga malli i shtetit, ta dish. As ne nuk kemi marrë, po prapë groshët, pilafi e makaronat e tua dhe ato pulat e mia janë të xha Beqos, ndërsa ne na kanë mbetur në dorë topet e Koloit...
Goditja ishte e hapur dhe e drejtpërdrejtë. Atë mund ta prisja nga kushdo, por jo nga Kleua, që ishte zakonisht aq i mbyllur, aq i heshtur e fjalëpakë. Përderisa e thoshte ai, e vërteta as që mund të vihej në dyshim. Pas kësaj bisede, që nuk do ta harroja kurrë, im vëlla iu kthye përsëri gjuhës së tij "të koduar" Ndonjë fjalë e hedhur si rastësisht, ndonjë gjest a sinjal i rrallë, ishin herezitë e tij të vetme. Madje edhe ato ndodhnin në mjedise familjare të kontrolluara rreptësisht. Ndërsa në punë e në shoqëri, ai përdorte humorin për të shprehur mosmiratimin e tij.
Një herë, e thirri në zyrë Fadil Paçrami, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për propagandën dhe nisi ta pyeste e t'i jepte këshilla për bujqësinë e blegtorinë. Ai fol e Kleua dëgjo, ai këshillo e Kleua mbaj shënime, sa që më në fund nuk iu durua:
- O shoku Fadil, sa kohë që ju të propagandës e letërsisë dhe plot diletantë të tjerë të fusni hundët në punët e bujqësisë, ajo kështu do të ecë, hiq e mos e këput. Bujqësia është shkencë, shoku Fadil dhe ajo iu duhet besuar njerëzve që e kanë mësuar këtë shkencë...
Ishte fat që Fadil Paçrami qeshi me të madhe dhe nuk reagoi pas atyre fjalëve. Me sa duket edhe ai e ndjente ngërçin e dështimit të reformave në bujqësi, sepse jo më kot pak kohë më vonë do të përfshihej në njërin nga grupet armiqësore të radhës. Po në atë kohë, Kleon e dërguan me një delegacion në Hungari, me që i kishte kryer studimet e larta atje dhe e njihte sadopak vendin. Kur u kthye, ne, të afërmit shkuam ta takonim dhe ta pyesnim. Interesoheshim për zhvillimin atje, për bujqësinë e blegtorinë, për jetën dhe njerëzit, po tjetër gjë kërkonim ne e tjetër thoshte Kleua. Shkuam në një restorant të madh për të ngrënë drekë, nisi të na tregonte. Sapo u ulëm në tavolinë, secili prej nesh zgjati dorën drejt koshit me bukë të vogla dhe ato i kullufitëm sakaq. Erdhi kamerieri për të marrë porosinë, e pa koshin bosh dhe vrapoi të sillte një tjetër. Edhe ai pësoi fatin e të parit dhe kryekamerieri, që i kishte ndjekur veprimet tona nga larg, na u afrua. Më falni, zotërinj, juve nuk jeni vendas, sigurisht...
- Po, - i thashë.
- Atëherë, nga jeni?
- Nga Shqipëria...
- Po kështu thoni, o të uruar! - tha kryekamerieri, duke bërë një gjest teatral dhe vrapoi drejt sportelit. Mori një kanistër të madhe plot me bukë dhe na i vuri mu në mes të tavolinës. - Ja, tha, - tani është në rregull...
- Përse e bëtë këtë? - e pyeta unë me kureshtje.
- Thjesht sepse jeni shqiptarë dhe sepse e di nga përvoja dhe nga të shkruarat se Shqipëria zë një nga vendet e para në Evropë e ndoshta edhe në botë për konsumin e bukës. Atje tek juve ka dalë parulla: "Të sigurojmë bukën në vend.", ndërsa këtu nuk është problem. Ka njerëz që nuk e vënë bukën fare në gojë...
- E përse ta vënë, kur kanë gjellën, perimet, frutat, mishin, sallamin e bulmetin?!... - ia prita unë dhe kështu shkoi ajo puna e drekës sonë në restorantin hungarez.
Nënteksti ishte i qartë: Ne hanim shumë bukë, sepse nuk kishim ç'të hanim tjetër. Na mungonin me shumicë perimet, frutat, sallami, mishi e bulmeti dhe këtë e ndjenin sidomos gratë, mbi shpatullat e të cilave rëndonte e gjithë ekonomia e familjes.
- Vend i çuditshëm, - tha njëra prej tyre.
- Si çdo vend tjetër, - iu përgjigj Kleua. - Si ne, do të thosha. Edhe atje bëhet luftë klasash, edhe atje e shajnë kapitalizmin dhe mburrin socializmin. Madje, edhe ka radhë të gjata, por me një ndryshim, ama...
Njerëzit u bënë kureshtarë. Radhët, radhë janë, ç'ndryshim mund të kenë ato midis tyre?...
- Këtu tek ne, njerëzit ngrihen që në mes të natës dhe zënë radhën për të blerë një kile mish, një shishe qumësht, ose një kavanoz me kos. Ndërsa atje, në një radhë pa fund janë perimet, frutat, mishi, sallami, bulmeti dhe plot gjëra të tjera, që presin blerësit. Një ndryshim fare i vogël, apo jo?...
Ajo puna e radhës, e futi në një udhë pa krye bisedën tonë, e cila edhe ashtu ecte me shumë vështirësi. Sepse vetëm ashtu dinte të fliste Kleua. Me fjalë e shembuj që i thoshte si pa të keq, në mënyrën më të pafajshme, por që fshihnin brenda tyre të vërtetat më të hidhura të kohës. Megjithëse nuk e mbante veten për trim të krisur, shpesh herë rrezikonte, por edhe njeriu më i urtë nuk mund t'i mbyllë sytë, duke u shtirur sikur gjithçka është në rregull dhe nuk po ndodh asgjë.
Aty nga mesi i viteve tetëdhjetë, për të rregulluar sadopak ekonominë e shtëpisë, Leonora nisi të jepte edhe mësime private. Mes nxënësve të saj, ishin edhe fëmijët e Muho Asllanit, të cilit në atë kohë i dëgjohej fjala shumë për punët e bujqësisë. Leonora shkonte dy a tri herë në javë në shtëpinë e tij dhe, pas mësimit, pinte edhe ndonjë kafe e shkëmbënte edhe ndonjë fjalë me të shoqen e Muhos, një grua paksa naive dhe babaxhane. Një ditë, ajo e pyeti Leonorën se si ia bënte për të siguruar ushqimet dhe ajo i foli hapur, i tha se duhej të qëndronte me orë të tëra në radhë për një kile mish dhe dhjetë kokrra vezë. Sa për të tjerat, as që bëhej fjalë, i gjeje me shumë vështirësi.
- Mos u mërzit, - i tha e shoqja e anëtarit të Byrosë Politike. - Ka thanë Muhja, qy shumë shpejt ka m'u rregullu puna. Do të ketë aq shumë mish, sa njerëzit do të shkojnë lirisht nëpër dyqane, do ta shohin mishin të varur nëpër çengelë dhe do të zgjedhin. Ma nep kit copë, jo, jo, kit, ma pre at' tjetrën...
- Është e sigurt kjo? - e pyeti Leonora po me atë naivitet që fliste bashkëbiseduesja.
- Shumë e sigurt! E ka thanë Muhja, ma... Kështë ka me kenë...
- Do t'ia them Kleos këtë sihariq, se e di që do të gëzohet shumë, - tha kunata ime dhe nuk i durohej sa të shkonte në shtëpi, për të dhënë lajmin e madh.
- Çfarë, çfarë ka thënë Muho Asllani?!... - u xhindos Kleua nga fjalët e së shoqes. - Që njerëzit do ta shohin mishin të varur nëpër çengelë dhe do të zgjedhin? Mirë atëherë, i thuaj asaj shoqes tënde, që t'i thotë të shoqit të saj se kjo do të ndodhë vetëm kur të varet Kleo Duka në çengel, në ndonjë nga drurët më të lartë të Shqipërisë! Këtë di të them unë...
Kleo Duka nuk u var në çengel dhe ajo që pat "thanë Muhja" nuk ndodhi, natyrisht. Ajo do të ndodhte vetëm pas viteve nëntëdhjetë. Kleua ishte optimist për ndryshimet, priste, si shumica e njerëzve, të ndodhnin çudira edhe në bujqësi e blegtori, por ajo që përjetoi në fillimet e demokracisë, i shkaktoi një thyerje të madhe brenda vetes. Edhe në Kashar, ku Kleua kishte qenë për vite të tëra kryetar kooperative, nisën të shkatërroheshin stallat, rrjeti kullues e vaditës, të priteshin pemët, të vidheshin bagëtitë, të digjeshin të mbjellat dhe të prishej gjithçka. Këtë gjëmë të madhe, këtë shpërdorim barbar të aq viteve punë, të mundit e djersës së mijëra e mijëra njerëzve, ai nuk mundi ta duronte dhe ndoshta kjo ia shkaktoi edhe atë sëmundjen e pashërueshme, e cila e mori nga kjo jetë në fillim të vitit 1995
BABA ÇIÇI
Të shkruash për jetën dhe veprimtarinë e gjyshit tënd, është paksa e vështirë, por kjo është gjithsesi diçka që duhet bërë, sepse, sa më shumë shkon koha, aq më të madh e ndjej detyrimin për të kujtuar, të paktën, bamirësitë e tij, që ruhen edhe sot në kujtesën e fisit Meleqaj dhe të bashkëfshatarëve të tij. Në fshat, Niko Meleqit i thoshin Baba Çiçi, për arsye se babai i tij, Jorgo Meleqi, kishte hyrë dhëndër brenda në familjen e Çiçajve, si dhe për respekt të moshës së thyer që kishte. Në themel të jetës së tij, Baba Çiçi kishte bekimin dhe besimin absolut tek Zoti, tek feja e krishterë - ortodokse.
Prindërit e tij, Jorgua dhe Tila, lindën gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza: Nikon, Timon, Miston, Lelen, Katon dhe Venon. Periudha e vështirë që kaluan, skamja dhe varfëria e madhe, detyruan tre vëllezërit e Baba Çiçit të shkonin në Greqi. Po, për nj kohë të gjatë, Baba Çiçi nuk mundi të takohej me vëllezërit e tij, për arsye të sistemit të izoluar që kaluam, prandaj, nga malli që kishte, para se të shuhej në vitin 1961, iu bëri atyre një shërbesë fetare në kishën e Shën Marisë së Labovës.
Baba Çiçi ishte gojëmjaltë; ai bënte mik e shok këdo që i jepej rasti të takonte, të moshuar dhe të rinj. Kujtimet e shumta që ruajnë dhe përmendin herë pas here bashkëfshatarët e tij, përbejnë portretin e thjeshtë të tij, që do të mbahet mend e do të kujtohet për një kohë të gjatë, të paktën nga ne, njerëzit e gjakut të tij. Në çdo bisedë që bënte, fliste me shumë respekt për njerëzit dhe ishte shumë krenar që Labova nxirrte vazhdimisht burra të ditur e të famshëm, që bënin emër e kontribuonin jo vetëm për Labovën e Shqipërinë, por edhe për vendet ku jetonin, punonin e studionin.
