GAZETA ODRIA NR. 59, 60,61,62,66

FAQE E PARE Fotoalbum  Gazeta "ODRIA" NR.57   Gazeta "ODRIA" NË INTERNET  Gazeta "ODRIA" NR.59-69 Blog Gazeta Odria nr.71 ARKIVA Odria70

NJOFTIM

 Siç ju kemi njoftuar edhe më parë, në të ardhmen gazeta do të publikohet vetëm në PDF, në faqen: GAZETA ODRIA E PLOTE. Meqënse shume lexues kanë patur vështirësi dhe paqartësi në këtë drejtim, ju rikujtojmë se për të lexuar gazetën, klikoni pikërisht në këtë faqe dhe aty do të gjeni numurin e rradhës në PDF. Sapo të dalë botimi i ri, ne do t'ju njoftojmë më vazhdimësi.

DREJTORI I GAZETËS ODRIA

SOFOKLI DUKA

 

 

 

GRUPI: LABOVË E VOGËL - ODRIE

Mario KOLETE, ka krijuar grupin: Odrie --- Labovë e Vogël. Mund ta gjeni në këtë adresë:   http://www.facebook.com/groups/109615295740322/350414484993734/

Dr. Sofokli Duka

  •   

    Poezi nga Sofokli Duka

    RRUGËT E JETËS

     

    Dhe ja ku u takuam këtë natë,

    Të gjithë tok, në sheshin "Skëndërbej",

    Shëtitëm shumë, si dikur  në fshat,

    Përshkuam bulevardet tej për tej.

     

    Pastaj na u kujtua fëminia,

    Kur bëheshin çobanë me dy shqerra,

    Kur mblidhnim trëndelina nga Odria,

    E flokët ëmbël na i krihte era.

     

    Nuk mund ta imagjinonim këtë ditë,

    Të vegjël ishim dhe në mend s'na shkonte,

    Se ky qytet i zhurmshëm, tërë dritë,

    Si prind i mirë do ta na bashkonte.

     

    Por, shumë shpejt, ai do të na përcjellë,

    Do të na nisë nëpër Shqipëri,

    O, fshat, ata çapkënët e tu të dikurshëm,

    Si zogj do fluturojnë në Jug e Veri.

    •1.        BARITORE

     

    Tufa si shtëllungë e bardhë,

    Brinjave  po zbret në zalle,

    Kumbojnë zilet valë, valë,

    Si iso e bukur labe.

     

    Varet kopeja nga malet,

    Qengjat zënë e hedhin valle,

    Po, ti vrapin si s'e ndale,

    Moj syskë këmborë madhe?...

     

    Moj syskë këmborë madhe,

    Mbi ballë, seç t'u ndez një nur,

    Seç të vijnë mbrapa manaret,

    Hop mbi bar, e hop mbi gur...

     

    Rend e s'lodhesh mbas kopesë,

    Gushëbardha si pëllumbi,

    Gjersa hëna fle mbas resë,

    Mbuluar me ngjyrë plumbi.

     

    ... Tufa si qilim i bardhë,

    Ra, u shtrua nën tre lisa,

    Zilkat çoken në të rrallë,

    Fëshfërin pylli me pisha...

     

    •1.        ÇAJUPI

    Çajupi, mali i lashtë madhështor,

    Mbrëmjeve fsheh diellin, në muzgje të buta,

    Dhe kryet i mban lart, si një malësor,

    Me flokët e thinjur nga legjendat e shumta.

     

    A, s'janë e njëjta gjë: Çajup dhe Çajl Haroldi,

    Që nëpër botë përçojnë erë çaji, suferinë  dhe dëborë,

    Qysh para dy shekujsh kur e shkroi Bajroni,

    Në një shtëpi të thjeshtë, në krye, në Labovë.

     

    Çajupi im - qilim me trëndelinë,

     Me shtatë burime ari,  në çdo cep të  fushës,

    Dhe  shkëmbin ku vajtonin kurbetllinjtë,

    Ty barkun pse ta çanë, në emër të bukës?

    •1.        KËNGËT E ODRIES

     

    Gurgullojnë si gurrë,

    Në gryka, në kodra,

    Thua zhvishen shpata,

    Rrugëve të forta,

    Vërshojnë me të katra,

    Kalori në porta.

