INISIATIVA LABOVITE PËR TË RINGRITUR VEPRAT E ZHAPËS. Labovitet te ndërgjegjshëm për te lartësuar veprën e Zhapës, kanë marrë një sërë iniciativash dhe po luftojnë për ti vënë ato në jetë:
Do të bëjnë të gjitha përpjekjet qe te ndërtohen shtëpitë e Vangjel e Kostandin Zhapës, varret e tyre, shkolla dhe krojet e fshatit te ndërtuar prej tyre, duke i kthyer ato ne monumente kulturore dhe muzeale.
25 Marsi do te shpallet "DITA E TAKIMIT ME ZOTIN", e cila do të organizohet çdo vit në Labovë.
Do te ngrihet muzeu i "Vangjel Zhapës" dhe shtatorja e tij.
Do të botohen libra dhe kartolina për Zhapën .
Do te ndihmojnë njeri tjetrin për te përmirësuar jetesën, do te shkollojnë fëmijët e tyre dhe do te ndërtojnë banesa te reja.
Do te organizojnë ne çdo përvjetor jubile, konferenca shkencore ndërkombëtare, mitingje arsimore për dy figurat e ndritura labovite.
Do të propozojnë që në çdo katër vjet ne Gjirokastër të organizohen Lojërat Olimpike te Rinise, "Vangjel Zhapa",
Do te forcohet bashkëpunimi me Komisionin Zhapa ne Athine, Pallatin "Zappion" , si dhe shkencëtaret dhe studiuesit e Zhapës, me te cilët do te koordinohen veprimtaritë.
Slogani i Zhapës: "Unë jam i te gjithëve" do te jete lajtmotivi labovit dhe labovitet do te quhen "Pasardhësit e Vangjel Zhapës".
Labova do të shndërrohet në një fshat "Historiko-turistik".
Korrespodenti i Gazetës “Odria”.
Vangjel Zhapa - shenjtori shqiptar ende i pakurorëzuar.
Nga poeti Mihal Gjergji.
Mos vlerësim, apo haresë?
Fatkeqësisht, emri Vangjel Zhapa s’është futur as në tekstet shkollore, në vendin e orgjinës. S’ka histori të publikuar në programet e mësimdhënies për vendlindjen e tij dhe vlerat që ka krijuar, me qëllim që të njihet nga fëmijët tanë. Ndërkohë, Rumania organizon përvjetorë themelimesh të teatrove apo universiteteve të financuara nga ky bamirës, komente pa fund në shtypin e shkruar, boton libra dhe promovon monografi kushtuar Vangjel Zhapës; Greqia e rendit ndër burrat më të shquar që kanë kontribuar për këtë komb ( sigurisht që s’nguron t’i bashkangjit edhe kombësinë greke siç bën edhe me personalitete të tjera të shquara shqiptare që kanë kontribuar për këtë vend); Turqia përkujton dhe vlerëson me nderim emrin dhe bamirësitë e tij në fushën e arsimit; në Shqipëri s’zhvillohet asnjë aktivitet shtetëror kushtuar këtij burri të shquar. Asnjë shkollë s’mban emrin e tij, megjithse ka hapur apo financuar dhjetra të tilla, jo më pak se 120 shkolla të ndërtura e rindërtuara, në Gjirokastër, Delvinë, Përmet, Sarandë, Janinë etj.
Asnjë rrugë s’mban emrin e nderuar të Zhapës, megjithse ka ndërtuar shumë të tilla, krahas veprave të kultit. Sa keq! Vetëm Labovës i dhimbset Vangjeli, si nënës djali. Vetëm labovitët kanë bërë përpjekje për të mësuar sa më shumë rreth jetës dhe veprimtarisë bamirëse të bashkëfshatarit të tyre, jashtë atdheut.
Shqiptari që tronditi marrëdhëniet Greko-Rumune.
Pasuria e jashtëzakonshme e Vangjel Zhapës, u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve Greko – Rumune, deri në ndërprerjen e tyre në vitet 1892-1896. Sipas testamentit “Zhapa”, pasuria e Vangjelit do të njihte si trashëgimtarë “shtetin e mbretërisë greke me disa kushte të përcaktuara e që të mos bëhen ndryshime”. Ekzistojnë dokumente në të cilat pasqyrohen letra të shtetit helen drejtuar Presidentit të Gjykatës së Shkallës Parë të Ilfovit në Rumani, e nënshkruar nga i ngarkuari me punë i Mbretërisë Greke A.Tombazis; letër tjetër e shtetit helen drejtuar Tribunalit të Jalomicës, e nënshkruar nga Kryeprokurorët: B.Gamesku dhe M.Kornea; nota të shumta proteste të ngarkuara me tensione, midis përfaqësive diplomatike të dy vendeve respektive, etj. Në këto kushte, shteti grek u detyrua të kërkojë ndihmën e fuqive të mëdha. Parimet e nënshkruara e të legalizuara në konferenca ndërkombëtare, u bënë të detyrueshme për zbatim.
Hakmarrja turke ndaj Zhapës.
Trupi i tij mban shumë gjurmë lufte dhe është plagosur më shumë se pesë herë. Ai është nderuar me medaljen e argjendtë:” Për kontribut në luftën për pavarësi të Greqisë”. Kjo konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë L.Deligeorges në një shkresë që mban datën 31.12.1890. Në shënjë hakmarrjeje, turqit i arrestuan nënën, Sotirën dhe i morën gjithë pasurinë që zotronte në fshat. Revista greke “Epirotiqi Eteria” botimi i vitit 1996 në Athinë, e pasqyron shqetësimin e Vangjelit për këtë ngjarje: “...e nderuara mëma ime plakë me urdhër të vezirit turk, Qytahi, më 1825 u rrëmbye nga shtëpia dhe u soll e lidhur me pranga në Janinë, ku e izoluan për dy vjet në burgun e nëndheshëm të ishullit të liqenit të Janinës...gjërat e shtëpisë sime u bënë placka për të dërguarit e vezirit Kalobej Kastrino...Nëna ime e di që i kam jetën borxh atdheut dhe gjallë ta pjekin ajo nuk do të ankohet”. Kjo është shkëputur nga letra e protestës, që Vangjel Zhapa në vitin 1845 i drejton Konsullatës greke në Bukuresht, duke u ankuar kështu për vlerësimin e pamjaftueshëm të bërë nga pushtetarët grekë të asaj kohe.
. Labova mes shpresës dhe zhgënjimit. Labovitët janë shpërndarë gjithandej, jo vetëm brenda vendit, por në të gjitha shtetet, deri në Amerikën e largët. Ata e duan atdheun e tyre siç duan edhe zotin, mirëpo, ndryshimet politike dhe rrënimi ekonomik i vendit, i detyroi të bënin një zgjidhje, emigrimin. Labova e bukur mbeti si një natë pa hënë. Familjet e fshatit i sosi kurbeti. Të gjitha stinët e vitit u kthyen në dimër, çuditërisht. Udhët për të arritur dritën e munguar, u shndërruan në humnera, hapat e labovitëve janë nisur në kërkim të shtigjeve të reja. Arben Duka e krahason me një sy të mbushur plot dhimbje e lot, vendlindjen e tij: “U thave në Odrie/ po çele nëpër botë”, shkruan poeti. Labova thuajse është shkatërruar. Të ardhurit, që s’i lidh asgjë me këtë vend, ndërtojnë stalla bagëtish në mes të luarisë, atje ku mblidheshin dikur burrat e dëgjuar, në kuvendet e tyre. Mirëpo, e djeshmja gjallon në kujtimet e banorëve, të cilët enden kështu mes shpresës dhe zhgënjimit. Vendlindja u çelet në sy kudo që janë, ndërsa sipër atyre që harrojnë gurin e portës dhe prushin e vatrës, varet mallkimi stërgjyshor: “u pjekshi pazareve të botës”. Por, ky fshat ka një traditë të hershme, të kultivuar. Pinjollët e familjeve të mëdha, të cilat s’janë të pakta, kanë filluar të ndërtojnë mbi themelet e rrënuara. Pas tyre besojmë të kthehen edhe të tjerët, “në vendin e shenjtë të takimit me zotin”, kushtëzuar kjo edhe nga mundësitë ekonomike. A thua t’ua bekojë këtë dëshirë edhe ‘Krishti’ i tyre, Vangjel Zhapa. Mrekullitë ndodhin rrallë, por ndodhin ama !Le të shpresojmë bashkërisht.
VEPRA DHE VLERA TË VANGJEL ZHAPËS.1800-1865. · Mori pjese ne Kryengritjen Çlirimtare Greke. · U dekorua nga mbreti Oton me “Medaljen e Argjendte”.
