Gazeta "Odria" 52

FAQE E PARE Fotoalbum  Gazeta "ODRIA" NR.57   Gazeta "ODRIA" NË INTERNET  Gazeta "ODRIA" NR.59-69 Blog Gazeta Odria nr.71 ARKIVA Odria70

Dhjetor 2009

 

GËZUAR KRISHTLINDJET DHE VITIN E RI 2010!  Anëtarësia e shoqatës dhe gjithë bashkëfshatarët, kudo që ndodhen,  brenda e jashtë vendit,  gëzuar  Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2010!  Pranoni urimet tona më të mira, për paqe, begati dhe lumturi në familjet Tuaja! Le të jetë ky edhe një viti suksesesh për shoqatën “Odrie-Golik”, nëpërmjet ndihmës dhe mbështetjes së gjithë secilit prej Jush! KRYESIA E SHOQATËS “ODRIE-GOLIK”,  REDAKSIA E GAZETËS.

 FALANDERIM!
  Falënderojmë bashkëfshatarin,  Z. Lame Prifti, aktualisht banues në SHBA, i cili për botimin e gazetës së këtij numri, dhuroi shumën prej 150 $ amerikan!  REDAKSIA E GAZETËS.

 

  NJOFTIM PËR ABONIMET NË GAZETËN “ODRIANë muajin janar, fillojnë abonimet e gazetës “Odria”, të cilat duhet të përfundojnë brenda muajit shkurt. Dëshira jonë është që kjo gazetë të hyjë në çdo familje rrëzjote, si një mundësi e konsiderueshme, për të qenë sa më pranë njeri tjetrit dhe për t’u takuar e kuvenduar sa më shpesh. Gazeta është e destinuar të jetë  e hapur dhe sa më afër anëtarësisë, duke pasqyruar sa më realisht interesat, dëshirat dhe aspiratat e saj, në realizim të objektivave të shoqatës. Sipas vendimit më të fundit të Kryesisë së Shoqatës, të nisur nga rritja e tarifave të botimeve,  çmimi i gazetës do të jetë 50 lekë, ndërsa abonimi vjetor, 300 lekë, ku 100 lekë do të destinohen për mbarëvajtjen e faqes së internetit të kësaj gazete. Secili prej jush që boton, apo përmendet në këtë gazetë, mund ta gjejë veten në internet,  duke klikuar nga çdo cep i botës. Le të konsiderohet ky, si një shans për secilin, për të shtuar bashkëpunimin me redaksinë e gazetës! Kryetarët e degëve, të marrin masa, që kjo detyrë të përfundojë në afat dhe me cilësi. Theksojmë se e gjithë vlera e mbledhur nga abonimet, nuk mjafton veçse përballimin e botimit të vetëm, dy numrave  të gazetës,  ndërsa pjesa tjetër, është kompensuar me donacione. Ju kujtojmë se  kota e anëtarësisë, vazhdon të jetë 100 lekë. KRYESIA E SHOQATËS “ODRIE-GOLIK” , REDAKSIA E GAZETËS.

U LIDH KOLEKSIONI I GAZETËS “ODRIA”! Në muajin dhjetor 2009, përfundoi lidhja e koleksionit të gazetës “Odria”.  Kjo gazetë, duke filluar nga numri i parë i botimit të saj dhe deri në numrin 50-të, është përmbledhur në një lidhje të vetme, në formën e një libri, me rreth 250 faqe. Një gjë e tillë, i shërben, pasurimit të fondit të arkivave të shoqatës, administrimit më të mirë të gazetës, për efekte studimore  dhe dokumentare. Kjo ndërmarrje u realizua falë interesimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës, Dr. Sofokli Duka, që e ndoqi këtë proces në të gjitha etapat, kontributit të Z.Thoma Meksi, që dhuroi pjesën më të madhe të koleksionit të gazetës, si dhe mbështetjes së gjithanshme e sidomos financiare të Kryetarit të Shoqatës, etnolog, Thanas Meksi. Është planifikuar, që kjo lidhje të skanohet dhe të formatohet në formën e një dokumenti PDF, i cili do të vendoset edhe në faqen e internetit të gazetës “Odria”. Personat që dëshirojnë të kenë një kopje të lidhjes së koleksionit, ose në formë elektronike, mund të komunikojnë me administratorin e gazetës, Sofokli Duka,  në e-mail: sofoklipd@yahoo.fr.                                                   

URIM I SHOQATËS SË LEKËLIT NË ATHINË! 

Shoqata e Lekëlit, në Athinë, i uron anëtarësisë së shoqatës “0drie-Golik”,  “Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2010! “. Shëndet e lumturi në familjet tuaja! Megjithëse jemi larg jemi, ndihemi pranë dhe  të bashkuar.   Objektivi i shoqatës tonë, është  të ruajë traditat,  kulturën dhe zakonet tona të bukura. Nuk harrojmë që rrënjët tona janë aty. Është detyrimi ynë, t’ju nderojmë dhe ju te krenoheni me fëmijët tuaj .  Shoqata jonë,  do te jetë vazhdim i punës dhe veprës tuaj.   Ne do te jemi një ure bashkimi për popullin grek dhe  atë shqiptar, duke u përpjekur që  bashkëfshatarët tanë në Greqi të kenë të gjitha të drejtat, sidomos të  kenë  lëvizje të  lirë,  për të parë fëmijët dhe të afërmit e tyre.    Prejardhja jone,  është krenaria jone.  Ne do të luftojmë,  që zona e Rrëzës dhe  Lunxhërisë të lulëzojë përsëri! 

   Kryesia e shoqatës Athinë

 

AKTUALITET DHE TRADITĖ

 

RRËZA, KUJTON E KËNDON! 

Organizohet me entuziazëm, takimi tradicional i Rrëzës.

  

Më datën 20 dhjetor 2009, në një nga sallat e Shtëpisë së Ushtarakëve në Tiranë, me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, u organizua,  takimi tradicional i Rrëzës. Rrëzjotët,   nga Labova, Lekëli, Hormova, banues në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan e gjetkë, festuan, u argëtuan, kënduan labçe e vallëzuan së bashku, për më shumë se tre orë.

Ceremoninë e hapi Kryetari i shoqatës “Odrie-Golik”, etnolog Thanas Meksi, i cili ndër të tjera theksoi:

 ... Jemi të gëzuar sot që mblidhemi dhe festojmë së bashku, duke lënë prapa një vit e duke pritur Vitin e Ri, 2010! Veprimtarinë e sotme, kemi të drejtë ta quajmë: “Rrëza, kujton e  këndon!” , sepse motoja e shoqatës tonë, është: “Të kujtojmë të kaluarën, të këndojmë për Rrëzën tonë të dashur e të bukur e ta ribëjmë atë nuse të bukur, siç ka qenë dikur!” Malli për Labovën dhe Lekëlin, Hormovën dhe Tërbuqin e Hundëkuqin, na mban gjallë e na rinon, na shton dashurinë, për vendlindjen tonë të dashur.. Sepse s’ka si toka, ku të ka lindur koka, ku ke belbëzuar për herë të parë, nënë e babë, gjyshe e vëlla, motër e xhaxha. Shumë prej nesh, vemi vazhdimisht dhe çmallemi me fshatin tonë të origjinës. Disa ndërtojnë shtëpi të reja e disa të tjerë, si: Apostol Duka, Odhise Porodini, Pandeli Koçi, Jeta Suli, Niko Gjoni, e plot të tjerë, krijojnë, këngë, poezi e libra të rinj.

Me mall dhe lot, ndoqëm dokumentarët historik, të televizionit “TopCenell”,  për Leklin dhe Hormovën, të ideuara dhe realizuara nga publicisti i dëgjuar, Fatos Baxhaku dhe i ndihmuar nga Miltiadh Nuçi e Begë Musta. Të tilla emocione, kanë krijuar edhe vlerësimet e Prof. Dr. Lluka Heqimi, në TVSH, për bamirësin e madh labotit, Vangjel Zhapa, konsideratat e korifeut të letrave shqiptare, Dritëro Agolli, për poetin labotit Arben Duka, të artistit Zhani Ciko, për dirigjentin e madh austriak, me origjinë tërbuqote, nga fisi Karajani, Fon Karajani. Nuk kemi si të mos krenohemi me figurat e raja të Rrëzës, si kampioni i evropian i bulldingut, Marin Meksi, këngëtaren e talentuar, mbesën labovite, Kejsi Tola, si dhe nipin labotit të Nane Kutrës, Florin e plot e plot të tjerë.

Ne rrëzjotëve, historia e vendlindjes, duhet të na frymëzojë, për të vënë një gur skalitës në fshatin tonë, për të ndërtuar një gjë të re, një rrugë, apo një shkollë. Shëmbulli i Labovës, që ndërtoi rrugën e re të asfaltuar, Subash-Labovë, kishën e re të Papandisë, krijoi kasetën e parë muzikore me këngët labovite, si dhe kartolinën e parë, janë iniciativa, që duken vlerësuar dhe ndjekur. Punë të bukur po bëjnë lekëliotët e në  veçanti, Miltiadh Muçi, për zbulimet arkeologjike të Lekëlit të lashtë. Këto veprimtari, me nivel të lartë artistik e shkencor, po i pasqyron me vërtetësi,m gazeta jonë “ODRIA”, e drejtuar me kompetencë nga kryeredaktori Apostol Duka dhe administratori, Sofokli Duka. Kjo gazetë, sot shkon afërsisht në 280 shtëpi rrëzjote, por ne duhet të përpiqemi, që ajo të bëhet libri i shtëpisë për çdo rrëzjot, duke shkuar edhe në Hundëkuq, apo Hormëvë.