Baba Çiçi ushtronte edhe artizanatin në fshat, ai ishte këpucar mballomtar e berber, si dhe administronte përdorimin e ujit për vaditjen e kopshteve dhe të arave të mbjella, me qëllim që të evitohej çdo keqkuptim midis banorëve, si dhe për t'iu ardhur në ndihmë atyre. Gjithashtu, i kushtonte shumë rëndësi detyrës së psaltësit, që e kryente me aq qejf e dëshirë në kishat e shumta të Labovës, në bashkëpunim me fshatarë të tjerë të njohur si besimtarë të devotshëm dhe, së bashku me At Leonidhën, priftin e njohur të fshatrave tona, kryenin të gjitha shërbesat fetare. Një nga karakteristikat e veçanta të Baba Çiçit ishte mbajtja me saktësi e shënimeve në regjistrin e kishës e shërbesave fetare, siç ishin lindjet, vdekjet, martesat (që nuk mund të lidheshin pa vënë kurorë në kishë), festat e ndryshme fetare etj., që, për nga saktësia e tyre, mund t'i krahasoje pa frikë me arkivat e zyrave të gjendjes civile të komunave dhe të lokaliteteve të asaj kohe.
Në krye të fshatit, në vendin e quajtur "Tojkë", afër kroit të madh dhe pranë shtëpisë së Baba Çiçit, mblidheshin burra të rinj, në stinën e beharit, mbrëmjeve, ndaj të perënduarit të diellit, në flladin e erës dhe ajrit të pastër të Polezhanëve. Në këto takime vëllazërore, bashkëfshatarët kuvendonin dhe shkëmbenin informacion, jepnin mendime për zgjidhjen e problemeve të gjithsecilit. Pas bisedave, e kishte radhën kënga. Asaj ia merrte i pari Baba Çiçi, që këndonte zakonisht atë këngën e tij të preferuar: "Dola në Tojk' e po rrijë, / Ndeza duhan e po pijë, / Prisja miken të më vijë. / Moj mike, pse s'erdhe sot? / Se jam me zonj' e me zot..."
Këngët e trevës sonë, kanë qenë vërtet shumë të bukura. Ato shprehnin e shprehin edhe sot shpirtin e madh e të bukur të banorëve të Rrëzës. Shihni sa bukur: atë që ndoshta nuk mund ta bënin në jetë, për shkak të formimit dhe traditës sonë, ata e bënin me shumë lehtësi në këngë, në të e quanin vajzën e zemrës mike, bejkë, gushëbardhë, e puthnin, e përqafonin e i thoshin me mijëra fjalë përkëdhelëse. Kënga ishte libri i madh i jetës së tyre, ku shkruhej me saktësi të madhe gjithçka që ndodhte dhe trazonte shpirtin e madh të njerëzve, dashuria, luftërat, kurbetet, vuajtjet e jetës së vështirë, trimëritë e Spiro Stojës, Thanas Vajës, Sevo Cikos, Sofo Meksit, Gjergjo Stefanit etj., deri dhe hallet e shumta të jetës së përditshme. Shtëpia e gjyshit tonë ishte në një pozitë dominuse dhe zërat e burrave që këndonin përhapeshin gjer larg, në Dhovi e në Shullë, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme lirike. Në pushimet nga njëra këngë tek tjetra, Baba Çiçi i qeraste me gjithë shpirt djemtë me kafe dhe me nga një gotë ujë të ftohtë, të atij uji të rrallë që rrishte si kristali nga lartësitë e malit të Labovës. Shërbimin ua kryente me shumë respekt e dashuri Sofi Meleqja, gjyshja jonë, që ishte nga fisi i Kokolajve e që në fshat thirrej Nana Çiçia, sepse në fshatin tonë në përgjithësi, burrave dhe grave nuk u thirrej me emrat që kishin, por me nofka dhe epitete pa të keq. Ndërsa për kafenë e rrallë që pihej në Meleqaj, këndohej kënga: "Vallë, ku pihet kafeja? / Në oxhak Meleq - Sadeja..."
Siç thoshin në Labovë, Baba Çiçi ishte një njeri i Zotit. Në këtë kuptim, ishte më se e natyrshme që ai të tregonte një kujdes të veçantë për mirëmbajtjen e të gjitha orendive dhe orendive të kishave e faltoreve, për mbajtjen pastër të mjediseve të tyre, si dhe për ruajtjen dhe administrimin e uniformave dhe rrobave të qëndisura me fije ari e me fytyra shenjtorësh, të cilat i vishin djemtë e vegjël të fshatit gjatë shërbesave fetare, sidomos në rastet kur përcilleshin banorët e fshatit për në banesën e fundit, në varrezat e Zakajve.
Baba Çiçi gëzonte shumë popullaritet në fshat dhe ishte një nga njerëzit e tij më të dashur. Këtë, ai e kishte fituar me sjelljen, punën dhe afrimitetin e tij me të rinjtë që merreshin me punët e fshatit, por edhe me ata që kryenin shkollat e mesme dhe studimet universitare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, e veçanta e tij ishte se komunikonte ëmbël me të rinjtë, iu tregonte atyre rrëfenja e histori të shumta, bënte e pranonte shaka, pa harruar bejtet e tij të shumta e të njohura.
Tërë jeta e Baba Çiçit karakterizohej nga dëshira e madhe që kishte, që kujtdo t'i bënte mirë, duke u betuar e falur në Krishtin përpara çdo lloji pune që duhej të niste. Për të, Labova ishte vendi i shenjtë, vendi i takimit me Zotin, prandaj kurrë nuk u largua prej saj. Kur isha duke përgatitur këtë shkrim, aty nga viti 2007, u takova rastësisht me Vito Veshkën, një tjetër labotit i njohur e i respektuar edhe ky. Ai i kishte kapërcyer të tetëdhjetat, por kujtonte me shumë mall e nostalgji, fëmijërinë, pa harruar asnjëherë Baba Çiçin, që dikur edhe e kishte shpëtuar për të mos e marrë xhandarmëria e asaj kohe, sepse kishte bërë marrëzinë e pafajshme të plaste disa krehra fishekësh, që i kishte gjetur në ferrat e Polezhanëve, duke kërkuar pulat dhe vezët në foletë pa zot. Krahas kësaj, Vitua kujtonte me shumë respekt edhe bamirësitë e shumta të Baba Çiçit, si ishin qethja falas e të gjithë të rinjve të fshatit, gatishmëria për të kryer punët e shumta të klientëve të tij pa bërë asnjë lloj pazari, madje, kur ata i vononin pagesat ose nuk ishin në gjendje të paguanin, i falte borxhet me shumë dëshirë.
Baba Çiçi ushqente një respekt e dashuri të madhe për familjen e tij, si dhe bënte përpjekje mbinjerëzore për të përballuar jetesën e vështirë të asaj kohe. Është për t'u theksuar kujdesi i i veçantë që tregoi për motrën e tij, Venon, e cila kishte lindur sakate dhe kishte mbetur uloke brenda mureve të shtëpisë, duke i shërbyer asaj pa u lodhur e mërzitur asnjëherë, deri sa dha frymën e fundit. Me dashurinë për familjen, si gjënë më të shtrenjtë dhe të shenjtë, gjyshërit e mi të paharruar krijuan familjen e tyre, lindën, rritën dhe edukuan pesë fëmijë, tre djem e dy vajza, Pilon, Mitron, Gaqen, Ifin dhe Krisanthin, të cilët ecën në gjurmët e prindërve të tyre, duke qenë kurdoherë familjarisht të thjeshtë, të dashur dhe të respektuar.
Për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të fisit Meleqi, Baba Çiçi - Niko Meleqi dhe Nana Çiçia - Sofi Meleqi, do të mbeten të paharruar dhe do të kujtohen si besimtarë të devotshëm, bamirës e atdhetarë, me dashurinë dhe mallin e pashuar që ushqenin për vendlindjen, Labovën e shenjtë dhe të shtrenjtë, vendin e takimit me Zotin, me dëshirën e madhe që kishin që në breza labovitët të bëjnë gjithçka që të kenë mundësi për fshatin e tyre.
Athinë, shtator 2008 KRISTAQ MELEQI
VËSHTRIM HISTORIKO-ARKITEKTONIK
Lekli është një fshat malor, rreth 800 metra mbi nivelin e detit, 12 km. larg Tepelenës, gjatë rrugës automobilistike që e lidh atë me qytetin e Përmetit.
Kisha ngrihet në një pozitë zotëruese, prej nga hapet një pamje e gjerë mbi peizazhin rrethues. Për ndërtimin e kishës, ruhet ende gojëdhëna që e lidh atë me emrin e Ali Pashë Tepelenës. Duke shkuar për në Janinë Pashai i jep urdhër një besniku të tij nga Lekli, Thanas Vajes, që të ndërtohej një xhami mbi shkëmbin më të ekspozuar të fshatit. Në kundërshtim me urdhrin e Pashait, Thanasi çon fjalë në fshat që në atë vend të ndërtohej një kishë. Në kthim, Pashai, i habitur, pyet Thanasin pse nuk ishte zbatuar urdhri i tij dhe ai i përgjigjet se e ndërtoi këtë kishë për kaurët (të krishterët), sepse kishin kohë që e kishin kërkuar. Në atë kohë, fshati kishte rreth 600 familje të krishtera.
Kisha është e tipit bazilikal trenefeshe, me përmasa 14,5x10,7 m. Dy radhët e kolonave prej guri, që ndajnë nefet, lidhen ndërmjet tyre dhe me muret perimetrale me harqe, duke krijuar një numër të madh bërthamash, të mbuluara me kalota sferike, ndërsa bërthamat e ambientit të altarit janë të mbuluara me qemerë cilindrike. Ambienti i altarit përmban tri apsida të nxjerra jashtë. Naosi nuk përmban pikture murale, ndërsa te gjitha pajisjet e saj të brendshme janë zhdukur me kohë.
Në anën perëndimore, naosi lidhet me narteksin, që ka shërbyer edhe si dhomë pagëzimi. Në qoshen jugperëndimore të narteksit, ngrihet kulla e kambanores.
Sipas gjurmëve, në anën veriore duhet të ketë qenë zhvilluar hajati. Muratura dhe sistemi i mbulesës janë ndërtuar me gurë jo të rregullt, të lidhur me llaç gëlqereje. Trajtimi i jashtëm është shumë i thjeshtë, ku mbizotëron masa e muraturës së gurtë dhe mungesa e elementeve dekorativë. Të vetmet elemente që tentojnë të thyejnë këtë thjeshtësi, janë apsidat në pamjen lindore, të cilat janë trajtuar me një varg harkadash të verbëta. Çatia e gjerë dyujëse, e prerë në anën lindore, është e mbuluar me tjegulla.
2. GJENDJA E NDËRTESËS
Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, kisha ishte transformuar krejtësisht. Naosi ishte thyer, braktisja e ndërtesës për një kohë të gjatë kishte krijuar probleme serioze për qëndrueshmërinë statike te saj. Vëreheshin dekompozime të llaçit lidhës, dëmtime tërësore të çatisë së kishës, dalja jashtë funksionit e tirantave të harqeve, çarje në muraturë dhe në sistemin e mbulesës së kurbëzuar të interierit, dobësime të seksionit mbajtës të kolonave, sidomos në kapitelet e tyre ose në kontaktet me thembrat e harqeve.
3. NDËRHYRJET KONSOLIDUESE DHE RESTAURUESE
Gjendja e keqe statike në të cilën kishte arritur ndërtesa, si dhe transformimet që kishte pësuar, duke e humbur tërësisht funksionin fillestar, i bënin të domosdoshme ndërhyrjet restauruese.
Ndonëse, për arsye të ndryshme, ndërtesa nuk përfshihej në listën e monumenteve të Kulturës, për karakterin, historinë dhe vlerat që përmban, restaurimi i saj u udhëhoq nga të njëjtat kritere të përdorura për ta.