· Pas vitit 1831 ne Rumani krijoi një ferme moderne bujqësore. · Ne mesin e viteve 1830 studion ne Paris, për shkencat bujqësore.· Shëron nga sëmundja e gangrenës vajzën e mbretit rumun.· Bëhet një nga aksionarët më të mëdhenj të naftës së zbuluar në pronat e tij.· Dhuroi mjete financiare për ndërtimin e Akademisë se Shkencave Rumune, Universitetin e Bukureshtit dhe Teatrin “Anateu Roman”.· Ndihmoi për ndërtimin e 135 shkollave në Shqipëri, Greqi, Rumani e Turqi Në shkollat e ndërtuara në vendlindje futi edhe gjuhën e folur shqipe, në mësimdhënien greqisht.· Ndihmoi financiarisht për ndërtimin e veprave te kultit, ujësjellsave, rrugëve e krojeve. · Sponsorizoi me bursa, shkolla , konvikte, prika, e pensione.· Është ideator dhe financues i lojërave Olimpike te Lashtësisë dhe ripërtëritjes se tyre ne Greqi ne vitin 1859.· Sponsorizoi lojërat Olimpike te viteve 1870, 1875 dhe 1889.· Financoi ndërtimin e Pallatit te Olimpizmit “Zappion”, Stadiumit Olimpik ne Athine, si dhe shumë objekte të tjera olimpike dhe sociale.· Me vendim te Qeverise Greke te vitit 1869, Vangjel Zhapa shpallet .· “Themelues i lojnave Olimpike”.· Ne Shqipëri “Lojnat Olimpike rinore” , me vendim te KOSH në vitin 2003, morën emrin Vangjel Zhapa.· Është përfshirë në Historinë e Enciklopedisë Shqiptare të vitit 2009.· Veprimtaria bamirëse e tij i kalon kufijtë e Ballkanit, duke u shtrire edhe ne Turqi e Rusi, Kine e Brazil, Angli e gjetkë. · Sipas amanetit të lënë, kockat e tij prehen në fshatin e vendlindjes, Labovë:· Kushëriri i tij, Kostandin Zhapa, ndoqi me përkushtim zbatimin e veprës se Vangjel Zhapës. Korrespodenti i Gazetës “Odria”.
VEPRIMTARI PËR RIVLERËSIMIN E FIGURËS SË ZHAPËS NË SHQIPËRI.
Këshilli i Qarkut Gjirokastrës, me propozim te Kryesisë se shoqatës "Odrie-Golik", i mbështetur në solidaritetin e komunitetit labovit, i propozon Presidentit të Republikës, shpalljen e V.Zhapes "NDERI I KOMBIT" dhe “Bamirës i madh evropian”.
- Këshilli bashkiak i Bashkime se Gjirokastrës, me propozim te Kryesisë se shoqatës AK "Odrie-Golik" do te emërtoje një shëtitore me shesh pushimi, pranë stadiumit "Subi Bakiri" me emrin " VANGJEL ZMAPA".
- Në këtë shesh do te vendoset basorelievi "Vangjel Zhapa, krijues i lojërave Olimpike Botërore", vepër e skulptorit te popullit Muntaz Dhrami.
- Në shkollën e ndërtuar nga Vangjel Zhapa, ne vitin 1860, ne Labove te Zhapës, u vendos pllaka përkujtimore "Mësonjëtorja e vjetër e Labovës se Zhapës, ndërtuar nga bamirësi Vangjel Zhapa".
- Shkolla e mësipërme është shpallur Monument Kulture, me vendim te Ministrisë se TKRS dhe IMK te Shqipërisë Nr 25/4, date 05.04.2010
- Po përgatitet ne gjuhet Shqip, Anglisht dhe Greqisht, guida historiko-turistike: "Vangjel Zhapa nga Labova e Zhapës".
- Drejtoria e Postave Shqiptare merr ne konsiderate propozimin e Kryesisë se Shoqatës AK "Odrie-Golik" për emetimin e pullës shqiptare ''Vangjel Zhapa"
- Se shpejti do te hidhet ne treg kartolina me ngjyra për Vangjel Zhapën.
Korespodenti i Gazetës “Odria”. VLERËSIME NGA PERSONALITETE BALLKANIKE PËR VANGJEL ZHAPËN.
Prof. Ylli Popa, ish- Kryetar i Akademisë se Shkencave te Shqipërisë:… Vangjel Zhapa është figure shume e madhe qe e nderojnë te gjithë Nuk është mire qe ketë shqiptar te Madh, ta kemi njohur pak… Sotiropullos, deputet : ... Emri i V.Zhapes u shkrua bashke me emrat e burrave te mëdhenj bamirës te Greqisë, ne sallën e Parlamentit Grek.
Nikolae Postolake, Akademik, Rumuni : … Mund te krenohen gjithë shqiptaret, greket e rumunet dhe cilido qe do te provoje se është i kësaj zone te Evropës; Vangjel Zhapa i takon lindjes Ballkanike, ndërsa nga kultura, mentaliteti, iniciativa i takon shpirtit evropian...
Prof. Georges Dolianitis, Drejtor i IS Helenike, Athine :…Kam 47 vjet qe studioj V.Zhapen e veprën c tij dhe them me plot gojën qe Ai i përket jo vetëm Shqipërisë dhe Labovës qe e lindi, por dhe Ballkanit, Evropës e do te thosha dhe Botes, sepse gjejmë edhe ne Rusi, Kine e Brazil, Angli bamirësi te këtij njeriu te madh!... Mezi pres te vizitoj Labovën!...
Etnolog Thanas Meksi, Kryetar i SHAK "Odrie-Golik”: … Me vjen mire qe Vangjel Zhapa është nga fisi ynë Meksi. Ai është një figure e ndritur labovite dhe më gjere, një personalitet botëror.
Korrespodenti i Gazetës “Odria”.
PATRIOTIZMI LABOVIT.
Labovitët ne shekuj, me dinjitet dhe kulturë, i kane shërbyer jo vetëm Labovës dhe Shqipërisë, por dhe mbare njerëzimit. Një fshat me rreth 200 shtëpi, ka nxjerr gjatë gjithë kohës njerëz te arsimuar dhe te kulturuar. Në një takim shoqëror me Ilo Dilon dhe Dhimiter Kokolin kujtuam Labovën, duke shkuar thelle ne vite. U krenuam me paraardhësit tanë, veçanërisht me ata qe shkuan ne kurbet, te cilet edhe pse ishin te larguar, patriotizmi dhe dashuria për fshatin i mbante te lidhur me vendlindjen. Labovitët vazhdimësish kane bere mirësira; mjaftojmë te kujtojmë Vangjel e Kostandin Zhapën, bamirës te mëdhenj, qe dijet, aftësitë dhe pasurinë i vunë ne shërbim te njerëzimit. Intelektualet labovit qe studiuan ne perëndim, kudo qe punuan, me mendje dhe zemër, i qëndruan afër Labovës. Irakli Nocka, mbasi u kthye ne atdhe, u punësua ne administratën shtetërore, por nuk e kurseu ndihmën e tij për bashkëfshataret. Vasil Dilua, diplomuar për drejtësi, punoi si avokat, ku me aftësitë e tij fitonte çdo gjyq, kur fshati kishte nevojë, ai i gjendej gjithmonë pranë. Gjyqin për malin e Labovës e fitoi dhe fshatin e tij e nderoi. Labovitët te sistemuar prej vitesh ne Tirane dhe qytete te tjera te Shqipërisë para dhe pas Luftës se Dytë Botërore, shtëpitë e tyre ne Labove u a lanë të hapura bashkëfshatareve te tyre, dhe u treguan te gatshëm për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre. Ilo Dilua, kujton me respekt profesor Gavril Meksin, që në vitin 1947 e ndihmoi për sistemimin e tij ne pune. Mirësi te shumta dhe te paharruara janë bere nga mësuesit Pandeli Malo dhe Gaqe Meksi si dhe mësuesja e merituar Andromaqi Nocka. Timo Dilua qe kishte studiuar ne Itali dhe i sistemuar ne Tirane, i mallëngjyer për vendlindjen e tij, shkoi për te takuar te afërmit dhe bashkëfshataret ne Labove, të cilët i ngritën problemin e pakësimit te ujit të Kroit te Madh. Pa e nënvlerësuar, dërgoi një specialist i cili zgjidhi problemin e ujit. Ne vitin 1936 shkollës se Labovës i dhuroi një biblioteke, ndërsa në vitin 1941, një radio. Shembulli human aktual është dhe ai i Pr. Dr. Foto Toti, i cili ngriti Kroin e Kallogresë, si një vend i shenjte për te gjithë kalimtaret labovitë dhe zagorite, për një pushim te shkurtër, për te shuar etjen dhe për tu freskuar veçanërisht ne muajt e beharit, me ujin e ftohte te malit. Investime te tilla, jo vetëm duhen versuar e përgëzuar nga te gjithë banoret e zonës, por duhet te shërbejnë si nxitje për bashkëfshatare te tjerë, qe kane mundësi ekonomike për te investuar ne drejtim të rregullimit te ambienteve te përbashkëta ne fshat, si rrugët, muret mbajtëse, ndriçimin, etj. Emigrantët e shekullit të kaluar, pasardhës të Vangjel e Kostandin Zhapës, paratë që në kurbet i fituam në Libohovë i investuan. Kështu vëllezërit Qirko dhe Soktrat Hoda, kur u kthyen nga Amerika hapën furrë buke dhe dyqan mallrash në Labovë. Edhe emigrantët e sotëm labovit janë të përkushtuar për rilindjen e Labovës së shkatërruar. Ata kanë filluar rindërtimin e shtëpive të të parëve të tyre. Rast tipik është vajtja familjarisht në Labovë e Papa Kristo Lanit, i cili ndërtoi shtëpinë dhe punon me përkushtim në kryerjen e riteve fetare. Teli Koço Toti, djali mbaroi së ndërtuari shtëpinë e gjyshërve. Spiro Vaso Meleqi, është në përfundim të rindërtimit të shtëpisë, me stil bashkëkohor dhe mjedise të këndshme përreth. Por rindërtimi i kishës së Papandisë, si dhe asfaltimi i plotë i rrugës Subash-Labovë, përbëjnë një ogur të mbarë për të gjithë labovitët, për ta kthyer fytyrën nga vendlindja tonë, që shtëpitë e të parëve t’i rindërtojmë dhe gjithçka që është shkatërruar gradualisht ta rregullojmë. Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë: “ Vangjel Zhapa u përket të gjithëve”, do të shërbejë për të sjellë në kujtesën e njerëzve, veprat e mëdha të kryera prej tyre për zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit. Pikësynimi e dëshira e labovitëve dhe dashamirësve të Vangjel e Kostandin Zhapës, është rindërtimi i gjimnazit të vitit 1860, si dhe restaurimi varreve të të tyre në Labovë. Kristaq Meleqi.
