Gazeta "ODRIA" NR.57
Poetit Arben Duka i jepet titulli: Nderi i Organizatės sė Veteranėve tė LANĒ tė Popullit Shqiptar
Poeti "rrebel"
Poetit Arben Duka i jepet titulli: "Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar"
Arben Dukës
"Për kontributin e shquar që ka dhënë në edukimin patriotik atdhetar në brezat, për mbrojtjen dhe propagandimin me dinjitet të vlerave të patjetërsueshme të LANÇ-it dhe që me veprën e tij letraro - artistike të një niveli të lartë, ka mbrojtur në çdo rast interesat tona kombëtare, duke demaskuar veprimet antikombëtare".
NGA Kristaq Laka
Bota është e atyre që digjen...
Përditë e gjen në krye të "Komunës së Parisit" në Tiranë, në krye të një lokali, ulur në krye të një tavoline. Me çantën pranë, me bllokun mbi tavolinë e stilografin në dorë, me celularin që vazhdimisht bie. Aty është "studioja" e tij e "punës" së përditshme. Pi një kafe, humbet në krijimtari, nxjerr "gjahun" me stilografin e "helmët". Kështu thonë ata që bien në lakun e penës së tij: "Sa të helmët e ka penën, "maskarai", thonë ata, por populli thotë ndryshe: Të puthsha penën, sa të fortë e paske!
Me pamje burrërore të ëmbël që reflekton mirësi e ironi, me mjekrën e zbardhur nga thinjat (thinjat e një 54 vjeçari!), me sytë e zgjuar, sheh rretheeqark dhe, të gjithë e shikojnë dhe përshëndesin, e pyesin për shëndetin. Gjendesh përballë një befasie të këndshme e tronditëse, njëkohësisht.
Duke e parë me atë pamje të papërkulshme m'u kujtua shprehja e një publicisti tonë të hershëm: Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen... Dhe ai digjet. Digjet për të ndalur lirinë që ikën, kombin që duan ta çajnë, historinë që duan ta zhbëjnë, popullin që duan ta nënshtrojnë e zvarrisin... Digjet se politikajtë vërtiten si djajtë me imunitet, se makutëria, grekëria e xhuvelëria e të tjerë, e të tjerë, e të tjerë, i venë tjetër emër krenarisë e dinjitetit tonë kombëtar.
Dhe ky është poeti "rrebel" Arben Duka. Në krye të penave të fuqishme të humorit, në krye të intelektualëve që luftojnë kundër padrejtësive shoqërore, në krye të "plumbave" gjurmëlënës. Sepse intelektualët e fuqishëm, poetët e humorit, u ngjajnë "plumbave" gjurmëlënës, sepse me veprën e tyre lenë gjurmë në histori.
Para se të nisesha për te kafeneja, në krye të rrugës "Komuna e Parisit", tek ecja trotuarit, te ministria e Drejtësisë, qëndrova pranë një të verbëri që i binte fizarmonikës. I binte dhe mërmëriste vargjet e një kënge. E qante dhe qante edhe vetë i verbëri. Qante dhe të bënte për të qarë. Loti i rridhte nëpër faqe. Çudi loti i të verbërit nuk ishte i verbër! Para kujt jam? - pyeti. Para ministrisë së Drejtësisë - i tha dikush. Pse i thonë kështu: e drejtësisë?! - tha. Dhe iku me nja dy lekë që i kishin hedhur kalimtarët e mirë. Ç' hall e ç' brengë e kishte brengosur aq shumë? I verbëri shikonte. Ishte verbuar nga ciflat e bombave më 1997. Edhe i verbëri i shikon padrejtësitë. E shikon këtë epokë të globalizmit. Dhe loti i të verbërit ngjante sa një glob hallesh, një lot që shikon nëpër glob. Iku nëpër trotuar, i tërhequr për cepin e xhaketës nga një fëmijë duke i rënë harmonikës e duke mërmëritur vargjet e Arben Dukës, të një kënge që ka fituar çmim në një festival kombëtar.
Se ky Arbeni, me shpirtin rrebel të bën të dridhesh e të qeshësh, me shpirtin e tij lirik, të bën të qash. Është në krye të lirikëve tanë.
Të gjithë vimë nga ajo Luftë
(Kronikë nga ceremonia)
Në "Komuna e Parisit", nuk shkova rastësisht. Aty do të zhvillohej një ceremoni e thjeshtë në dukje, por që nuk u shpëtoi emocioneve. Kjo ceremoni zhvillohej në vijim të thellimit të nismës mjaft domethënëse që Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, ka marrë për të vlerësuar figurat më të spikatura të inteligjencies sonë kombëtare nga të gjitha fushat, që çmojnë, nderojnë e mbrojnë vlerat e epopesë më të madhe të historisë sonë, Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo nismë i vlerëson, afron dhe u afrohet këtyre figurave të mëdha të vendit tone, ka të bëjë me përmbushjen e misionit të madh e fisnik të organizatës sonë të madhe e të lavdishme. Kështu, duke afruar këto figura, organizata jonë bëhet edhe me e fuqishme, edhe më jetëgjatë, edhe më zëplotë.
Në kuadër të kësaj nisme do të vlerësohej poeti, publicisti, intelektuali i shquar Arben Duka, do t'i dorëzohej atij titulli i lartë "Nderi i Organizatës së Veteranëve LANÇ të Popullit Shqiptar".
Ishte 11 mars. Ora 11.00. Erdhën aty për të dorëzuar këtë titull krerët më të lartë të Organizatës: Kryetari i Komitetit Kombëtar, Rustem Peçi dhe Sekretari i Përgjithshëm Odhise Porodini. Në ceremoni ishte edhe bashkëshortja e Arbenit, Pranvera dhe e vëllai i tij, Sofokliu.
Kryetari i Komitetit Kombëtar Rustem Peçi duke i dorëzuar titullin u shpreh me fjalët më të ngrohta e me vlerësimin më të lartë për Arben Dukën. Ai është në ballë të intelektualëve jokonformistë, simbol i krijuesit kurajoz, guximtar e trim. Ju, tha shoku Rustem, keni bërë e bëni një punë të lartë patriotike. Me punën tuaj jeni bërë një personalitet tepër i spikatur i letrave. Me kurajon tuaj, me guximin tuaj në fushën letraro-artistike, sidomos të humorit, kini lënë gjurmë. Organizata jonë ndjehet vërtet e fuqishme dhe e pambarimtë me personalitete si ju. Intelektualë si ju i bëjnë nder organizatës sonë, i bëjnë nder kombit, i bëjnë nder popullit të vet. Se ju, gjithë krijimtarinë, ja kini kushtuar interesave të Atdheut, mbrojtjes së Luftës sonë heroike partizane, të atij brezi që bëri sakrificat më sublime, por që sot, një regjim neofashist, hedh çdo ditë baltë mbi të dhe nderon krimin e kriminelët... Po nderi s'ka nevojë të nderohet nga të pandershmit. Ju nuk jeni sot vetëm një pasardhës veterani, ju jeni një veteran edhe i ushtrisë sonë të lavdishme. Ushtarakët e liruar e në pension janë bërë krah i fuqishëm i organizatës sonë. Ju i dashur Arben dhe intelektualët e tjerë si ju, luajnë një rol emancipues dhe qytetërues, në shoqëri, veçanërisht në edukimin e brezit të ri. Me ju çdokush ndizet nga kurajua e ngrihet kundër së keqes.
Vimë të takohemi, të bisedojmë, të vlerësojmë e falënderojmë Arbenin, për punën e tij titanike në mbrojtje të historisë së kombit, të idealeve e vlerave të LANÇ, tha Shoku Odhise Porodini. Ne bëjmë luftë të madhe për të mbrojtur këto vlera. Lufta jonë është e vështirë se, për fat të keq, jemi ballëpërballë me një regjim fashist, që në ballë dhe në bazë ka bij ballistësh- u shpreh ai. Ne bëjmë një luftë heroike, me të gjithë veteranët e pasardhësit në të gjithë vendin, për të mbrojtur vlerat e kësaj Lufte. Ju shoku Arben bëni pjesë në ata intelektualë që kini dhënë e jepni, përmes krijimtarisë suaj letrare, një kontribut të veçantë në mbrojtje të këtyre vlerave. Prandaj ne kemi ardhur të dorëzojmë titullin e lartë: "Nderi i Organizatë së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar":
Nuk e di ngase i dridheshin duart Arbenit, nga emocionet apo nga... tjetër gjë. Por e vërteta është se iu drodhën më fort se zakonisht...
Ndjehem shumë i vlerësuar dhe i emocionuar, tha Arben Duka, për nderin që më bëni. Ju vini nga partizanët trima, nga një organizatë e madhe që vjen nga Lufta e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të gjithë vimë nga Lufta, nga dëshmorët. Se andej erdhi liria, se nga ata jemi këtu. Kush e harron këtë ka harruar lirinë.
Ju falenderoj me gjithë zemër, për nderin që po më bëni duke më dhënë këtë titull të larte: "Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ". Është nder të jesh nderi i kësaj organizate të madhe. Unë, sa të jem gjallë, do të luftoj që Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, faqja më e ndritur e historisë sonë, të mbetet maja më e lartë.
Pena e tij sa dhjetëmijë ushtarë...
Jo dhe aq me shaka, bashkëshortja e Arbenit na thotë: Ai, Berisha, ka thënë se pena e Arben Dukës, është baras me dhjetëmijë ushtarë të armatosur... Ndoshta, është e vetmja herë që ai paska thënë një të vërtetë. Se pena e Arben Dukës nuk të tremb, të tmerron. Por ka mundësi që ai këtë batutë ta ketë thënë kur ka qenë në opozitë dhe kur Arbeni shkruante kundër pozitës, kundër Qeverisë Nano, kundër ministrave të asaj qeverie, duke përdorur edhe fjalorin më të ashpër e sharje që s't'i nxë goja. Por penapushkë e Arbenit "qëllon" nga të dy krahët. Ai sulmon fenomenet negative të kësaj shoqërie që e kanë zënë për fyti. E prandaj është kthyer në një fenomen. Sot nuk mund të mbijetohet duke i bërë makiazhe kozmetike pushtetit e demokracisë së cunguar. Sot duhet penapushkë e Arben Dukës për të goditur realitetin e hidhur shqiptar. Ai në poemat, në satirat, sarkazmat e ironitë e tij ngrihet kundër fallcitetit, kundër politikanëve që demokracinë e kanë keqkuptuar dhe e keqpërdorin, që pushtetin e mjelin si lopë. Sa sisë vallë ka lopa qeveri!?
Ai me siguri nuk e ka menduar veten asnjëherë në paqe, por vetëm në luftë për paqen, në luftë kundër të gjithë fenomeneve të këqia. Mendja e tij nuk e ka humbur toruan në asnjë moment, nuk e ka zbehur guximin në asnjë çast, nuk e ka mposhtur kurajon edhe kur shëndeti ka tentuar ta mposhtë... Ballas më ka dalë vetëm sëmundja, thotë, por dhe ajo do të ikë, sepse humorit i tremben edhe sëmundjet... Ndoshta prandaj edhe nuk i kundërvihen ballas. Ka një thënie të mrekullueshme të Karl Kraus, humoristit më të madh austriak: "T'i kundërvihesh satirës, është njëlloj si të ngresh lart vlerat e druve, si argument kundër një zjarri që djeg në mënyrë të pamëshirshme".
Ty s'të dridhet mendimi...
E pashë edhe një herë kur po ndaheshim. Ai njeri, ai poet rrebel, çuditërisht kishte emocione. Dhe humori e ironia sikur i ishin zbehur. Ai e kishte vlerësuar këtë ceremoni si një ngjarje të madhe. Edhe poetët rrebelë përballë eventeve të tilla zbuten.
-Me s'e shkruan? - e pyeta. Me laptop?
-Jo, tha, m e stilograf, se më dridhet dora...
Oh, ndjeva dhembje.
Nuk ka rëndësi vëlla, që të dridhet dora, ty nuk të dridhet as qerpiku e as mendimi.
NJOFTIM
Kryesia e shoqatës AK “Odrie-Golik”, në
mbledhjen e saj të radhës, vendosi të lirojë
nga detyra z. Odhise Porodini, si Zv.