Më tej, kryetari shoqatës, paraqiti, kalendarin e veprimtarive kryesore për vitin 1910, kërkoi mbështetjen e të gjithë  bashkëfshatarëve, brenda e jashtë vendit, për realizimin e këtyre veprimtarive, forcimin e bashkëpunimit me gazetën “Odria” dhe kthimin e faqes së saj të internetit në një forum bashkëbisedimi të  përditshëm, duke uruar njëkohësisht edhe festat e fund vitit.

Veprimtaria e shoqatës, u shoqërua me përshëndetje, shfaqjes në video, të dokumentarëve artistik, “Antigonea e Leklit”, recitime të vetë autorëve: Niko Gjoni, Pandei Koçi e Qirjako Shëngjergji, vjersha e këngë për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri,  nga vogëlushja Françeska Duka, kujtime e dolli.

 VEPRIMTARITË KRYESORE PËR VITIN 2010.

 

  1. Kremtimi i 100- vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe të Labovës së Madhe.
  2. Përkujtimi i 15 -vjetorit të shoqatës “Odrie-Golik”. Këto veprimtari, do të festohen së bashku, në muajin prill 2010, në Labovë të Madhe, atje ku lindi shkëndija e formimit të tyre.
  3. Organizimi i festës ”Gushti Lekëlot”, më 15 gusht në Lekël.
  4. Botimi i librit, kushtuar dëshmorëve të Rrëzës, i cili ka përfunduar së redaktuari e korrektuari.
  5. Krijimi i fondacionit, për zhvillimin e Labovës.
  Korrespodenti i gazetës “Odria”.

 Ta gezojmë dhe mirëmbajmë rrugën! Nga etnolog: Thanas Meksi. Kryetar  i SHAK “Odrie-Golik”. 

 Rruga Subash-Labovë e Madhe ka mbaruar se asfaltuari. 7 kilometra rrugë e gjate e asfaltuar më së miri, me kanalizime  dhe kullim ujrash, me gjeresi 3.5 metra dhe nje asfalt që   të krijon përshtypjen e një rruge qyteti, dhe jo t ënjë rruge malore, 850 metra mbi nivelin e detit. Tashmë kjo rrugë lidh per bukuri autostradën nacionale me Labovën historike, që labovitet kanë vendosur ta kthejnë  ne fshat turistik. Kisha e re e Shën Mërisë, qe e kane zili edhe qytetet, godina e Postes, e rikonstruktuar, shtepite e reja, kartolina dhe kaseta “Labova kendon”  etj, te krijojnë përshtypjen e një fshati të qytetëruar.

 

S’KA SI LABOVA!!!

 

Kjo shprehje ka ekzistuar për Labovën, vite e  dekada më parë. Labovitët shkonin nga ana e anës për kafshatën e gojës dhe për t’u arsimuar dhe “me vrap” ktheheshin ne fshat. Labova si me magji, në majë të malit, mblidhte bijtë e saj dhe festonte pashkët, Shëndellinë, Pashkët e gushtit, festën e hapjes së shkollës, pagezimin e ndonjë femije, pale dasmat e martesat, që tundej Odrieja… Po kështu dhe me pervjetorët e çetave dhe batalioneve partizane. Mblidhen labovitët dhe kujtojnë historinë e fshatit, të parët e tyre, kujtojnë Zhapën e Madh, bamirës i Ballkanit dhe  Europës,  deshmoret, qe ne Laboven e  Madhe  dhe të  Vogl,  behen jo pak, po 13 yje të pa shuara. Pikërisht për hir të këtyre traditave të shkë[lqyera, pushtetaret vendore,  s’duhet ta zvarrisin ceremonine e inagurimit te rruges se asfaltuar Subash-Labove e Madhe dhe të gjejnë mundësitë që ajo të shkojë deri në qendër të Labovës së Vogël.  Pikërisht për këto arësye:  RRUGA DUHET FESTUAR DHE INAGURUAR!!!

 

Pak histori…

 Është e nevojshme të kujtojmë historikun e rruges Subash-Labove… Si xhade ajo filloi të ndërtohet në kohen e regjimit të Zogut, në vitet 1930 të shekullit të kaluar. Më parë labovitët udhëtonin nëpërmjet rrugës së Çaireve, kur shkonin e  ktheheshin nga Gjirokastra, një pjesë e së cilës, nga shkalla e Karjanit deri në Labovë të Madhe, ishte e shtruar me një kaldërëm të bukur nga Zhapa.  Ndërsa, kur shkonin e  ktheheshin nga Tepelena, rrugëtonin nga rruga e Rrëzës, që kalonte në në Hormovë, Lekël e më tutje…  Ura e Subashit eshte ndertuar vone, aty nga vitet 1950, tip pasarele dhe mori atë formë që ka sot, në vitet 1970,  fale interesimit te labovitëve  Nane Kutra dhe Pano Meksi. Punimet e saj I ka drejtuar ustai I merituar, Pilo Duka, I cili kalonte mbi një dërrasë të ngushta, nga njera anë e lumit tek tjetra, e cila u përdor edhe si skelë për vendosjen e bazamentit të urës.  Më pare automjetet, kalonin nëpërmjet shtratit të lumit. Makinen e pare ne Labove e pruri laboviti Come Dhrami, për të cilin këndohet  dhe një këngë:… Ty, ty makina te zalli,Lart e pruri Çome Dhrami…Sigurisht që makina ngjitej nëpër zall dhe pasi gjente ndonjë shteg,  e kalonte  ate dhe dilte në xhadene me gurë dhe zaje. Ajo vinte embel, ngjiste të perpjetat dhe dilte tek kroi i Kallogresë, kalonte mes për mes  shtepive terbuqote, mbi Zherdaj dhe më tej përshkonte ngadalë lëndinat plot pemë dhe hije. Vetëm dy të përpjeta të rrezikshme njihte ajo rrugë me kalldrem dhe çakull.… Ne vitet 2003-2004 falë interesimit të antëarëve te Shoqates “Odria” në Tiranë, me ndërhyrjen e deputetes Ermelinda Meksi dhe dashamirësinë e nipit tërbuqot, Maksim Mitrojorgji, u caktua nje fond,  nga Fondi I Zhvillimit Kombëtar, i mjaftueshem per 3 kilometra rrugë, por qe u be 2.6 kkilometra. Shoqata dhe anëtaret e saj në Labovë e Tërbuq, Tiranë dhe Durrës, si  dhe emigrantët tanë në Greqi, kontribuan për grumbullimin e një  vlerei prej 8 milion lekësh të vjetra, nga 15 milionë që duheshin dhe me ndihmën e Kryetarit te komunes “Odrie” zotit Foto Jano, u plotesuan te tjerat. Kryesia e komunës dhe ajo e Shoqatës “Odrie-Golik” e ndoqen këmba këmbës ndërtimin e pjesës së parë të rrugës dhe ajo u asfaltua brenda një kohe rekord.  Fillimi i rrugës, në vitin 2004,   u shoqërua  me një ceremoni dinjitoze,  në Urën e Subashit, organizuar nga Kryesia e Shoqates “Odria - Golik”, me prerjen e shiritit, koncert me artistë popullore të ardhur nga Elbasani dhe Tirana, dreke etj. Pjesa e dyte e rruges 4.4 kilometra,  u la ne harrese për disa  kohe, por mjeku labovit,  Prof. Dr. Fedhon Meksi, duke nderhyre ne organet kopetente qeveritare,  deri tek ato qendrore,  siguroi fondin prej 320 milionë lekë të vjetra dhe rruga, megjithë luhatjet qe pati , perfundoi me 15 dhjetor 2009. Ajo kushtoi 470 milionë lekë te vjetra dhe është asfaltuar deri në Labovë te Madhe, gjithsej 7 kilometra.Më se fundi realizohet nje ëndërr e laboviteve, qe e shohin udhen e tyre të asfaltuar deri në Labove. Sigurisht që djemtë e Laboves se Vogel A.Xhori, M.Muci, J.Ciko, J.Gjergji,  me ne krye Shoqaten dhe Kryetarin e saj, shume shpejt do ta shohin atë të asfaltuar deri ne Labovë të Vogël. Nuk do të mungoje dhe ndihma e Kryekomunarit , e premtuar për këtë qëllim.Rruga mbaroi. Ta mirëmbajmë ate. Kushdo qe te vije tëna thote: “JU LUMTE!!!...”. E GEZOFSHIM ATE!!!..

 

Lule Sofo, lule djalë! 

 

Është e vërtetë një koincidencë e bukur që ne këtë vit jubilar te 65 vjetorit te çlirimit te Shqipërisë, te na dalin përpara ashtu madhështorë, me përvjetorët e lindjes se tyre edhe ata që dhanë jetën ne lule te rinisë për çlirimin e ven­dit.  Ata duket sikur thonë: "Do marrim pjesë edhe ne në këtë jubile te lavdishëm!"