Pra, kriteri bazë i restaurimit ishte sigurimi i qëndrueshmërisë statike të ndërtesës, duke ruajtur
skemën fillestare statike të saj, nga njëra ane dhe, nga ana tjetër, rikthimi i funksionit fillestar, duke respektuar karakteristikat tipologjike e morfologjike të saj.
Punimet e restaurimit u përqendruan si me poshtë:
a) Punime pastrimi
Zhveshja e muraturës nga suvatimet. Heqja e çatisë dhe pastrimi i sistemit të mbulesës së kurbëzuar.
Prishja e shtesave te mëvonshme.
b) Punime përforcimi
Qepja me shufra hekuri e çarjeve të konsiderueshme në muraturë dhe në qemerët e mbulesës.
Fugatimi i plotë i muraturës dhe i sistemit të mbulesës.
Plotësimi i rrëzimeve në sistemin e mbulesës.
Konsolidimi i kolonave dhe i mbështetjes së harqeve
c) Përforcimi i konstruksionit me elemente te reja Vendosja e tirantave dhe veshja e tyre, për qëllime estetike.
Ndërtimi i një brezi me betonarme në krye të muraturës.
d) Punime rikonstruksioni
Rindërtimi i hajatit në anën veriore, sipas gjurmëve të ruajtura dhe ne analogji me monumentet e tjera të së njëjtës periudhë.
Rindërtimi i çatisë.
Suvatimi brendshëm i naosit dhe narteksit.
Shtrimi i dyshemesë së naosit dhe narteksit me plloça guri.
Hapja e hapësirave të mbyllura më vonë dhe vendosja e dyerve dhe dritareve.
e) Punime të sistemimit të territorit dhe instalime elektrike
U kryen punimet e sistemimit të territorit përreth dhe të instalimit elektrik të brendshëm dhe të jashtëm.
Me punimet e mësipërme, monumenti rifitoi vlerat e tij si një tregues me rëndësi për përhapjen gjeografike të ndërtimeve të kultit dhe të krishterimit në këtë krahinë, e cila iu nënshtrua pjesërisht një islamizimi të vonë.
4) TE DHENA TEKNIKO-EKONOMIKE
Projekti i restaurimit u hartua nga Zyra e Shërbimit Teknik e KOASH-it, nën drejtimin e arkitektit restaurator At Theologos.
Punimet e restaurimit u realizuan nga Shoqëria Ndërtimore, me drejtues ing. S. Çelën.
Punimet filluan në muajin qershor 1999 dhe përfunduan në qershor 2000.
Supervizimi i punimeve u krye nga Zyra e Shërbimit Teknik e KOASH-it.
Thoma Vojniku
DY SKICA NGA KOÇO LANI
NJERIU QË JETOI NË DY SHEKUJ
E për kë mund ta kem fjalën tjetër, veçse për xha Lame Kuzhgjinin, me këtë titull që vura në krye të shkrimit? Sa herë që më kujtohet ai plak i bekuar, mendja nis të punojë vetvetiu për historinë e fshatit tonë, për mbiemrat e njerëzve e fiseve dhe toponimet e lashta të vendeve. Tani ka filluar të shkruhet se Labova jonë është krijuar nja dyqind a më shumë vjet para lindjes së Krishtit dhe ky është nj fakt që të tundon e të mbush me krenari, por deri para disa vitesh, ne nuk dinim ndonjë gjë të saktë. Njhinim veçse një dokument të sjellë në dritë nga i paharruari Lefter Dilo, ku thuhej se, në vitin 1400, Labova ka pasur 119 familje me kryefamiljarë dhe 9 familje me vejusha, domethënë plot 128 familje, që i paguanin taksat qeverisë turke.
Edhe mbiemrat e fiseve të fshatit tonë dhe disa nga emrat e lashtë që përcillen nga brezi në brez, përbëjnë një histori më vete, që nuk i dihet fillimi. Disa nga këta mbiemra, ose fise, si Kushgjinaj, Gjikëdhimaj, Gjokthomaj, Gjikaj, Mënkshaj, Dedegjonaj e të tjerë, thuhet se kanë ardhur nga Veriu i vendit dhe këtë e përforcon edhe fakti se shtëpitë e tyre janë ndërtuar zakonisht në periferi të fshatit, ku ka pasur dikur vende e toka të lira për të ndërtuar dhe për të hapur kopshte e ara bujqësore. Kushgjinaj, për shembull, i kanë pasur shtëpitë e vjetra në fund të fshatit, në vendin që sot i thonë thjesht Gërmadha, Mënkshaj në të djathtë të tij, përtej përroit e kështu me radhë. Natyrisht, ka edhe mendime të kundërta. Ka njerëz që thonë se, deri përpara ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, pjesë e së cilës ishte edhe Iliria, e gjithë popullsia ishte katolike dhe pra, ishte krejt e natyrshme që emrat e mbiemrat e mësipërm të haseshin njëlloj nga Jugu në Veri. Këtë ndoshta e dëshmon edhe emri i kryezotit të hershëm të Gjirokastrës, Gjin Bue Shpata, për të mos përmendur Gjin Zenebishtin.
Por, mjaft me këto përsiatje të vështira, që mendja dhe mosha ime nuk mund t'i përballojnë e t'i ndjekin me lehtësi gjer në fund. Tani, ka ardhur radha të flas konkretisht për xha Lamen, i cili ka qenë ndoshta një nga njerëzit që dinte më shumë për historinë e fshatit dhe ato që thoshte tingëllonin shumë të besueshme. Me sa dimë, ai ka lindur diku aty nga viti 1883 dhe ka vdekur në vitin 1970. Ai lindi në një familje të varfër, si shumica e familjeve labovite. Që i vogël, kishte një cen në këmbë dhe prandaj bamirësit Zhapa, doemos Kostandini dhe të tjerët pranë tij, se në atë kohë i madhi Vangjel Zhapa nuk jetonte më, e morën në Greqi për ta operuar. Kështu bënë, por operacioni nuk pati shumë sukses. Në Greqi, xha Lamen e dërguan në shkolla të ndryshme, deri sa e bënë një kuzhinier e pastiçier të shkëlqyer. Po në Greqi, ai mësoi edhe sekretet e një mjeku popullor për ortopedi dhe, të përgatitur në këtë mënyrë, Lame Kushgjini e dërguan përsëri në Labovë, si kujdestar të pallateve Zhapa dhe të njerëzve e pasurive që kishin ata këtu. Dhe kjo ishte një zgjidhje e mençur, sepse ishte e vështirë të gjeje në të gjithë krahinën njeri më të përshtatshëm, më korrekt dhe më nikoqir për këtë punë.
Xha Lamia, e kreu detyrën e kujdestarit në pallatet Zhapa ndoshta deri në mbarim të Luftës Nacionalçlirimtare dhe pastaj u tërhoq në punët e tij. Kishte të afërt në fshat dhe në Tiranë, por vetë, për shkaqe të njohura e të panjohura, nuk u martua asnjëherë dhe nuk la trashëgimtarë. Bënte përgjithësisht një jetë të vetmuar, ishte një nga psalltët më të shkëlqyer të Labovës, iu mësonte grave të fshatit sekretet e gatimeve të veçanta, hapte me lehtësi petë për byreqe dhe dinte të bënte ëmbëlsira të mrekullueshme, i thurte edhe më mirë se gratë çorapet, fanellat dhe bluzat e tij prej leshi, por pasioni i tij i madh ishte natyrisht mjekimi i thyerjeve të kockave. Janë të shumtë njerëzit që ka mjekuar dhe shëruar xha Lamja dhe unë vetë kam qenë i pranishëm në dy-tre raste. Një mbesa ime në Durrës, theu aksidentalisht këmbën. Vajti tek disa mjekë të përmendur, u shtrua disa herë në spital, ia vunë dy herë këmbën në allçi, por nuk pati përmirësime. E prunë më në fund në Labovë, tek xha Lamja. Ai e vizitoi me kujdes, me ato metodat e tij, ia theu këmbën edhe një herë, ia vuri kockat e thyera në vend dhe pastaj ia mbështolli me jaki dhe, pas disa muajsh, vajza mund të ecte e të kërcente për mrekulli, si ato zanat e malit. Një herë tjetër, i ndjeri Koço Piperi kishte thyer nofullën. Pa e zgjatur shumë, erdhi tek xha Lamja, i cili, në prezencën tonë, ia kapi me gishtat e mëdhenj në një mënyrë të veçantë dhe ia vuri në vend. Të tilla mjekime e shërime xha Lamja ka bërë me qindra, disa nga ata që janë shëruar prej tij jetojnë edhe sot dhe mund ta dëshmojnë këtë më sdë miri.
Një nga cilësitë e tjera që e dallonin xha Lamen, ishte humori. Atë që nuk mund ta thoshte dot drejtpërdrejt, xha Lamja e thoshte me humorin e tij disa herë edhe të hidhur dhe askush nuk ia merrte këtë për keq. Ai thoshte për shembull: Ç'bëra, korba, s'e bëj më, / E kam huq e dot s'e lë..." dhe kuptoj menjëherë se për kë e kishte fjalën, për gratë bishtdredhura dhe burrat e paqëndrueshëm, që nuk e mbanin fjalën dhe bënin përherë të njëjtat gabime. Ose: "E, eee, Selanik e tatëpjetë, / Siç ka qenë e do të jetë..." thoshte ai kur binte fjala për regjimet dhe qeveritë që ia linin vendin njëra-tjetrës dhe koha e tregoi se sa të drejtë kishte me këtë mënyrë të shprehuri.
Siç thamë, xha Lamja nuk u martua asnjëherë. Sa ishte gjallë, ai jetoi në familjen dhe shtëpinë e njërit prej labovitëve më të njohur për humanizmin dhe shpirtin e tij të madh, Telo Vodës. Ai iu përkushtua kësaj familjeje me gjithë shpirt, i deshi shumë fëmijët e saj, bëri sa mundi për rritjen dhe edukimin e tyre dhe ata ia shpërblyen me të njëjtën mënyrë: e deshën dhe e trajtuan deri në fund si një nga njerëzit më të afërt të familjes. Ata e përcollën për në banesën e fundit, ata ia bënë më vonë edhe varrin, ku xha Lamja prehet tashmë i qetë dhe i patrazuar në vetminë e tij. Edhe ne, bashkëfshatarët e moshuar, nuk e harrojmë xha Lamen. Dhe, sa herë që shkojmë në varreza për t'u çmallur me të afërmit tanë, nuk harrojmë të kthehemi edhe tek ai e të ndezim një qiri, në shenjë respekti e dashurie.
NË KËRKIM TË RRËNJËVE
Prishja më e tmerrshme për Labovën në të gjithë historinë e saj, ndodhi në Luftën e Dytë Botërore e sidomos gjatë Operacionit famëkeq të Qershorit të vitit 1944. Mbi 95 për qind e shtëpive të fshatit u dogjën e u shkrumbuan me gjithçka që kishin brenda, u zhdukën të gjitha mjetet e punës, u shkretuan gjëja e gjallë, arat e kopshtet dhe çdo gjë tjetër e nevojshme për të jetuar.
Shumë nga banorët e atëhershëm, nuk e përballuan dot katastrofën. Ata e patën të vështirë ta fillonin çdo gjë nga e para dhe preferuan të shtegtonin drejt qyteteve kryesore të vendit, ku ndoshta do ta kishim ëë të lehtë jetesën. Një nga ata që u nis në këtë rrugë pa kthim, ishte edhe Pilo Sevi, që u shpërngul në Vlorë së bashku me dy djemtë e tij, Pilon e Zajarinë dhe të bijën e vetme, Ulinë.