Kryetar i shoqatës, në bazë të kërkesës
së tij, për shkak të impenjimeve si Sekretar
Veteranëve të Luftës NAÇL, zgjedhur kohët
e fundit. Në vend të tij u zgjodh Z.Vangjel
KRYESIA E SHOQATËS
.
PĖRUROHET KISHA E PAPANDISĖ NĖ LABOVĖ TĖ ZHAPĖS
PËRUROHET KISHA E PAPANDISË NË
LABOVË TË ZHAPËS
Etnolog THANAS MEKSI
Kryetar
i Shoqatës “Odrie - Golik”
të Rrëzës
- Dhjetëra labovitë marrin pjesë në meshën e madhe
Më 2 shkurt 2011, në Labovën e Madhe të Zhapës u mblodhën me dhjetëra labovitë të ardhur nga Tirana, Elbasani, Fieri, nga qyteti i Gjirokastrës, nga Dropulli dhe Lunxhëria e Rrëza, për të shuguruar kishë madhështore të Papandisë. Në sytë e tyre, shprehej lumturi dhe në shpirt shpërthente gëzimi i madh për këtë vepër me një arkitekturë të rrallë e unike, këtë kishë shumë të bukur, dhuratë e Perëndisë.
Labovitët e kanë dashur Zotin dhe knë besuar gjithnjë tek Perëndia, ndaj edhe kësaj radhe u mblodhën si asnjëherë tjetër për të dëgjuar fjalën e Perëndisë në shtëpinë e Zotit.
Shugurimi i kishës u pikërisht në atë datë, kur Zhapa i madh mblidhte në Labovë gjithë burrat që kishin mbushur moshën 25 vjeç dhe kuvendonte me ta për hallet e fshatit. Ndaj dhe 2 shkurti ka qenë gjithnjë një Ditë e Shënuar dhe Labova është cilësuar me nderim si vend i shenjtë i takimit me Zotin. Ndaj dhe labovitët, në jetë të jetëve, do të përulen me respekt përpara veprës së madhe të Vsangjel Zhapës.
Kisha e Papandisë, që u përurua më 2 shkurt, me një meshë madhështore të mbajtur nga dhespoti i Gjirokastrës, mitropoliti +Dimitrios, i rrethuar nga shumë priftërinj të tjerë, është një vepër madhështore arti, një bukuri e rrallë, e ndërtuar me gurin e fortë të Labovës, që nuk thyhet kurrë. Kombinimi i traditës labovite, është sinkronizuar me të renë moderne të ndërtimit.
Kjo vepër, e ka fillesën e saj që gjashtë vjet më parë, kur Hirësia e tij, kryepeshkopi Janullatos priti me përzemërsi përfaqësuesit e komunitetit labovit dhe kërkesën e tyre për ndërtimin e kishës e vuri në jetë me kënaqësi, duke dhënë kështu edhe bekimin e shenjtë për besimin e devotshëm të labovitëve tek Zoti.
Mitropoliti i Gjirokastrës +Dimitrios, meritoi atë ditë përgëzimet e popullit besimtar labovit për këtë vepër madhështore të dhuruar. Ata premtuan se Labova dhe labovitët, në jetë të jetëve do të përulen me dashuri dhe respekt e veneracion, sa herë që do të vijnë në këtë kishë, duke e shprehur këtë edhe me vargjet e Nane Panajot Meksit, të perifrazuar bukur:
Gëzohu, Labova jonë,
Se të erdhi prapë dita
Të shkëlqesh me krenari,
Porsi ylli Afërdita.
Një falenderim të veçantë labovitët i dhanë e do t’i japin gjithnjë Hirësisë së tij Anastas Janullatos, duke shprehur bindjen se Ai, bashkë me mitropolitin e Gjirokastrës +Dimitrios do të angazhohen po me të njëjtën gatishmëri edhe për ndërtimin e objekteve të tjera në Labovë: Shtëpinë e dy Zhapajve të mëdhenj dhe varret e tyre, manastirin e Tërbuqit, rrugën automobilistike të Labovës ë Vogël, krojet e fshatit etj.
Ta bëjmë Labovën ashtu siç ka qenë
Nisma e marrë nga djali labovit Vangjel Kokoli, i ndihmuar nga të gjithë, por veçanërisht nga nipi i Cikajve nga Labova Arian Pano, drejtor i arsimit të Qarkut të Gjirokastrës, do ta bëjë me siguri Labovën një ditë ashtu siç ka qenë. Nismë e madhe, me një vlerë shumë të madhe. Ndaj, të gjithë të vrapojmë në Labovë dhe. Bashkë me ndërtuesit e talentuar Stefan Stefani e Lili Prifti e të tjerë, ta rindërtojmë Labovën e ta bëjmë atë fshat historike turistik, ashtu siç i ka hije.
Ne jëmi të bindur se do të kemi gjithnjë në krah, si deri tani, prefekten Mimoza Çomo, kryetarin e Këshillit të Qarkut Arben Çulli, kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime dhe shumë biznesmenë vendas e të huaj, për ta bërë Labovën të vizitohet nga të gjithë dhe që ata të thonë: “S’ka si Labova! Ia vlen të shkosh atje edhe për të bërë pelegrinazh e lutje te shtëpia dhe varret e të famshmëve Vangjel e Kostandin Zhapa, por edhe për t’u shlodhur e kënaqur me erën e malit, natyrën e saj të bukur, edhe për të pirë një gotë ujë të ftohtë e të kulluar si kristali, edhe për ta ngopur gjoksin me ajrin e pastër të Odries.
Për të gjitha këto, u fol gjerë e gjatë edhe më 2 shkurt dhe labovitët e mbyllën atë ditë të bekuar me urimin: “E gëzofshim kishën e re! Perëndia qoftë me ne!”
* * *
Te memoriali i Vangjel dhe Kostandin Zhapës, ndërtuar dikur në oborrin e kishës së Papandisë, mitropoliti i Gjirokastrës +Dimitrios dha një trisai në kujtim të tyre.
Atje përshëndeti edhe zoti Thanas Meksi, etnolog, kryetar i Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Odrie - Golik” të krahinës së Rrëzës. Fjala e tij u dëgjua me shumë vemendje dhe pjesëmarrësit e cilësuan atë edhe si një betim të labovitëve për ta bërë fshatin e tyre ashtu siç ka qenë.
* * *
Më 2 shkurt, labovitët bënë shumë foto, shkëmbyen mesazhe dashurie me njëri-tjetrin, pinë ujin e kistaltë të Gurrës dhe drekuan së bashku në restorantet e Subashit.
E veçanta e kësaj dite të shënuar, ishte sidomos ardhja e labovitit të moshuar, veteranit Margo Veshka, i cili kishte organizuar edhe ardhjen e labovitëve nga Fieri. I lumtë!...
Urime
Kryesia e shoqatës AK “Odrie-Golik”, formulon urimet
më të sinqerta për Z. Jorgo Zharkalli, për zgjedhjen e tij
si Kryetar i Komunës “Odrie”! Ajo shpreh besimin për
një bashkëpunim më të frytshëm në të ardhmen, në të
mirë të mbarëvajtjes së punëve të komunitetit të kësaj
komune.
KRYESIA E SHOQATËS
FALENDERIM
Falenderoj bashkëpatriotët, për mbështetjen e dhënë për të kandiduar si kandidat për Kryetar
i Komunës Odrie. Falenderoj familjen time, nënën Aleksandra, bashkëshorten Violeta dhe
djemtë Arin e Kriston, për inkurajimin që më dhanë në këtë inisiativë. Duke respektuar
vendimin e instancave përkatëse, mbështeta me të gjitha fuqitë, rezervat dhe përkrahësit e
mi, vullnetin e shumicës së banorëve të komunitetit të Odries. Uroj që këto zgjedhje të
ndikojnë edhe më tej për ta çuar edhe më përpara Lëvizjen për Rilindjen e Labovës së
Zhapës.
Me respekt
VANGJEL KOKOLI
Dhjetë të vërtetat e historisë së Vangjel Zhapës
Prof. Fedhon Meksi
Vijon nga numuri i kaluar
E VËRTETA E SHTATË: NJË QËNDRIM I NEVERITSHËM...
Për kontributin e madh që dha Zhapa për Lojërat Olimpike dhe jo vetëm, shteti grek i ndërtoi një shtatore përjetësimi, që u vendos në të majtë të hyrjes qendrore të pallatit, e cila do të mbante emrin Zappeion (greqishtja nuk e ka tingullin zh), ndërkohë që emri i tij u shkrua bashkë me emrat e burrave më të mëdhenj të Greqisë, në sallën e Parlamentit.Pas vdekjes së tij, qeveritarët grekë të kohës, bashkë me pasurinë lakmonin edhe Vangjel Zhapën si personalitet poliedrik, hero i kryengritjes greke dhe pasaniku më i madh i Europës Lindore. Veçse, Zhapën e donin grek, me origjinë greke, me prindër grekë, i lindur në një fshat që ndodhej në një krahinë greke. Pra, ata donin Labovën dhe Rrëzën greke, edhe pse është një krahinë e vendosur thellë në tokat shqiptare. Kështu paraqitet fatkeqësisht Vangjel Zhapa, jo vetëm në botime të ndryshme greke, por edhe në gjuhë të tjera. Përkatësia e tij qind për qind shqiptare dhe karakteri i pastër etnik shqiptar i krahinës së tij mjegullohen me formulime si “Vangjel Zhapa është me origjinë greke dhe ka lindur në Labovë, një fshat i Epirit të Veriut”, duke lënë të kuptohet se vinte nga një krahinë greke. Në të vërtetë, “Epiri i Veriut nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston si toponim i një territori të caktuar gjeografik” (Filip Liço, “Probleme të marrëdhënieve greko- shqiptare”, Tiranë, 2009, f. 108). “Epiri i Veriut lindi historikisht në fund të luftërave ballkanike si një term politik, që lidhet me koniunkturën politiko-ushtarake, diplomatike dhe strategjike në atë kohë, kur secili nga vendet ballkanike synonte të merrte sa më shumë territore nga Perandoria Turke e larguar nga Ballkani.” (Po aty, f. 158 ). Pra, në kohën kur jetonte V. Zhapa (1800-1865) ende nuk ishte sajuar Vorio Epiri, kurse për turqit ai, si çdo i krishterë shqiptar, ishte kaur (grek), sikurse çdo mysliman ishte turk. “Këto emërtime janë kapërcyer me kohë dhe përdorimi i tyre në ditët tona tregon varfërinë e argumenteve prej autorëve të tyre.” (Po aty f. 160 ), meqenëse “identifikimi i ortodoksëve shqiptarë me etninë greke është krejtësisht i gabuar. Ortodoksë në Ballkan janë edhe serbët, edhe bullgarët, edhe rumunët” (po aty, f. 167).“Sot, në fillim të shekullit 21, të flitet me gjuhën e shekujve të kaluar është e paperceptueshme. Me pretendime të tilla nuk mund të ketë kurrë marrëdhënie të sinqerta miqësie dhe bashkëpunimi midis Greqisë dhe Shqipërisë “, përfundon minoritari i urtë grek, Filip Liço, në librin e tij “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, (f. 166).