I tille ishte edhe Sofo Meksi nga Labova e Madhe, i cili ne moshën 19 vjeçare ra për te mos vdekur kurrë,  atje ne kalanë e Borshit ne luftën e ashpër me nazistët e ballistët,  me 2 tetor 1943. Bashkëluftëtarët e tij, Thimjo Muçi, Ylli Poloska e Nako Bezhani, do te tregonin se me aktivitetin e tij te gjerë dhe aktin që kreu atje ne Borsh me mitralozin "Breda",  duke gozhduar armikun për te shpëtuar shokët, derisa një predhë mortaje do t'i merrte këmbën dhe dorën. Sofo Meksi konsiderohet një "hero real". Veprimtarinë antifashiste   ai e nisi herët, kur ishte 16-17 vjeç, ne Durrës, ku ra ne kontakt me shokë te tjerë progresistë. Shumë shpejt do te dallohej si një pjesëtar aktiv i njësitit gueril, sypatrembur e inteligjent, i cili do te merrte pjesë ne një varg aksionesh te rëndësishme e te rrezikshme, si ne atë te sigurimit te armëve, djegie deposh te armikut, zhdukje te spiunëve etj. Mirëpo kjo veprimtari ra  në sy te armikut, i cili ne momente befasie e kapi Sofon, e internoi ne Porto Palermo dhe me pas e nxori ne gjyq, ku u dënua me vdekje. Por me ndihmën e shokëve, ai u largua nga burgu. Edhe gjatë kohës që ishte ne internim, e me pas ne burg, Sofua,  nuk rreshti se punuari për organizimin e strukturave te rinisë e Partisë, për rezistencë  kundër pushtuesve.

Pas daljes nga burgu Sofua u kthye ne   Labovë.  Ishte momenti kur po krijohej çeta e pare partizane ne krahinën e Rrëzës, me emrin e dëshmorit "Prokop Meksi". Ai u radhit ne këtë çetë e me pas ne Batalionin "Misto Marne", ne aksionet luftarake te te cilit Sofua u dallua si një luftëtar trim, duke e mbyllur lavdinë e tij me epopenë e Borshit. Bashkëluftëtarët e tij, me ne krye komandantin trim Thimjo Muçi, dhimbjen për humbjen e SofoMeksit e kthyen ne   force, por edhe në një këngë që përjetonte jetën dhe veprën e tij, te cilën koha e ngriti ne lartësitë e viteve: "Mu tek Borshi me te dalë, Lule Sofo, Lule djalë...! Sofo Meksi nga Labova,  s'e lëshoi  armën nga dora..." Ishte një këngë që shërbeu jo vetëm si një flamur fitoresh ne beteja me armiqtë, por dhe me vonë që rinisë i printe nëpër aksionet e saj te shumta nëpër Shqipëri. Natyrisht, kjo veprimtari luftarake e Sofos,  nuk ishte e rastit, por rezultat i një formimi te tërë atdhetar. I brumosur me ndjenja te theksuara atdhetare nga familja   dhe fisi i tij i nderuar i Meksajve, Sofua se bashku me vëllezërit e tij: Foton, Panon e Thomanë, pse jo edhe me nënën e tyre, Toten,  ju bashkuan Lëvizjes dhe LANÇ, nga te cilët Panua u rreshtua ne formacionet partizane, ndërsa shtëpia e tyre ish­te një bazë e rëndësishme e kësaj lufte legjendare. Figura te tilla te ndritura luftëtarësh si Sofo Meksi, te cilit sot i përcjellim homazhe ne 85 vjetorin e lindjes, shërbejnë si një burim i lartë frymëzimi atdhedashurie për sot e për te ardhmen. Kjo i bën ata te pavdekshëm. Prandaj edhe poeti i mirënjohur labotit,  Arben Duka ne poezinë kushtuar dëshmorit te LANÇ  Sofo Meksi, ndërmjet te tjerave, thotë: O Sofo, o valë detesh,  Ne do ikim, ti do mbetesh,  Se ti s'ke moshë njeriu,  Do jetosh sa Shëndëlliu. (Mal i Labovës).

ODHISE PORODINI.

  PASURITË DHE PERSPEKTIVA TURISTIKE E LABOVËS.Mendime rreth projekt idesë,  për krijimin e Fondacionit për Zhvillimin e Labovës. NGA DR. SOFOKLI DUKA .  

Në kryesinë e shoqatës “Odrie-Golik”, është hedhur ideja e krijimit të Fondacionit për Zhvillimin e Labovës. Në vija të përgjithshme, dihet se ç’ përfaqëson një fondacion dhe se ai ka mundësi ligjore dhe teknike, për të realizuar objektiva më specifike se një shoqatë, objektivat e së cilës, janë tepër më të gjera. Kjo iniciativë, u botua edhe në faqet e gazetës “Odria”, me qëllim që ajo të gjente edhe ndihmën e përkrahjen e anëtarësisë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë, se deri tani, nuk ka ardhur asnjë reagim, qoftë pozitiv apo negativ për zhvillimin e mëtejshëm të këtij projekti. E njëjta gjë ndodh edhe me iniciativat e tjera të ndërmarra nga anëtarësia dhe të përkrahura nga Kryesia,  si për shembull ajo e dy mjeshtërve labovit të gurit, Stefan Stefani e Lili Prifti, që me vullnetarizmin e tyre, do të  mirëmbajnë  rrugët e  fshatit nëpërmjet  donacioneve  simbolike të  bashkëfshatarëve; miradministrimin e pasurive të Labovës; rikthimin e traditës për festimin e ditës së 15 gushtit në Manastirin e Tërbuqit etj.  Labova, ka plot njerëz të mençur dhe të urtë, të cilët mund dhe duhet të kontribuojnë në këtë drejtim, jo vetëm nëpërmjet ideve, por edhe financiarisht. Pa tjetër që historia, do t’jua shpërblejë një përkushtim të tillë.

Objektivi i këtij fondacioni, kuptohet qartë, nga vetë emërtimi i tij: Zhvillimi i Labovës. Tashmë është krijuar ideja, se e ardhmja e Labovës, është shndrimi i saj në një zonë turistike. Por jo vetëm kaq. Ajo ka pasuri e rezerva të konsiderueshme për zhvillimin e blegtorisë dhe përpunimin e produkteve të saj, pemëtarisë, pylltarisë,  mbledhjen e përpunimin e bimëve medicinave, përpunimin e ujit, përpunimin e pllakave të gurit, prodhimin e tullave, etj, aktivitete këto, të cilat janë ushtruar tradicionalisht nga të parët tanë dhe që janë në harmoni edhe me zhvillimin turistik të zonës. Këto janë vetëm disa ide të thjeshta, në kuadrin e projektit të madh për zhvillimin e Labovës, i cili për të qenë sa më konkret, duhet diskutuar, formuluar e miratuar, krahas formimit të Fondacionit. Një nga elementët kryesorë të realizimit të kësaj strategjie, është evidencimi dhe administrimi i pasurive të Labovës. Ato janë të shumta  e të gjithanshme, por deri tani janë lënë në mëshirën e fatit. Si të tilla, mund të përmendim: kullotat, rezervat ujore, trojet e banesave të bashkëfshatarëve të larguar prej kohësh nga fshati dhe sidomos testamenti i Zhapës, për Labovën  e shumë të tjera. Në kuadrin e kullotave, një vend të rëndësishëm, zënë ato të Odries. Siç dihet për to janë zhvilluar një sërë gjyqesh midis labovitëve dhe agallarëve të Gjirokastrës dhe si përfundim, ato u kthyen si pronë e fshatit tonë, gjë për të cilën ekzistojnë edhe dokumente arkivore. Por aktualisht ato nuk administrohen nga Labova, pasi për arsye që nuk dihen, ndoshta mos interesimi, trajtohen si pronë shtetërore e si rrjedhojë fshati nuk përfiton asnjë të ardhur. Burimet ujore të Labovës, mbeten një pasuri e pallogaritshme edhe pse deri tani kjo pasuri është shfrytëzuar jashtë çdo kriteri në interes të komunitetit labovit. Gurra e Mullirit u fal pa asnjë kusht, ndërsa ujësjellësi i Gurrës së Strakavecit, i ndërtuar me aq mund e sakrifica, e shkatërruan për 24 orë, për të vetmin qëllim ordiner, që tubat e tij të përdoreshin si mbajtëse pjergullash, gjurmët e të cilave gjenden edhe sot nëpër oborre labovitësh, si dëshmi të gjalla të atij shkatërrimi absurd. Vërtet burimet ujore janë pasuri shtetërore dhe si pronar, i takon shtetit e drejta e shfrytëzimit, por e drejta e komunitetit edhe me ligj është e padiskutueshme dhe e pa zëvendësueshme. Duhet theksuar se komunitet i Labovës, nuk janë vetëm ata që banojnë aktualisht në fshat, disa prej të cilëve, siç e dëshmojnë edhe me veprat e tyre, nuk i lidh asgjë me Labovën,  por të gjithë bashkëfshatarët autoktonë, që kanë atje troje, toka me certifikatë kadastre e pronësi të tjera. Nuk duhet lejuar që shfrytëzimi i burimeve të tjera ujore, si ai i Odries, Skotinisë, Gurrës së Malit, Nënëgureve etj, të bëhet pa kushte në favor të komunitetit labovit. Evidencimi i trojeve të labovitëve që janë larguar prej kohësh e që aktualisht janë të lira, apo të braktisura, ka rëndësi, pasi do të rikthejë interesin e tyre për zhvillimin e Labovës, si dhe do të zgjerojë rrethin e personave që janë të predispozuar për një Labovë turistike. I një rëndësie të veçantë, është edhe riaktivizimi i testamentit të Zhapës për Labovën, gjë që deri tani nuk është ndjekur në rrugë ligjore e institucionale, por në mënyrë amatore, gjë që më shumë ka prishur punë, se sa ka shkuar drejt zgjidhjes së problemit. Pa dashur të vazhdojmë me analizën e problematikave të mësipërme, pasi ato janë të shumta e një gjë e tillë në të ardhmen, duhet të  jetë mision i Fondit për Zhvillimin e Labovës, theksojmë, se  aktivitetet  e mësipërm, shtojnë jo vetëm elementët e infrastrukturës turistike të zonës, por edhe të ardhurat për zhvillimin e fshatit e sidomos për miradministrimin e pasurive të tij, nëpërmjet një institucioni kujdestar të zgjedhur nga komuniteti.