NË KËRKIM TË VARRIT TË BABAIT. Nga VANGJEL VODA.
Babai më kishte lënë dy muajsh, kur e zunë rob në malin e Odries, në Operacionin e Qershorit të vitit 1944. Gjermanët e morën me vete në Gjirokastër, pastaj në Janinë, në Thesallongj dhe, më vonë, përfundoi në një nga kampet e tmerrshme të përqëndrimit në Gjermani.
Deri në viti 1948, ne dinim të humbur babanë dhe rreth tij në fshat kishte një heshtje të mistershme. Ishte pikërisht ai vit kur morëm për herë të parë një letër nga Amerika e largët, në të cilën ai tregonte edhe për hollësitë që shkrova në hyrje të këtij shkrimi. Me sa duket, pas kapitullimit të Gjermanisë, kampi i tij i përqëndrimit duhet të ketë qenë në zonën e aleatëve të Perëndimit dhe, duke përfituar nga kjo, babai vendosi të shkonte në Amerikë, ku kishte qenë edhe më parë, me shpresën që, më vonë, të na tërhiqte edhe neve atje. Por kjo nuk ndodhi kurrë.
Nëna ime, Mahi, ishte vetëm 32 vjeçe kur mbeti “vejushë” me burrin gjallë dhe me katër fëmijë të vegjël, që i rriti me shumë mundime. Për këtë, ajo pati ndihmën e prindërve të saj dhe të njeriut tonë të dashur, Lame Kuzhgjinit, që nuk u nda kurrë nga familja jonë, duke na dhënë gjithçka që na nevojitej dhe dashuri pa kufi.
Babai na dërgonte para nga kurbeti dhe na shkruante dendur letra të mbushur me mall e me këshilla prindërore. Dhe ne, të katër fëmijët e tij, ia shpërblyem, duke u bërë dikushi në jetë. Edhe sot, atë dhe nënën i kemi të paharruar në zemrat tona. Në letrat e tij, babai na shkruante se kishte shumë dëshirë të vinte në Shqipëri e në Labovë, të na shihte e të çmallej me ne, por kjo, për arsye absurde e të pashpjegushme, nuk ndodhi asnjëherë. Deri në vitin 1990, kuptohet që edhe ne nuk guxonim të pyesnim se përse babai ynë nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Të vërtetën e morëm vesh më vonë, pikërisht pas ndërrmit të sistemeve. Paria e atëhershme e fshatit, domethënë të parët e partisë e të pushtetit, të cilëve iu dëgjohej zëri në Gjirokastër e gjer në Tiranë, kishin shkruar e firmosur e zeza mbi të bardhë se babai ynë ishte arratisur në Greqi e pastaj në Amerikë dhe plot shpifje të tjera. Është e çuditshme se janë pikërisht këta njerëz që sot më flasin shumë mirë për babanë, kur i pyes se si ka qenë babai im dhe si e kanë njohur atë. Ç’të them më tej? Ata nuk na lanë të njihnim babain tonë të dashur, kur vetë i kishin prindërit e tyre. E dinë që unë e di atë që ka ndodhur, se letrat e tyre të shkruara e të firmosura i kam gjetur në dokumentet e mia dhe prapë hiqen sikur nuk ka ndodhur asgjë, të urtë e të pafajshëm si ata. Zoti i faltë, se nuk e dinin çfarë bënin!
Babai im kishte vdekur në Iston, në vitin 1963. Pas ’90-tës, të gjithë kishim dëshirë të shkonim atje, sidomos Polua, vëllai im, të cilit fjalët “Të ikim të gjithë!...” i mbinë në gojë. Po ja që atëherë nuk na u bë mbarë. Me këtë dëshirë të madhe të të gjithëve, me këtë mall të madh në zemër dhe me idenë fikse se duhet të shkonte njëri nga ne në Amerikë, për të plotësuar dëshirën e të gjithëve, u nisa nga Athina për në Filadelfia, duke bërë plot 11 orë rrugë me avion.
Shtysën ma dha sidomos djali im, Hari, i cili i ka marrë edhe emrin babait dhe tani jeton e punon në Athinë. Ai, në kompjuter, na tregonte qytetin e Istonit dhe shpjegonte se ku mund të jetë varreza ku prehet babai ynë, ku mund të kishte qenë shtëpia e tij, shtëpia e kushërirës së tij etj. Dhe, me të vërtetë gjithçka kishte qenë e saktë. Sapo mbërrita në Filadelfia, unë e pata të lehtë të orientohesha, sepse çdo gjë e kisha të ngulitur në mendjen time.
Në Filadelfia, më priste Jorgua, djali i Polo Xhorrit nga Labova e Vogël. Ai, së bashku me familjen e tij, më pritën shumë mirë, duke bërë gjithçka për mua. Që të nesërmen, u nisëm për në Iston, një qytet i bukur, që shtrihet mbi një kodër të butë, një orë e gjysmë me makinë larg Filadelfias. Isha shumë, shumë i prekur dhe i emocionuar. Jorgua më shihte me bisht të syrit, ashtu i heshtur e i menduar, duke e ndjerë barrën time. Ndaloi diku pranë një dyqani lulesh dhe i tha pronares, një gruaje të mirë, se kishte ardhur një burrë 61 vjeçar nga Albania dhe po kërkonte varrin e babait, që të puthte gurin dhe t’i vinte te koka një tufë me lule të freskëta. Pronarja u përlot dhe u prek shumë, u habit edhe më shumë me atë njeri që kishte bërë mijëra e mijëra kilometra rrugë vetëm e vetëm për të derdhur ca lotë malli mbi varrin e babait dhe i tha Jorgos se në dyqn nuk i ndodheshin lule të freskëta, por do të pres me shumë dëshirë një tufë nga ato të kopështit tim. Dhe, me të vërtetë ashtu bëri.
Me lulet në dorë, ne shkuam në varreza. Punëtori atje, sa i dhamë emrin, hapi kompjuterin dhe na tregoi me saktësi se ku ishte varri. Duke ecur sipas skicës që na dha ai, u ngjitëm në një kodër me pëmë e bar jeshil të dendur. Atje, në një lëndinë, gjetëm pa mundim një pllakë guri, ku ishte shkruar: “Harry Vodas, 1888-1963” dhe ishte gdhendur një kryq.
Ndodhesha pranë varrit të babait tim, i ulur në gjunjë, i përmalluar, i përlotur, i çliruar nga makthet dhe ngarkesat që më kishin ndjekur nga pas për dhjetëra vite me radhë. E kisha gjetur më në fund! Kisha realizuar ndoshta ëndrrën më të madhe të jetës time dhe më dukej sikur kisha lindur për herë të dytë. Vura mbi gurin e varrit tufën me lule të freskëta, bëra disa fotografi dhe, në çast, i telefonova djalit tim, Harit, që nuk e mbaj mend çfarë i thashë, ashtu i ngarkuar nga emcionet dhe dhimbja, por e dija se ai më kuptonte, çfarëdo që t’i thosha. Pastaj mora në telefon motrat, Sofikën e Marikën. Jam tek varri i babait, iu thashë. Vura një tufë me lule tani, por do të vi prapë një ditë tjetër, por të vënë shumë e shumë tufa me lule dhe një kurorë nga familja Voda.
Jorgua i dëgjoi fjalët e mia dhe më premtoi se do të vinim edhe një herë së shpejti në Iston dhe ashtu bëmë. Shkuam një ditë tjetër, me shumë tufa lulesh, nga një për secilin pjesëtar të familjes, si dhe me kurorën me lule dhe kordelen karakteristike. Vendosa edhe një flamur amerikan, sepse çdo varr e kishte nga një të tillë dhe u largova, me një mall të madh, por edhe me një ndjenjë rilindjeje se kisha realizuar një ëndërr të hershme.