TË VËRTETAT PËR LABOVËN E MADHE DHE LABOVITËT
Këto teori të djallëzuara dhe pa asnjë bazë shkencore, që u fabrikuan para mesit të shekullit XIX, çuditërisht vazhdojnë edhe në ditët tona edhe pse modeli për argumentimin e autoktonisë së shqiptarëve buron drejtpërdrejt nga studimi i zakoneve të banorëve të Rrëzës, “fshatrat në krahun e djathtë të lumit Drino, para bashkimit të tij me Vjosën.” (Hahn, Studime Shqiptare, Jena, 1853, f. 175), të cilat janë përzgjedhur nga shkencëtari i madh gjerman Johann Georg von Hahn dhe shqiptari dr. Apostol Meksi”, ngaqë i përkasin një zone të pastër nga pikëpamja etnografike, larg ndikimeve greke, sllave dhe aq më tepër turke”. (Nelson Çabej, Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane. Tiranë. 1990, f. 79).Labovitët dhe gjithë banorët e Rrëzës, krenarë për origjinën dhe të dashuruar pas gjuhës së tyre të bukur, kanë dhënë një ndihmesë të madhe për lëvrimin dhe futjen e saj në kisha dhe në shkolla. I pari në këtë drejtim shkëlqeu dr. Vangjel Meksi (1770-1823), mjeku i Ali Pashë Tepelenës, që pasi hartoi gramatikën shqipe, e para nga autorë shqiptarë (para vitit 1819), përpiloi alfabetin origjinal që përmbante edhe shkronja neolatine, hartoi drejtshkrimin e gjuhës shqipe, si dhe shqipëroi veprat e francezit Fleuri me format teksti për nxënësit shqiptarë (1814), duke përfunduar me kryeveprën e tij, shqipërimin e plotë të Dhjatë së Re (1821).Fill pas tij spikat Vangjel Zhapa (1800-1865), që i shtyrë nga dashuria për popullin e tij dhe për gjuhën shqipe, bëri të mundur mësimin e saj në shkollat me dy klasë gjimnaz që i ngriti vetë (1860), si dhe në shkollat fillore greke që funksiononin në Shqipërinë e Jugut. Ai mbështeti financiarisht Naum Veqilharxhin për botimin e abetareve të para shqipe (1844, 1845) dhe bëri të mundur nxjerrjen e fermanit për hapjen e shkollave shqipe në Shqipërinë e Jugut. Përbri Vangjel Zhapës duhet vendosur leklioti Anastas Byku, që ushtroi veprimtarinë atdhetare në periudhën 1848-1878 dhe nuk rreshti së theksuari se, “me gjithë ndarjet fetare dhe krahinore, populli shqiptar përbënte një njësi kombëtare më vete”. Ai ishte kryeredaktor i gazetës së parë në gjuhën shqipe Pellazgu, që kishte karakter të theksuar atdhetar dhe subvencionohej nga miku i tij i familjes V. Zhapa. Kjo gazetë shërbeu për të zgjuar dhe orientuar polemikën e zjarrtë që zhvillohej në gjirin e inteligjencës shqiptare në fund të viteve ’50 të shekullit XIX në Shqipëri dhe jashtë saj. Me dhurimet e V. Zhapës botoi Gramë për shqiptarët. Ai hartoi gjithashtu projektin për krijimin e një sistemi të veçantë për arsimin në Shqipëri (1860).E jashtëzakonshme ka qenë veprimtaria patriotike e dr. Apostol Meksit (1825-1869). Ai, duke ndihmuar Hahn-in për të mësuar më mirë gjuhën shqipe, e njohu edhe me traditat e zakonet familjare të vendlindjes së vet dhe të krahinës së Rrëzës. Hahn-it i tërhoqën vëmendjen rrëfimet e tij dhe e ngarkoi të kryejë mbledhjen dhe përshkrimin e plotë të tyre. Këtë material studimor Hahn-i e botoi në veprën e mirënjohur “Albanesische Studien” (Studime Shqiptare). Me këtë përshkrim dr. A. Meksi del si studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë.Vazhduesi i punës së rilindësve labovitë, dr. Dhimitër Apostol Meksi(1855-1910), ishte njëkohësisht lëvrues i gjuhës shqipe, mbledhës i folklorit dhe materialeve etnografike në Çamëri, përkthyes i klasikëve grekë në shqip dhe arkeolog.Këta rilindës të vërtetë i kanë shërbyer atdheut duke ruajtur dinjitetin dhe identitetin kombëtar në periudhën më të vështirë, kur pushtuesit osmanë dhe shovinistët fqinjë përgatiteshin ta eliminonin atë, duke krijuar dhe përhapur në mënyrë obsesive teori të shumta të djallëzuara.I jashtëzakonshëm ka qenë edhe aktiviteti i politikanëve labovitë gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, duke filluar nga Petro Meksi, komisar i Lidhjes së Prizrenit për jugun dhe luftëtar në luftën e Vlorës, Jorgji Meksi (1860-1942), gazetari revolucionar që shkruante se “nuk janë vetëm shkollat që do të na ndajnë nga Turqia, por edhe baruti”, dhe Kristo Meksi (1849-1930), që pas një veprimtarie të dendur patriotike në Rumani, shoqëroi Ismail Qemalin për në Vlorë, ku si deputet i Gjirokastrës, nënshkroi dokumentin final të Shpalljes së Pavarësisë.E rëndësishme ka qenë veprimtaria patriotike e mësuesve labovitë, Nane Panajot Meksi (1862-1937) dhe Vasil Konomi, që të mbështetur nga vëllezërit Illo dhe Vangjel Noçka dhe pothuajse nga gjithë bashkësia labovite (94 nga 100 familje që banonin në Labovë), kapërcyen pengesat e shumta të ngritura nga Mitropolia e Gjirokastrës dhe autoritetet turke, dhe në 10 prill 1910 hapën shkollën e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës. Ata gjithashtu përkthyen “Apostollin” për ta thënë shqip në kishën e Labovës.Besoj se do të gjejë mirëkuptimin e bashkëfshatarëve të mi që të rreshtoj, bashkë me labovitët e shquar edhe Vangjel Meksin (1903-1983), autor i librit Labova në shekuj (1970), që paraqet përpjekjet titanike të labovitëve për futjen e gjuhës shqipe në kisha dhe shkolla, ngjarje këto që rrojnë edhe sot në kujtesën historike të popullit tonë si dëshmi e tij për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare. Në fillim të shekullit XIX labovitët u vendosën pranë Ali pashë Tepelenës në mbështetje të synimit të tij për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur. Komuniteti labovit vazhdonte i bashkuar edhe në mes të shekullit XIX, kur nxiste dhe mbështeste Vangjel Zhapën për futjen edhe të shqipes në shkollën e tij të Labovës, ose kur Nane Panajot Meksi me shokë hapën në 10 prill 1910 shkollën e parë shqipe.Me formimin e Shtetit shqiptar, shumë labovitë të diplomuar në universitetet e Europës, u kthyen në Shqipëri dhe u vendosën në Tiranë, kryeqyteti i atdheut dhe vunë në shërbim të tij aftësitë profesionale, ndershmërinë dhe patriotizmin për ndërtimin dhe funksionimin e një shteti të lirë në shembullin e demokracive perëndimore.
E VËRTETA E TETË: LËVRUES I GJUHËS SHQIPE
Vangjel Zhapën, edhe pse i larguar prej kohësh nga Shqipëria, e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve ’40, qëndronte shumë pranë Naum Veqilharxhit në Rumani dhe “kishte diskutuar me javë të tëra lidhur me alfabetin e tij” (Aleks Buda, Studime historike, 1965, 2, f. 60). Andrej Ibagovu, në librin e tij “Carte de alegere” nënvizon: “Rreth viteve 1844 Vangjel Zhapa dhe dr. Arsaqi, të nxitur nga bashkatdhetari i tyre Naum Veqilharxhi, kishin vendosur të mbështetnin një lëvizje për kulturë kombëtare. Naum Veqilharxhi kishte përgatitur një abetare në gjuhën shqipe një gramatikë dhe libra të tjerë didaktikë. Zhapa dhe Arsaqi e dërguan në Stamboll me letra rekomandimi për shtypjen e librave dhe nxjerrjen e një fermani me anë të cilit të lejohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Librat u shtypën menjëherë, fermani doli dhe librat u dërguan në Shqipëri” (A. Ibagovu, Carte de alegere, Bukuresht, 1887, f. 119-120, cituar nga Myslim Islami tek N. Veqilharxhi, Tiranë, 1977, f. 119-120). Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes Shqiptare, ka dëshmuar se: “Vangjel Zhapa me dr. Arsaqin dhuruan respektivisht 25,000 dhe 10,000 flori për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra” ( Nikolla Naço, Gaz.Shqiptari, Bukuresht, 23. 10. 1888, cituar nga Dh. Shuteriqi, Gjurmime Letrare, f. 246). Librat e N. Veqilharxhit që panë dritë nëpërmjet dhurimeve të Zhapës, janë “Ëvetari” (1844) dhe “Fare i ri ëvetar shqip” (1845), d.m.th. dy abetaret e para të gjuhës shqipe. Me këta libra dhe me idetë e shprehura në ta nga N. Veqilharxhi, hapet programi kulturor-gjuhësor i Rilindjes Kombëtare dhe hidhen hapat e parë të arsimit shqip. Në vitin 1860 V. Zhapa shprehet hapur se “shqipja mund të shkruhet për nevojat e përdorimit familjar, por edhe si mjet për të fituar më shumë dije.” (gaz. Elpis, Athinë, 5.11.1860) (cituar nga Dh. Shuteriqi, Naum Veqilharxhi, në Gjurmime letrare, Tiranë 1974, f. 229). Vangjel Zhapa mbështeti financiarisht Anastas Bykun për botimin e gazetës patriotike Pellazgu, gazeta e parë në gjuhën shqipe, si dhe gramatikën “Gramë për shqiptarët” më 1861, që u përdor në shkollat e tij, ku, siç dihet, u mësua edhe shqipja përveç greqishtes.
E VËRTETA E NËNTË:
SHKOLLAT E ZHAPËS
Vangjel Zhapa, edhe pas vdekjes së Naum Veqilharxhit, vazhdoi të jetë aktiv në drejtim të problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e porosive të Naum Veqilharxhit u shtrua në mënyrë propagandistike se “në qoftë se nuk e mësojmë një popull në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”. “Për të arritur këtë qëllim, ishte hartuar një program i gjerë veprimtarish, që do të realizohej kryesisht me mbështetjen financiare të Vangjel Zhapës, i cili prej kohësh kishte dhuruar të holla për mbajtjen e shkollave në fshatrat e rretheve të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, etj.” (A. Buda, Studime historike, Tiranë 1965, 2, f. 99). Sipas programit të hartuar nga Vangjel Zhapa dhe Anastas Byku, që do të ishte inspektor i shkollave të Zhapës në Labovë dhe gjetkë, parashikohej:
- botimi në shkallë të gjerë i librave shkollorë në gjuhën shqipe;
- hapja e shkollave fillore në shqip për vajza dhe djem, mundësisht në çdo fshat;
- ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Përmet, i një liceu në Berat, si dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Rrëzë dhe Labovë. (Pellazgu, 25.5.1859 dhe 24.12.1860). Në gazetën Pellazgu, 1.3.1861, A. Byku boton një artikull ku vë në dukje se: “V. Zhapa prej kohësh kishte dhuruar të holla për mbajtjen e shkollave në rrethin e Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës etj. Në njërën nga këto shkolla, në Labovën e Zhapës, nuk mësohej vetëm greqisht, por edhe shqip, si mjet ndihmës”Po në gazetën Pellazgu, Vangjel Zhapa shkruan një artikull në të cilin “vë në dukje veprimet e veta në favor të shkollave në Shqipëri, ku ka futur edhe shqipen.” (A. Buda, Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare shqiptare në vitet 1859-1861, Studime historike, nr. 2, 1965). Dh. Shuteriqi shkruan :” Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke” (Dh. Shuteriqi, Gjurmime letrare, Tiranë, 2, 1974, f. 247). Në një periudhë shumë të vështirë për shqiptarët, kur Perandoria Osmane dhe Mbretëria e Greqisë shtuan përpjekjet e tyre për të zhdukur gjuhën dhe kombësinë e popullit tonë, ndërkohë që Lëvizja Kombëtare Shqiptare qëndronte në nivelin më të ulët, ishte vetëm laboviti Vangjel Zhapa, i cili me energjinë dhe pasurinë e tij bëri të mundur që shqiptarët të mësonin gjuhën amtare jo vetëm në shkollat që ndërtoi vetë, por edhe në qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut. Vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh dhe pikërisht në fund të shekullit të XIX, lufta për mësimin e gjuhës shqipe do të zinte një vend qendror në programin politik dhe kulturor të Rilindjes Kombëtare.