     

    Kur kumbojnë ato,

    Malet supet shkundin,

    Me urdhër lirie,

    Shfaqen udhë plumbi,

    Fustanellat zbardhin,

    Si krahë pëllumbi.

     

    Në shekujt e rëndë,

    Që pa historia,

    Me pushkë e këngë,

    Ju foli Odria.

    •1.        HORMOVA MARTIRE

     

    Atje, ku dy male çajnë qiejt gjer në re,

    Atje ku dhe në korrik zbardhëllon dëbora,

    Atje, ku vetëm shqipja mund të ngrejë fole,

    Përmbi tre brigje, krahët shtrin Hormova.

     

    Pesë shekuj me radhë, linde luftëtarë,

    Që s'i mori mosha, por  plumbi dhe shpata,

    Me gjakun e derdhur, ata hodhën farë,

    Që çeli filiza mbi brigjet e ashpra.

     

     

    Fenë ta ndryshoi, egërsisht Sulltani,

    Të theri Pashai gra, fëmijë e burra,

    Dhe qindra i vrau, greku e gjermani,

    Lartë  tek Manastiri edhe poshtë tek Ura.

     

    ... Dyqind e ca burra therën në Hormovë,

    Vetëm një shpëtoi me thikë në dorë,

    Por nuk u derdh vaji, veç një labçe e hollë,

    Me foshnjat në krah, gratë shkonin në Vlorë...

     

    Ajo nuk u mposht, ndaj u bë martire,

    Nga gjaku i të rënëve, çelën qindra lule

    Martirja Hormovë, e bardhë si borë,

    Martirja Hormovë, ballin s'e përkule!

     

    •1.        KY RRAP

    Ky rrap i lashtë, ka dhjetëra vjet,

    Që pret, përcjell dhe përshëndet.

     

    Kur shkoj e vij nga ky Pazar,

    Pyes me mend rrapin krenar:

     

    ..." O gjethedjegur nga martinat,

    Si s're, kur ranë heroinat?!..."

     

    •1.        ERA E BORSHIT

     

    Gjer këtu, kjo erë e Borshit,

    Vjen nga larg si elegji,

    Mal më mal e brinjë më brinjë,

    Bie fllad e kaltërsi.

     

    Sjell një këngë valë - valë,

    Mbushur plot me amanete,

    Lule Sofo, lule djalë,

    I përjetshëm yll, na mbete.

     

    Ka diçka nga kaltërsia,

    Ajo këngë aq e bukur,

    Sofo Meksi, trimëria,

    Këmbëkryq, kudo je ulur.

     

    Se kudo, ku kënga shkoi,

    Tej-tëhu, viseve të mia,

    Çdo shqiptar, për ty këndoi,

    Lule Sofo bukuria...

    SHKRETËTIRA E URISË

    Ç'heshtje mbretëron në fshat,

    Shterpë çezma, rrugë e prishur,

    Vajton qyqja fillikat,

    Përmbi kulmin e braktisur!...

     

    Myshku tretur nëpër mure,

    Zbutur trarët porsi eshkë,

    Dhe qershitë s'çelin më lule,

    Nuk mbin bari më në bjeshkë.

     

    Nëpër dete niset era,

    Çon habere dhe hap portën,

    Me trishtim kërcëllin dera,

    Për ata që rrahin botën.

     

    Fshati i plakur ka një mall,

    Për ata që ikën detit,

    Dhe s'e di në janë gjallë,

    Nëpër rrugët e kurbetit.

     

    Por nga deti lajme s'vijnë,

     Dhe gjatë dimrit dhe gjatë verës,,

    Dyerve me ulërime,

    Përplasen shkulmet e erës.

     

    Pragu i bardhë i menduar,

    Para portës së shtëpisë,

    O, ç'trishtim e ka mbuluar,

    Shkretëtirën e Urisë!...

     

SHKRIME NGA GAZETA "ODRIA" NR. 61

 

PISHTARI OLIMPIK, NGA BUNTRINTI HISTORIK NË LABOVËN E VANGJEL ZHAPËS

 

Nga etnolog Thanas  Meksi

 

 

Flaka Olimpike që rindezi Vangjel Zhapa para 132 vjetësh në stadiumin Olimpik, më 9 qershor ndizet në Labovë.