 Rezistenca e lekëliotëve dhe autonomia e maleve, gjatë pushtimit osman. Nga   Miltiadh Muçi.Pushtimi osman ndodhi në vitet 50 të shekullit XIV, kur forcat ushtarake nisën të bëjnë të tyre Ballkanin. Perandoria Osmane kishte epërsi të theksuar ekonomike, politike dhe ushtarake. Deri në vitin 20 të shekullit XV pushteti osman u shtri në të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, ku vendosi sistemin feudal-ushtarak. Në dhjetëvjeçarin e viteve 1420 – 1430 nisën kundërshtimet e vazhdueshme, siç ishin edhe ato të Jugut të Shqipërisë, me Depë Zenepishtin në krye, për të ardhur në fitoret e njëpasnjëshme të Skënderbeut, në vitet 1944-1950, që vazhduan edhe pas vdekjes së tij, deri në vitin 1492.Më 24  Korrik të vitit 1492 trupat e ushtrisë osmane, të komanduara nga Sulltan Bajaziti II, ngritën çadrat në Tepelenë, buzë Vjosës e Drinos, për të ndërmarrë fushatën kundër popullsisë së Shqipërisë së Jugut. Kryengritësit u mblodhën nga të gjithë fshatrat e Tepelenës dhe të Gjirokastrës, ndërmjet tyre nga Lekli dhe fshatra të tjerë të Rrëzës së Tepelenës, që nga Kodra deri në Labovë. Sulltan Bajaziti II u detyrua të largohej. Kështu dështoi plani i Portës së Lartë për të pushtuar të gjithë Jugun e Shqipërisë, për të sulmuar e marrë më pas Korfuzin.Pas viteve të fundit të shekullit XV jo e gjithë Shqipëria ishte nënshtruar nga turqit. Me nxitjen dhe ndihmën ekonomike e ushtarake të Vatikanit himarjotët i mbrojtën për shumë kohë malet e tyre. Të përndjekur mal më mal, në vitin 1493 pësuan humbje të mëdha, por nuk u dorëzuan Në vitin 1518 himarjotët, ku bënte pjesë edhe disa fshatra të Labërisë dhe krahina e Rrëzës së Tepelenës, ku hynte edhe Lekli,  të rrethuar përsëri, pranuam të dorëzohen, por me kushtin që të mos i nënshtroheshin haraçit dhe të mbanin armët e tyre. Këto privilegje, sipas banorëve vendas më të moshuar, u njohën nga Murati në vitin 1622 dhe më vonë në vitin 1640", siç pohon edhe Jean Claud Favyrial në librin "Historia e Shipërisë".Perandoria Osmane, duke ndier fuqinë e kryengritjeve të njëpasnjëshme të popullsisë së jugut, u detyrua të bëjë organizimin e ri administrativ. Midis ndarjeve territoriale u krijuan krahinat e maleve, të quajtura ndryshe të vetëqeverisjes, apo vetëadministrimit, të cilave iu garantua autonomia e tyre për të vepruar sipas të drejtave zakonore. Kështu ndodhi me krahinën e Himarës dhe të Labërisë, pra edhe me Leklin, të cilat ishin organizuar në njësi të vogla të quajtura "male", ku bënin pjesë disa fshatra. Këto i shlyenin sulltanit një haraç vjetor, që jepej në mënyrë simbolike me majën e shpatës , për t'i treguar pushtetit se privilegjet ishin fituar me luftë.Krahinat autonome ishin të organizuara në njësi të vogla të quajtura mal ose bajrak. Çdo bajrak kishte një numër fshatrash. Në krye të tyre qëndronin bajraktarët, të cilët ishin në varësinë e qeveritarëve osmanë. Krahinat drejtoheshin nga këshilli i përbërë prej krerëve të fshatrave. Në Lekël, si në të gjitha viset shqiptare të pushtuara nga osmanët, fillimisht, vendosen marrëdhëniet feudale, ku njiheshin njëkohësisht prona shtetërore dhe prona e vogël private. Të parat administroheshin nga spahinjtë ushtarakë, e thënë ndryshe "kalorës të dalluar". Për vitet e fillimit të sundimit osman nuk mund të saktësohet nëse pushtuesit vepronin ose jo me gjithë forcën e pushtetit, por thuhet me siguri se në vitet e mëvonshme Lekli siguroi autonominë e "maleve".Pavarësisht nga ndryshimet administrative dhe lëshimet që Perandoria Osmane u detyrua të bënte në zonën e autonome, kundërshtimet masive asnjëherë nuk pushuan, sidomos kur gjërat nuk i përmbaheshin vetëqeverisjes. Kryengritjet popullore përsëriteshin herë pas here, sikurse ishin edhe ato të viteve 1560-1571, të cilat përfshinë gjithë krahinën e Labërisë. Në vitin 1581 mblidhen përfaqësuesit e krahinës së Himarës, ku vazhdon të bëjë pjesë  edhe Tepelena me disa fshatra të saj, dhe me një dokument i drejtohen Papës së Romës për t'u siguruar armë kundër osmanëve."O Papë, bëhu interpret pranë Filipit të Spanjës... Ne këmbë turku nuk kemi lënë të hyjë në viset tona. Himara bashkë me  viset e tjera, brenda javës, mbledhin 50000 luftëtarë. Po ashtu, mblidhen edhe 50000 mijë nga Maqedonia. Kështu, tokat tona bëhen të papushtueshme nga ushtarët e Sulltanit", thuhet në dokumentin e nënshkruar nga përfaqësuesit e fshatrave Lekël, Dragot, Peshtan, Lopes, Damës dhe Bënçë, ku konstatohet se emri i Leklit të sotëm ka qenë "Lekleht".    Në mes të muajit shkurt të vitit 1714 fshatrat Lekël, Hormovë dhe Labovë bashkuan 700 forca të cilat zhvilluan lëvizjen e madhe për mospagimin e taksës për kokë të bagëtive, ndërsa Sanxhaku i Vlorës dhe Kadiri i Tepelenës urdhërohen nga  Porta e Lartë që t'i mbyllin kryengritësit në kala. "Na është raportuar se fshatrat e quajtur Lekël, Hormovë dhe Labovë, tre fshatra  këto që varen nga kazaja e Tepelenës, që ndodhen në Sanxhakun e Vlorës, kanë një numër rajash,  jo myslimanë prej 700 vetash. Mirëpo këta, duke pasur mbrojtjen dhe mbështetjene disa   ajanëve,  (paria e krahinës)  kanë marrë vetëm njëqind e pesëdhjetë fletexhizje (taksë për kokë bagëtie) dhe s'kanë marrë më tepër... Në bashkëpunim me Muço Hyson, që është nga banorët e Tepelenës, të bëni që koxhabashët, (krerët e fshatrave) që u përmendur më lart, të kapen me çdo kusht e t'i dorëzohen sipër të shënuarit Haxhi Ali (përgjegjës i ruajtjes së portave të pallatit perandorak) dhe të mbyllen në kala, ku të futen në punë të detyruar.”, do të përfundonte fermani i Portës së Lartë.Rezistencën kundër pushtuesve osmanë lekëljotët e kanë përjetësuar në këngë me këto vargje:Kush kanë qenë vite më parëTrima lekëliotë të rrallëMe hormovitë kordhëtarëLabovitë atdhetarëShtatëqind djema me famëShtatëqind djema levendëU hodhnë e zunë dervenëBerat, Vlorë TepelenëPas njëzet vitesh, në 1734, ndodhën kryengritjet më të mëdha që u përhapen në gjithë Jugun e Shqipërisë. Në këtë kohë shfaqet hija  e  Ali Pashë Tepelenës, i cili në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, bëhet figura kryesore që kundërshtoi Perandorinë Osmane, duke u përpjekur që të krijonte shtetin e pavarur Shqiptar. Në divanin e Pashllëkut do të ishte pjesëtar edhe lekëljoti Thanas Vaja, këshilltari më i afërt i Pashait të Pashallëkut të Janinës, për problemet e sigurisë dhe të rendit.Kundërshtia lekëljote shfaqet edhe kundër pinjollëve të Hysajve, paraardhës të Ali Pashë Tepelenës, të cilët dominuan Tepelenën dhe më gjerë, në territorin e Shqipërisë së Jugut dhe të Epirit...