E VËRTETA E DHJETË: PARARENDËS I QYTETËRIMIT EUROPIAN
Labovitët e të gjithë brezave prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se Vangjel Zhapa ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera. Ai ka qenë nënshtetas rumun gjatë pjesës më të madhe të jetës dhe Rumaninë e quante “atdheu i adoptuar”, kurse atdhe quante edhe Greqinë, megjithëse fjalët më të ëmbla do t’i shprehte për vendlindjen e tij, si “atdhe të veçantë” ose “vendi i shenjtë ku takohej me Zotin”. V. Zhapa kujtohet dhe nderohet me respekt në Rumani, pasuritë e tij të shumta kanë lumturuar dhe vazhdojnë t’i lumturojnë grekët, ndërsa ne shqiptarët, të drejtuar keq nga historiografia jonë, vazhdojmë të mos e shohim në 360 gradë figurën e tij poliedrike dhe bëhemi xhelozë me popujt e tjerë të Ballkanit që, në kohën kur jetonte bashkëfshatari ynë milioner, ishin në gjendje të thithnin investimet dhe donacionet e shumta që ofronte ky bamirës shqiptar i jashtëzakonshëm. Krahas parave të shumta që dhuronte, me delikatesën që e karakterizonte, ai kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të mesit të shekullit XIX.
PĖRUROHET KISHA E PAPANDISĖ
Urime
Kryesia e shoqatës AK “Odrie-Golik”, formulon urimet
më të sinqerta për Z. Jorgo Zharkalli, për zgjedhjen e tij
si Kryetar i Komunës “Odrie”! Ajo shpreh besimin për
një bashkëpunim më të frytshëm në të ardhmen, në të
mirë të mbarëvajtjes së punëve të komunitetit të kësaj
komune.
KRYESIA E SHOQATËS
.
FOTO ĒAMI NGA LABOVA
FOTO ÇAMI NGA LABOVA
- Fjale që duhet t’i kisha shkruar
shumë më herët.
E kam pritur gjatë këtë rast për të hedhur në letër, fjalët e mia të vonuara për Foto Çamin dhe për vendin që ze ai në panteonin hipotetik të Labovës. Kuptohet se është diku në majë, fill pas Vangjal e Kostandin Zhapës. Bashkë me Aleksandër Meksin, natyrisht.
Enver Hoxha e thërriste gjithnjë me respekt Profesor dhe e mbante si një nga ndihmësit e tij më të afërt, megjithëse asnjëherë nuk i dha atë që meritonte, duke u mjaftuar vetëm me zgjedhjen e tij si kandidat i KQ të PPSH, ndoshta për shkak të ndonjë paragjykimi dhe bestytnie të pashpjegueshme që kishte ai për ortodoksët e Rrëzës, vëçanërisht për Labovën. Ndërsa Ramiz Alia, që nuk ishte as bestyt dhe nuk kishte asnjë arsye ta paragjykonte shokun dhe bashkëluftëtarin e viteve të rinisë, duke pasur nevojën e domosdoshme të kishte pranë njerëz me të njëjtën prerje e formim si ai, vetëm pak muaj ps vdekjes së Enver Hoxhës, nga një kandidat i thjeshtë i KQ, e zgjodhi kandidat e pak më vonë anëtar të Byrosë Politike, duke i dhënë njëkohësisht edhe vendin e zëvendësit të tij të parë.
Foto Çami ishte Profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe një nga ideologët dhe filozofët tanë më të shquar, - kjo as që mund të diskutohet. Foto Çami, që në atë kohë, ishte i çliruar nga dogmat dhe paranojat, ai ishte një njeri shumëdimensional, si dhe një politikan dhe politikëbërës i përmasave të jashtëzakonshme, - kjo as që mund të vihet në dyshim. Foto Çami, megjithëse nuk e jepte veten, ishte një njeri shumë i fuqishëm, shumë i pushtetshëm, por asnjëherë nuk e dëshmoi dhe nuk e tregoi veten si të tillë, kurrrë nuk u hoq se po fliste që nga Olimpi i perëndive, nga majat më të larta të pushtetit ku e kishin ngjitur, për të qenë edhe ai formalisht si një gjysmëperëndi, siç konsideroheshin udhëheqësit në regjimin komunist dhe kjo është evidente. Më tej akoma, me gjithë këto atribute, Foto Çami ishte ndër ata njerëzit e mëdhenj e të rrallë në atë kohë, që, për çdo gjë që bëhej ose do të bëhej, flitej, ose do të flitej, kishte mendimin e tij ndryshe nga të tjerët, të shprehur apo të nënkuptuar, gjë që për atë kohë nuk ishte aspak e zakonshme, për të mos thënë se përbënte një sakrilegj dhe një mëkat pothuajse biblik.
Por edhe lexuesi më i ri i gazetës “Odria” i di këto gjëra. Ndërkohë, ai nuk e njeh edhe aq mirë Foto Çamin nga Labova, një togfjalësh ky që sot po e përdorim me shumë kënaqësi, në kuptimin më të plotë të tij. Përveçse i madh, Foto Çami ishte një nga njerëzit më timidë, finë e delikatë që kam njohur ndër burrat e shquar të asaj kohe, që ndjehej keq e skuqej i pari kur i duhej të të bënte një verejtje, ose të të ndëshkonte me të drejtë. Fliste pak dhe binte shpesh në mendime, megjithëse profesioni dhe sjellja e natyrshme prej propagandisti të teorisë marksiste-leniniste i kërkonin të kundërtën. Në trurin e tij zienin me një denduri jo të zakonshme jo vetëm probleme të filozofisë, ideologjisë e propagandës, por edhe dilema të mëdha, ndoshta nga më të mëdhatë që ka përjetuar vendi ynë në të gjitha kohërat dhe që Profesori e dinte se nuk do të gjenin kurrë zgjidhje, sepse zgjidhje të tilla vinin nga burime e kombinacione të mistershme, që i kapërcenin të gjitha fuqitë njerëzore.
E dinte, e dinte shumë mirë se kjo jetë nuk mund të kalohej kreshendo deri në fund, pa bërë një nder a një favor të merituar për një të njohurin a të afërmin tënd, por unë, që hyj ndër ata njerëz të cilëve Foto Çami iu ka bërë një nder jo të zakonshëm dhe e kam përjetuar këtë ndjesi delikate, mund ta them me plot gojën se e kishte shumë të vështirë të ndërhynte për diçka që nuk mund ta bënte dot vetë...
Me këshillën e Telo Muçit dhe të bashkëshortes së tij, Niqit, që ishte vajza e hallës sime dhe njëkohësisht, edhe kushërira e Foto Çamit, i kërkova në fillimin e viteve teëtëdhjetë të më ndihmonte për t’u rikthyer nga Burreli në Tiranë, me argumentin se kishte vite që nuk po e ushtroja profesionin tim të gazetarit, megjithëse ushtria më kishte përgatitur vetëm për këtë gjë. Më thirri në zyrën e tij në Komitetin Qendror dhe më dëgjoi vetëm pak minuta, duke më zgjatur papushim paketën e cigareve dhe pa më ndërprerë asnjëherë dhe, megjithtë ato të shkreta minuta të kufizuara, biseda pati aq shumë intensitet e denduri, aq ndjesi e emocione të fuqishme, sa do të doja të mos mbaronte kurrë, sepse e dija që po përjetoja një nga ato çastet sublime që shënojnë kthesa të mëdha në jetën e njeriut. Siç e thashë, pimë të dy duhan sa u dendëm, po për të folur, ligjërova vetëm unë, ndërsa Profesori vetëm dëgjonte me gjithë seriozitetin e mundshëm dhe me atë buzëqeshjen e tij të madhe e të bukur të shtrirë në të gjithë fytyrën, gati të shpërthente ng çasti në çast. Po dale, mo, më tha më fund. Kjo që thua ti, është parimore, është shumë parimore, e drejtë dhe e ligjshme, prandaj urdhëro stilografin, urdhëro edhe një fije letër dhe shkruaj nja dhjetë rreshta, por vetëm dhjetë, ama, që t’ia çoj dorazi që tani Mihal Bishës. Ashtu bëra. Dhe, pas një muaji (aq e ndoshta edhe më shumë kohë duhej për praktikat “burokratike”), unë isha gazetar i shtypit ushtarak, dhe askush nuk e mori vesh ndonjëherë se aty kisha shkuar me ndërhyrjen aq delikate të të madhit Foto Çami.
Kjo është parimore, - nuk e di përse kjo frazë m’u ngulit në mendje dhe e mbajta vath në vesh gjatë gjithë viteve të punës sime në shtyp. Këto fjalë të jepnin forcë ë besim në vetvete, të bënin krenar dhe të pavarur, sepse edhe ai që i kishte thënë me gjithë shpirt, i tillë ishte: shumë krenar dhe tërësisht i pavarur. Me këto fjalë në mendje, gjatë më shumë se dhjetë vjetëve, unë kurrë nuk i thashë ndokujt se isha bashkëfshatar i Foto Çamit dhe se ai, shpesh, thoshte në mjedise intime se Pilo Duka ishte një nga miqtë e tij më të mirë. Ai ishte i gjithëpushtetshmi i sektorit ideologjik, ai merrej drejtpërdrejt me shtypin dhe, do të mjaftonte një fjalë apo një gjest i tij që unë të katapultohesha shumë shkallë më lart nga vendi i thjeshtë i gazetarit, ku e mbylla realisht karrierën. Por atë fjalë dhe atë gjest unë nuk i kërkova kurrë dhe emrin e Profesorit nuk e përmenda ndonjëherë për t’i bërë presion ndokujt.
Për hir të së vërtetës, kam pasur shumë nevojë ta përdorja. Jo për t’u bërë “i madh”, shef a drejtor, se për mua nuk kishte detyrë më me autoritet e hapësira se ajo e gazetarit special, por të paktën për të shmangur disa nga sikletet që nuk m’u ndanë deri në fund. Shefat e mëdhenj të shtypit dhe titullarët e ministrisë së Mbrojtjes më thoshin gjithnjë se isha më i miri, më rrihnin shpatullat, madje edhe më dekoronin dhe, nga ana tjetër, ballëpërballë e prapa krahëve, më “gostisnin” me dënime të jashtëzakonshme. Nuk besoj se ka pasur në vitet ’80 oficer në ministrinë e Mbojtjes që të jetë dënuar dy herë rresht, nga dy ministra, në intervalin e dy vjetëve. Prokop Murra, nga gazetar, domethënë instruktor në ministri, më çoi komandant toge (mirë që nuk emëroheshin oficerët edhe komandantë skuadrsh, se atje do ta kisha vendin) në një regjiment xhenioje, ndërsa Kiço Mustaqi, që erdhi fill ps tij, megjithëse ishim miq e ngajëherë luanim edhe shah e pinim ndonjë gotë raki me të gjithë kolëktivin e shtypit ushtarak, më dënoi me verejtje për papërshtatshmëri në detyrë. Sikur jo unë, por dikush tjetër t’iu kishte thënë apo pëshpëritur në vesh atyre të dyve se unë isha një nga miqtë e Foto Çamit, jo vetëm që nuk do të më kishin dënuar, por, përkundrazi, do të më kishin thirrur me shumë temena, do të më pysnin për shëndetin e shokut Foto dhe do të më porosisnin t’i jepja të fala (megjithëse ata takoheshin bashkë pothuajse çdo ditë, ndërsa unë e shihja Profesorin një herë në hënëz) dhe pastaj do të më dekoronin e ridekoronin, duke më bërë me siguri edhe shef.
Kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi, sepse disa gjëra janë aq shumë intime e shpirtërore, shumë të shenjta dhe sidomos shumë labovite dhe nuk mund të bëhen kurrë publike, përveçse me një pjesë të bshkëfshatarëve dhe njerëzve të tu më të afërt. Askund tjetër, në asnjë rast, ato nuk mund të shiten si merita të tuat, as nuk mund të falen, me asnjë çmim dhe ky pakt i pashpallur në marrëdhëniet e mia me Profesorin, krijonte nganjëherë edhe situata komike. Në vitin 1984, në 10 Korrik, isha në Shkollën e Bashkuar, ku Enver Hoxha do të bënte një nga vizitat e tij të fundit në repartet e ushtrisë. Puna ma deshte që të rrija ma bllok në dorë fill pas tij dhe Ramiz Alisë, duke e ndjekur hap pas hapi, me gjithë atë rrëmet njerëzish. Pasi mbaroi parakalimi, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia u larguan, ndërsa të gjithë anëtarët e Byrosë Politike hynë në një nga mjediset e parapërgatitura të shkollës për të bërë urimet e rastit. Unë rrija në këmbë, përsëri me bllok e me stilolapsin në dorë. Fotua më pa nga larg dhe më thirri në çast, duke më dhënë një gotë raki. Pije më tha, është festa tënde, ti je oficer, ndërsa ne të tjerët jemi civilë këtu. Pas pak, ai më dha dorën e u largua dhe, fill pas tij, nisën të iknin edhe anëtarët e Byrosë. Atë ditë, o njerëz, unë isha i përkëdheluri i tyre, më rrihnin shpatullat, më puthnin në buzë duke u larguar, më thoshin ndonjë fjalë të ngrohtë dhe unë po provoja një qeshje gjëmimtare brenda vetes, sa më vinte të mbaja barkun me dorë. Epo, kisha festën, do të thoni ju. Po ç’festë, ore, nuk ishte punë festash ai çast. Ata e morën vesh më në fund lidhjen që e ruaja me aq xhelozi dhe bënë ritualin e zakonshëm. Dhe ato puthje e gjeste nuk ishin për mua, kuptohet, po për atë tjetrin, labovitin e madh...
Një nga rastet e fundit që e kam takuar para viteve ’90, ka qenë në Vlorë. Shkova atje për të bërë kronikën për konferencën e partisë të divizionit dhe nuk e dija fare se i deleguari i Byrosë Politike edhe për rrethin edhe për ushtrinë ishte pikërisht Foto Çami. Pyeta për sallën ku do të mbahej konferenca, hyra dhe u ula në rreshtin e parë, siç ma kërkonte detyra, duke ndjerë pas vetes mërmërima, fjalë nervoze dykuptimshe e ndoshta edhe ndonjë fishkëllimë të lehtë. Domethënë, kush isha unë, që kalova mespërmes sallës së mbushur plot me delegatë dhe u ula drejt e në krye të vendit, pa pëshëndetur askënd, ç’doja unë atje, nga vija etj., etj. Me kohë, u ulën krah meje edhe disa nga punonjësit e sektorit të edukimit në aparatin e Komitetin Qendror, të cilët bënë sikur nuk më panë dhe nuk më folën e nuk ma varën fare, megjithëse njiheshim bashkë që në kohën e qepës. Pas pak, e tërë salla u ngrit në këmbë dhe gjëmoi nga thirrjet e duartrokitjet. Kishte hyrë presidiumi tradicional, në krye të të cilit ishte Fotua. Ishte çudi e madhe, por atij i shkuan sytë që nga larg dhe erdhi drejt e tek unë (ç’është e vërteta, duke na takuar ne, labivitëve në vende të tilla ku mendoj se hynin vetëm njerëz të zgjedhur, Profesori ndjente shumë krenari). Më dha dorën dhe pastaj, duke bërë në njërën pëllëmbë me dorën tjetër shenjën e të shkruarit, më pyeti: “Hë, ke ardhur për të bërë atë?” Po, i thashë, por më duhet fjala juaj. As unë vetë nuk e kam lexuar, më tha me zë të ulët, Meto Metaj e ka shkruar, prandaj merrja atij dhe i bëri shenjë me kokë këtij të fundit që të më ndihmonte. Pas këtij çasi, ndodhi tamam si në Shkollën e Bashkuar. Të gjithë u bënë shumë të vëmendshëm dhe shumë të dashur ndaj meje, më ftonin për kafe në pushimet midis seancave, që të rrija në krah të shokut Foto, më drejtoheshin, më kërkonin ndonjë mendim dhe unë qeshja e zieja brenda vetes me mëyrën se si ndryshon aq shpejt natyra njerëzore. Për herë të parë, atje e pashë se të mëdhenjtë e Komitetit Qendror nuk ishin ata engjëjt që hiqeshin në publik. Qeshnin me zë të lartë, hanin e pinin qyl sa dëndeshin dhe bënin shaka nga më të rëndomtat në kurriz të disa prej shokëve të tyre, ndërsa Fotua bënte sikur nuk shihte dhe nuk dëgjonte asgjë. Dëgjo, më tha njëri nga shefat pranë tij, këto që thuhen këtu edhe pse të duken si shaka, janë sekrete të Komitetit Qendror dhe, në qoftë se i thua dikujt, mban përgjegjësi partie e ligjore deri në fund. Ia ktheva me të njëjtën monedhë: “Në qoftë se janë të tilla, shoku... M, atëherë përse i thoni në sytë e mi?!... Unë, me këtë punë merrem. Edhe mund t’i shkruaj dhe nuk mbaj përgjegjësi, e kam të ligjëruar...” Fotua qeshi me gjithë shpirt. Mirë ta bëri, i tha atij tjetrit. Ca gjëra nuk mund të thuhen vend e pa vend. Pastaj m’u drejtua mua:
- Kur do të ikësh?
- Sot, - iu përgjigja.
- Ke makinë?
- Po ç’makinë zeza, o shoku Foto, ne të vegjëlit ecim vetëm me makinën e babait dhe me tren, se as nëpër autobuza nuk gjejmë vend.
- Atëherë, do ta bëjmë kështu. Me sa di unë, në Vlorë ka ardhur edhe Rakua. Takohemi sot mbasdite të tre, shkojmë për një vizitë tek Tulla (Tulla është vajza e xhaxhait tim dhe ishte martuar me Kleo Xhorrin) se unë e ende nuk e kam ngushëlluar për Kleon, shkojmë edhe tek ndonjë labovit tjetër, si të na vijë puna dhe nesër në mëgjes dalim të tre për peshk (Ishte një peshkatar shumë i apasionuar) dhe pastja ikim në Tiranë me helikopter. Nesër në mëngjes iu dërgoj makinën time atje ku të flini dhe kështu e bitisim këtë punë. Le që do flasim prapë, se ti do jesh në atë drekën që do të bëhet në Kuz Baba, apo jo.
Unë ngrita supet.
- Do jetë, si nuk do jetë, shoku Foto..., - nxituan t’i thoshin të parët e partisë në divizion.
- Posi, posi, gazetari ka punën e tij edhe përpara gotës së rakisë e pjatës me meze, - i pasuan ata punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror, që sa s’u ra pika nga gjithë ai intimitet mes meje dhe të madhit të tyre, të cilin Foto Çami duket se e krijoi qëllimisht, për t’i dhënë atyre një mësim të mirë.
Gjithçka më vonë u bë tamam ashtu siç tha Profesori. Bashkë me Rakon, që ishte gjithashtu një njeri i madh e i rrallë, por që kishte për Foton një nderim gati mistik, ne bëmë disa vizita, darkuam në shtëpinë e të ndjerit Kleo dhe e lamë të takoheshim të nesërmen tek vilat e udhëheqjes në Ujin e Ftohtë.
Të nesërmen, çuditërisht, e gjetëm Foton të mërzitur, të lodhur dhe më sy të fryrë nga pagjumësia.
- Po jua them që tani, - tha, pasi na përshëndeti. - Për peshk nuk mund të shkojmë, se deti ka dallgë dhe këta të sigurimit nuk më lejojnë. E dyta, nuk kam fjetur gjithë natën dhe udhëtimi me helikopter mund të mos jetë i këndshëm, sepse unë nuk do t’iu bëj muhabet. Kam parë një film jugosllav sonte, që më ka mbetur në mendje. I madh, i jashtëzakonshëm, katër orë film. Një trajtim shumë-shumë origjinal i temës së luftës, një gjetje e befasishme, që mbyllet me një fund tragjik. E shihja dhe thosha me vete: “Po ne, përse nuk bëjmë gjëra të tilla të fuqishme? Po libra, po vepra të mëdha arti....” Çështë e vërteta, ne nuk kemi kinematografi të madhe. Dhe ndoshta as letërsi...
- Kemi, si nuk kemi, shoku Foto, - u nxitova të ndërhyja unë, sikur të më kishte pickuar gjarpëri, sepse fjalët që po dëgjoja nuk ishin të zkonshme.
- Hë, mo, ti, ç’i flet kështu shokut Foto?!... - më ra Rakua me bërryl në ije, - ta dish mirë që nuk kemi as kinematografi dhe as letërsi, ja ku po ta them edhe unë, - vazhdoi ai, megjithëse nuk ia thoshte shumë nga këto punë.
- E çfarë kemi? Cilën vepër, apo cilin shkrimtar?... - pyeti Fotua, duke u hequr sikur nuk e kishte vënë re gjestin e Rakos.
- Po ja, “Viti i mbrapshtë” i Kadaresë mua më duket një libër i madh, monumental do të thosha. Dhe mendoj se letërsia jugosllave nuk është në nivelin e letërsisë sonë.
- Ashtu është, vërtet, vepër e madhe. Por ti nuk e di se sa miliona dollarë kanë harxhuar partia dhe shteti ynë për të provuar se viti 1913 nuk ka qenë edhe aq i mbrapshtë. Dhe, ja ku del Kadareja, një njeri çudan e i paparashikueshëm dhe i shumëzon të gjitha me zero. Çudi e madhe, kaq gjë duhet ta kishte ditur e ndjerë Kadareja dhe mund të mos tregohej i pamëshirshëm me historinë...
Më erdhi në vdekjen e mëmës, në vitin 1998, pasi kishte kaluar pa të drejtë një kalvar të gjatë vujtjesh e poshtërimesh nga njerëz të padenjë, deri edhe burgjesh e persekutimesh të pameritura, që i përjetoi shumë keq. Erdha, më tha, më dërgove fjalë dhe unë nuk e bëra dysh, erdha ta përcjellim bashkë Lenon tonë të dashur. Erdhe, Profesor, i thashë mes lotëve, të ardhsha për të mira. Vetëm kaq.
Por sot, i çliruar nga dhimbja e atyre çasteve funebre, pendohem që nuk i thashë:
- O Foto Çami, o njeri i madh! Të vish ti, nuk është një gjë edhe aq e zakonshme. Ti je një nga Të Përzgjedhurit, ti vjen nga maja e Panteonit, ti je krenaria jonë e madhe, je FOTO ÇAMI NGA LABOVA!...
Përse..., përse....?!
- Homazh për të paharruarin Dhionis Miha, sipas kujtimeve
të bashkëshortes së tij, Violeta.
Kam dashur të bëhet ky shkrim, që në ditët e para të humbjes së bashkëshortit tim të shtrenjtë, Dhinisit. Të thuhej diçka in memoriam, sidoqoftë, veçse me një shkrim më të gjatë e më të plotë se sa ai lajmërimi i shkurtër e i vakët që u botua atëherë. Ti atëherë më the se ishte ende shumë herët për të botuar në dy numra rresht për të njëjtin njeri dhe unë heshta për momentin, por asnjëherë nuk hoqa dorë nga kërkesa ime, aq sa ajo m’u bë një ide fikse dhe mbase të kam mërzitur me telefonatat dhe bisedat e mia të njëpasnjëshme.
Më pyete njeherë gjysmë me shaka dhe gjysmë seriozisht se ç’ishte gjithë ajo këmbëngulje dhe mua nuk e di pse m’u mbyll goja e nuk munda të të jepja asnjë shpjegim, sepse disa gjëra më shumë ndjehen e bëhen, se sa thuhen me fjalë. Tani, kur jemi takuar bashkë disa herë dhe besoj se do ta bësh më në fund shkrimin e premtuar, them se duhet të të jap një farë përgjigjeje.