Jorgo Xhorri jetoi ato ditë gati çdo çast me ëndrrën time dhe, për këtë, e falenderoj nga zemra. Shumë mikpritës ishte edhe djali tjetër i Polos, Stefan Xhorri me gjithë familjen, gruan, djamtë, vajzën, si dhe mamaja e tij, Galina e shkathët.
Me këta miq labovitë, ëndrrat bëhen gjithnjë realitet. Pasi e realizova ëndrrën, shkuam të hanim drekë me miqtë, si dhe të shëtisja nëpër rrugët e qytetit, atje ku kishte ecur babai im para 47 vjetëve. Kërkova të shihja vendin ku mund të kishte qenë dikur shtëpia e babait, e gjetëm vendin, por shtëpia ishte prishur dhe tani atje po bëhej një rrugë. Ecja e ecja pareshtur me këmbë nëpër qytet, duke menduar se kudo ku shkelja unë , kishte shkelur me siguri edhe këmba e babait tim të shtrenjtë dhe unë i ngjaja me të vërtetë atij.
Ishim nisur nga Filadelfia në orën 10.00 të mëngjesit, nëpërmjet një autostrade shumë të bukur dhe rreth orës 19.00 të pasdites ishim përsëri në rrugë, dhe unë përsëri mendoja për të njëqindën e njëmijtën herë se, me siguri edhe babai im mund ta kishte bërë atë rrugë disa herë, por tani ai më shoqëronte mua. Dhe i thashë vetes. Vetëm mali me mal nuk takohen, se njerëzit që duhen e gjejnë njëri - tjetrin gjithmonë.
Batalioni Partizan "Misto Mame", Batalioni i aksioneve luftarake.
Nga Odhise Porodini . 67 vjet më parë, më 16 gusht 1943, në fshatin Stegopul të krahinës së Lunxhërisë të Gjirokastrës, u krijua Batalioni Partizan me emrin e Heroit të Popullit Misto Mame, në përjetësimin e së cilës ngjarje , është ngritur nja lapidar madhështor.Krijimi i këtij batalioni, nuk ishte një ngjarje e rastit, por rezultat i një varg shkaqesh politike, shoqërore e ushtarake. Ai erdhi si një kërkesë e vullnetit të popullit të krahinave ku ndodhej ky batalion, i cili, si një popull atdhetar, u bashkua totalisht me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, duke u shndërruar në një bazë të fuqishme të LANÇ kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogist.Nga gjiri i krahinave të Rrëzës, Lunxhërisë e Libohovës, por dhe nga qyteti i Gjirokastrës, rrokën armët dhe u radhitën në repartet partizane, efektivë të Batalionit "Misto Mame" 384 bij dhe bija të këtyre krahinave, nga të cilët 61 prej tyre ranë në betejat e zhvilluara kundër armikut, duke dhënë jetën në lule të rinisë për çlirimin e Atdheut, jeta dhe vepra e të cilëve u ngjit në panteonin e pavdekësisë.Krijimi i Batalionit "Misto Mame" u realizua mbi bazën e bashkimit të katër çetave partizane, sikurse qenë: Çeta "Prokop Meksi", e krahinës së Rrëzës, Çeta "Mihal Duri" dhe "Lato Braho" të krahinës së Lunxherisë dhe Çeta "Sabaudin Gabrani" e krahinës së Libohovës.Bashkimi i këtyre çetave në Batalionin "Misto Mame" dhe më pas në brigadat partizane të formuara, erdhi si rezultat i vendimeve që mori Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, krijuar më 10 Korrik 1943, diktuar nga kjo situatë luftarake e krijuar pas zgjerimit të kryengritjes së përgjithshme popullore në gjithë Shqipërinë.Për drejtimin e Batalionit "Misto Mame" u krijua shtabi i tij, me komandant patriotin Lipe Boga, komisar intelektualin gjirokastrit Zini Sako, zv.komandant Misto Çipi, zv.komisar Vasil Katin dhe intedent Harillaq Kalemin.Në inaugurimin e Batalionit "Misto Mame" mori pjesë dhe foli ideleguari i Komitetit Qarkor të Partisë Bedri Spahiu, i cili i uroi partizanët për sukseset e arritura në veprimet luftarake.Batalioni në fjalë, ushtarakisht varej nga, ashtu si njësitë e tjera të Jugut, nga shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, komandant i së cilës ishte Islam Radovicka, ndërsa komisar Bedri Spahiu.Me riorganizimin që iu bë Batalionit "Misto Mame" pas dorëheqjes së komandantit Lipe Boga për arsye moshe dhe transferimit të të tjerëve, komandant u emërua Sotir Mero, komisar, në fillim Polo Bezhani dhe më pas Pano Xhixho, zv.komandant Thimio Muçi, zv.komisar Sofokli Papavasili, përgjegjës i rinisë Luto Haxhiu dhe intedent Lame Liti.Në Batalionin "Misto Mame" drejtues kompanie kanë qënë disa kudro, si Isuf Çobani, Miço Boga, Mitro Vasili etj. Komandant kompanie Farudin Xhango, Piro Koçi, Vasil Miçi, Skënder Kumbaro etj. Komisarë kompanie Petrit Çobani, Novruz Beleri, Gjolek Kokona, Maze Ruçi, etj. Zv.komandantë kompanie Nuri Luçi, Nane Kutra, Agron Çomo, Koço Koçi etj. zv.komisarë kompanieSi gjatë periudhës kur vepronte si batalion më vete, ashtu edhe kur u organizua në brigadat partizane, luftëtarët e Batalionit "Misto Mame" morën pjesë në një numër aksionesh luftarake kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre në të cilat shpalosën cilësi të larta luftarake, guximin dhe trimërinë të mbështetura fuqimisht edhe nga njësitet guerile e populli atdhetar i këtyre krahinave, si një prapavijë e sigurt e tyre.Me rëndësi të veçantë kanë qenë në fillim aksionet për çarmatosjen e postave të karabinierisë dhe hapjen e depove të drithit, si në Stegopul, Poliçan, Libohovë, Nepravishtë, Dropull etj. Luftimet e ashpra në Qafën e Muzinës Theollogo, Sarandë, Spile, Borsh, Tendën e Qypit, në zonën e Peqinit e më gjerë. Në këto aksione e luftime spikatën edhe akte heroike si ai i Vaso Rizos, i cili ashtu si Vojo Kushi në Tiranë, do t'i hidhej në grykë tankut gjerman, duke e paralizuar atë.Këto akte trimërie e guximi të bijve të Batalionit "Misto Mame", mbeten një gjerdan i artë në analet e historisë së LANÇ. Ato janë dëshmia më e madhe kundër çdo falcifikatori të sotëm, të cilët bëjnë përpjekje të dëshpëruara për denigrimin e kësaj lufte të lavdishme, e cila rrezaton si një Yll Polar sot e në të ardhmen në qiellin e Atdheut tonë.Për të përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme dhe për të përcjellë mesazhe e homazhe për protagonistët e saj, ish partizanëve dhe dëshmorëve të këtij batalioni, çdo vit, në qendër të Lunxhërisë, organizohet nga pushteti vendor dhe komiteti i veteranëve të rrethit një ceremoni e bukur, ku marrin pjesë ish partizanë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, invalidë të LANÇ dhe banorë nga krahinat dhe qyteti i Gjirokastrës. NDERIM DHE RESPEKT PËR DËSHMORËT ANDON POÇI. (1921-1944)