Fëmijët duhen njëlloj të gjithë, por xha Pilua u lidh më shumë me të voglën, Ulinë, të cilën e mori nga fshati për në Vlorë në shpërgënj dhe e rriti me shumë dashuri. Sa hera që i jepej rasti, ai i tregonte vajzës për Labovën, që, sipas tij, ishte fshati më i bukur në botë. Atje ishin rrënjët e tyre, megjithëse tani nuk kishte mbetur ndonjë i afërm, atje kishin lënë gërmadhat e shtëpisë, kopshtet, arat dhe pemët, atje edhe buka thatë hahej më e ëmbël se kudo dhe uji i krojeve ishte më i kulluari, nga ai fshat ishin njerëzit më të mirë e më bujarë të racës shqiptare, që kishin bërë emër nëpër botë, në Greqi, Turqi, Rumani e në Amerikë... Labova, Labova dhe kurdoherë Labova..., xhaq Pilua nuk dinte t'i thoshte vajzës ndonjë fjalë e emër tjetër dhe kështu u rrit ajo, me dashurinë dhe mallin e pashuar për fshatin e saj të origjinës.
Mbaroi shkollat e kohës dhe nisi nga puna në fabrikën e llampave elektrike, deri sa doli në pension. U martua me një djalë nga fshati Çorraj i Kurveleshit, Theodhori Dhimpalin, që, njëlloj si ata, kishte ardhur familjarisht në Vlorë. Krijoi familjen e saj, njohu gëzime e hidhërime, u përplas me dallgët e jetës, u dekorua, u nderua e më në fund ndoshta edhe u harrua, por fshatin e saj të origjinës, rrënjët dhe degët e saj nuk i hoqi kurrë nga mendja.
Meraku, thonë, malli dhe nostalgjia, e mplakin dhe e sëmurin njerinë. Kështu ndodhi edhe me Ulinë, e cila një ditë u sëmur rëndë, aq sa ishte në rrezik për jetën. I ra papritur infarkt. Pas shpëtoi nga më e keqja, ajo iu lut të shoqit ta çonte një herë në Labovë. Ta shihte përsëri atë vend të bekuar ku i kishte rënë koka, pa pastaj le të bëhej ç'të bëhej. Mirë, moj grua, të çoj unë në Labovë dhe më tej, ku të duash, por ti më ke thënë se në fshat nuk keni ndonjë të afërm tuajin, ku do ta fusim kokën, qoftë edhe për një natë?!...- i tha me butësi i shoqi. Epo, do ta gjejmë një vend, do të gdhihemi në hajat të kishës në fund të fundit, se më kanë thënë që është shumë i mirë, e kanë bërë të ri. Kot e fat, si i thonë, ata morën rrugën dhe erdhën më fund në Labovë. Pyet andej, pyet këndej se ku e kishin pasur shtëpinë Sevajt, askush nuk dite t'iu thoshte ndonjë gjë të saktë. Vetëm Koço Lani mund ta dijë, iu thanë dhe ata trokitën më në fund në portën time. Pasi u përshëndetëm, u njohëm dhe bëmë zakonet e mikpritjes, më treguan arsyet e asaj vizite të papritur dhe unë ndjeva të më lëvizte diçka e çuditshme brenda vetes, u mallëngjeva e u përlota dhe mendova me krenari se Labova nuk do të humbasë e nuk do të harrohet kurrë, përderisa të ketë të tillë njerëz të mrekullueshëm, që ngrihen edhe nga shtrati ku lëngojnë për të kërkuar rrënjët dhe degët e tyre. E admirova atë grua të rrallë labovite për gjestin e saj dhe ia shfaqa hapur gjithë respektin dhe mirënjohjen time.
Por Ulia Sevi (Dhimpali), nuk është e vetmja që është kthyer në Labovë pas shumë e shumë vitesh. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Kosta Noçka nga Janina, Koço Kondili nga Korça, kanë ardhur madje edhe nga Amerika e largët. Ç'të thuash më tej për këta njerëz, cila është ajo forcë e çuditshme, çfarë i shtyn ata të marrin një ditë udhën papritur dhe të vijnë në këtë vend gati të harruar? Respekti dhe dashuria për të parët e tyre, fryma atdhetare, malli për origjinën, do të thosha, për t'i mbyllur këto rreshta. Dhe të mendosh pastaj, se këtu afër, në Gjirokastër, Tepelenë e Memaliaj ka njerëz që përtojnë të bëjnë disa dhjetra kilometra për të ardhur gjer këtu...
NJË BOTIM QË PËRCJELL MESAZHE TË VEÇANTA NJERËZORE
Ashtu si bisturia në dorën e Prof.Dr. Arqile Andresë, e cila ka vepruar me mjeshtëri të rrallë, e tillë ka qenë dhe është edhe pena e tij në veprimtarinë shkencore e publicistike.
Gjatë karrierës së tij mbi 40-vjeçare, janë mbi 70 punime studimore-shkencore, libra e monografi, si dhe tekste për studentë e pasuniversitarë, të referuara e të botuara brenda e jashtë vendit, çka përbën një fond të pasur shkencor për brezat e sotëm dhe të tjerë, që do të vijnë më pas.
E ndërsa veprimtarinë e sipërme Profesor Arqilenë e shohim në lartësinë e një shkencëtari në fushën e vet, me botimin e librit të fundit "Kujtimet e një kirurgu", por dhe të mjaft shkrimeve e vargjeve botuar në organe të ndryshme të shtypit, ai na paraqitet edhe si një krijues e publicist me një bagazh e njohje të thellë të ngjarjeve e fenomeneve historiko-shoqërore.
I parë problemi nga ky këndvështrim edhe botimi i fundit, në të cilin Profesor Arqilea përshkruan rreth 53 episode e ngjarje të ndryshme, ndonëse ato zanafillën e kanë më së shumti aty në kirurgji e në djegie-plastikë, në to gërshetohen mjaft dukuri historiko-shoqërore, çka tregon se Dr. Arqilea nuk ka bërë thjeshtë një jetë të mbyllur prej specialisti, por, para së gjithash, ai ka pasur vizione e këndvështrime të gjera, duke u bërë pjesë e gjithë zhvillimeve të kohës.
Nëpërmjet kujtimeve të tij, të cilat kanë një ndërthurje e shtjellim që të tërheqin për të mos u shkëputur nga libri gjer në faqen e fundit të tij, veç anëve të tjera, në to lexuesit i jepet rasti që të nxjerrë prej tyre ato tipare të veçanta të karakterit të Profesor Arqilesë, ato virtyte e vlera moralo-shoqërore, që kanë karakterizuar dje dhe sot personalitetin e tij si mjek dhe qytetar.
Ato që spikatin si një fill i kuq në tërë kujtimet, pra në tërë veprimtarinë e tij, të cilat përbëjnë boshtin dhe themelet e gjithë qëndrimeve të veprimtarisë së tij, janë humanizmi, ndjenja e thellë njerëzore, ndërgjegjja dhe përgjegjësia e lartë, korrektësia në detyrë, si dhe shpirti i sakrificës, duke hequr çdo gjë nga vetja në shërbim të të tjerëve, të njerëzve që fatkeqësia i çoi në dorën e tij.
Në tregimet e Profesor Arqilesë gjejmë si një tipar dallues këmbënguljen e tij për të realizuar objektiva të caktuara, si një kërkesë imperative e kohës. Nëse nuk do të ishte këmbëngulja e tij, ndoshta për një kohë të gjatë, nuk do të kishim trashëguar një spital të posaçëm të djegie-plastikës, i ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i pajisur si i tillë.
Rrjedhimisht, nëse një ditë do të duhet që ai spital të marrë një emër, i takon që, në mënyrën më të denjë, të marrë emrin e Prof.Dr. Arqile Andresë, themeluesit të tij.
Nëse Profesor Arqilenë e gjejmë në nivelet e larta të shkencës mjekësore, ato janë rezultat i një pune kolosale kërkimore e hulumtuese; janë përpjekjet e tij disa dhjetëvjeçare, të gërshetimit të praktikës me teorinë; është etja e tij permanente për të marrë çdo përvojë të suksesshme nga bota shkencore gjatë kontakteve që ai pati në kongrese e konferenca ndërkombëtare, ku njëkohësisht doktori ynë çoi me dinjitet edhe përvojën e pasur të mjekësisë shqiptare. Dhe, ç'është për t'u theksuar, përvojën e tij të fituar brenda e jashtë vendit, Profesor Arqilea nuk e mbajti pronë të vetën, por ai, nëpërmjet gjithë veprimtarisë në klinikat përkatëse, por edhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë për shumë vite, e transmetoi atë edhe tek kolegët e studentët e vet, për çka ata sot me siguri i janë atij mirënjohës.
Jeta dhe veprimtaria e Doktor Arqilesë, sikurse del edhe në kujtimet e tij, nuk ka qenë e shtruar me dafina, por e mbushur plot sfida e vështirësi të shumta, plot të papritura, madje, shpesh edhe me përplasje të forta. Por ai ka ditur që ato t'i përballonte jo vetëm me mençuri e punë të palodhur, me ndershmëri e përkushtim, por dhe me guxim e vendosmëri, bazuar në një logjikë e arsyetim të argumentuar. I tillë ka qenë Dr. Arqilea, kur ka pasur të drejtë, edhe kundër atyre që dikur qëndronin lart në piramidën shtetërore e partiake dhe bënin ligjin, por edhe kundër qëndrimeve burokratike, servilizmit, mendjemadhësisë, egoizmit, mosmirënjohjes e të tjera fenomeneve, të cilat cenonin rëndë e frenonin mbarëvajtjen e punëve e të veprimtarisë shtetërore e shoqërore.
Duke qenë i tillë, Prof. Arqilea, qoftë në pozicionin e kirurgut, të drejtuesit të klinikës për rreth 20 vjet, apo dhe kur drejtonte Spitalin Nr.2, ndonëse qëndrimet e tij të prera e parimore u prishnin qetësinë disave, ai përkundrazi, gëzonte respektin dhe përkrahjen e gjithë punonjësve të tjerë e më gjerë.
Edhe pse Dr.Arqilea ka disa vjet që është larguar nga spitali e ka dalë në pension, nuk kanë munguar që t'i vijnë letra e mesazhe mirënjohjeje e falënderimi nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve u ka shpëtuar jetën. Natyrisht, këto ia mbushin atij zemrën plot gëzim dhe, në të njëjtën kohë, e bëjnë krenar për atë çka arrirë në shërbim të njerëzve.
Por Prof. Arqilea nuk ka qenë vetëm mjek e drejtues i talentuar, për të cilën me të drejtë vlerësohet edhe sot, por edhe një qytetar i denjë, i cili, duke jetuar me fatet e vendit të vet, është ingranuar në tërë zhvillimet e kohës. Ai sot nderohet e respektohet edhe si veteran i LANÇ, i cili, edhe pse në moshë gati të mitur, së bashku me moshatarët e tij, pjesëmarrës në organizatën e mirënjohur të DEBATIK-ut, ka dhënë një kontribut me vlerë në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, si ky, ashtu edhe familja e tij, për shkak të së cilës armiqtë i dogjën dhe i plaçkitën tërësisht.
Edhe në periudhat e mëvonshme, duke qenë me ndjenja dhe ide përparimtare, sepse e njihte mirë qytetërimin evropian, ndryshimet demokratike të ndodhura pas vitit 1990, si gjithë intelektualët e tjerë përparimtarë të vendit tonë, Prof. Arqilea i priti me kënaqësi, i bindur se ato do të sillnin ndryshime pozitive.