Uk është fjala thjesht për një shkrim ose një faqe të veçantë në gazetën “Odria”, po për diçka më shumë. Me këtë, më duket sikur ndjehem më e plotësuar, sikur më largohet diçka nga mjegulla dhe boshllëku ku më duket sikur endem pa drejtim që kur humba njeriun më të afërt e më të shtrenjtë, shokun e vetëm të jetës për disa dhjetëra vjet. Më duket sikur Dhionisi rikthehet e më vjen pranë, me atë mirësinë, dashurinë, përkujdesjen dhe buzëqeshjen e tij të madhe e të përjetshme, me ato shakatë e tij aq të gjetura e të natyrshme, me xhentilencën e vetvetishme, por edhe me xhelozinë e tij unike e të parezistueshme. Kur flas për xhelozinë, ty të vjen për të qeshur, i mer fjalët e mia si një shaka midis miqsh. Herën e fundit, kur të pyeta për këtë ndjenjë që gulçon brenda të gjithë burrave si një bishë e fjetur, ti më the se krahasimi ishte vërtet i bukur, por i pagjetur dhe se vetë nuk ke qenë asnjëherë xheloz. Por unë nuk të besoj. Nuk ka burrë që nuk është xheloz. Si mund të mos jesh i tillë, aq më tepër kur je nga Labova?!... Sepse pikërisht labovitët janë kampionë të vërtetë edhe për xhentilencën, edhe për xhelozinë dhe, mes tyre, mendoj se Dhionisi ishte kampioni i kampionëve, deri në çmenduri, për ta thënë në kuptimin figurativ.. Ishte i tillë, të betohem, por, sa më shumë e shprehte xhelozinë, aq më shumë e doja, aq më e fortë bëhej lidhja jonë e gjatë. Si ai, nuk kishte, nuk ka dhe nuk do të ketë të dytë. E hapnim ndonjëherë këtë temë me pak humor e pak seriozitet dhe ai më thoshte se nuk mund të bënte dot ndryshe, se ndoshta ajo ishte mënyra e tij më e mirë e të shprehurit të dashurisë deri në çmenduri, gjithashtu.
Është e çuditshme. Kur u njohëm bashkë në vitet gjashtëdhjetë, nuk e mendoja kurrë se lidhja bashkëshortore mund të ishte kaq e fuqishme, si një magnet i madh, duke thithur gjithçk të mirë që të jep jeta, duke rrezatuar, dashuruar dhe afruar në çdo çast më të mirën e saj. Dhe, më e bukura është se fejesa jonë, si të thuash, u bë me një lloj shkuesie. Një i afërmi im, punonte së bashku me Dhionisin në ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ai na njohu. Ndoshta e kishin biseduar të dy që më përpara, ndoshta kushëririt tim i lindi në çast ideja dhe na tha si me shaka: “Ja, u njohët, të dy të rinj, të mirë e të bukur jeni. Hidhuni, se jeta shkon shpejt...” Mua gjithashtu m’u shkrep të qeshurit. U, ia ktheva, ç’është ajo fjalë, po ku jam unë gati për martesë, o xhaxha? Sa kam filluar univeërsitetin. Pastaj, akoma nuk i kam mbushur të njëzetat... Ti e di, më tha xhaxhai dhe kështu u ndamë atë ditë dhe mua prapë nuk më shkonte ndërmend se ato pak fjalë dhe ato çaste plot humor do të vulosnin tërë jetën time.
U ndamë atë ditë, po ku të ndahej Dhionisi, se. Unë në shkollë, domethënë në fakultet, Dhionisi në fakultet, unë rrugës për në shtëpi, ai prapa meje, unë në shtëpi, ai poshtë dritares. Nuk mund të bëja asnjë hap pa e ndjerë në çdo çast praninë e tij dhe atë vetë, që më ndiqte nga pas si një hije. Si të thuash, më rrethoi gjithandej dhe nuk më la asnjë shteg, asnjë rrugë zgjidhjeje tjetër. Nuk mund të them se edhe unë ndjeva që në fillim dashuri për të, por, çuditërisht, as bezdi nuk ndjeva. Përkundrazi, ndjehesha e përkëdhelur, e kërkuar e, pse jo, edhe e mbrojtur, sepse të interesohej për ty në atë kohë një oficer i Sigurimit të Shtetit, nuk ishte një gjë e zakonshme. Ata seç kishin diçka të veçantë, një lloj misteri që i mbështillte në çdo hap e gjest që bënin dhe patjetër në çdo fjalë që thoshin. Sa herë që vintë në fakultet, shoqet më flisnin që nga larg: “Ej, po të vjen ai i yti me kobure dhe me uniformë...” dhe nguteshin te fshiheshin, për të mos rnë në sy. Ishte hija dhe heshtja e përqëndrimi i tyre ndoshta, që ta krijonte këqtë ndjesi. Aq më tepër e një oficeri që punonte në ministri dhe takohej e bisedonte çdo ditë me shefa të mëdhenj, deri edhe me ministrin, dilte jashtë shtetit për të shoqëruar ekipet e futbollit ose ndonjë delegacion, sillte prej andej gjëra të rralla, që vishej mirë domosdo, sepse rroga ishte e lartë, që nuk e kishte fare problem të merrte edhe një banesë të mirë nga shteti. Të gjitha këto, një vajzë e re i mendon dhe nuk ka se si të mos i mendojë dhe ky gjykim pastaj të çon natyrshëm drejt vendimit të pashmangshëm. Domethënë, unë nuk kisha nga t’ia mbaja, rashë e tëra brenda dhe, lidhja lidhja jonë erdhi e stuhishme, marramendëse, e magjishme, do të thosha. Gjithçka që kisha ëndërruar, madje edhe përtej çdo ëndrre dhe përfytyrimi, shetitjet, vizitat turistike, kampet, plazhet, netët nëpër lokale vallzimi, gjithçka, tani e ndjeja dhe e prekja çdo çast, e kisha timen, vetëm timen dhe mund ta them shumë sinqerisht se këtë ndjenjë e përjetova jo vetëm kur isha vajzë e re, por në çdo minutë, orë, ditë, jvë, muaj e vit që jetuam së bashku, deri në atë çastin e dhimbshëm kur u ndamë nga njëri-tjetri. Gratë e Labovës e kanë paksa të zorshme të shprehen kështu për bashkëshortët e tyre, ose të qajnë a të tregojnë intimitete për ta, por unë nuk vuaj nga ky kompleks. I them gjërat ashtu siç i kam ndjerë dhe mirë bëj, sepse çlirohem, në një farë mënyre nag gjithë ajo ngarkesë mërzie që më rëndon në shpirt...
Domethënë, u bashkuam. Pas një viti, unë mbeta shtatzënë, bëmë dasmën shpejt e shpejt, jetuam përkohësisht në shtëpinë me një dhomë e një kuzhinë, ku banonin edhe prindërit dhe dy vëllezërit e Dhionisit dhe, pas ca muajsh, atij i dhanë shtëpi. Këtë që kemi sot, që për mua është e mirë dhe e bollshme. Kështu që unë u bëra një zonjë e vërtetë shtëpie, pas pak u bëmë edhe me djalë dhe kush na mbante ne. Vërtet u detyrova të shkëputesha nga shkolla, për shkak të shtatzanisë dhe të martesës, por një vit ishte ai, ia vlente ajo sakrificë e vogël për të qenë pastaj e lumtur dhe e sigurt një jetë të tërë.
Ashtu kam qenë, më beso, e lumtur dhe e sigurt. Gjithnjë im shoq më ka qëndruar pranë, më ka ndihmuar, më ka dashuruar në çdo çast me gjithë shpirt. Kur duhej të përkujdesej për djalin tonë të vetëm, bëhej edhe dado, edukator dhe mësues i mirë, kur më shkonte mendja për ndonjë gjë të veçantë, ai përvishte mëngët dhe bëhej papritur kuzhinier, kur vija e lodhur nga puna e vështirë në maternitet, ai nuk më linte të prekja gjë me dorë dhe merrej vetë me punët re shtëpisë. Kjo ndodhte rrallë, natyrisht, por gjeste të tilla gratë i kanë për zemër dhe i përjetojnë e nuk i harrojnë kurrë, ashtu siç nuk harrojnë shakatë, fjalët e ëmbla, dhuratat, qejfet e dëfrimet e përbashkëta dhe plot gjëra të veçanta si këto. Më tej akoma, të njëjtin kujdes e dilaktesë e tregonte ai edhe në marrëdhëniet shumë të ngrohta me të jatin, madje edhe me njerkën (mëma e Dhionist kishte vdekur shumë e re dhe babai natyrisht që ishte martuar përsëri) dhe kjo do të thotë se ishte edhe vetë një bir i mirë e i dhembshur, ashtu siç dinte të ishte edhe një vëlla shumë i mirë. Në të gjitha marrëdhëniet dhe sjelljet e tij, ai ishte një njeri pa asnjë cen...
Kur flas kështu, ti mund të mendosh se jeta jonë ka shkuar si në vaj, por nuk është kështu. Nuk është aspak kështu, më të dy ne, ka ndodhur e kundërta. Kur kishim vetëm pak vite që ishim martuar dhe djali ishte ende i vogël, Dhionisin e liruan papritur. Sigurisht, për shkak të lidhjeve të afërta që kishte me Halim Xhelon, shefin e tij të drejtpërdrejtë, u cili u arrestua, u dënua me vite të gjata burgimi dhe vdiq atje, në qeli, pa e parë më kurrë dritën e lirisë. Ndërsa im shoq, veç lirimit, gjoja për mungesë vigjilence, nuk pati pasoja të tjera. Nuk i dhanë as masë partie dhe e çuan në një punë në të mirë në Tipografinë Ushtarake, pastaj shef reparti në një ndërmarrje të madhe veshjesh, kështu që nuk ndjemë ndonjë shtrëngesë ekonomike, se as paga nuk iu ul, nga që ministria e Brendshme ia kompensonte diferencën dhe kishte gjithashtu të gjitha lehtësitë e një oficeri për pushimet, mjekimet, moshën e daljes në pension etj. Unë, po, kisha rogë mjaft të mirë, fëmijë të tjerë vendosëm të mos lindnim, sepse të dy ndjeheshim shumë mirë, shumë të plotësuar e të realizuar, kështu që mirë shkonim nuk mund të ankohem. Por edhe për mua ishte ruajtur e keqja, madje ishte e shkruar që ajo të më ndodhte në fund, pak vite para nëntëdhjetës. Deri atëherë, mund të thuash se edhe në punë unë kam qenë e përkëdhelur nga fati, njëlloj si në jetë. Isha edhe anëtare partie, edhe veprimtare e njohur e Bashkimit të Grave, aq sa vetë Vito Kapua dhe, më pas, Lumturi Rexha më merrnin me vete nëpër vizitat që bënin nëpër rrethe të largëta të vendit, në Jug e në Veri. Dhe kjo atëherë konsiderohej si një privilegj i madh, dhe nuk mund të mos krijonte edhe xhelozi tek kolegët, kështu që dikush pëshpëriti në veshin e duhur se Violeta bënte aborte, gjë që në atë kohë ishte rreptësisht e ndaluar dhe dënohej me ligj dhe, një ditë të bukur, më arrestuan papritur. Ishte një nga goditjet më të rënda që mund t’i ndodhë jo thjesht një gruaje, por edhe një familjeje si e jona. Djali ishte në shkollë të lartë dhe kishte nevojë për përkujdesjet e nënës, Dhionisi, veç brengës dhe dhimbjes se të keqen e pati pikërisht nga shokët e tij, e kishte shumë të vështirë t’i shkonte ditën pa bashkëshorten, nga e cila nuk ishte ndarë asnjë çast gjatë gjithë jetës. Me muaj të tërë, unë nuk i pashë asnjëherë ata të dy, hetuesi intenesive ditën dhe natën, paradite dhe pasdite. Prokurori i çështjes, që, për fat të keq ishte edhe nga ana jonë e njiheshim, siç dukej e kishte marrë lehtë këtë punë. Kishte menduar se, sapo të arrestohesha, do të trembesha dhe do ta pranoja menjëherë fajin dhe ai do fitonte pikë tek shefat e tij më të mëdhenj, të cilëve iu kishte kërkuar miratimin dhe firmën dhe i kishte siguruar se gjithçka ishte e kopsitur dhe e vërtetuar me dëshmi, prova e fakte dhe dënimi im ishte një çështje e përfunduar.