18 shtator 1944. Brigada e 8-S dhe grupi partizan i Qarkut, marrin urdhër të çlirojnë kryeqendrën e jugut te Atdheut, Gjirokastrën. Shumica e ballistëve (sidomos krerët) nuk pritën te tërhiqeshin bashkë me ushtarët gjermanë, por ia mbathën, ca për Itali, përmes Vlorës , e ca për Greqi. Vetëm më besnikët mbetën me ta, duke besuar se hitlerianët do ta gjënin një zgjidhje e s’do t’i linin në baltë. Natyrisht s’u pat shkuar në mendje kurrë se “gjermanët e pathyeshëm” mund të ngrinin edhe flamurin e bardhë e t’i detyronin bashkëvepruesit e tyre vendës, të bënin të njejtën gjë. Sidoqoftë, u luftua dhe luftimi ishte tepër i ashpër, i vështirë dhe me humbje nga të dyja palët.Mes të vrarëve të Brigadës së 8-S ishte edhe bukuroshi 23 vjeçar, biri i komunitetit vllah, Andon Poçi.Batalioni i Andonit, i ngarkuar për të sulmuar nga jugu në veri, drejt lagjeve Dunavat e Cfakë te qytetit, u gjënd midis dy zjarreve; qëllonin nga Lazarati dhe Kalaja e qytetit. Siç thote 90-vjecari P.M. ish komisar kompanie në atë batalion, Andoni pat marrë një plagë të lehtë plumbi në parakrahun e majtë. I thanë të tërhiqej e të shkonte në infermeri. Ai vetëm qeshi, mbushi armën e shtiu pa kthyer përgjigje. – Ej, Andon, ngrihu, o burrë, dhe mjekohu se t’u sos i gjithë gjaku – i foli komandanti. Djaloshi buzëqeshi lehtë, iu lut shokut përbri t’ia shtrëngonte më fort rrypin pak cm. mbi plagë për të ndaluar rrjedhjen e gjakut dhe prap shtiu, madje duke qëlluar në ecje përgatiti edhe granatat e dorës. Një qëndër zjarri te ledhi jugor i Përroi të Dunavatit nuk rreshtëte së shtëni. Duhej asgjësuar. Dhe partizani Andon Poçi, me miratimin e komandantit të skuadrës nisi zvarritjen për t’iu afruar “folesë së djallit” siç e quajti me mendje. Bashkoi tre granata dorë dhe u bë gati ti hiqte sigurecen të parës, kur një predhë murtaje i plasi fare pranë. Ndjeu vetëm një lëkundje të lehtë vertikale të trupit, qeshi, i tha diçka shokut pas tij dhe …. Pa e kuptuar as ai vetë, as bashkëshokët e sulmit, ashtu, buzagaz, me kokë e me dorën e djathtë me granatat përpara, lëshoi frymën e fundit. Një cifël goxha e madhe predhe i kish coptuar zemrën.U vra, vdiq, partizani Andon Poçi, për të ngelur përjetësisht i pavdekshëm në mëndjet dhe zemrat e të afërmve, shokëve, komunitetit vllah dhe gjithë Shqipërise.Bashkëfshatarët e qanë dhe mbajtën zi për të. Pasardhësit e respektuan, duke pagëzuar edhe një vendbanim goxha te madh me emrin e tij dhe, është logjike të kërkojnë me tepër detaje, nga jeta e dëshmorit.Jorgji Poçi, i ati i Andonit, ka qënë burrë zakoni, njeri që i dëgjohej fjala jo vetëm te djemtë dhe vajzat e tij, por në një fis të tërë, që i mbante kopetë të pandara. Atje, majë samarit të kalit apo brënda kolibeve mjeshtërorë të vllehëve, u rrit dëshmori i ardhshëm. Xha Jorgji, birin e shkathët e të zgjuar, nuk e la pa shkollë. Atje ku shtegëtonin me kope, ca napa me djathë a bidona qumeshti dhuratë mësuesit, dhe dera e shkollës hapej për Andonin, pavarësisht se me ç’program e në ç’stinë ndodheshin. Fakt është që Andon Poçi, kur mbushi 13 vjec, shkruante e lexonte aq mirë sa ta kish ënda ta dëgjoje. Nuk dihet si i siguroi gjithë ato libra që i zinin një anë të hejbesë gjatë shtegëtimeve. Ndoshta leximi i vazhdueshëm e bëri aq të respektueshëm nga shokët sa, ia degjonin fjalën më shumë se sa prindërve të tyre.Nuk ish i pari partizan vllah, Andon Poçi, por ama i pari i fisit të tij. Dhe familja e fisi fisnik, jo vetëm nuk u përpoqën ta pengojnë, por e përcollën siç u kish hije. Stanet e vllehëve kanë qënë baza te rëndësishme furnizimi për partizanët. Këta shtegëtare trima, të mënçur e shumë të duruar, armët (me leje apo kacake) që mbanin për të mbrojtur pasurinë e nderin, i vunë në dispozicion te LANÇ-it, kur e gjykuan se ajo ishte vija më e drejtë për të ardhmen e lirë e demokratike të Shqipërise. Dhe jo vetëm armët e ndihmat e tjera ekonomike, por edhe jetën e bijve të tyre më të mirë, siç është edhe ajo e dëshmorit Andon Poçi.Andoni, siç tregojnë bashkëmoshataret, kishte trup mesatar, fytyrë pak zeshkane të hequr dhe dhëmbët si rruazë. Fliste pak, më shumë me sy e buzëqeshje, se sa me gojë. Ç’do mendonte, ç’do thoshte vallë ai sot, kur të shikonte bashkësinë nomade të grumbulluar aq bukur e aq mirë në atë fshat buze Drinos që mban emrin e tij dhe që është bërë shembull përparimi e mirëqënieje , mbase për tërë rrethin e Gjirokastrës.Natyrisht, me thjeshtësinë e njeriut të mënçur, do të krenohej në heshtje, por edhe ne, bijtë e Labovës, që i dhuroi kësaj bashkësie tokën sikurse ata krahinën e Rrëzës e konsiderojmë nder që kur rradhitin 77 dëshmorët e tyre, ne vend të parë vendosin birin vllahorrëziot, Andon Poçi.
Homazh. BETIMI !
NDERIN E BURRIT QË KESH, NUK E SHKEL SIKUR TË VDES.
Gratë e Hormovës, u përfshinë frontalisht në luftë, për çlirimin e vendit. Luftuan për krah burrave, me armë në dorë. Ndihmuan me ushqime, veshmbathje dhe municione gjatë betejave që u zhvilluan në Shkallën e Zezë, në Gërhot, Mezhgoran, Miricë, etj. Aktiviteti dhe trimëritë e tyre patriotike, kaluan kufijtë e Hormovës. U shtrinë në të gjithë krahinën e Rrëzës dhe më tej. Popujt e kësaj zone, në shekuj, kanë qenë të bashkuar. Të tillë, i kanë bërë luftërat e përbashkëta, traditat, zakonet dhe miqësitë e vjetra, që kanë pasur. Sa herë që u është kërcënuar liria, kanë lidhur besën me njëri tjetrin dhe kanë luftuar me trimëri dhe heroizëm, kundër armiqve të përbashkët. Gratë e Hormovës, kanë qenë forcë e madhe qëndrese, në luftën nacional-çlirimtare. Luftëtaret, Gjylso Çelaj, Zybë Qëndraj, Fato Beja, Engjëllushe Gjinushi, Berate Kokonaj, Dylbo Bërdaj, e të tjera, e shpërndanë zërin e luftës, pa u trembur syri, derë më derë, e fshat më fshat, të Rrëzës. Me veprimtarinë e tyre patriotike, u bashkuan të gjitha aktivistet e organizatës së gruas, trimëreshat: Hiri Beja, Kado Çakaj, Kado Ganiaj, Zuro Kasaj, Mete Kokonaj, Sulltanë Camaj, Sadike Imeraj, Vito Camaj, Salo Beqiraj, Helmo Osmanaj, Xhafize Rudaj, Xhevro Kucaj, Nurkë Qyrdedaj, Sabo Llacaj, Shefiko Sinanaj, Dudi Guçaj, Xhiko Kokonaj, Nebo Dhromaj, Hanko Dhromaj, Sheko Gjinushaj, Sherife Çelaj, e të tjera. Qëndresa dhe përballja e tyre me luftën, ishin heroike. Nevro Bërdaj, Lejmone Kasaj, Ëngjëllushe Gjinushaj, Dylbo Bërdaj, Metullahe Bejaj, etj, rrëmbyen armët dhe u rreshtuan në radhët e brigadave partizane dhe strukturave mbrojtëse të vendit, në çetën territoriale të fshatit dhe atë të Rrëzës. Hurma Skëndi, ishte një ndër gratë e para, që u bë flamur dhe simbol i luftës për liri. Pas qëndresës heroike dhe përleshjeve të saj, dhëmbë për dhëmbë me armikun, gjermanët e masakruan barbarisht, pastaj e hodhën në Vjosë, ku gjeti edhe vdekjen. Tragjik dhe i dhimbshëm, ka qenë akti i Urani Qirjazit, nuses së re, të porsa martuar nga Hundëkuqi. Ajo, deri në fund të jetës, nuk u dorëzua para kërcënimeve dhe torturave të gjermano-ballistëve. Edhe pse gjermanët dhe ballistët, i ngulën bajonetën në bark, duke mos kursyer jo vetëm jetën e saj por dhe të krijesës që mbante brenda vetes, ajo nuk tregoi as bazat partizane ku ndodheshin dhe as miellin ku do ta çonte. Këtë fat kanë pësuar Vitori Zherdi nga Tërbuqi, dhe pak më tej, Çuja, nga Minguli, të cilën gjermano-ballistët e torturuan dhe e poqën të gjallë në flakët e shtëpisë. Kështu mund ta kishin pësuar Sulltanë Camaj, Nurkë Qyrdedaj, e mjaftë gra të tjera, që zbrisnin nga mali, në mes të ditës, për të varrosur partizanët e vrarë.Lufta shkatërroi gjithçka dhe vendi mbeti shkretë. Humbën jetën në përballje me