Por ai, me të drejtë nuk mund të pajtohej kurrsesi me veprime të dhunshme e anarkiste të ndodhura më pas, të cilat cenuan rëndë interesat e vendit dhe rrugën tonë drejt Evropës së Bashkuar.
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se këto vlera të karakterit të jetës e të veprimtarisë së Prof.Dr. Arqile Andresë, e kanë zanafillën e vet në familjen e mrekullueshme të tij, ku ai u rrit e u edukua nga prindër e vëllezër patriotë e të shkolluar, vlera të cilat spikatën qysh në fëmijërinë e tij, kur ne së bashku loznim në ato lëndina të fshatit dhe Arqilea i vogël, ndryshe nga të tjerët, shfaqte sjellje të matura, të dashura e me një ngrohtësi shoqërore, e pse jo, edhe me një intelekt më të avancuar, që do të reflektonte në të gjitha nivelet e arsimimit të tij.
Për çka vumë në dukje më lart, shpreh bindjen se edhe botimi i fundit "Kujtime të një kirurgu" i Profesor Arqilesë, përcjell mesazhe me vlera të veçanta njerëzore, botim të cilin shpresoj ta ketë secili nga ne në bibliotekën e vet.
Odhise Porodini
Tiranë, më 25.01.2009
In memoriam
NE BËMË GJITHÇKA QË DËSHIRUAM
- Sipas bisedës me zonjën Luiza Papajani, bashkëshorte e të ndjerit Sofokli Papajani
Sofokli Dhimo Papajani është një nga pjesëmarrësit e parë të Shoqatës Atdhetare - Kulturore " Odrie-Golik ", ku ai ka dhënë një kontribut të vlefshëm. Sofua kishte një dashuri të madhe për fshatin e prejardhjes së tij, për Tërbuqin, si dhe për fshatrat e krahinës së Rrëzës, duke gëzuar maksimalisht respektin dhe dashurine e bashkëkrahinasve.
Fshatin e fisit të vet nuk e duan vetëm "romantikët". Duhet të pranojmë se vetë jeta, shoqëria seleksionon sentimentalizmin e tyre, duke vlerësuar me krenari jetën, aktivitetin e farefisit - trungjet familjare të Labovës, nostalgjinë e natyrshme të tyre, duke vizituar herë pas here ato vende historike- familjare atdhetare dhe bile bashkë me pasardhësit e vet, për të prekur dhe kujtuar te kaluarën me ndjenjat e krenarisë dhe mirënjohjes.
Sofokliu u lind në vitin 1922, në një familje të madhe punëtoresh atdhetarë, që rritën dhe edukuan 6 fëmijë të nderuar. Ai ka qenë fëmija i parë, pastaj katër motra me radhë, Izmini, Evanthia, Polikseni, Persefoni dhe vëllai tjetër, Diogjeni,-tanimë Labovit - Amerikan. Familja e tij u lidh e tëra me Luftën Nacionalçlirimtare. Shtëpia e tyre kishte qenë bazë për partizanët gjatë gjithë viteve të vështira të luftës. Dhimua, babai i Sofos, ishte specialist kalldrëmesh. Në vitet 1942-1944, ai u burgos për bindjet dhe veprimtarinë e tij si anëtar i Këshillit të Qarkut. Nëna e Sofos, shtëpiake, ka qenë edhe ajo e arrestuar dhe e burgosur nga fashistët.
Sofua, si më i madhi, zëvendësonte prindërit e tij me përkushtim familjar, me sakrifica dhe gjatë jetës se vet shkonte vazhdimisht në gëzimet e hidhërimet e të afërmve dhe bashkëfshatarëve. Sofua vetë, u grupua në forcat territoriale në rajonin e Përmetit, të. Këlcyrës e me radhë në Dangëlli, Dëshnicë, Ballaban, Cerie etj. Edhe motrat kanë qenë partizane. Të gjithë janë veteranë të LANÇ-it.
Mësimet e para, Sofo i kreu në Gjirokastër, të mesmen në Normalen e Elbasanit dhe, pas saj, filloi punën si mësues për edukimin e brezit te ri. Mbas çlirimit të vendit, Sofokliu si student i Kontingjentit të parë (v. 1946-1951 ), përfundoi me sukses studimet e larta jashtë shtetit për drejtësi në Universitetin e Shën Petërburgut në ish - Bashkimin Sovjetik. Me t'u kthyer në Atdhe, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë, më pas kryetar i Gjykatës së Tiranës dhe, më tej, përsëri në Gjykatën e Lartë dhe pedagog në fakultetin juridik të USHT për lëndën e së drejtës së punës. Ishte koha kur Sofua shfaqi cilësi aq te domosdoshme për një jurist, për të marrë vendime te pjekura, aspak te nxituara, me vullnet dhe këmbëngulje, për të vënë në jetë shkencën juridike të asaj kohe dhe për të transmetuar përvojën e tij te juristët e rinj, te ata gjyqtarë dhe prokurorë që vinin direkt nga studimet e USHT. Shpërblimi i kësaj pune u duk, veç te tjerash, te respekti që tregonin kolegët e tij të punës dhe më të rinjtë.
Ai ishte, për të tërë ata që e patën njohur, një jurist i shquar në kuptimin me konkret te fjalës dhe një njeri po aq i respektuar, me tipare njerëzore dalluese, si trimëria, principialiteti, mençuria dhe urtësia me sjelljen fisnike. Ndërsa për kontributin e shquar në çlirimin e Atdheut dhe për shërbime shtetërore dhe shoqërore, arkivi personal i Sofos është i mbushur me dekorata, urdhra e medalje.
Mbas acarimit deri në prishje te marrëdhënieve aq te ngrohta mes Shqipërisë dhe BRSS, familja e Sofokliut i dha lamtumirën kryeqytetit dhe u transferua në Lushnjë si " revizioniste ", ku në "ndalesa" Sofua ushtronte funksionin e gjykatësit, ndërsa bashkëshortja ishte mësuese e gjuhës ruse. Edhe në Lushnjë, ai asnjëherë dhe në asnjë rast nuk e uli ritmin e punës për të transmetuar përsëri me urtësi dhe me durim përvojën e vet. Me punën e ndershme dhe jetën modeste, familja Papajani ka bërë shumë miq dhe shume dashamirë në këtë qytet, mbështetja dhe inkurajimi i të cilëve jua ka lehtësuar dhe lezetuar jetën atje.
Ndëshkimi ka vazhduar deri ne vitin 1991, kur, pas proceseve demokratike, familja u kthye sërisht në Tiranë.
Por, kush ishte dhe është bashkëshortja e tij, pa të cilën nuk mund të kuptohet një pjesë e mirë e jetës së Sofokliut?
Është rusja Luiza Melnikova - Papajani, po aq e nderuar, e cila i qëndroi të ndjerit pranë në çdo hap, deri në orët e fundit te tij. Prejardhja e saj nga Stalingradi (tanimë Vollgograd ), ku e kaloi femijërinë, adoleshencën dhe një pjesë të rinisë, pa dalë qoftë edhe një herë nga rrethinat e qytetit.
Ajo ishte pjesëmarrëse në Betejën aq te njohur botërisht. Asaj i akorduan në vendlindje titullin e luftëtares së vijës së parë të frontit (gardistes) të Luftës të viteve 1941-1945, dy medalje për " Fitoren e Stalingradit" dhe dekorata të tjera. Është edhe anëtare e Shoqatës së Stalingradasve luftarakë në Moskë.
Mbas Luftës, në vitet 1945-195, vazhdoi studimet në fakultetin juridik të Universitetit të Leningradit (tani Shën-Petërburg). Ajo ka ndjekur gjithashtu me korrespondencë degën e Letërsise dhe gjuhës ruse në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Moskë. Atje ishin studentët e parë nga Shqipëria dhe, mes tyre, Sofokli Papajani, qeë vinte nga radhët e antifashistëve. Atëherë mbizotëronte ende një frymë tjetër: ishte entuziazmi i pasluftës dhe i vëllazërimit ndërmjet popujve; vendet tona i përkisnin të njëjtit kamp ideologjik. Jeta e përbashkët studentore (leksionet, biblioteka, menca me "triskë ushqimore", pushime etj), organizimet kulturore artistike, ku Sofokliu me shokë demonstronin vallet shqiptare me fustanella aq te çuditshme i afruan shumë ata të dy. Sigurisht, në fillim ishte kurioziteti normal i moshës. Por, me kalimin e kohës, aq më tepër që kishin
edhe të njëjtin formim, të njëjtën degë studimesh dhe të njëjtin botëkuptim për mënyrën e jetesës, të dy të rinjtë u dashuruan. Luiza ishte atëherë 18 vjeçe, ndërsa Sofua 23 vjeçar. Ata u bënë shokë të pandarë dhe kështu lindi dëshira për të qenë pranë njëri - tjetrit jo vetëm disa orë, muaj e vite, por... tërë jetën.
Çfare i ka bashkuar ata?
Botëkuptimi i njëjtë, antifashizmi, arsimi, mirëkuptimi, veprimtaria e përbashkët shtetërore e shoqërore, jeta e bukur familjare dhe, /siç thonë dashuria e zjarrtë iu ka siguruar 59 vjet jetë martesore, jo të pasur, por me harmoni, të mbushura me punë në përballimin e vështirësive bashkë, çfarë e kemi dëshiruar, shpjegon Luiza dhe kjo vlen për të gjitha çiftet martesore nga rinia deri në pleqëri.
Legjislacioni i asaj kohe nuk lejonte martesa me shtetas te huaj, por
dashuria triumfoi mbi ligje e distanca. Doemos jo dashuri shekspiriane
thotë Luiza, por dashuri si në kohën e Stalinit dhe të Enverit. Dashuria mes tyre, nuk njohu zigzage, ajo mori rrugën e pakthyeshme. Atë rrugë, që shumë
kush mund ta lakmonte. Nga viti 1955, rusja ndërtoi jetën me shqiptarët me një protokoll të veçantë nga Kuvendet Popullore të të dy shteteve. Në Shqipëri,
ka bërë jetë aktive pedagogjike dhe shoqërore. Filloi punë si spikere per
emisionet rusisht në Radio - Tirana, pastaj si pedagoge e Gjuhës Ruse dhe
Historisë së Shtetit dhe të Drejtës në USHT ( fakultetet Histori- Filologji dhe
Juridik), si dhe është autore e shumë teksteve mësimore për shkollat e mesme dhe të larta, pa përmendur veprimtarinë e dendur metodike e shkencore pranë disa shtëpive botuese.
Është e lidhur familjarisht me veprimtarinë jetëdhënëse atdhetare e kulturore te Shoqatës "Odrie - Golik", për konsolidimin e mëtejshëm të saj, për të vendosur kontakte me diasporën shqiptare në trojet e Rusisë, Ukrainës, SHBA, Greqisë, me shoqatat e tyre "Miqtë e Shqipërisë ", " Shqipëri-Rusi" etj., gjithashtu, me qëllimin e realizimit të hapjes në gazetën tonë të rubrikës: "Shqipëria është e vogël, por shqiptarë ka shumë ".
Edhe vajzën e vet, Irini, Sofokliu e ka aktivizuar, duke e çuar nëpër fshatrat e prejardhjes se tij. Ajo ka qenë mikeshë e nderuar në Tërbuq e Labovë, bashke me gra të tjera. Ndërsa djalin e saj me emrin e gjyshit, Sofokli, gjithmonë e ka marrë me vete nëpër veprimtaritë tona. Në shumë fotografi, është fiksuar pjesëmarrja e tyre, aty janë Sofua i madh dhe Sofua i vogel, si veprimtar i ardhshëm.