 Shkurt nga Lekëli... 
  1. Sikurse jeni vënë në dijeni, nga numri i kaluar i gazetës “Odria”, në kuadër të Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës, rrëzimit të kërkesë padisë së  Lekëlit, për problemin e ujit të gurrës, kundër Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Tepelenë, Gjykata e Apelit Gjirokastër, vendosi prishjen e vendimit, të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rigjykimin e çështjes ne themel. Kjo është një arritje në drejtim të komunitetit lekëlot, i cili falënderon, av. Idajet Beqirin, që mbron këtë çështje .
  2. Në mbrëmjen e datës 21 nëntor dhe 5 dhjetor 2009, në emisionin “Rrugëtim”, të gazetarit Fatos Baxhaku, në TOPCHENEL, u transmetua dokumentarët historik për Thanas Vajën dhe Antigonenë, të cilat u ndoqën me shumë interes nga bashkëfshatarët, miq dhe dashamirës të Lekëlit. Për realizimin e dy dokumentarëve, falënderojmë gazetarin Fatos Baxhaku, duke ju bërë thirrje, shkrimtarëve lekëliotë: Pandeli Koçi, Virgjil Muçi, Niko Gjoni, si dhe operatorëve: Agim Kuri e Kostandin Poga, të përgatisin dokumentarë të plotë për historinë e Lekëlit.
  3. Informohemi, se në dy muajt e fundit, kryetari i komunës Qendër Tepelenë, ku bën pjesë edhe Lekëli, zoti Arjan Jara, po bën të gjitha përpjekjet për asfaltimin e rrugës së fshatit, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky është një lajm shumë i mirë, por nuk duhet të mbetet vetëm në kuadrin e premtimeve.
 Thanas Demiraqi.

 

Familje tradicionale lekėlote

ATJE NĖ AMERIKĖ EDHE NE KEMI KRIJUAR RRĖZĖN TONĖ TĖ VOGĖL

ATJE NË AMERIKË EDHE NE KEMI KRIJUAR  RRËZËN TONË TË VOGËL. 

 Bisedë me Lame Priftin.

“... Kjo periudhë nga më të vështirat për mua dhe familjen time nuk kaloi pa konsekuenca edhe për njerëzit e mi më të afërt. Menjëherë pas masave edhe ndaj meje të Plenumit të VI-të KQ, kunatin tim, Lame Priftin, e përjashtuan nga partia, deri edhe si oficer nga ushtria dhe e larguan nga Tirana, bashkë me motrën time Dudën dhe vajzën e tyre të mitur Laurën, për në Përmet...

Halim Ramohito. Fragment nga vëllimi i parë i librit “Në shërbim të atdheut tim”.

Apostol Duka: - Biseda jonë është pa protokoll, pa radhë dhe pa pyetje të parapërgatitura. Kjo do të thotë se nuk do të flasim me njëri-tjetrin si gazetari apo shkrimtari me personazhin e e tij të mundshëm, por si dy njerëz të afërt të së njëjtës krahinë dhe pothuajse të njëjtit fshat. Ti, vërtet je nga Tërbuqi, por edhe unë jam gjysmëtërbuqt. Andej ishte nëna ime e dashur dhe e paharruar, që asnjëherë nuk e hoqi Tërbuqin nga goja. Andej, nga Stavrajt e Tërbuqit, ishte cice Athinaja, gjyshja ime e jashtëzakonshme, e cila, që kur isha ende kërthi, më merrte me vete kur shkonte tek dajko Kiçua. Edhe tani, unë mendoj me krenari se Tërbuqi, ashtu i kredhur mes gjelbërimit dhe freskisë së përjetshme, është një nga fshatrat më të bukur të krahinës së Rrëzës dhe kjo më jep shumë kënaqësi dhe shumë dashuri për të afërmit e mi atje, që duket se e kanë ndarë mendjen të mos e braktisin kurrë atë mrekulli të vërtetë të natyrës. 

            Lame Prifti: - Ke folur tamam si një poet. Edhe unë ndjej një kënaqësi të madhe për këtë takim të shumëpritur. Të takohesh me ty e me Sofon, nuk është diçka e rëndomtë. Kjo, sa për meritat dhe aftësitë tuaja, aq edhe për faktin se jeni djemtë e xha Pilos, ustait duarartë të gjithë krahinës së Rrëzës, që nuk reshti së ndërtuari deri sa dha frymën e fundit. Të dyve, por edhe Vangjelit, Josifit e Arbenit iu uroj shëndet dhe gëzim e lumturi në familje.

            Për ata që nuk jam njohur nga afër, po prezantohem: Unë jam Lame Lolo Prifti. Fisi ynë është me origjinë nga Lekli, por ne kemi lindur dhe jemi rritur në Tërbuq. Në tërbuq, shkokët e mi kanë qenë dhe janë: Sotir Vardhami, Sofo Stavri, Këno Stavri, Pavllo Zherdi, Dhimo Hila dhe plot të tjerë, që nuk po i përmend për momentin, sepse do të delte një listë shumë e gjatë. Në Tërbuq, unë shkoj sa herë që vi nga Amerika, ku jemi vendosur prej vitesh së bashku me time shoqe, Dudi Ramohiton ng Tragjasi i Vlorës dhe me vajzën tonë, Laurën. Pasi mbarova shkollën fillore në Tërbuq, me mësues të madhin Koço Hila, duke pasur në klasë edhe Sotir Vardhamin, Leno Ndreun, Vasile dhe Juli Vardhamin, shkova në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”.  Pasi e mbarova atë, shkova në Bashkimin Sovjetik, në njërën nga shkollat e mesme ushtarake. U ktheva në vitin 1953 dhe u emërova instruktor në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Në vitin 1956, më dërguan përsëri në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Lartë Ushtarake të Kimisë, të cilën e mbarova me rezultate shumë të mira.  Nga viti 1961 dhe deri në vitin 1970, kam shërbyer si shef i kimisë të Forcave Ushtarake Detare. Atje kam pasur shumë tërbuqotë e labovitë dhe ndjej kënaqësi të them se me ta kemi kaluar si shokë e vëllezër të një krahine. Në vitin 1971, më caktuan me detyrë në ambasadën tonë në Sofje të Bullgarisë, ku qëndrova deri në vitin 1974. U ktheva para kohe, sepse kunati im, gjeneral Halim Ramohito, u dënua si pjesëtar i grupit puçist në ushtri. Sapo më kthyen, më çmobilizuan nga ushtria, më përjashtuan nga partia dhe më dërguan me vite të tëra të punoja në fabrikat e Këlcyrës. Kudo që kam qenë, në ushtri apo në jetën civile, kam punuar me përkushtim, për t’ia larë popullit tim gjithçka që ka bërë për mua.

            Në vitin 1993, së bashku me gruan dhe vajzën, kemi emigruar në Amerikë, në qytetin e Bostonit, ku jemi edhe sot e kësaj dite. Atje ka shumë bashkëfshatarë nga Tërbuqi, të dyja Labovat dhe Lekli, aq sa nganjëherë i themi njëri-tjetrit me shaka se na duket sikur jetojmë në një Rrëzë të vogël, atje rrëzë maleve të Golikut, Shëndëlliut e Odries, aq të lidhur e të bashkuar jemi me njëri-tjetrin. Ajo që na bashkon më shumë, - këtë dua ta theksoj dhe ta theksoj me të madhe, - është gazeta “Odria”. Kur e marrim atë në dorë, na duket sikur jemi në vendlindje, sikur Tërbuqi, Labova e Lekli na vijnë atje në Amerikë dhe na nxjerrin mallin e fëmijërisë e të rinisë sonë. Atje, malli është bashkudhëtari ynë i përhershëm, i fortë e i pandarë. Bisedoj në telefon me Diogjen Papajanin, atë njeri të mrekullueshëm, vëllain e Sofos së paharruar. Flas me Sotir Vardhamin, me Ilo Foton, me Thanas Hodën, me Vangjel Priftin, me Theodhori Mihën, me familjet e Llazi Muçit nga Lekli dhe Polo Mihës nga Labova. Xha Koço Duka, që besoj se është një nga më të moçmit e krahinës sonë, na merr shpesh në telefon. Na pyet me radhë, sepse ka mall për ne, më të rinjtë dhe na flet sikur të ishim djemtë e vajzat e tij.

            Kur u nisa për këtu, më pushtuan emocionet dhe, aty për aty, më lindi dëshira të kontribuoja edhe unë për botimin e një numri të gazetës “Odria”. Me aq sa kemi mundësi, sepse ti ndoshta e di që disa prej nesh, sidomos unë e Illo Fotua, jetojmë me asistencë sociale. Shttei amerikan na mban me paratë e tij dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës. Sidomos mirënjohje do të kemi sa të jemi gjallë të madhit Bill Klinton, që ishte një president i veçantë në llojin e vet dhe i doli zot Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar në një nga çastet më të vështira të historisë së tij, atëherë kur dikujt mund t’i dukej i pabesueshëm dhe i pakuptimtë një gjest i tillë.  