armikun 79 bij dhe bija, të Rrëzës, nga të cilët , 45 burra dhe gra, trima dhe luftëtarë të vendosur, nga Hormova. U dogjën dhe përfunduan në flakë rreth 200 shtëpi, nga të cilat 120 prej tyre u bënë rrafsh me tokën. Ikën nga fshati dhe u vendosën në vendbanime të reja, 28 familje. U therën dhe u dëmtuan rreth 50 000 krerë bagëti, (dhen, dhi, lopë, qe pune, pula etj.). U grabitën nga ushtritë e huaja dhe bashkëpunëtorët e tyre, rreth 2000 sende me vlerë, qindra kuintalë prodhime të ndryshme, grurë, misër, fasule, qepë, djathë, gjizë, gjalp, raki. Më shumë se 300 familje mbetën pa shtëpi, pa bukë, pa bagëti, pa shkollë, të zhytur në varfëri dhe në mjerim të plotë. Nga predhat e mbetura nga lufta, 16 njerëz rrezikuan jetën, nga të cilët 8 persona vdiqën dhe 8 të tjerë humbën krahët, duart, sytë, mbetën sakatë për jetë.Më 29.01.1944, gjermanët pushkatuan, në sy të grave dhe fëmijëve, 32 burra. Tridhjetë gra, nuse të reja, mbetën pa burra. Fëmijët e tyre humbën etërit dhe mbetën jetimë. Të helmuara dhe pikëlluara thellë në zemër, të djegura e të përvëluara në shpirt, ato qëndruan lart dhe nuk u mposhtën. Përmes dhimbjes së thellë dhe me një kurajë të pa parë, varrosën me nderime dhe respekt, bashkëshortët e tyre. Dhimbjen e kthyen në forcë dhe armë për të ardhmen. Mungesa e burrave në fshat u dha zemër ballistëve, që të bridhnin si zagarë të tërbuar, rrugëve të fshatit, për të çnderuar, vjedhur dhe grabitur sendet me vlerë, për të shpikur dhe përhapur panik gjithë andej, se partizanët u vranë, çetat u shkatërruan dhe tani, sipas tyre, të parët e vendit dhe zot, do të ishin ballistët. Por gratë e Hormovës, qëndruan të forta dhe të vendosura, përballë jetës, plot dhimbje dhe plagë të rënda. Vejushat njëzetë vjeçare, që lindën nga masakra e dimrit të akullt, të janarit të vitit 1944, u betuan njëzëshëm, se do të mbronin vendosmërisht, nderin dhe vatanin. Do t’u dilnin zot fateve të tyre. Fjala e dhënë, se : “Nderin e burrit që kesh, nuk e shkel sikur të vdes”, ishte një besë, një betim i fortë, që bënë përpara gjithë opinionit, dhe që nuk u trondit kurrë. Betimi i tyre, u qëndroi furtunave dhe dallgëve, si krenaria më e shenjtë e tyre, ndaj besnikërisë së burrave dhe zakoneve të vendit, deri në ditët që, ato, mbyllën sytë. U bënë zot i vetes dhe fateve të tyre. I qëndruan jetës përballë, me trimëri dhe heroizëm. Me armë, sulmuan dhe demaskuan pa mëshirë dhe publikisht, egërsinë dhe tërbimin e të gjithë armiqve dhe tradhtarëve. Vendi u çlirua. Të zezat e tyre nuk mbaruan. Një jetë plot vuajtje dhe mjerime, kishin përpara. Do të përballeshin me një luftë tjetër, më të vështirë sa e para. Luftë për bukë. Luftë për dijen. Luftë për jetën. Lufta shkatërroi gjithçka. Mbi njëqind fëmijë mbetën rrugëve jetimë, pa babë, pa bukë, pa shkollë. Por nënat e tyre nuk u gjunjëzuan. Kishin mësuar nga gjyshet, burrat e të cilave, i theri greku, dhe ato mbetën trimëresha. Edhe këto, bijat e tyre qenë. Me kurajë dhe forcë të rrallë, u bënë ballë të gjithave. Megjithëse në vështirësi të pa parë, pa bukë, pa shtëpi, në vuajtje dhe mjerim të hidhur, ato, i dolën jetës në krye. Në emër të nderit, jetës dhe të lirisë së atdheut, sakrifikuan vajzërinë, ëndrrat dhe dëshirat e tyre, më të bukura, të rinisë. Ishin të gjitha nuse të reja, rreth të njëzetave, dhe lidhën jetën me bijtë e tyre, i rritën, i ushqyen, i shkolluan dhe i martuan. Oxhaqet u ndezën dhe jeta vazhdoi. Pas disa kositjeve të rënda, masakrave çnjerëzore që kanë ndodhur, Hormova, u ngrit përsëri në këmbë. Jetimët u rritën dhe lëshuan lastarë të rinj. Fshati u mbush plot me nipër dhe mbesa.Gjyshet, ato duar që i rritën dhe i përkëdhelën, nuk jetojnë. Por jetojnë ëndrrat, sakrificat dhe nderi tyre, shumë i lartë. Ato ishin burrë dhe grua. Me poturet veshur dhe armët ngjeshur, bënë punët më të rënda, për të jetuar dhe nuk pranuan të lypnin kurrë. Punuan në dru, në xhade, në blegtori, në bujqësi. Punuan kudo. Shpërblimi i mundit të tyre, ishte vetëm një thes miell, për të ushqyer jetimët me një lug qullë përzier me lakra të egra. Rrobat e zeza dhe fatin e keq, jeta, nuk i largoi kurrë nga shpirti i tyre, i munduar, deri në banesën e tyre të fundit. Prandaj, ato do të mbetën ikona më e ndritur e jetës, që rilindi dhe u zhvillua, nga hiri i luftërave dhe gjaku i të rënëve. Mbi këtë ikonë, pasqyrim i shpirtit dhe krenarisë së shkëlqyer, të nënave tona fisnike dhe trimëresha, do të shkruhet me germa të arta, kujtimi i paharruar i tyre, që emri të mos u shuhet kurrë, por të mbetet për jetë, përkrah atyre trimave, që më 29 janar 1944, gjaku i tyre vërshoi lumë dhe skuqi Hormovën. Me këtë rast, u drejtohem me respekt dhe përulje të thellë, veprës së ndritur dhe të pa harruar, të nënave: Nebo Dhromaj, Niso Demaj, Gjylso Çelaj, Salihe Beqiraj, Shefiko Sinani, Razie Sinani, Sabo Llaci, Kado Shehu, Sultana Camaj, Xhafo Rudi, Hiri Bejaj, Shade Groshaj, Sirmë Fatiaj, Merjo Bacaj, Fatime Totaj, Dudi Guçaj, Sadike Imeri, Bebie Osmani, Xhiko Gjinushi, Shade Grosha, Kadushe Mihaj. Respekt dhe nderime për nënat e dëshmorëve Xhevro Kucaj, Kado Çakaj, Nurkë Dhromaj, Hazbie Kucaj, Melo Kokonaj. etj. Emri i tyre do të mbetet i shenjtë dhe do të ndrijë si gur i çmuar në faqet e lavdishme të historisë tonë të shkruar me mundime, gjak dhe sakrifica të mëdha. Kujtim dhe mirënjohje nënave të dëshmorëve. .Lavdi jetës dhe veprës së tyre! Qoftë i pa harruar, për jetë, kujtimi i tyre! Prof.Dr.Begë Musta.
Laboviti dhe Ali Pasha. Në Labovën e Madhe tregohet edhe sot historia e një fshatari të cilit, duke shkuar në Janinë, i vodhën kalin. Arriti të takohet me Aliun dhe i kërkoi t’i gjente kalin e tij. Aliu e pyeti se ç’bënte kur i vodhën kalin.-Jam nisur që herët nga Labova, isha i lodhur dhe po flija, – u përgjigj fshatari.-Ky fle dhe kërkon nga unë t’i gjej kalin, – iu drejtua i çuditur Pashai të tjerëve që gjendeshin në sallë.-Unë fjeta Ali Pasha, se je ti që rri zgjuar, – tha i vendosur laboviti. Në darkë fshatari arriti në shtëpinë e tij mbi një nga kuajt e Aliut. Kjo ishte situata në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX, ndërkohë që edhe në boshtin Tepelenë-Hormovë-Sul, karvanët e ngarkuar transportonin të pashqetësuar njerëz dhe mallra.
DEKRET
Nr.4689, datë 4.5.1970
MBI DISA NDRYSHIME NË NDARJEN ADMINISTRATIVE TOKËSORE TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr.4352, datë 23.12.1967 “Mbi këshillat popullore”;
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
I REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
VENDOSI:
… VI. Në rrthin e Gjirokastrës:
…
3. Fshati Labova e Zhapës ndahet në dy fshatra: Fshati Labova e madhe dhe Labova e vogël.
PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR
TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
SEKRETARI: KRYETARI:
BILBIL KLOSI HAXHI LLESHI.