Nuk mendoj, se e kisha varfëruar jetën tonë, thotë Luiza, përkundrazi e kisha pasuruar, duke fituar edhe një atdhe të dytë, shqiptarët u bënë që në fillim motrat dhe vëllezërit e mi, u bënë pjesa tjetër e familjes... Rritëm së bashku dy vajzat tona dhe u kujdesëm për nipër dhe mbesa. Une e dua dhe e pëlqej popullin shqiptar, kam kaluar jetën këtu, ia njoh cilësitë sepse jetoj këtu, pranë ish burrit tim te dashur. Dashuria s'njeh as moshë, as kufi dhe as vdekje.
Sofua, 84 vjeçar, la pas nja emër të mirë, që nuk do të harrohet kurrë, jo vetëm për të dashurit e familjes e të fisit të tij dhe për të gjithë ata që e njihnin atë, gojëmbel, të sjellshëm e të dashur. Ai është një prej atyre njerëzv që bëjnë hije mbi dhe.
KËNO TOTI
MËSUESES SË KLASËS SË PARË
Kur ishim fare miturakë,
Na mblodhi, siç mbledh zogjtë klloçka
Dhe na mësoi, pak nga pak,
Fisnikja Andromaqi Noçka.
Na mblodhi, porsi bij e bija
Dhe na mësoi ABC-në,
E mirë, sa vetë mirësia,
E shtrenjtë, si nënat që na bënë.
Edhe na nisi nëpër botë,
Mendje ndriçuar e të mbarë,
Ndaj, me nderim, kujtojmë sot
Ku hodhëm dje hapin e parë.
Na rriti dhe na plaku jeta,
Herë e ëmbël, herë farmak,
Por bota, ç'është e vërteta,
Si Andromaqi kishte pak...
Ndaj, rroftë dita, që na mblodhi
Dhe rroftë kush na hapi sytë,
Në këtë botë, që na lodhi,
Si Andromaqi s'ka të dytë.
KËNO TOTI
KËNGA E GJINO VAKUT
Dr.Sofokli Duka
Në vendin tonë ekzistojnë shumë legjenda, si ajo e besës, ringjalljes, mbajtjes së fjalës, rinjohjes etj. Ekziston mendimi se djepi i këtyre legjendave është vetëm Veriu i Shqipërisë, gjë që nuk është plotësisht e saktë. Është pranuar shkencërisht nga studiuesit e fushës së folklorit, se Rrëza e sidomos Labova, është treva ku ka lindur një nga legjendat më të vjetra dhe më të plota të rinjohjes. Le të njihemi me vlerësimin e studuesëve për këtë problem:
"Legjenda e rinjohjes se vellait me motren ka disa variante. Emri i heroit Gjon ne nje variant tjeter te Veriut eshte Ali, ne nje tjeter Hazri Asali, ne juge (Labovë - Gjirokastër) Gjino Vaku. Te arbëreshet e Italisë, kjo legjendë tregohet për Olimbinë dhe Vllastarin. Në legjendë, thuhet se ajo (Olimbia), e ndarë prej shume kohësh nga i vëllai, që ka shkuar në ushtri, grabitet prej tij si plaçke lufte pa u njohur, ose ai e blen pa e njohur (ka qenë që i vogël rob lufte). Një pëllumb u zbulon të fshehtën. Motivi i rinjohjes është subjekt i përdorur edhe nga shkrimtarët. Çajupi e ka trajtuar një motiv të tillë ne vjershën "Atdheu dhe dashuria" (Baba Tomori), por ne kete rast jane dy vellezer."
Ja varianti i plotë i këngës së Gjino Vakut, ashtu siç ma ka kënduar nëna ime, Leno Duka, qysh në vitin 1978:
Gjino Vaku, trim i mirë,
Në kohën e djalërisë,
Ç'faj i kish bërë njerëzisë (?!...) (Perëndisë) 1)
Poqi një palë krushq nd'udhë,
Krushqit i vrau e i preu
Ehe nusen ua rrëmbeu.
Gjeti një manastir n'dë udhë,
Vate të vinte kurorë,
Fryu një erë e furtunë,
Gjithë kandilet i shoi'
Gjithë kandilet i sosi
Priftërinjtë ç'i marmarosi,
Kallogretë ç'i vuvosi.
Gjino Vaku, trim i mirë,
Mori çupënë për dore,
Vajti në një hije molle,
E kujt je ti, mori vashë?
Jam e mot'r e Gjino Vakut
Dhe e mbes e qir Dhespotit...
... Ne jemi mot'r e vëlla,
Ndaj u bë kjo hata...
Siç e thamë më lart, kjo këngë këndohet edhe në treva të tjera të Jugut, veçanërisht në Kolonjë, ku njihet si "Kënga e Konofatit" dhe fillon afërsisht me vargun: "Ike, ike ndaj një udhe, / Konofat, more..."
Shënim: Në rreshtin e tretë të këngës, fjala "Perëndisë" është zëvendësuar me fjalën "njerëzisë", për shkaqe që tashmë dihen.
Përgatiti: Dr.Sofokli Duka
Popullsia e fshatrave të Rrëzës 1432-2001
Nr | Fshati | 1432 | 1913 Banorë | 1926 | 1945 | 1950 | 1955 | 1960 | 1969 | 1979 | 1989 | 2001 |
Shtëpi | ||||||||||||
1 | A.Poçi | - | - | - | - | - | - | 271 | 330 | 410 | 512 | 670 |
2 | Hormovë | 55 | 750 | 406 | 454 | 493 | 491 | 412 | 635 | 809 | 826 | 851 |
3 | Hundëkuq | 21 | 180 | 151 | 155 | 164 | 153 | 170 | 202 | 238 | 274 | 278 |
4 | Kodër | - | 144 | 109 | 75 | 85. | 179 | 132 | 104 | 129 | 220 | 357 |
5 | Labovë M | 119 | 580 | 620 | 163 | 234 | 211 | 136 | 225 | 223 | 244 | 209 |
6 | Labovë V | 64 | 352 | 513 | 125 | 179 | 150 | 100 | 185 | 206 | 222 | 158 |
7 | Lekël | - | 687 | 497 | 159 | 261 | 300 | 147 | 191 | 202 | 217 | 236 |
8 | Tërbuq | - | 185 | 212 | 155 | 212 | 150 | 137 | 169 | 184 | 194 | 190 |
|
| 259 ? | 2878 |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Në vitin 1926, Labova kishte 1133 banorë, kur Tepelena si qytet kishte 600 banorë, Libohova 2500 e Gjirokastra qytet 10 mijë banorë.
Përgatiti: Dr. Sofokli Duka
Labovitet i kane mbrojtur ne shekuj trojet e tyre
Historia tregon se labovitet i kane vleresuar dhe mbrojtur me vetmohim,sakrifica dhe gjak pronat dhe tojet e tyre: tokat,kullotat dhe burimet ujore.
Kështu, ne vitin 1859, i quajturi Ahmet Bej, prej Gjirokastre, i mbështetur në një ferman të sajuar me miqtë dhe të afërmit e tij, pretendonte para gjykatës turke në Janinë posedimin e Tavanit dhe të Mavrambelit, që gjoja iu takonin çifligjeve te tij. Me gjithë rryshfetet e dallaveret e beut, gjyqi vazhdoi një kohë dhe nuk dihet si përfundoi. Ajo që dihet, është se në Mavrambel,por edhe ne afersi te Tavanit, janë gjetur varre të labovitëve në mbrojtje të këtyre tokave. Disa tomponime, mbajne ende emrat e ketyre te reneve. Tavani, Mavrambeli e Nënguri, ndonëse larg fshatit, mbetën pronë e tyre. Tavaniotet qe sot, gezojne tokat e laboviteve, te cilet me pare kishin si truall samarin e mushkave dhe si cati qiellin, duhet te jene mirenjohes per sakrificat dhe gjakun e laboviteve ne mbrojtje te ketyre tokave dhe t'ua shperblejne vetem dhe vetem me mirenjohje
Edhe në vitet e mëvonshme, labovitet kanë luftuar për mbrojtjen e tokës e të kullotave. Me rëndësi ishte qëndresa kundër pretendimeve e lakmive te beut tjetër të Gjirokastrës, Sharaf Karagjozit, pronarit të fshatrave Karjan e Kakoz, duke përfituar nga një pseudo-titull (tapi), që në ato kohëra merrej lehtësisht e në rrugë te shtrembra, me dallavere, rryshfete e dëshmitarë të rreme. Sharaf Karagjozi kërkoi pranë këshillit administrativ e gjykatës së Prefekturës së Gjirokastrës që t'i njihej e drejta e pronësisë së kullotës komunale (merasë), e ndodhur në malin e Odries. Me perkrahjen e prefektit dhe të miqve të tjerë, ai mundi të siguronte një vendim në favor të tij, duke vënë dorë mbi kulloten ku ndodheshin dhe arat e fshatit.
Të indinjuar thelle, labovitet nuk e lane çështjen pa e ndjekur. Ata i dërguan më 30 Mars 1928 Zogut një ankesë, ku theksonin se " ... humbja e arave të veta sot, në periudhën e lirisë dhe indipendencës së Atdheut..., është e pafalshme dhe përbën një shkelje të rëndë në funksionimin e maqinës së administratës e të drejtësisë lokale... Meqenëse bënë edhe përpjekje të tjera, labovitët e rimorën kulloten në vitet e mëvonshme, kur Sharaf Karagjozi dhe miqtë e tij u detyruan te thyheshin.
Qendrese te vazhdueshme kane treguar labovitët edhe për të mbrojtur ujrat e burimeve të Hosit. Burimet dhe përroi i Hosit është njëkohësisht edhe kufiri ndarës midis Labovës dhe Lunxhërisë, ku Labova ka patur të drejtën e pronësisë sipas rregullave të kohës. Por Labova ka patur prona edhe në anën lunxhiote të Hosit, ku konkretisht Koreza dhe kisha me të njëjtin emër, kanë qënë dhe janë prona të Trikajve, të përbëra nga fiset Duka, Koçi dhe Mërtiri. Në këtë drejtim Labova ka patur konflikte të vazhdueshme me Sharaf Karagjozin, i cili duke shfrytëzuar pushtetin, e rrëmbente ujin e Hosit për të vaditur çifligjet e tij të Kakozit dhe Karjanit, jashtë rregullave të caktuara. Ai është tërhequr mjaft herë përballë qëndresë labovite.
Ne gjysmën e dytë të shekullit të XVIII, kur All Pasha ishhte ende bej dhe ndiqej si kaçak, kur mësoi se shtëpia e tij në Tepelenë, ku banonin e ëma e vet, Hankua, dhe motra, Shanishaja, do të sulmohej nga Kurt Pashai i Beratit, u nis nga Janina me një çetë dhe sulmoi Labovën, ku ishin përqendruar armiqtë e tij. Befas, ai pushtoi disa shtëpi, për të fituar pozitat kyçe gjatë sulmit të mëtejshëm. Por labovitët, të ndihmuar nga hormovitët dhe fshatrat e tjera fqinje, i prapsën bandat e Aliut, i ndoqën këmba-këmbës deri afër Tepelenës, duke iu shkaktuar dëme të mëdha. Oborrtari dhe apologjisti i Ali Pashes, Haxhi Sherreti, për trimërinë e labovitëve dhe rreptësinë e luftimeve, ndër të tjera shkruan: "Ç'u bë në Labovë, nuk ka të molloisur, Në botë nuk është bërë ndonjëherë ndonjë luftë e tillë."