            Unë vi në Shqipëri një herë në dy vjet. Sapo vi, të parën gjë që bëj është vizita në Tërbuq. Nuk mund të përshkruhet malli që më pushton kur marr atë rrugë. Nisem ngadalë e ngadalë nga Subashi, ndalem për t’u çlodhur e për t’u çmallur në Zaje dhe te Kroi i Kallogresë dhe, para se të trrokas në ndonjërën nga dyert e të dashurve të mi, këmbët më çojnë vetvetiu në varrezat e fshatit. Ulem dhe më duket sikur takohem jo vetëm me prindërit e mi, por me të gjithë bashkëfshatarët që nuk janë më midis nesh. Vë tufa lulesh dhe ndez qirinj me respekt për mësuesin tim të nderuar Koço Hila, tek Sofua miku im i shtrenjtë dhe shoku më i ngushtë i fëmijërisë. Ata që janë bërë më të dashurit për mua, janë Dhimo Hila, Thoma Vardhami  dhe plot të tjerë. Kësaj radhe, kam takuar atje Kiç Zisin, Pipo e Llazo Dedin, Fori Pulerin, Gjergjo Markun, Thoma Vardhamin. Ishte e pamundur të mos shkoja edhe në Gjirokastër, në familjen e Prokop Vardhamit, ku ngushëllova për vajzën. Takova Qirjako Hilën e Kristaq Çombin dhe më vjen shumë keq që nuk e takova Thoma Çombin. Shkova për vizitë në familjen e Sofo Stavrit. E thashë që ai ishte një nga shokët e mi më të dashur të fëmijërisë dhe, pak çaste para se të ikte nga kjo jetë, ka thënë: “Unë po iki, por kam edhe një vëlla tjetër në Amerikë, Lamen...”

            Këtu në Tiranë, e kisha për detyrë të shenjtë dhe të padiskutueshme të shkoja për vizitë sidomos në familjet e atyre që janë ndarë nga jeta këto dy vitet e fundit. Shkova së pari në familjen e Thoma Notit. Shkuam së bashku me Këno Totin, të cilit gjej rastin t’i shpreh gjithë mirënjhjen time. Takova Elsën, atë grua të mrekullueshme dhe nuk mund të mos lotoja dhe të mos më mekej zëri kur mundohesha të gjeja fjalët e ngushëllimit që thuhen në të tilla raste. Në emër të shokëve, i thashë Elsës, të Diogjen Papajanit, Sotir Vardhamit, Illo Fotos, Thanas Hodës, Vangjel Çiçit, Aleko Dhimës dhe gjithë të tjerëve, të lutem shumë t’i pranosh këto pak para. Të lutem shumë gjithashtu që me to të blesh disa tufa lulesh dhe t’ia vësh Thomait tek koka atje në varr. Dhe t’i thuash: “Thoma, këto lule i ke nga shokët e tu, që janë në Amerikë!... Ata të kujtojnë nuk do të të harrojnë asnjëherë.

            Nuk mund të mos shkoja edhe në familjen e Bezhanajve. Falenderoj Miltjadh Muçin, që ma mundësoi vizitën në këtë familje atdhetare. Takova Ulinë, mbesën e Polos e të Arqilesë, vajzën e xha Prokopit, atij njeriu të mrekullueshëm. Ngushëllova Ulinë dhe bashkëshortin e saj edhe për djalin. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj vizite të shkurtër në atdheun  tim është sidomos zemra përherë e bardhë e bashkëkrahinasve tanë, gatishmëria e tyre për të të ardhur në ndihmë në të gjitha mënyrat e mundshme, dashuria dhe mikpritja e pakrahasueshme. Zemrat dhe dyert e hapura janë një nga traditat më të mrekullueshme e më të pakrahasueshme të krahinës sonë dhe iu takon tashmë fëmijëve, nipave e mbesave tona që atë ta ruajnë, ta kultivojnë dhe ta përcjellin më tej, nga brezi në brez.

            Në vijim të kësaj bisede pa protokoll, kam dëshirë të theksoj diçka. Me ty dhe me Sofon, unë nuk takohem thjesht si një bashkëfshatar. Iu konsideroj si të afërmit e mi, si kushërinjtë e mi të parë, pasi jeni vëllezërit e Kleo Dukës. Të Kleos tonë të mrekullueshëm, për të cilin ti ke shkruar aq me ndjenjë, vërtetësi e sinqeritet dhe ndoshta do të shkruash edhe më shumë në të ardhmen. Janë të shumta gjërat që na bashkojnë, që nga fëmijëria dhe rinia ime. Na bashkon sidomos kujtimi i mëmave tona të dashura. Aq e vërtetë është kjo, sa që me kënaqësi po tregoj për herë të parë edhe një sekret “të vogël” familjar. Pas vdekjes së Gathos, tezes sime të ndjerë dhe gruas së parë të xha Pilos, ajo që u bë sebep për martesën e tij të dytë me Lenon e Dedajve ishte pikërisht mëma ime, Fotinia. Ajo e bëri këtë gjest të rrallë për atë kohë edhe sepse me mëmën tuaj ishin shoqe të afërta, por edhe sepse mendonte me të drejtë se Lenua, me ato cilësitë dhe virtytet e saj të rralla, do të dinte ta gjente rrugën drejt zemrave të Polimisë, Kleos e Eftihisë, që kishin mbetur jetimë dhe kishin nevojë për dashuri e përkujdesje.

            Dhe tani, besoj se i thashë të gjitha, ose thashë aq sa munda. Uroj që shoqata jonë t’i ketë punët mbarë e më mbarë dhe, ashtu siç kanë qenë në të kaluarën fshatrat tonë të Rrëzës, të afërt e të bashkuar, ashtu të jemi edhe ne. Meraku ynë të jenë takimet dhe letërkëmbimet e telefonatat e përhershme, miqësia, dashuria, që i kemi trashëgim dhe amanet nga të parët tanë. Atje në Amerikë, ne jemi një grup i pandarë, me Diogjenin, me Sotirin, me Illon e të tjerët dhe iu siguroj se unë flas edhe në emër të tyre dhe iu sjell edhe urimet e përshëndetjet e tyre vëllazërore. Nuk e di nëse kam harruar ndonjë gjë...

 - Ishe i mrekullueshëm në fjalët e tua, ndaj nuk pati nevojë për asnjë lloj ndërhyrjeje. Por besoj se ke harruar një nga gjërat më të rëndësishme: Nuk ke folur ende për vajzën tënde, Laurën... 

            Lame Prifti: - Të falënderoj që po ma jep këtë mundësi, sepse Laura është vërtet gjëja më e bukur dhe më e rëndësishme në këtë jetë për mua dhe Dudinë. Edhe në vitet e kohët tona më të vështira, kur na u desh të përballeshim me gogolin e luftës së klasave, ajo ka qenë lulja dhe gëzimi i jetës sonë, për të mos thënë edhe qëllimi kryesor i kësaj jete. Siç e kam thënë më lart, ime shoqe është motra e Halim Ramohitos. Babai i tyre ka qenë emigrant ekonomik në Amerikë dhe, pikërisht për këtë, ne nuk e patëm të vështirë të merrnim dokumente amerikane në vitin 1993. Natyrisht që edhe vajtja në SHBA ishte një nga vendimet tona më të rëndësishme dhe sigurisht një ngjarje e bukur e jetës sonë, ndonëse nuk është aspak e lehtë të lesh vendin tënd dhe të kapërcesh dete e oqeane të tërë për të shkuar në një vend të ri, ku duhet ta fillosh çdo gjë nga e para.

Natyrisht që atje shkuam së bashku me Laurën. Shumë shpejt ajo filloi dhe mbaroi me rezultate shumë të mira kolegjin, punoi disa vjet dhe pastaj mbaroi studimet e larta universitare. Është e martuar me zotin Myzafer Çela nga Devolli, nëna e të cilit është nga Golemi i Gjirokastrës. Prej vitesh, Laura punon në bashki dhe mua më duhet ta le mënjanë modestinë për të të thënë se është një punonjëse e dalluar. Ka shoqëri të gjerë dhe është e dashur me të gjithë, ashtu siç kemi qenë edhe unë e ime shoqe në rininë tonë. Laura me Myzaferin na kanë dhuruar tri mbesa të mrekullueshme: Dean, Sonjën dhe Dishellën, e cila ka lindur vetëm para disa muajsh dhe ne e quajtëm kështu për nder të bashkëshortes së Obamës së madh. Familja jonë i ka dhënë Barak Obamës tri vota, timen të Dudi Ramohitos dhe të Laura Priftit (Çelës). Tani në Amerikë jemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe kemi shumë dëshirë të fitojë përsëri kryetari i tanishëm i bashkisë së Bostonit. Ai ka shumë vjet që zgjidhet në këtë post, quhet Thoma Klinino dhe është me origjinë italiane. Unë jam takuar disa herë me të dhe tani na ka ftuar për darkën e vitit të ri, së bashku me Dudinë. Është një njeri i mrekullueshëm.

  Bostoni është një qytet i madh, ku ka shumë shqiptarë. Atje kemi tri kisha ortodokse shqiptare, por ajo që është më e dashura dhe më e shtrenjta për ne, është kisha e Fan Nolit. Atje meshon At Artur Liolini, një burrë i rrallë dhe atdhetar i vërtetë. Ai është një mik i madh i të gjithë shqiptarëve dhe i ndihmon shumë ata.  Po kështu, në mbledhje e takime të ndryshme që kemi zhvilluar në Boston, kam takuar edhe Fatos Nanon, edhe Ilir Metën, edhe Edi Ramën. Ndërsa në vitin e kaluar, së bashku me presidentin e nderuar të Shqipërisë, zotin Bamir Topi, kemi ngrënë drekë në Restorant “Vlora”, të cilin e ka hapur një djalë vlonjat shumë i zoti dhe shumë simpatik, që e quajnë Aldo Velaj. Unë jam përherë pranë këtij djali të mrekullueshëm, që edhe atje në Amerikën e madhe, kampionen e demokracisë në mbarë botën, i bën nder Vlorës së tij të dashur dhe gjithë Shqipërisë. Aldo, po të flas nga Tirana, Kur të botohet gazeta “Odria” me bisedën time, unë do të ta sjell atë tek “Vlora” jote e dashur, për të të thënë se edhe këtu ku jemi të kujtojmë dhe të urojmë gjithmonë suksese. Të tillë janë në përgjithësi fëmijët tanë në Amerikë. Edhe vajza ime i ka mbaruar të gjitha studimet shkëlqyeshëm dhe tani e përballon jetën me shumë dinjitet.