Leko Mako, mik i rrëziotëve. Në kafe “Flora”, më 18 gusht, u përkujtua gjashtë mujori i ndarjes nga jeta i Leko Makos. Krahas bashkëshortes Katina dhe djalit Berti, asistuan shokët dhe miqtë e Lekos me banim në Tiranë, të cilët sollën kujtimet e tyre të veçanta për të, i cili u nda nga jeta papritur dhe para kohe. Odhise Porodini, zv.kryetar i shoqatës “Odrie-Golike”, vlerësoi punën e Lekos si patriot, mësues i talentuar, familjar i shkëlqyer, përçues i vlerave patriotike e kulturore të krahinës së Lunxherisë. Muharrem Xhafa dhe Petro Ruci vlerësuan krijimtarinë letrare të Lekos, e pasqyruar në kujtime, prozë dhe poezi, ku spikat monografia : " Ju, o djem, do më kujtoni", kushtuar rilindësit Koto Hoxhi, vepër kjo me vlera të mëdha historike e letrare, kërkimore e studimore. Lekua ka qenë dhe do të mbetet mik i rrëziotëve dhe shoqatës “Odrie-Golik”. Kristaq Meleqi. Libra të rinj.
Etno Folku elbasanas.
Etnolog Thanas Meksi, kryetar i shoqatës “Odrie Golik”, nxori në qarkullim librin e tij të 15-të, “Etno Folku elbasanas”, i cili mund të konsiderohet si një enciklopedi e flokut të qarkut të Elbasanit dhe më gjerë, pasi i bën jehonë edhe muzikës popullore homofonike të Shqipërisë së Mesme.Elbasani si vatër e pa shuar e flokut shqiptar, ka folklor të pasur dhe të larmishëm, me pasuri të madhe kostumesh popullore, ,muzikë e këngë nga më të ndryshmet, valle entuziaste e instrumente origjinale. Në këtë libër pasqyrohen me kompetencë profesionale këto vlera, duke u argumentuar me dokumente të hershme autentike, burime të të cilave janë autorë dhe dijetarë të shquar, këngëtarë të shquar popullor, instrumentistë virtuozë, si dhe artistë me emër. Në kapitullin e gjashtë të këtij libri, prej 516 faqesh të ndarë në dhjetë kapituj, flitet edhe për Vangjel Zhapën, i cili në çifligun e tij në Rumani, mbante 100 labovit, të veshur me kostume popullore të krahinave të Jugut, ku mbizotëronte fustanella. Ky libër do ta zbukurojë e pasurojë edhe më tepër bibliotekën e çdo laboviti.
Xhimi Vila, koreograf. VENIAMIN QIRJAZI.
MALL PËR VENDLINDJEN.
Hundëkuqit.
Hundëkuqi im, vendlindja e shtrenjtë,
Për ty, brenda meje djeg një zjarr i shenjtë,
Vendosur midis tri kishash karshi,
Shën Koll, Shën Varvarë e Shën Mëri.
Shtëpitë ndërtur në shtuf e në brinjë,
Përhapur e ndarë atje në luginë,
Në pyje, muzikës bilbili ia thotë,
Si vendlindja, s’ paska gjë tjetër në botë.
Atje kam gjithçka, të gjallë e të vdekur
Dhe malli gjithnjë nga pas më ka ndjekur,
Kudo ku kam qenë, në vise, qytete
Vendlindjen në zemër e kisha me vete.
Vendlindje e dashur, të dua aq shumë,
Sa malli për ty me le dhe pa gjumë
Edhe pse i mitur andej jam larguar,
Prej teje gjithçka e kam trashëguar.
Fshatarët e mi, të mirë, bujarë,
Kafshatën e bukës me mua kan’ ndarë,
O, sa më shijonte çanaku me dhallë,
Atje nëpër shtufe, tek vija vërdallë.
Çdo çast më kujtohet tani foshnjëria,
Ninulla dhe sot ligjëron Urania,
Çdo çast, nënëmirën ma ngjall një magji
Tek vjen të më japë mall e këngë, e gji.
Kam vite, moj nënë, kam kohë që pres,
S’më hiqesh nga mendja çdo dark’ e mëngjes,
Oh, bishat që jetën ta prenë në mes,
S’e dinin që mëma tek biri nuk vdes!
Vendlindje, ty biri nga zemra s’të ndan,
Shtëpinë përdhese, pragun e sofanë,
Dhe joshën e motrën, dhe mëmën, babanë,
Gjithnjë i kujtoj, gjithnjë i kam pranë.
E kam thënë dje, e them edhe sot:
Jam një bir i dhimbjes, jam hundëkuqot,
Jam një bir i mallit dhe i dashurisë,
Që kam marrë me vete pragun e shtëpisë.
I dashur, i rëndë paska qenë pragu,
Që me kroje lotësh sytë më ka lagur,
Më lindi, më rriti me nder e me besë,
Ndaj s’e ndaj nga vetja derisa të vdes!
MIK NË ÇDO SHTËPI TË LABOVËS. Kushtuar patriotit hormovit Mane Musta
Historikisht, që në kohërat e Ali Pashës, banorët e fshatrave të Rrëzës, kanë qenë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. Kanë jetuar në fqinjësi të mirë dhe në paqe. Kur u janë kërcënuar të drejtat dhe liritë e tyre, ata kanë lidhur besën me njëri tjetrin dhe kanë luftuar me trimëri, kundër armiqve të përbashkët. Edhe në luftërat kundër Ali Pashës, hormovitët, labovitët dhe lekëljotët kanë qenë të bashkuar. Në shekuj, ata i kanë bashkuar luftërat, zakonet, traditat, miqësitë dhe punët dhe interesat e tyre. Hormovitët kanë qenë blegtorë të mirë, prodhonin bulmetra të cilësisë lartë, dhe furnizonin familjet labovite me djathë, shëllirë, gjizë dhe mish. Në Labove ka pasur familje të pasura. Të ardhurat i siguronin nga njerëzit e tyre që kishin në kurbet. Në familjet e labovitëve, hormovitët bënin punë të ndryshme si; çoban, bekshi, roje, korrier, punonin me qe. Kur jeta dhe pasuria e tyre, kërcënohej nga keqbërësit, hormovitët ngriheshin të gjithë në këmbë, në mbrojtje të tyre. Lidhjet midis tyre, kanë qenë të forta, janë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi. Një pjesë e pasardhësve të tyre i zhvillojnë ato edhe në ditët e sotme. Mund të sjellim në vëmendje, lidhjet dhe miqësitë që kanë pasur hormovitët ; Zenel Gjinushi, Harun Osmani, Mane Musto, Çano Gjinushi, Murat Lala, Murat Tena, Lato Dina, Sejat Fejzo, Ali Kokona, Malo Rudi, Izet Shehu, Sheh Ali Hormova, Malo Miu, Rashit Dhromi, Hasan Imeri, etj, me fiset dhe familjet, labovite; Meksi, Çekani, Xhavara, Xhorri, Muçi, Lani, Ciko, Dukaj, etj. Lidhjet e tyre shpreheshin në vajtje dhe ardhje te njëri tjetri; për gëzime, hidhërime, dreka, darka dhe sebepe të ndryshme. Lato Dina i kishte bagëtitë me Kan Zhapën. Rashit Dhromi me Siko Dishon. Pano Xhorri kishte miqësi me Mane Mustën, Laver Osmënin Zagoll Imerin dhe disa hormovitë të tjerë. Disa gra nga Labova kishin pirë gjak te gratë hormovite dhe qenë bërë motra. I tillë ka qenë rasti i Polite Totës me Helmo Osmanin nga Hormova. Në 1903, kur u martua Politja, Veizi, vëllai i dytë i Helmos, bashkë me Helmon dhe gruan e tij, shkuan me desh, në dasmë. etj. Kanë qenë të shumta rastet, kur labovitët, festonin bashkë me hormovitet, pashkët dhe festa të tjera tradicionale. Jo vetëm në raste gëzimesh e festash por edhe në ditë të vështira, palët, i kanë qëndruar pranë njeri tjetrit. Shembuj janë të shumtë. Por në këtë shkrim, do të ndalem në njërin nga miqtë e vjetër të familjes tonë, por dhe mik i të gjitha familjeve në Labovë. Ky ishte Mane Musta, nga Hormova. Xha Manja, njihej me gisht, në Labovë dhe në të gjitha fshatrat e Rrëzës. Po kaq i njohur ishte edhe në fshatrat e Lunxhit. Manja ka qenë njeri i drejtë, i ndershëm dhe punëtor. Babai i tij, Sino Musta, ishte i vetmi, nga burrat e Hormovës, që u shpëtoi grekëve, në Prill të vitit 1914. Pas katër vjetësh, ai, vdiq dhe Manja mbeti i vogël dhe pa asnjë mbështetje. U rrit jetim, me halle dhe vuajtje të mëdha. Për një kohë të gjatë, punoi hyzmeqar, në fshatrat e largëta të Zagorisë.Gjatë luftës Italo-Greke, disa familje nga Hormova, u strehuan në Labovë. Aty mbeti edhe familja e xha Manes. Që nga ajo kohë, por edhe më vonë, ai mbeti mik i mirë me labovitët. Hynte dhe dilte në çdo shtëpi të tyre. Pritej dhe përcillej, me respekt nga të gjithë. Ishte fundi i viteve pesëdhjetë, kur xha Manja, me shume fshatarë të tjerë nga Hormova, punonin në fermën e Gjirokastrës. Isha i vogël, atëherë, por