Në fakt, nuk ishte aspak kështu. Asnjë provë, asnjë fakt ose dëshmi nuk kishin në prokurori për të vërtetuar akuzën e tyre, asnjë nga familjarët e femrave që mendohej se kishin abortuar, nuk e pranoi këtë kur u thirr në prokurori. Përkundrazi, më mbronin fort, thoshin se isha një mjeke shumë e mirë, se iu kisha shpëtuar jetën, se, në qoftë se kishte pasur ndonjë abort, ai kishte ndodhur vetvetiu, për shkaqe natyrale dhe unë i kisha ndihmuar shumë me këtë rast e të tjera. Kështu që hetimi ishte e qartë që do të dështonte. Atëherë vetë kryeprokurori, ai miku i anëve tona, filloi të më vinte shpesh në qeli. Na more në qafë, më thoshte, duke më marrë me të mirë. Si do t’iu themi tani atyre atje lart? Prano të paktën, një rast, thuaj se e ke bërë nga dobësia njerëzore dhe unë të garantoj se nuk do të dënohesh, do të të nxjerr nga qelia, ja, me këto duar. Hë, si thua?... Jo, i thosha, nuk ka asnjë rast, se, si për një, si për njëqind, dënimi është i njëllojtë, prandaj mos m’u lut kot. Jam e pafajshme, më keni arrestuar kot dhe do të mbani përgjegjësi. Kështu rezistova deri në fund dhe ata nuk kishin nga t’ia mbanin, u dorëzuan dhe u detyruan të firmosnin e vulosnin me duart e tyre dokumentin se isha e pafajshme dhe e çliruar nga të gjitha akuzat. Dola nga izolimi pikërisht natën e Vitit të ri 1986 dhe mund të them se ajo ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Kush e ka provuar, më jep më të drejtë.
Tani, unë e marr me mend, ose e shoh në vështrimin dhe në gjestet e tua me rregjistruesin e bisedës dhe me fijet e letrës, se po të bren kureshtja të më pyesësh: Ishte e vërtetë se unë fillova të bëja aborte aty nga fundi i viteve tetëdhjetë? Është shumë e vërtetë. Jo vetëm unë, por pothuajse të gjithë mjekët gjinekologë bënin. Dhe, absolutisht që kjo gjë nuk bëhej për të fituar para, dhurata ose të mira materiale të pamerituara, po një gjë tjetër më njerëzore. Natyrisht, si qytetare, unë kisha detyrimin t’iu bindesha dhe të zbatoja ligjet e shtetit komunist, i cili, në këtë drejtim, ishte edhe më i rreptë se vetë kisha katolike. Por mjeku ka bërë betimin e Hipokratit, që t’i ndihmojë njerëzit në nevojë me gjithçka që mundet. Fjala vjen, të vjen një vajzë e re, një gjimnaziste apo studente, të tregon se si e ka hallin e saj të madh, të thotë se si e ka hallin, shton se prindërit e saj nuk dinin gjë dhe se, po të merrej vesh, do të bëhej një skandal i madh, mun edhe të dënohej ose internohej, se nuk kishte asnjë mundësi që të martohej, dhe se partneri nuk merrte përsipër asnjë përgjegjësi, se një lindje jashtë martese do të ishte një shkatërrim i vërtetë për të dhe plot argumente të tjera, që nuk ka përse të sajohen, sepse ekzistojnë realisht. Atëherë ti, çfarë do të bësh, nuk do ta ndihmosh atë vajzë. Mund të tregohesh indiferente ose ca më keq, shpirtkazmë. Ose të vjen nga fshati një grua me shumë fëmijë, që ka një shtatzani të padëshiruar. Të thotë se edhe ata që ka në shtëpi, mezi mban me bukë thatë, (sepse e tillë ishte gjendja në fundin e viteve tetëdhjetë) ndërsa një fëmijë tjetër do të ishte hata e madhe... Ja, për këtë deshën të më fusnin në burg, sepse, sipas prokurorëve, duhej bërë patjetër një kurban, që të vinin mend e të trembeshin te tjerët. Dhe më gjetën mua, sepse, së bashku me Dhionisin, ne ishim dy qytetarë të thjeshtë, pa ndonjë ndihmë e përkrahje të veçantë dhe kështu që mund të goditeshim më lehtë.
Pas kësaj, si për të dalë të larë të dyja palët, domethënë edhe unë, por edhe prokuroria, më çuan mjeke në Bërzhitë. Dshën të më bënin keq, por më bënë një nder të madh. Më çuan në një vend ku ngopeshe me ajër të pastër dhe me dashurinë dhe mirësinë njerëzore. Fshatarët s’dinin ku të më vinin, më ftonin nëpër shtëpitë e tyre, më mbushnin me dhurata e prodhime të fshatit, arra, fiq të thatë, vezë, mish, raki,gjalpë, djathë, sa s’dinim ku t’i çonim. Ndenja atje për ca kohë, pastaj erdhën vitet ’90, klinikat nëpër fshatra e lokalitete u mbyllën dhe unë u riktheva në Tiranë e hapa klinikën time gjinekologjike. Një nga të parat në Tiranë. Puna ecte mirë, Dhionisi doli në pension dhe më ndihmonte shumë në shtëpi dhe në punën time, e martuam edhe djalin tonë, që na bëri dy herë dy gjyshër të lumtur, por fati të godet nganjëherë kur s’e pret, siç ndodhi me Dhionisin në majin e vitit 2010. Që nga ajo ditë, gjithçka e humbi kuptimin për mua. E lashë punën fare, e mbylla klinikën dhe u mbylla edhe vetë në shtëpi. Dhe prandaj jam bërë ndoshta kaq këmbëngulëse në kërkesat e mia të këtij lloji, sepse asgjë nuk mund të mbetet bosh në këtë jetë, madje edhe vetë jeta duhet mbushur me diçka, në një farë mënyre. Ja edhe me një shkrim modest si ky që po bën ti, i cili do të jetë një ngjarje e veçantë për mua. Faleminderit.
HORMOVA NĖ SHEKULLIN E GJASHTĖMBĖDHJETĖ
DUHEN KUJTUAR KËTA LABOVITË TË NDERUAR
HomazhViti 2011, përkon edhe me 100-vjetorit e birit të Labovës dhe babait të shtatë fëmijëve, Sokrat Pano Kules.
Sokrat Kulia, kaloi mbi supet e tij një fëmijëri të vështirë, nashkë më të dyja motrat, sepse prindërit i lanë të vegjël dhe pa mbrojtje. U rrit duke punuar, donte një jetë gjithnjë e më të mirë për veten, familjen dhe bshkëfshatarët e tij. Ai ishte tip kurajoz, i zgjuar dhe i shkathët. Si shumë labovitë, erdhi që në moshë të re në Tiranë, ku edhe u lidh menjëherë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, madje që në fillimet e saj, duke qenë pjesë e lëvizjes ilegale. Shkonte dendur në çetat partizane të Pezës e të Dajtit, shpërndante trakte dhe bënte më të mirën e asaj që i kërkohej, duke i hyrë kështu me dëshirën më të madhe një rruge të vështirë e të rrezikshme për një gjë shumë të madhe, siç ishte liria, që nuk e kishte ndjerë kurrë. Për hir të kësaj ndjenje, ai u bë një djalë trim e sypatrembur, madje iu qëndroi fort edhe torturave të Xhafer Devës, i cili e kapi dhe filloi ta qëllonte fort me patllake në fytyrë dhe në të gjitha pjesët e trupit.
Sokrati ka punuar kamerier në Hotel “Internacional”, ku ishte nga më të shkathtit. Zotëronte mjaft mirë greqishten (sepse kishte bërë një shkollë në Greqi) dhe italishten, të cilat e ndihmonin shumë. Ishte një njeri me kulturë dhe me një dashuri të madhe për njerëzit, të cilëve ishte i gatshëm t’iu gjendej e t’i ndihmonte në çdo rast. Nënë Teton e donte mbi të gjithë dhe ajo i përgjigjej me të njëjtën ndjenjë, gjithashtu. Ishte veçanërisht i interesuar për bashkëfshatarët, të cilët i ndihmonte të vinin në Tiranë, iu gjente punë, ushqim e strehim, duke qenë për ta si një ëngjëll mbrojtës. Duke pasur këto cilësi të mira njerëzore, fill pas çlirimit, i besuan detyrën e rëndësihme e delikate të shefit të strehimit të Tiranës, të cilën e nisi me shumë seriozitet, ndershmëri e përkushtim.
Më pas, u caktua drejtues kryesor në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Muhamet Gjollesha” dhe mund të thuhet se është ideatori i ndërtimit të tre pallateve jo të zakonshëm për atë kohë, që u ngritën pikërisht prapa pesëmbëdhjetëkatëshit të sotëm. Që në fazën e projektit, Sokrati nguli këmbë që të ruhej e të pasqyrohej në ndërtimin e tyre tradita shqiptare e Jugut dhe Veriut të Shqipërisë, me dritaret dhe ballkonet karakteristike të këtyre trevave dhe ashtu u bë. Me kalimin e viteve, siç ndodhte dhe ndodh rëndom me njerëzit e ndershëm e të drejtë, ai ulej nga pozita, sepse intrigat dhe xhelozia e bëjnë të vetën në çdo kohë. Por Sokrat Kulia i merrte gjërat ashtu siç i vinin, mjafton që familja e tij të ishte mirë, e qetë dhe e lumtur. Dhe ajo, ashtu ishte, me bashkëshorten e tij dhe me të shtatë fëmijët, katër vajzat dhe tre djemtë që erdhën njëri pas tjetrit.
Mamaja jonë, ishte një nga femrat më të bukura dhe elegante të kohës, që dallohej në të gjithë lagjen, ku shumica e banorëve ishin myslimanë të ardhur sidomos nga Kosova. Familja Kule shkonte shumë mirë me të gjithë. Prindërit tanë, si të thuash, ishin fate për njëri-tjetrin dhe, së bashku, bënin shumë përpjekje e sakrifica për të rritur të shtatë ëngjëjt që jua fali Zoti.
Në Tiranë dhe kudo, strehimi ka qenë problematik dhe këtë Sokrati e dinte shumë mirë, duke qenë dikur edhe shef strehimi, edhe drejtues ndërtimi. Për ta zbutur sadopak këtë problem, së bashku me stafin e tij, përballë ish-uzinës “Enver”, Sokrati projektoi dhe ndërtoi një varg banesash të bukura njëkatëshe, me kolona, ku u strehuan shumë banorë. Gjithashtu, atij i takoi nderi të ishte edhe drejtuesi kryesor i punimeve për ndërtimin e ish-Kombinatit të Tekstileve.
Këshilltarja dhe shoqja më e mirë e babait, ka qenë mamaja jonë, Eftimia, e cila thuhej se ishte edhe “liberale” për kohën, por edhe shumë punëtore e duarshkathët. Ajo ishte bijë nga një fis vital, trim e atdhetar nga Hormova, kur ajo ishte një nga fshatrat më në zë të të Rrëzës dhe guxonte të përballej me vetë Ali Pashë Tepelenën e madh e të frikshëm. Njëlloj si Caushin edhe të parin tonë, që ishte gjithashtu prift dhe quhej Pano, e shkuan dhe e poqën në hell, sepse nuk pranoi deri në fund ta ndërronte fenë dhe të bëhej mysliman dhe prndaj kënga thotë:
“Caush be, Caush Hormova,
Për t’iu shpëtuar përndjekjeve të mëtejshme dhe sidomos, për të mos e ndërruar fenë, të parët e mëmës tonë u shpërngulën në Tërbuq. Ata e dinin s edhe aty jeta dhe vdekja do t’i ndqnin nga pas e do t’iu rrinin mbi krye si shpata e Demokleut, prandaj vendosën të ndërronin mbiemrin. E vranë mendjen dhe e gjetën natyrshëm atë që iu duhej e që shprehte tërë peshën e dhimbjes së tyre: Mbiemri do të ishte VARDHAM, domethënë “varre dhamë”. U tha e u bë dhe Vardhamaj ka edhe sot në Tërbuq, dhe secili më vonë pa punët e hallet e tij, pa e harruar asnjëherë të shkuarën, dhe prapë në Tërbuq, Hormovë, Lekël e Labovë këndohen këngët e vjetra për martirët që Ali Pasha i shkoi në plumb, në hell e në thikën e tij të përgjëkur.