Këto që them, nuk përbëjnë ndonjë çudi të madhe. Djemtë dhe vajzat e krahinës sonë kanë qenë gjithmonë të suksesshëm, duke filluar që nga të mëdhenjtë Zhapa e Meksi të Labovës, Vaja e Byku të Leklit, Karajanajt e Tërbuqit dhe plot të tjerë burra të shquar si Spiro Stoja e Sevo Cikua, Lame Çekani, Thoma Noti e Vito Koçi. Të gjithë këta, i kanë shkruar e volusur emrat e tyre me germa të arta në panetonin e kohërave dhe përbëjnë krenarinë e vërtetë të krahinës së Rrëzës.

Po tani, mendon se biseda jonë është e plotë?

 - Shumë e plotë. Vetëm në rast se dëshiron t’i thuash diçka kryetarit të Shoqatës “Odrie-Golik”, zotit Thanas Meksi. 

            Lame Prifti: - Patjetër! Kam një kënaqësi të veçantë që sot takohem për herë të parë me zotin Thanas Meksi, duke shprehur gjithë simpatinë dhe respektin tim për këtë njeri të shquar të Labovës, që ka bërë emër si intelektual dhe studiues jo vetëm në krahinën tonë dhe në Elbasan, por edhe në shkallë vendi. Me sa di, zoti Thanas, ti i ke ca lidhje, me të cilat mund të ndikosh që rruga nga Subashi deri në Tërbuq dhe, së shpejti edhe në Labovë të Madhe, të shkojë edhe në Labovë të Vogël. Lidhjet tona janë shumë të lashta. Kemi kaluar së bashku të mira dhe të këqija, gëzime e hidhërime, bashkë i kemi bërë dasmat e dollitë, bashkë i kemi përcjellë të vdekurit për në banesat e fundit, bashkë i kemi bërë edhe krushqitë. Ja, mëma ime, Fotini Sopiqoti, ishte pikërisht nga Labova e Vogël. Edhe mëma, madje edhe gjyshja e këtyre djemve, ishin nga Tërbuqi dhe u martuan në Labovë.  Gjithashtu edhe e ëma e Dhimo Hilës, Maro Stavri, e Labovës së Vogël u martua në Tërbuq, edhe e ëma e Illo Fotos, Polite Gjergji, që u martua me Kiço Foton, edhe kushërira e saj, Lenua, që u martua me Thanas Dedin, edhe e ëma e Sotir Vardhamit, Polite Jaraku, martuar me Vangjel Vardhamin nga Tërbuqi, e ëma e Llazo e Kostandin Lelit, Mathia, martuar me Pilo Lelin në Tërbuq, për të ardhur pastaj deri tek Zone Çoko e Zone Llogo, që janë martuar me Foto e Jani Xhavarrën në Labovën e Vogël dhe Tote Pulerin e Athina Çokon dhe ndonjë tjetër që mund ta kem harruar, që ishin nga Tërbuqi dhe u martuan në Labovë të Madhe. Do të ishte një mrekulli që kjo traditë të përsëritej e t’i rezistonte kohës, por tani jetojmë realitete të tjera dhe gjërat sa venë e bëhen më të vështira.

            Dhe tani, faleminderit për të gjitha, o miq, qofshi të lumtur e të bekuar me çfarë t’iu dojë e bardha zemër!

   

 

APOSTOL DUKA.

Të njohim Nermin Vlorën! 

Nga Viktori Gjikondi.

 

Me Nerminin, u njoha në vitin e parë të shkollës së mesme   "Qiriazi",  në Kamëz.  ( godina e Universitetit Bujqësor). Me mbylljen e shkollave të mesme,  jo shtetërore, më1933  dhe me themelimin e Institutit Femëror "Nëna Mbretëreshë",  vazhduam mësimet në këtë shkollë,  profilizuar në degën normale, ku përgatiteshin mësueset e ardhshme për shkollat fillore, si dhe në degën klasike. Nxënësit e kësaj dege kishin të drejtë të vazhdonin studimet e larta në universitetet e ndryshme jashtë shtetit. Ndër katër nxënëset e klasës tonë  që vazhdonin këtë degë ishte edhe Nermini dhe unë. Përveç lëndëve që ndiqnim bashkë me nxënëset e tjera të klasës, kishim të detyruar latinishten, greqishten e lashtë dhe pianon. U afrova e u miqësova me Nerminin se herë pas here i bënim detyrat bashkë.   Kaluan vitet. Morëm dëftesën e pjekurisë dhe u ndamë: Nermini në Tiranë dhe unë në Vlorë, vendbanimi familjar. Nermini jetonte me nënën, Balkizen, tezen, Sarën, vajzën e tezes, Verën, e cila më vonë u martua dhe jetoi në Londër, ku u bë një  piktore e njohur, si dhe me gjyshen, Mevedetin, e cila ishte fëmija e parë ndër dhjetë fëmijët e Ismail Qemalit.

Pas ca kohe Nermini më dërgoi një kartolinë dhe një fotografi, e porsa martuar me Renco Falaskin (Renzo Falaschi). Pastaj heshtje e plotë për 30 vjet. Rreth viteve ‘70 më ra në dorë adresa e shtëpisë së saj në Romë, nga shoqja e jonë e klasës,    Efigjeni Floqi (Aleksi), në atë kohë pedagoge në fakultetin e inxhinierisë të Universitetit të Tiranës. Pas shumë mëdyshjesh,  vendosa t'i shkruaj.

Në përgjigje të letrës, ndër të tjera, më shkruante: "Janë disa çaste kur papritur na vjen para syve , me gjithë realitetin e saj, e kaluara e jetës dhe ne rrojmë jashtë kohe ato të vërteta që dukeshin të mbuluara nga mjegulla e kohës. Për mua letra jote ishte si një diell i fortë që zbuloi papritur të kaluarën dhe unë e jetova me emocionin e viteve të rinisë. Sa herë të kam kujtuar, Viktori, dhe sa herë kam pyetur për ty. Por fati duket se na bashkoi prapë rrugët dhe tashti, së paku idealisht të vazhdojmë miqësinë tonë që, siç duket nga prova e moteve, ka pasur me të vërtetë baza të forta".

E përmenda këtë  paragraf të letrës për të treguar jo vetëm gëzimin që ajo ndien duke u lidhur përsëri me shoqen e viteve të rinisë shkollore, por edhe sepse nëpërmjet këtij letërkëmbimi po krijohej një hallkë një zinxhirin e lidhjeve të saj me Shqipërinë, zinxhir i cili ishte shumë i dobët në ato vite.

Më 1989 Nermini u ftua zyrtarisht, bashkë me bashkëshortin, për të marë pjesë në festimet e 28 Nëntorit. U takuam pas 50 vjet ndarjeje. Emocionet e këtyre çasteve janë të papërshkrueshme.

Pasi u kthye në Romë më shkruante, ndër të tjera: "Ende sot më duket se kam parë ëndërr dhe nuk dua të zgjohem fare, që të vazhdojë sa më gjatë kjo ngrohtësi shpirtërore që vazhdon të ma ushqejë zemrën dhe jetën".

Pas viteve '90 Nermini ka ardhur herë pas here në Shqipëri dhe takimet e bisedat tona të shpeshta vazhduan.  Sa herë që takoja Nerminin, njoha më mirë edhe Rencon, të cilin mund ta përcaktoj me pak fjalë: "Njeri i madh dhe i thjeshtë në madhështinë e tij". Letërkëmbimet vazhdonin.  Në një prej letrave më shkruante: "Kam njohur gjithë botën në udhëtimet e mia me bashkëshortin tim, por asnjë vend nuk ka mundur ta zëvendësojë dashurinë për vendin tim, për popullin shqiptar". Dhe këtë ajo e tregoi me veprën e saj.

 Veprat:

Veprimtaria letrare-filozofike dhe historike-gjuhësore e Nerminit është shumë e gjerë dhe e dëshmuar në shumë shtete të botës.    Më 1967 doli në dritë libri i saj i  parë, "Zotëruesi i kohës", në shqip dhe në italisht dhe më vonë "Udhëkryqi". Ky roman, si dhe romani "Ex"   u vlerësuan me çmimin "Viareggio". Në kohën e masakrave të Milosheviçit kundër Kosovës, botoi vjershën "Mbroni fëmijët e Kosovës". Në çdo vend ku shkeli ajo la  gjurmë. Pas një udhëtimi në Kinë shkroi librin "Përshtypje udhëtimi", i cili tërhoqi vëmendjen e shumë lexuesve, sepse në atë kohë Kina nuk njihej shumë në Perëndim. E ftuar nga NASA për të marr pjesë në lëshimin e Apollo 14-ës, e frymëzuar nga kjo ngjarje madhështore, botoi librin "Nga gjysmëhëna te Hëna", duke bërë aludimin: nga Perandoria Osmane në Kepin Kenedi. Në fillim të viteve '70 përktheu nga anglishtja "Kujtimet" e Ismail Qemalit, dhënë nëpërmjet një interviste dy gazetarëve anglezë.