Kur Ali Pasha krijoi shtetin autonom shqiptar (Principatën) me kryeqytet Janinën, shume fshatare labovitë bënin pjesë në ushtrinë e tij. Madje thuhet se mjaft nga oficerë e artilerisë së Aliut ishin nga Labova dhe fshatrat e tjera të Rrëzës, që komandoheshin nga Jano Lekëlioti dhe dalloheshin për zgjuarsi dhe trimëri,
Labova nuk u bë kurrë çiflig as i pashallarëve osmanë dhe as i Ali Pashës, kundër të cilit luftoi për 9 vjet rresht, deri sa ra në ujdi të paguante fshatçe një sasi parash dhe Aliu hoqi dore nga sulmet e veta. Ky pajtim u bë edhe me ndërmjetësinë e Thanas Vajës, një burrë trim nga Lekli, që kishte të afërmit e tij në Labovë.
Në luftimet kundër inkursioneve të Ali Pashës dhe pashallarëve të tjerë që donin ta bënin Labovën çiflig të tyre, u shquan për burrëri dhe trimëri Spiro Stoja e Tile (Odise) Çikani. Këtë e tregon edhe kënga e njohur, që fillon me fjalët "Kapedan, o Spiro Stoja / S'e leshon pollen nga dora".
Një enciklopediste greke, shkruan: "Fshatrat e Rrëzës së Tepelenës e Zagorisë, janë dalluar për burrëri dhe trimëri dhe, për këto cilësi të tyre luftarake e të vetëmohimit, mund të krahasohen me suljotet..." Labovitet gjithashtu u shquan si trima e bashkëluftëtarë të Zenel Gjolekës e Rrapo Hekalit. Me admirim flitet për trimëritë e Thanas Nasos, Vaso Nikës etj.
Shëmbujt historik të përpjekjeve labovite për të mbrojtur truallin dhe nderin janë të shumtë. Por aktualisht ndaj pronave të Labovës, vazhdon i njëjti rrezik, që e ka kërcënuar atë në shekuj, Njerëz me pushtet, larg e jashtë Labovës, pa mirëkuptimin dhe bisedime me labovitët, me " fermane" të siguruara në bazë të pozitës zyrtare, realizojnë shfrytëzimin e pasurive të Labovës. Konkretisht në prag të krizës globale të ujit, Labovës i mirret për shfrytëzim uji i burimit të Gurrës së Labovës së Vogël, ku nëpërmjet tubacionit ai do të përpunohet në Tavan. Por për fat të keq këtë herë nuk ka jo më qendresë, por asnjë ankesë, as nga përfaqsuesit e pushtetit vendor në Labovë dhe as nga shoqata "Odrie-Golik". Nuk jemi kundër investimeve dhe shfrytëzimit të ujit të Gurrës, por mendimi i labovitëve të thjeshtë e të ndershëm, është që ai të përpunohet tek burimi dhe në marveshje me labovitëtpër të përcaktuar modalitetet e shfrytëzimit. Vetëm në këtë mënyrë ai do ti shërbente edhe Labovës, pse jo edhe Tavanit, pushtetarët e të cilit nuk janë të kënaqur me tokat e falura të Labovës, por kërkojnë edhe burimet e ujit të saj. Qoftë larg, sikur nesër të kërkojnë edhe Gurrën e Malit dhe më pas edhe Odrien! Jo, Labova nuk vdes kurrë! Ajo është duke rilindur!....
NINE XHAVARA
SOFFOKLI DUKA
Zhapa i shkruan bashkësisë së fshatit Lekël
LETRA E PARË
Brosthenion, 13 Nëntor 1883
Drejtuar bashkësisë së fshatit Lekël
Të dashur bashkatdhetarë,
Kam parasysh letrën tuaj të datës 31 korrik të kaluar, me anën e së cilës me njoftoni rezultatet e provimeve të shkollës, të cilat i mora vesh me shume gëzim.
Për keto nuk kisha ndonjë dyshim, se jam i bindur (që) megjithëse nuk i njihni dijet, e ndjeni dhe çmoni vlerën e tyre të madhe dhe frymëzoni në fëmijët tuaj prirjen dhe dashurinë për këto.
Nga kjo bindje mora hovin për krijimin e shkollës, të cilën e shikoj gjithmonë me dashuri patriotike dhe interes ligjor, dëshiroj dhe uroj të mësoj gjithmonë sa më të mira për të mirën e fshatit tuaj.
Uroj gjithashtu si deri sot e tash e tutje të marr gjithmonë informata të kënaqshme për përparimin e brezit të ri, kjo varet në radhë të parë nga ju, duke dhënë këshilla të mira dhe shembull të mirë, virtyte dhe moral krishter dhe patriotizmin dhe në vazhdim nga mësuesi, i cili do të plotësoje veprën e edukimit dhe zhvillimit, duke transmetuar dhe dije të dobishme.
Për fat të mirë, mësova se mësuesi është nga të gjitha anët shumë i mirë dhe jepet me zell në veprën e tij, për të cilën edhe ju duhet ta përforconi, duke i dhënë nderin dhe dashurinë që i takon.
Në këtë mënyrë, do të arrini çdo gjë që dëshironi dhe në kohën e duhur, kur edhe unë do të shkarkohem nga ngarkesat që kam tani për shumë vepra kombëtare. Tash për tash, ekonomizoni gjërat, duke e ndarë shkollën në dy seksione (degë), shkollë fillore dhe shkollë e virgjëreshave, në të cilën do të japë mësim kuptimplotë (e nderuara) zonjë bashkëshorte e mësuesit.
Këto nevoja m'i bëri prezent edhe nipi im, Kristua i cili më siguroi edhe për ecjen mirë të punëve të shkollës, prandaj porosita përfaqësuesin tim, Z. Thanas Meksi, mjek, të interesohet për plotësimin e tyre. Atij i kam shkruar në të kaluarën dhe tani, gjatë qëndrimit të tij këtu, e kam porositur për ndërtimin e dhomave për mësuesit në vendin (tokën) që kam blerë dikur, ndërsa ajo dhoma ekzistuese deri tani, të mbetet ekskluzivisht për të huajt që kalojnë atje, njerëz të qeverisë etj., në mënyrë që të mos vuani tash e tutje nga asnjë preokupim.
Interesohuni pra që të ngarkoni Këshillin e kontrollit të shkollës, si dhe ndonjë njeri tjetër patriot, që ju e gjykoni të përshtatshëm të merren vesh me Z. Thanas Meksi, që të gjejnë teknikun e përshtatshëm për ndërtimin e dhomave dhe çdo meremetim që nevojitet, të bëjnë marrëveshje (simfoni) me të (teknikun) sipas rastit dhe vetë ata të jenë mbikqyrës për t'u bërë një punë e mirë dhe e qëndrueshme (e fortë) ndërsa paratë do t'i paguajë Z. Thanas Meksi.
Mbi këtë ju jap (ofroj) përqafimin tim patriotik.
K.Zappas
Zhapa i shkruan bashkësisë së fshatit Lekël
LETRA E PARË
Brosthenion, 13 Nëntor 1883
Drejtuar bashkësisë së fshatit Lekël
Të dashur bashkatdhetarë,
Kam parasysh letrën tuaj të datës 31 korrik të kaluar, me anën e së cilës me njoftoni rezultatet e provimeve të shkollës, të cilat i mora vesh me shume gëzim.
Për keto nuk kisha ndonjë dyshim, se jam i bindur (që) megjithëse nuk i njihni dijet, e ndjeni dhe çmoni vlerën e tyre të madhe dhe frymëzoni në fëmijët tuaj prirjen dhe dashurinë për këto.
Nga kjo bindje mora hovin për krijimin e shkollës, të cilën e shikoj gjithmonë me dashuri patriotike dhe interes ligjor, dëshiroj dhe uroj të mësoj gjithmonë sa më të mira për të mirën e fshatit tuaj.
Uroj gjithashtu si deri sot e tash e tutje të marr gjithmonë informata të kënaqshme për përparimin e brezit të ri, kjo varet në radhë të parë nga ju, duke dhënë këshilla të mira dhe shembull të mirë, virtyte dhe moral krishter dhe patriotizmin dhe në vazhdim nga mësuesi, i cili do të plotësoje veprën e edukimit dhe zhvillimit, duke transmetuar dhe dije të dobishme.
Për fat të mirë, mësova se mësuesi është nga të gjitha anët shumë i mirë dhe jepet me zell në veprën e tij, për të cilën edhe ju duhet ta përforconi, duke i dhënë nderin dhe dashurinë që i takon.
Në këtë mënyrë, do të arrini çdo gjë që dëshironi dhe në kohën e duhur, kur edhe unë do të shkarkohem nga ngarkesat që kam tani për shumë vepra kombëtare. Tash për tash, ekonomizoni gjërat, duke e ndarë shkollën në dy seksione (degë), shkollë fillore dhe shkollë e virgjëreshave, në të cilën do të japë mësim kuptimplotë (e nderuara) zonjë bashkëshorte e mësuesit.
Këto nevoja m'i bëri prezent edhe nipi im, Kristua i cili më siguroi edhe për ecjen mirë të punëve të shkollës, prandaj porosita përfaqësuesin tim, Z. Thanas Meksi, mjek, të interesohet për plotësimin e tyre. Atij i kam shkruar në të kaluarën dhe tani, gjatë qëndrimit të tij këtu, e kam porositur për ndërtimin e dhomave për mësuesit në vendin (tokën) që kam blerë dikur, ndërsa ajo dhoma ekzistuese deri tani, të mbetet ekskluzivisht për të huajt që kalojnë atje, njerëz të qeverisë etj., në mënyrë që të mos vuani tash e tutje nga asnjë preokupim.
Interesohuni pra që të ngarkoni Këshillin e kontrollit të shkollës, si dhe ndonjë njeri tjetër patriot, që ju e gjykoni të përshtatshëm të merren vesh me Z. Thanas Meksi, që të gjejnë teknikun e përshtatshëm për ndërtimin e dhomave dhe çdo meremetim që nevojitet, të bëjnë marrëveshje (simfoni) me të (teknikun) sipas rastit dhe vetë ata të jenë mbikqyrës për t'u bërë një punë e mirë dhe e qëndrueshme (e fortë) ndërsa paratë do t'i paguajë Z. Thanas Meksi.
Mbi këtë ju jap (ofroj) përqafimin tim patriotik.
K.Zappas
MARO LABOV1TJA
Eduard Lear, piktor dhe personalitet shumë i njohur i shekullit të 19-të, një nga përfaqësuesxzit më të shquar të aristokracisë më të lartë angleze, shkruan në kujtimet e tij:
I shoqëruar nga oficeri i mbretit të Napolit, himarioti Jorgo Kokali, qëndrova në Himarë të Epirit për tre muaj, vjeshtë-dimër 1848. Anastas Kasneci, që më shoqëroi më vonë, ishte nga paria e Himarës. Mëma e tij, një grua shumë e edukuar, po ashtu edhe nusja e tij, Maro Labovitja, ishin nga Labova e Gjirokastrës. Nusja, Maro Labovitja, ishte nga fisi i mëmës së tij, nga familja Meksi.
Kur mbërrita në Vuno, Anasftasi me tha në italisht : "Casa di baba!" Dhe hymë brenda në shtepinë e tyre, ku banonte i vëllai, Dr.Kostandin Kasneci me fëmijët, si dhe gruaja e Anastasit, Maro Labovitja me vajzën 3-vjeçare.
Mbas ceremonisë së pritjes, më çuan në një dhome të madhe tetëkëndëshe, dhoma e miqve. Kjo odë qe e veshur me panele dhe e mobiluar shumë bukur, me kanape e divane te stilit oriental.