Më 10 maj, Flaka Olimpike e Lojrave Olimpike Botërore 2012 të Londrës, sipas traditës së lashtë u ndez në stadiumin Olimpia të Athinës, nga ku do të mari rrugë për të përfunduar në Londër  më 27 korrik.

Pas një shkëputje prej 1500 vjetësh, atë e ndezi në vitin 1859, euriditi  nga Labova e Odries, Gjirokastër, Vangjel Zhapa, me nënë nga fisi Meksi.

Tradicionalisht Flaka Olimpike, ndizet çdo katër vjet në stadiumin Olimpia, ndërtuar  nga bamirësi VANGJEL ZHAPA. Ai ka ndërtuar edhe ambjentet olimpike, pallatin e famshëm Zappion, ku ngrihet madhështore shtatorja e tij dhe e kushëririt, KOSTANDIN ZHAPA, vazhdues i bamirësive të Vangjelit.

Organizimi i Lojrave Olimpike vazhdon të financohet nga pasuria e Vangjel Zhapës e depozituar në Athinë, nën administrimin e Këshillit Olimpik dhe Trashëgimive, i cili prej vitesh e anashkalon përmbajtjen e testamentit, ku ndë r të tjera thuhet: "... Një pjesë e pasurisë ti shkojë fshatit të tij të lindjes, Labovë, e cila mban mbiemrin e vetë Zhapës.  

Në Labovë ndodhet varri i tij, lapidari përkujtimor, shkolla gjimnaz e hapur nga Vangjekl Zhapa në vitin 1860, e shpallur "Monument Kulture" dhe shtëpitë saraje të rënuara, ndërtuar në vitet 1835-1840.

Studies dhe historian, si : akademiku rumun Nikolae Postalake, profesorët grek Aleksandër Farmaqis dhe Aleksandër Mamupulor, Prof.Aleks Buda, Prof. Georgios Dolianitis, Prof. Dr. Llukaq Heqimi, Qirjako Hila, Prof. Dr. Foto Toti, Prof. Dr. Fedhon Meksi, Prof Iliaz Gogaj, autori i këtij shkrimi, e shumë të tjerë hedhin dritë dhe kumtojnë historikisht dhe shkencërisht bamirësitë e Vangjel Zhapës, jo vetëm në Ballkan e Europë, por edhe në Kinë, Brazil, Angli...

Shqiptarët duhet të krenohen me këtë bamirës të madh të shkallës botërore, që nuk rilindi vetëm lojrat Olimpike, por edhe  punoi e financoi për arsimin dhe gjuhën shqipe, ndërtimin e shumë shkollave dhe veprave të kultit, financimin e Evetarit  të parë të Naum Veqilharxhit dhe botimin e gazetës " Pellazgos", ndërtimin e gjimnazeve të Labovës, Aleksandrisë e Kostandinopojës, me programe mësimore europiane etj.

Një punë të frutshme, për ndriçimin e figurës së Vangjel Zhapës ka bërë shoqata kulturore atdhetare "Odria", qysh prej vitit 1955 që është krijuar,  si dhe gazeta e saj periodike me të njëjtin emër. Akademia e Shkencave, pas shumë diskutimesh përjashtuese, e përfshiu Vangjel Zhapën në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, viti 2009, V. III.   

Por ndaj Vangjel Zhapës është mbajtur një qëndrim mohues e deri diku edhe denigrues. Asnjë bust nuk ka për të. Në vitin 1975, Labovës ju hoq mbiemri Zhapa dhe ju zëvëndësuar me "e Madhe".

Ndërsa në Rumani, Greqi ngrihen madhështorë bustet e tij, në Stamboll një nga gjimnazet kryesore mban emrin e tij, në Shqipëri, këtë emër nuk e ka as edhe një rrugë.

Me të drejtë labovitët, pas mesazhit të Kryeministrit britanik Kameron, drejtuar popujve, i shkruan atij: "...Lojrat Olimpike i rilindi djali ynë Vangjel Zhapa. Ai ishte misionar i Paqes dhe miqësisë ndërmjet popujve. Do ishte mirë që kujtimi i tij të përfaqsohej në Lojrat Olimpike "Londër 2012".