Me gjithë moshën e shkuar, vitet ’90 erdhën edhe për Sokratin e Eftiminë si një rreze drite e shprese për të zgjidhur një herë e mirë gjithë ato halle që na kishin zënë. Ata besonin tek e vërteta, tek demokracia, tek mendimi dhe fjala e lirë, tek lëvizja e lirë dhe jo që rinia e popullit të mbylleshin brenda këter mureve. Ata gëzoheshin si fëmijët që e arritën këtë ditë të madhe. I mallëngjyer dhe i gëzuar për jetën e lirë që do të vinte pas kësaj për familjen dhe mbarë popullin, me peshën e viteve e të halleve përsipër, Sokrati nuk mund ta përballonte gjith atë ngarkesë. Ai pësoi një hemoragji të papritur celebrale dhe ndërroi jetë në vitin 1992.
Sot, po të ishte gjallë, Sokrat Kulia do të ishjte plot 100 vjeç, me gruan, fëmijët, nipërit, mbest dhe stërnipërit e stërmbesat, mes një shtëpie të madhe, të mbushur plot jetë e gjallëri.
Mone Gjoni, Gjika Mone, Gjon Petri, Gjoka Mitri, Dhima Pjetri, Pal Pjetri, Gjin Pjetri, Vlash Pjetri, Deda Pjetri, Pjetri Gjini, Gjin Minguli, Deda Minguli, Gjon Minguli, Llaq Toma, Brat Toma, Dhimo Nika, Gjoka Dhima (beqar), Sima Nika, Martin Deda, Qirjaq Nika, Gjoka Nika, Dhimo Merke, Gjin Deda, Leka Dhima, Seva Gjoni, Nika Reçi, Gjika Aleksi, Mone Gjini, Kol Mone, Duka Mone (beqar), Mile Mone (beqar), Mone Gjoni (Pjetri), Nika Gjoni, Dhima Nika, Mile Nika, Leka Hila, Gjika Gjoni, Deda Gjoni, Gjika Nika, Gjoka Deda, Nika Deda, Mingul Nika, Duka Nika, Gjika Nika, Gjin Kola, (........), Deda Pali, Gjon Deda, (.......Deda), Gjika Deda, Gjin Pali, Gjon Pali, Nika Gjini, Gjika Tole, Gjoka Kote (Kona), Duka Gjini, Nika Gjoni, Gjika Gjoni, Gjika Leka, Mingul Leka, Hila Kame, Gjon Kosta, Kosta Gjini, Aleksi Brati, Gjika Brati, Deda Brati, Nika Brati, Merul Brati, Deda Brati (tjetri), Gjina Zhupa, Jonim Deda, Leka Gjini, Mingul Gjini, Leka Minguli, Nika Leka, Pal Nika, Leka Pali, Petre (Mitre) Nika, Nika Gjini, Gjoka Nika, Gjika Nika, Hila Nika, Gjoka Nika, Gjika Minga, ......Dhima (çift), Dhima.......(beqar), Kasëm Mustafa (beqar), Ali Mustafai (beqar), Iljaz Miha (benak), Ali Hima, Mehmet Gjika, Ali Memiu, Sinan Memiu, Muço Maqori, Ali Muço, Mehmet Aliu, Sinan Aliu, Sinan Aliu, Mehmet Gjoni, Sinan Gjoni, Hysen Mustafai, Hasan Mustafai, Mehmet Kasemi, Ali Kasemi, Sinan Kasemi, Muço Mehmeti, Hasan Memiu, Nika Kondi, Deda Gjini, Nika Gjoni, Nika Gjoni, Leka Minguli, Gjika Nika, Hila Nika, Dhima Koka, Gjika Kola, Kasem Hyseni, Sinan Dhimo, Petri Minguli, Merzo Gjoni, Llaq Çama (Çaka), Brat Çaka, Leka Mërtili, Gjon Petro, Gjika Duka, Dhima Kole, Gjika Nika, Duka Nika, Kasem Dhima, Sevo Dhima, Gjon......, Nika Leka, Pal Kosta, Deda Qira, Leka Gjoni, Dhimo Gjini, Mila Aleksi, Gjika Nika, Gjin Deda (tjetri), Dhimo Deda, Vlash Petri ( tjetri), Deda Gjoni, Duka Mone, Gjoka Deda, Pjetri Gjoni, Deda Gjoni, Mirash Mone, Krista Merani, Mingul Kavasi, Pjetri Budi, Dhimo Çaka (Çama), Gjin Çaka (Çama), Dhimo Gjini, Dhimo Sima, Tupe Dhimo, Deda Lleshi, Gjon Lleshi, Gjin Lleshi, Gjika Gjoni, Mingul Gjoni, Mersin Gjini, Dhimo Gjini, Gjoka Dede, Gjika Gjoni, .............., Gjin Aleksi, Gjon Aleksi, Pal Gjini, Deda Gjini, Dhimo Pali (tjetri), Gjika Pali, Pal Gjini, Dhimo Pali (tjetri), Gjika Pali, Pal Gjini, Dhimo Pali (tjetri), Mingul Pali, Dhimo Gjino, Pal Dhima, Duka Dhima, Mersin Nika, Nika Martini, Gjin Martini, Gjika Martini, Mingul Martini, Kol Gjoni, Gjon Kola, Deda Kola, Gjini Koja, Duka Leka, Leka Dhima, Gjin Duka, Brat Gjini, Gjon Gjini, Petri Gjini, Leka Gjini, Mingul Deda, Deda Vamari, Gjin Vamari, Mehmet Dhima, ..... Nikolla, Sinan Mehmeti, Hasan Aliu.
Dokumentet tregojnë se, pas kësaj masakre, të krishterët e mbijetuar iu drejtuan Stambollit dhe kërkuan urdhër prej Portës së Lartë që të fitonin të drejtën të riktheheshin në vatrat e tyre atërore, por vetëm një pjesë e tyre u kthye, shumica e tyre u shpërndanë nëpër botë.
Familjet në Hormovë, sipas regjistrit osman 1583. (Përktheu: Pr. Dr. Ferit Duka)
3.Panajot Aravantinos, perigraphetes Eperiou, vëll. II-të, Joannina, 1984, fq.178, 188;
RRUGA NUK KA MBARUAR, ZOTI KRYETAR...
Kur kalon mbi fshatin Tërbuq dhe merr rugën për në Labovë, të bën përshtypje asfaltimi i dobët dhe i ngushtë i rrrugës. Mungojnë kanalet kulluese, muret rrethuese, makinat e vogla mezi shkëmbehen e te tjera, e të tjera.
Nisur nga këto mangësira, kryesia e Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Odrie-Golik, iu drejtua ministrisë së mbrojtjes, që të shihte mundësinë e zgjerimit të kësaj rruge, duke e hapur dhe shtruar qoftë edhe me çakull në anësoret dhe ta çonte rrugën deri në qendër të Labovës së Vogël.
Është për t’u habitur dhe pastaj për ta vlerësuar interesimin e menjëhershëm të drejtuesve të ministrisë së Mbrojtjes. Një ekip i saj me specialistë xhenierë, ashtu siç e do rregulli, zbritën në komunën e Odries, por këtë radhë ishte radha e tyre të habiteshin me “hab
inë” e kryetarit të kësaj komune, zotit Foto Jani.
- Po rruga ka mbaruar me kohë, - u shpreh ai. - Ç’kërkojnë tjetër labovitët?!...
Dhe xhenierët, që nuk i dinë dhe s’kanë si e përse t’i dinë punët e hallet, por edhe hiletë tona, i hipën makinës e shkuan andej nga erdhën, ndërkohë që Vito Stathi, Tomi Voda, Kristaq Xhavarra e të tjerë kishin disa orë që po i prisnin në Labovë...
Përse të ndodhte kjo? Si mund të shpjegohet disinformimi, nënvleftësimi dhe mungesa totale e interesimit për rrugën e Labovës së Madhe nga ana e kryetarit të komunës sonë?!...
Dhe, më tej, si mund të jetë mirë dhe të konsiderohet e përfunduar një rrugë sope-sope, pa mure mbrojtës dhe, për më tepër e lënë përgjysmë, deri tek kisha e Labovës së Madhe? Kufiri i kërij fshati shkon deri tek Koçeku e Dhoivia, as këtu nuk shkoi rruga? Apo kryetari kishte frikë se mos kecave dhe dhenve iu mbetej përgjysmë procesi mësimor në gjimnazin e Labovës?!... Dhe, një tjetër pyetje, jo më pak e rëndësihme: Përse nuk e ka mbajtur premtimin për ta çuar rrugën deri në Labovën e Vogël, përderisa edhe atje banojnë njerëz?
Po Urën e Subashit, nuk ia vlente ta shihnin xhenierët, apo kryetari kishte frikë se mos thyhej ngrihej ndonjë copë nga ato dërrasat e kalbyra dhe iu thyente xhamat e makinës zotërinjve vërtet të nderuar të ministrisë?
Bëmë kaq shumë pyetje jo se nuk i dimë përgjigjen dhe jo se nuk e kuptojmë ku fle lepuri. Kryetari i komunës, me sa duket, as emrin nuk do t’iu dëgjojë Labovës së Madhe dhe asaj të Vogël, ndërkohë që i takon të bëjë të kundërtën, qoftë edhe për hir të së shkuarës, kur njerëzit e tij shumë të afërt jetuan në Labovë në harmoni të plotë me labovitët, punuan së bashku, ndanë bashkë copën e bukës dhe të gjitha gëzimet e hidhërimet e gëzimet dhe nuk patën prej tyre asnjë të keqe, pavarësisht nga problemet që kishin ata me pushtetin e asaj kohe? Atëherë, përse gjithë ky mllef? Mos e bezdis kryetarin tonë nisma e labovitëve për ta kthyer fshatin në identitet, për ta shndërruar Labovën në një fshat të bukur historik e turistik, përderisa nuk bëhet pjesë e saj, por bën të kundërtën, bën gjithçka që ka në dorë që Labova jonë të katandiset e keq e më keq. Kaq shpejt e harroi ai se edhe tokat ku ngrihet fshati i vllejve janë pronë e të madhit Vangjel Zhapa, domethënë etë Labovës? Pse bën sikur e harron se atij fshati që vërtet nuk do t’ia dëgjojë emrin, ia pëlqeu dhe ia mori ujin me dhunën e pushtetit, pa asnjë të drejtë dhe pa paguar asnjë kacidhe?
Labovën mund të mos e duash, nuk ta sheh njeri zemrën dhe as mendjen nuk e blen dhe nuk e lexon njeri, por një gjë nuk mund të nënvleftësohet dhe të mos merret parsysh: Ajo i jep emër, dinjitet e krenari jo vetëm një komune të vogël si ajo e Odries, por mbarë Shqipërisë e më gjerë dhe këtë e di i madh e i vogël në vendin tonë. Vetëm kryetar Fotua nuk e di, ose bën sikur nuk e di.
Është gjëja më e kollajtë të bësh të paditurin. Fjala vjen, të shkosh rruës dhe të mos e shohësh fare shkollën e labovës, këtij fshati mësimdhënës e arsimdashës, që është shndërruar në një stallë bagëtish. Mund të japë një urdhër të thjeshte dhe shkolla lirohet menjëherë, por kryetarit aq i bën, s’i intereson kjo punë. Vetëm votat e fshatit i ka qejf, për ato të shkreta vota e hoqi postën nga Labova, ku ishte ngritur e funksiononte për bukuri në një godinë të posaçme për dhjetëra vjet dhe e çoi në Andon Poçi. Bashkë me postën, kryetari hoqi edhe punonjësin e saj, me argumentin cinik se boll kishte ngrënë ai gjithë këta vite, tani kishte ardhur radha e të tjerëve.
Zoti Foto, ndaj Labovës keni jo vetëm një mëri të pashpjegueshme, por edhe plot gjynahe. Me gjithë këto ngarkesa, do të të bëjnë këmbët të shkosh më atje për të kërkuar edhe një herë votat për zgjedhjet lokale të 8 majit?
Korrespondenti i “Odries”