Paraqitja dinjitoze, me kulturë e finesë, tregonte se isha midis njerëzve e popullit të një kombi me sjellje krejt ndryshe nga sa kisha parë në gjithë vendin. Dhoma ku pushova, kishte një krevat të rehatshëm dhe një duzinë me tavolina të vogla anësore, rreth e rreth karrige mbrapa tyre, që zbukuronin hijshëm. Kishte komo e sënduqe të gdhendura e stoli të bukura. Mesi i tavanit kishte një rozetë me ornamente druri, ku vareshin bistakë rrushi të thatë. Sergjenet qenë mbushur me vazo lulesh të shumëllojta. Kishte edhe pjata e sende të tjera fajance. Shkurt, u habita nga komoditeti familjar dhe shija e tyre, që më kishin munguar më parë në gjithë udhëtimet e mia.
Mbi të gjitha, më bëri përshtypje Maro Labovitja, nusja e Anastasit. Ajo na qëndronte mëngjes-darke "qiri" në këmbë plot nderim, bujari e kulturë, një nikoqire e përsosur! Erdhi edhe vajza e tyre 3-vjeçare, e bukur, e veshur, e pastër, me dy sy si dy rruaza të zeza! Ajo u ul pranë meje dhe e shpenguar me dha dorën dhe këndoi diçka për mua, sipas moshës së vet. Më dukej sikur më njihte prej kohësh.
Gjellët e Maro Labovites qenë shumë të shijshme. Dinte të gatuante të gjitha llojet e mishit dhe të shpendëve që hahen. Krevati i pastër dhe dhoma e qetë, mund të kenë qenë pikërisht ato që i duhen njeriut e që i çmon aq shumë, mbasi ka kaluar ditë dhe net të vështira gjatë këtyre muajve në Shqipëri.
Te nesërmen vizituam fshatin Vuno, një fshat i bukur, i pastër dhe me njerëz shumë të mirë. Kudo binte ne sy kultura e tyre e lashtë dhe moderne, gjë që më befasoi, se isha ne Ballkan. Maro Laboviten është vështirë ta përshkruash: Qe një krijesë aq e bukur, me fytyrë të profilit grek-klasik të përsosur. Sytë e saj qenë bojë deti, blu të errët, tepër të butë e njerëzorë, që i jepnin atë hijeshi pa kufi, me shprehje mirësie aq të dëlirë, sa të shëmbëllente me ndonjë shenjtore në pikturë. Ajo qe, pra Maro Labovitja, e denjë për një mbretëreshë. Më thanë se, kur u martua, disa vite më parë, ajo nusëroi e hoqi vallen në mënyrë mahnitëse, sa një turk aga, i ardhur i ftuar nga përtej maleve, kur e pa ashtu te bukur e të lehtë si flutur, nuk u përmbajt dot, u ngrit në valle dhe këndoi:
"Pika neve që s'na ra,
Themi se paskemi gra,
Kemi ca brashnjamëdha
Nga dovlet përmbysura..."
Lordi Lear u kthye në Vuno mbas disa vitesh dhe e pa përsëri Maro Laboviten me të zeza, që nga koka në kembë, se i shoqi i saj, Anastas Himarioti trim, qe vrarë në një nga aventurat e tij Italo-Ballkanike dhe Kasnecët kishin rënë "nga vakti".
I thanë Maros të kthehej te dera e njohur e babait të saj në Labovë, në shtëpinë e Meksajve, por ajo qe përgjigjur: "Hëngra te mirat e kësaj shtëpie, tani do ha edhe të hidhurat e sqj..." dhe qëndroi e përballoi jetën plot dinjitet, si i thonë fjalës: "duke bërë fustanin pantallona". Punoi si burrë e si grua dhe i rriti fëmijët me të keq.
Në vitin 1850, në Korfuzin përkarshi, lulëzonte aristokracia greke dhe evropiane, të cilët në vend të akullores, hanin borë mali me sheqer e qumësht gjatë verës së nxehtë. Borën e merrnin karshi, përtej në malin e Çikës, se në atë mal kishte maja dhe hone plot borë mbuluar, që nuk shkrihej kurrë deri në verë. Njerëzit që i paguanin mirë, e merrnin borën nga ai mal i lartë dhe e zbrisnin me kosha ne Jal, port i vogël i Vunoit, e ngarkonin me barka dhe e sillnin ne Korfuz.
Një nga të fortët që merrte borën në malin e Çikës, duke u ngjitur cdo ditë nëpër ato hone të bardha si qefini, në mes të zhegut të vapes të diellit "saç" të beharit mesdhetar, ishte ajo Maro Labovitja, e zonja e Labovës dhe e Himarës.
Ajo merrte dhe ngarkonte me litar mbi shpinën e saj borën akull, të futur në thasë linoje, te ngjeshur mirë dhe të mbuluar me fier dhe pastaj, me 180 pound ngarkuar, zbriste malin gjer në skelë, e dorëzonte ngarkesën dhe merrte paraëe të ushqente femijët jetimë. Kjo qe Maro Labovitja, e denjë për mbretëreshë në kohë të mira dhe e zonja si luaneshë në kohë të vështira!
Një ditë, Marua mori një të ftohtë të rëndë nga akulli që i shkrinte mbi shpinë dhe, bashkë me djersën, i futeshin e rrinin mbi trupin e saj. Vuajti ca dhe vdiq, iku e na la ne te pakëve, shkoi në botën e të shumtëve.
Të shihje lipsanën e saj, që rrinte ashtu në gjumë shtrirë në arkivol, si në krevatin e gjumit të vdekjes, dukej si një ikonë e bukur; duke fjetur gjumin e ëmbël, shtrirë si engjëllushe!
(Marrë nga libri "Rrugët e jetës më shpien në Labovë" i zotit Thanas Hoda. Botohet me ndonjë korrektim dhe ndreqje të papërfillshme.)
U NDANE NGA JETA
Gaqe Niko Meleqi
Më 5 shkurt 2009, Gaqe Meleqi shkoi në banesën e përbashkët dhe të përjetshme të labovitëve. U lind 82 vjet në parë, u rrit dhe u plak në një familje të varfër, por të ndershme dhe të respektuar në Labovë të Madhe. Me bashkëshorten, Vasile Kolete, nga Hundëkuqi, lindën, rritën dhe edukuan tre vajza, të cilat kanë qenë shembull në shkollë, shoqëri dhe familje.
Labovitët do ta kujtojnë Gaqen si një njeri të urtë, dashamirës, korrekt në çdo aspekt, shoqëror, vazhdues i gjurmëve të babait, psaltës i kishës së fshatit. Familja e të ndjerit, ka dhënë kontribute të vazhdueshme në historinë e Labovës, para, gjatë dhe mbas LANÇ e deri në ditët e sotme.
Nasi Goga
Më 31 korrik, 2008, pas një lëngimi të shkurtër, u nda nga jeta Nasi Goga. Lindi 68 vjet në parë në fshatin Cebishtë, të rrethit të Fierit, në një familje punëtore dhe patriotike, të shquar në të gjitha regjimet për përgjegjshmëri, ndershmëri dhe seriozitet. Pas martesës me vajzën labovite Marika Pesha, u vendos familiarisht në Labovë të Madhe. Atje, një ferrishte buzë një përroi, e ktheu në një parajsë të vërtetë. Labovitët do ta kujtojnë gjatë, urtësinë, thjeshtësinë, ndershmërinë, palodhshmërinë e tij, prindin dhe bashkëfshatarin e mirë.
Koço Xhavara
I mbylli sytë përjetësisht më 3 shkurt 2009. Lindi 89 vjet më parë në Labovë të Madhe në një familje me tradita të herëshme atdhetare. Ka marrë pjesë në formacionet e LANÇ, duke luftuar deri në Vishegrad. Mbas çlirimit, ka shërbyer si ushtarak, me gradën e nënkolonelit, ku është vlerësuar me urdhëra e medalje të ndryshme.
Mbas daljes në pension ka kontribuar në veprimtaritë shoqërore e sidimos si kryetar i organizatës së Veteranëve të LANÇ, Nr.6 nëDurrës. Gjatë gjithë jetës së tij, Koçua, ka punuar me përkushtim, duke pasur të gjitha ato veti që e zbukurojne dhe nderojne figurën e një njeriu.
Vasil Meleqi, Koço Lani, Këno Toti
Banesa e thanas Vajes ne Gjirokaster Pjese e trashegimis kulturore e historike
Kjo shtepi ndodhet ne pjesen muzeore te qytetit te Gjirokastres,e ndertuar rreth 280 vjet me pare dhe sipas te gjitha gjasave ka ne pronesi emrin e Thanas Vajes,me origjine nga Lekli,te kryeinformatorit dhe Ministrit te Sigurise e Renidit te Pashallekut te Janines,figura me e njohur dhe me besnike e Ali Pashe Tepelenes.Thanasi ne kete shtepi me mure e cati guri ,ku ndodheshin rreth 20 divane e odara,sipas gojedhenave nuk banoi asnjehere.Ndersa pas ndeshkimit shembullor qe Porta e Larte I beri Aliut dhe Thanasit,qeraxhinjte me banim ne kte shtepi e mbajten sekret pronesine e saj,per nje kohe te gjate derisa autoritetet turke e zbuluan dhe e sekuestruan ne vitin 1873.
Shtepia e Thanas Vajes e ndodhur ne lagjen "Varrosh" banohet nga 5 familje qe e ndjenje veten te rrezikuar ne raste shembje te saj.Prej 4 vjetesh ne tavanet,muret ndares dhe te jashtem jane shfaqur plasaritje te thella,qe nga viti ne vit thellohen dhe zgjerohen.Ajo ka mbetur ne pronesi shterore,status qe trashegon edhe pas vitit 1944 te clirimit te vendit,kur jane bere dy here restaurime.Restaurimet me te fundit ne vitin 1970,te bera ne banesen e Thanas Vajes nga Atelieja e Restaurimeve,kane patur kane patur edhe vlera arkitektonike .
Pas 39 vjetesh te restaurimit,sikurse shihet ne fotografine e botuar,muri I jashtem rrezikohet te renohet,ndersa pas vitit 1994 banoret nuk paguajne qerane ne arken e shtetit si pronar,qe e perfaqeson Drejtoria Rajonale e Monumenteve te Kultures.Por me shume te shqeteson deklarata e drejtuesit z.Spartak Drasa,qe thote per gazeten "Shqip"se,ndonese kjo shtepi ndodhet brenda zones se mbrojtur muzeore,nuk eshte perfshire ne listen e monumenteve te kategorise se pare dhe as ne ate te kategorise se dyte,kur ne ligjin"Per Trashegimin Kulturore"thuhet:"Monumente Kulturore te kategorise se II jane te gjithe ndertimet ne zonat-muze dhe ato te mbrojtura te qyteteve-muze ne qendrat historike,te palincesuara monumente te kategorise se I.Ato ruhen vetem ne vellime dhe perberje arkitektonike te pamjeve te tyre te jashtme.Ministri I Turizmit,Kultures,Rinise dhe Sporteve I shpall ato monumente kulturore te kategorise se II" Sigurisht se,I takon ketij institucioni te reagoj ndaj qendrimeve burokratike te ruajtjes se vlerave te trashegimise kulturore e historike,por edhe shoqata e "O DRIE-GOLIK" me kryesine e saj duhet te kembengul kur keto vlera rrezikohen te shkaterohen per shkak te ketyre qendrimeve, punonjes te Institutit te Monumenteve te Kultures
Pergatiti: Tomi Puleri
Mars 2009
Cel.0672236650