 

***

Pishtari Olimpik, nga Butrinti do të vijë në Labovë më 9 qershor. Labovitët e kanë mirëpritur këtë eveniment, pasi prej kohësh e kanë kërkuar një të drejtë të tillë, që Flaka Olimpike të kalojë në fshatin e lindjes së Zhapës. Është hera e parë që këtë kërkesë e dëgjon KOKSH.

Kryetari i komunës Odrie, Gjergj Zharkalli, i lindur në Labovë, po pastron shtëpitë e Zhapajve, duke i bërë ato të vizitueshme. Ai ka shkuar disa herë në Athinë, për të siguruar ndonjë bust apo relike të Zhapës.

Edhe në presidencë është bërë propozimi, që me rastin e zhvillimit të Lojrave Olimpike, rilindësit të tyre, Vangjel Zhapa, t'i jepet titulli i lartë "Nderi i Kombit".

Më 9 qershor, shoqata Odrija ka ftuar në Labovë anëtarët e saj nga gjithë Shqipëria dhe diaspora, studiues dhe hulumtues të veprës së tij, deputetë, diplomatë dhe ambasador. Bashkëfshatarët, nxënësit e fshatit, banda muzikore e Gjirokastrës, do të presin me entusiazëm ardhjen e Flakës Olimpike në Labovë. Pëveç të tjerash do të përgatiten postera dhe stema me figurën e Zhapës organizohet një ekspozitë për historikun e Lojrave Olimpike.

 

Ç'THOTË 9 QERSHORI

 

Më 19 qershor 1865, bamirësi i madh VANGJEL ZHAPA mbylli sytë përjetësisht, por flaka  që ndezi ai, nuk u shua. Ndaj në  çdo qershor, në Labovë,  do të kujtohet ai dhe Flaka Olimpike që rindezi. Festë, përkujtimore e trisai, do të bëhen gjithmonë, aty ku prehen eshtrat e tij.

Një sportist shtangist, përfaqsues i Lojrave Olimike të Shqipërisë, do të ndezë Flakën Olimpike në Labovë. Në këtë aktivitet do të organizohet edhe një  koncert me pjesmarjen e këngëtarëve të njohur Ardian Trebicka, Devis Xherahu, nipër labovit dhe Mimoza Gjoni, të cilët do të shoqërohen nga nxënësit labovit. Më pas do të startojnë lojra popullore e sportive.

Ardhja e Flakës Olimpike në Labovë, për këtë fshat është festa më e madhe pas asaj të çeljes së shkollës së parë shqipe.

Hajdeni në Labovë. Hajdeni të festoni, të shikoni dhe të mësoni! Laboviti Vangjel Zhapa është atje! Ai është i të gjithve, madhështor, i pa vdekshëm!

 

http://odriegolik.itgo.com

 

Të reja nga Labova...

 

  • Filloi rregullimi i rrugës automobilistike Labovë e Madhe - Labovë e Vogël, me gjatësi 1.2 km. Ajo do të ndërtohet nga strukturat e Xhenjos së Ministrisë së Mbrojtjes, falë interesimit të Komunës dhe shoqatës "Odria" dhe labovites Iris Apostol Noçka.
  • Bisnesmeni labovit Andrea Jorgo Dilo, do të financojë për meremetimin dhe rregullimin e kroit të Madh, të Labovës së Zhapës. Mjedisi i kroit do të rrethohet, ndërsa në brendësi të tij do të krijohet një ambient shplodhës.
  • Sayet e "Odries", do të përfshihen në një dokumentar artistik me ngjyra dhe me metrazh të gjatë. Me inisiativën e muzikologut gjirokastrit Naxhi Kacaruho, regjizores zagorite Eli Bici dhe etnologut Thanas Meksi, qo do të shkruaj libretin, dokumetrai do të xhirohet në mjediset e Labovës, me aktivizimin e banorëve dhe nxënësve të shkollës.
  • Studiuesi Prof. Xhevat Lloshi, ka përfunduar librin "Vangjel Meksi, përkthyes i Dhjatës së Re", i cili është një kontribut i çmuar në fondin e letërsisë së Rilindjes, si dhe atë të librit historik labovit. Ja vlen që këtë libër ta keni në bibliotekat TUAJA.