shumë episode më kujtohen si sot. Ndodhte shpesh, që pa zbardhur dita, mëngjesi i ditës së hënë, e zinte xha Manen në Labovë. Ai përshëndetej dhe takohej me burrat e fshatit, të cilët i njihte dhe u fliste të gjithëve në emër. Pushonte disa minuta, bisedonte dhe ndizte nga një cigare, me miqtë e tij nga Labova. Pastaj i hipte gomarit të grivër dhe vazhdonte rrugën drejtë Valaresë, për të qenë në punë, në orën e caktuar. Ai ishte i ndërgjegjshëm dhe shumë punëtor. Padrejtësitë nuk i duronte dot. Kisha dëgjuar nga goja e tij, kur tregonte se gjatë kohës që kishte punuar në kooperativë, brigadieri i kishte humbur ditët e punës. Ishte ankuar, por problemi nuk qe zgjidhur. Sherret dhe shamatat në kryesi, kishin vazhduar gjatë. Ata në të tyre dhe Manja në të tij. Në një debat të tensionuar, në nxehje e sipër, Manja, u kishte thënë : “Ky stan do zot, nuk do ju që nuk dini të grazhdoni një gomar”. Shokët e kryesisë, nuk e kishin duruar dot fyerjen, që u bëri, dhe e përjashtuan nga kooperativa si “sherrxhi”. Për këtë arsye, ishte detyruar të largohej nga fshati dhe të punonte me vite të tëra, larg familjes. Të shtunat mbas dite ose të dielën, por edhe në ditë festash, xha Manja, vinte në Labovë. Bënte vizita në familjet e miqve. Të gjithë i kishte të njohur. Ishte i dashur dhe zemërbardhë. Shtëpinë e tij, në Hormovë, e kishte në anë të rrugës. Kur shkonim për në Lekël, te kushërinjtë, ose anasjelltas, nga Lekli për në Labovë, ai na kthente nga rruga, na jepte bukë dhe ujë. Manen e donin dhe e respektonin të gjithë. Ishte pa shkollë, por i mençur dhe i zgjuar, tej mase. Kishte një trup mesatar, leshtor dhe shumë energjik. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, në rrethe shokësh e miqsh, kujtojmë e themi; “Dolën fjalët e Manes.” Me punën dhe djersën e tij, rriti dhe edukoi shumë fëmijë. Disa prej tyre, mbaruan studimet e larta, dhe u bënë kuadro të rëndësishme. Dr. Sofokli Duka. MARO LABOV1TJA. Lordi Eduard Lear.Piktor i shquar anglez i shekullit të 19-të.I shoqëruar nga oficeri i mbretit të Napolit, himarioti Jorgo Kokali, qëndrova në Himarë të Epirit për tre muaj, vjeshtë-dimër 1848. Anastas Kasneci, që më shoqëroi më vonë, ishte nga paria e Himarës. Mëma e tij, një grua shumë e edukuar, po ashtu edhe nusja e tij, Maro Labovitja, ishin nga Labova e Gjirokastrës. Nusja, Maro Labovitja, ishte nga fisi i mëmës së tij, nga familja Meksi. Kur mbërrita në Vuno, Anastasi me tha në italisht : “Casa di baba!” Dhe hymë brenda në shtepinë e tyre, ku banonte i vellai, Dr.Kostandin Kasneci me fëmijët, si dhe gruaja e Anastasit, Maro Labovitja me vajzën 3-vjeçare.Mbas ceremonisë së pritjes, më çuan në një dhome të madhe tetëkëndeshe, dhoma e miqve. Kjo odë qe e veshur me panele dhe e mobiluar shumë bukur, me kanape e divane te stilit oriental.Paraqitja dinjitoze, me kulturë e finesë, tregonte se isha midis njerëzve e popullit të një kombi me sjellje krejt ndryshe nga sa kisha parë në gjithë vendin. Dhoma ku pushova, kishte një krevat të rehatshëm dhe një duzinë me tavolina të vogla anësore, rreth e rreth karrige mbrapa tyre, që zbukuronin hijshëm. Kishte komo e sënduqe të gdhendura e stoli të bukura. Mesi i tavanit kishte një rozetë me ornamente druri, ku vareshin bistakë rrushi të thatë. Sergjenet qenë mbushur me vazo lulesh të shumëllojta. Kishte edhe pjata e sende të tjera fajance. Shkurt, u habita nga komoditeti familjar dhe shija e tyre, që më kishin munguar më parë në gjithë udhëtimet e mia.Mbi të gjitha, më bëri përshtypje Maro Labovitja, nusja e Anastasit. Ajo na qëndronte mëngjes-darke "qiri" në këmbë plot nderim, bujari e kulturë, një nikoqire e përsosur! Erdhi edhe vajza e tyre 3-vjeçare, e bukur, e veshur, e pastër, me dy sy si dy rruaza të zeza! Ajo u ul pranë meje dhe e shpenguar me dha dorën dhe këndoi diçka për mua, sipas moshës së vet. Më dukej sikur më njihte prej kohësh. Gjellët e Maro Labovites qenë shumë të shijshme. Dinte të gatuante të gjitha llojet e mishit dhe të shpendëve që hahen. Krevati i pastër dhe dhoma e qetë, mund të kenë qenë pikërisht ato që i duhen njeriut e që i çmon aq shumë, mbasi ka kaluar ditë dhe net të vështira gjatë këtyre muajve në Shqipëri.Te nesërmen vizituam fshatin Vuno, një fshat i bukur, i pastër dhe me njerëz shumë të mirë. Kudo binte ne sy kultura e tyre e lashtë dhe moderne, gjë që më befasoi, se isha ne Ballkan. Maro Laboviten është vështirë ta përshkruash: Qe një krijesë aq e bukur, me fytyrë të profilit grek-klasik të përsosur. Sytë e saj qenë bojë deti, blu të errët, tepër të butë e njerëzor, që i jepnin atë hijeshi pa kufi, me shprehje mirësie aq të dëlirë, sa të shëmbëllente me ndonjë shenjtore në pikturë. Ajo qe, pra Maro Labovitja, e denjë për një mbretëreshë. Më thanë se, kur u martua, disa vite më parë, ajo nusëroi e hoqi vallen në mënyrë mahnitëse, sa një aga turk, i ardhur i ftuar nga përtej maleve, kur e pa ashtu te bukur e të lehtë si flutur, nuk u përmbajt dot, u ngrit në valle dhe këndoi:"Pika neve që s'na ra,Themi dhe ne kemi gra, Kemi ca brashnjamëdha Nga dovlet përmbysura..." Kur u ktheva në Vuno mbas disa vitesh e pashë Maro Laboviten me të zeza, që nga koka në kembë, se i shoqi i saj, Anastas Himarioti trim, qe vrarë në një nga aventurat e tij Italo-Ballkanike dhe Kasnecët kishin rënë "nga vakti". I thanë Maros të kthehej te dera e njohur e babait të saj në Labovë, në shtëpinë e Meksajve, por ajo qe përgjigjur: "Hëngra te mirat e kësaj shtëpie, tani do ha edhe të hidhurat e saj..." dhe qëndroi e përballoi jetën plot dinjitet, si i thonë fjalës: "duke bërë fustanin pantallona". Punoi si burrë e si grua dhe i rriti fëmijët me të keq. Në vitin 1850, në Korfuzin përkarshi, lulëzonte aristokracia greke dhe evropiane, të cilët në vend të akullores, hanin borë mali me sheqer e qumësht gjatë verës së nxehtë. Borën e merrnin karshi, përtej në malin e Çikës, se në atë mal kishte maja dhe hone plot borë mbuluar, që nuk shkrihej kurrë deri në verë. Njerëzit që i paguanin mirë, e merrnin borën nga ai mal i lartë dhe e zbrisnin me kosha ne Jal, port i vogël i Vunoit, e ngarkonin me barka dhe e sillnin ne Korfuz. Një nga të fortët që merrte borën në malin e Çikës, duke u ngjitur çdo ditë nëpër ato hone të bardha si qefini, në mes të zhegut të vapës të diellit "saç" të beharit mesdhetar, ishte ajo Maro Labovitja, e zonja e Labovës dhe e Himarës.Ajo merrte dhe ngarkonte me litar mbi shpinën e saj borën akull, të futur në thasë linoje, te ngjeshur mirë dhe të mbuluar me fier dhe pastaj, me 180 pound ngarkuar, zbriste malin gjer në skelë, e dorëzonte ngarkesën dhe merrte paratë të ushqente fëmijët jetimë. Kjo qe Maro Labovitja, e denjë për mbretëreshë në kohë të mira dhe e zonja si luaneshë në kohë të vështira! Një ditë, Marua mori një të ftohtë të rëndë nga akulli që i shkrinte mbi shpinë dhe, bashkë me djersën, i futeshin e rrinin mbi trupin e saj. Vuajti ca dhe vdiq, iku e na la ne te pakëve, shkoi në botën e të shumtëve.Të shihje lipsanën e saj, që rrinte ashtu në gjumë shtrirë në arkivol, si në krevatin e gjumit të vdekjes, dukej si një ikonë e bukur; duke fjetur gjumin e ëmbël, shtrirë si engjëllushe!