Në vitin 1973 Rencua u emërua ambasador i Italisë në Uganda.   Nermini  shkroi një libër për Ugandën e viteve 1973-1976 me titull "Lejleku kokë‑artë". Më 1977 Rencua u emërua ambasador në Bogota, Kolumbi.  Aty, ajo filloi të bëjë gjurmime mbi qytetërimin para kolumbian Çibça dhe shkroi  në vargje, veprën:   "Çaste kolumbiane", e cila u prit me interes të veçantë, pasi ishin zbuluar disa gjëra, që edhe vetë kolumbianët nuk i dinin.  Këto fakte m’i ka treguar vetë Nermini, në një letër të asaj kohe. Këtë vepër e përktheu në spanjisht vetë ish-presidenti i Kolumbisë, Dr. Karlos Lleras. Më vonë Nermini botoi një shtesë, mbi të njëjtin argument, këtë herë në prozë, me titull "Konsiderime për qytetërimin Çibça". Për këtë veprimtari, qeveria kolumbiane e nderoi me dekoratën "Oficer i Shën Karlit". Ishte e para grua e një diplomati të huaj që merrte këtë vlerësim.

Punimet  studimore pellazgo-ilire,  të popullit dhe  gjuhës tonë,  janë ato që pasqyrohen në një punë të thelluar disa vjeçare,  duke nisur nga Mesdheu Lindor (ishulli Lemnos) deri  në oqeanin Atlantik, Portugali. Ajo ju referohet shkrimtarëve e historianëve të lashtësisë e sidomos  Homerit,  që shkruan "Pellazgët ishin një popull autokton që banonte në tokat pjellore të Larisës, Argosit dhe Kretës"; Po kështu edhe Herodotit, që shkruan,  se grekët mësuan nga pellazgët artin e punimit të bronzit, të themelimit të qyteteve dhe fortifikimeve. Edhe sot muret e ngritura me blloqe të mëdha gurësh quhen mure pellazgjike. Për sa i përket shkrimit,  Plini plak konfirmon se germat e alfabetit i sollën në Itali pellazgët. Lidhur me këto studime,  Nermini shkroi disa vepra, si: "Pellazgët, Ilirët, Shqiptarët", "Etruskishtja, gjuhë e gjallë", "Lashtësia e gjuhës shqipe", "Shqipja – çelësi i gjuhëve", "Paleografia", "Pellazgët – gjurmë etruske në paleografinë Euro-Mesdhetare", "Gjuha pellazgjike – ilirishtja mesdhetare", "Trashëgimia linguistike dhe gjenetike", "Idioma pellazgjike në Europën Mesdhetare", "Iliria dhe idioma etruske"etj. Për këto studime Nermini mbajti shumë ligjërata në vende të ndryshme të botës, si në Boston,   Prishtinë,  Romë,  Spoleto, Termo, Siena dhe  Firence..

Senati akademik "Medicea" në Firence i dha titullin "Senatore akademike". E ftuar në Universitetin e Taksonit, ShBA, është nderuar me titullin "Honoris causa". Gjithashtu ka shkruar, himnin e shkollës së mesme italiane "Leonardo da Vinçi".  Për mirënjohje shkolla i dha një medalje argjendi me autoportretin e Da Vinçit

Veprat e Nerminit, letrare, filozofike dhe studimore, bashkë me ligjëratat,  e kalojnë shifrën 50. Dymbëdhjetë nga veprat e saj me karakter shkencor ruhen në bibliotekën "Vedovato" të këshillit të Evropës në Strasburg. Në qershor të vitit 2000 Nermini themeloi në Romë,  Akademinë kulturore "Iliria", ku kanë ligjëruar herëpashere studiues të shquar, gjuhëtarë, historianë e arkeologë   nga vendi ynë, si dhe të huaj. Nermini është vlerësuar me çmime e urdhëra të ndryshme, përfshirë edhe urdhrin "Naim Frashëri" të klasit të parë dhe titullin "Ambasadore e kombit", dhënë nga Shqipëria.

Jetëshkrimi i Nerminit është botuar edhe në librin e intelektualëve "Who is Who of Intellectuals" më 1978 në Angli.

 Shuhet çifti Falaski. 

Më 8 Tetor 2004 vdiq më Romë Rencua. Sipas amanetit, ai u varros në Kaninë të Vlorës. Robertua, i biri,  tha  këto fjalë para varrit të tij: "Kur isha i vogël më mbante babai në duar. Sot unë po mbaj këtë vazo me hirin e trupit të tij pa jetë". Nermini kohët e fundit nuk ishte mirë më shëndet. Pas vdekjes së Rencos e mori i biri në San Salvador, ku ishte ambasador i Italisë. Mbylli sytë në 28 Nëntor të atij viti, dyzet ditë pas të shoqit, në ditën e festës kombëtare të popullit shqiptar, kur stërgjyshi i saj kishte ngritur flamurin në Vlorë. Sipas amanetit të saj edhe ajo u varros në Kaninë, pranë Rencos, duke mbetur kështu të pandarë, si në jetë, ashtu edhe përtej saj.

  

Viktori Gjikondi

 

  

  

  

 

 

  

TIM ETI.

Kushtuar Dhimitër Dhimës.

Merita Dhima.

   

          Me shkëlqimin e thinjave në ballë, ai ecte shtruar nëpër rrugët e qytetit, ngadalë, të mos zgjonte trumcakët. Shpirti i ndjeshëm, s’ fliste. Në qetësinë e ditëve që shkonin e vinin, ai jepte përshëndetjet e mëngjeseve,  darkave e mbrëmjeve. Shakatë e bënin të qeshte si fëmijë; mërzitjet i shkaktonin dëshpërimin e pa thënë. Lumturia më e madhe e tij, ishte ajo, mbeska,  me puthjet e saj që i ripërtërinte   moshën.

     Ai qëndronte larg së keqes, me  buzëqeshje indiferente. Grindjet, çjerrjet... Ah ato çaste shpirti i tij trazohej si dallgët e detit dhe atëherë ai, shkonte diku të shkumëzohej me to, larg të tjerëve. Dhe kështu askush nuk e dëgjonte. Unë ndjeja tallazet  brenda tij.

       Ja vjen një ditë dhe shpirtin paqësor e merr parajsa dhe gjethet vjeshtore bien mbi mermer dhe trazohen me lulet e tij të dashura, ndërsa shirat heqin pluhurin e ditëve në paqe. Po zogjtë? Ata ulen  e ndalojnë  pak çaste, në heshtje   dhe largohen me cicërimat e tyre.

    Po të tjerët? Ata e deshën, e puthën, e dashuruan, jetuan dhe në fund e panë të ikte për të mos ndjerë më ato hapa të avashëm, atë shpirt,  madhështinë e të cilit s’e kuptuan dot kurrë.

Askush? Jo. Ju betohem vetëm unë.

 

                                                                              20 Janar 1996.

  

THOMA NOTI MBETET MIDIS NESH.

 

Gjashtë muaj, që nuk është më Thomai,

Që e deshëm dhe na desh aq shumë,

Ai iku në një ditë maji,

Sikur ra në më të thellin gjumë.

 

Ah, Thoma, të qe kjo e vërtetë,

Ai do ngrihej e do buzëqeshte,

Por ja që kurrë s’ndodh në këtë jetë

Ajo që secili do ta deshte.

 

Kështu e paska jeta, miku im;

Në të, ne jemi vetëm mysafirë,

Pastaj ikim në rrugën pa kthim,

Duke lënë pas emrin e mirë.

 

Po unë, ende s’di pse të kam pranë

Dhe të flas e të takoj çdo ditë,

Dhe të them: “Ç’u gdhive, babaxhan?...”,

Dhe gëzohem kur të ndrisin sytë.

 

Dhe zhytem çdo ditë në kujtime,

Ku ti nuk ndahesh kurrë, jetë e mot

Dhe qan e psherëtin kjo zemra ime,

Që ndër të gjallët nuk të kemi sot.

 

Po ti, çdo gjë të bukur e le pas,

Ndaj të kemi edhe sot në ballë,

Ashtu fjalë ëmbël, buzagaz,

Ashtu fisnik, njeri e burrë i rrallë.

  

                                ODHISE PORODINI.

 

22.12.2009.

     PESË VJET PA QIRKON. 

   - Vaje

 

            Ah, o Zot, o Zot i rremë, pse na i more vëllain pa i mbushur ende të gjashtëdhjetat?!... O vëlla, o vëllai i mirë i motrës, si nuk të erdhi keq që i le shkretë gruan dhe të shtatë fëmijët e tu, motrat dhe vëllain, që nuk i gëzove ashtu siç kishe dëshirë, ashtu siç e mendoje dhe e meritoje...

            O baba e o vëlla, të kërkojnë gjithë njerëzia, ke pesë vjet që ke ikur nga shtëpia dhe rri i vetëm në atë tokën sterrë të zezë, kush të lan e kush të ndërron, pa parë diell me sy, veç shi e borë të ftohtë, si atëherë kur ishe në male, po atje malli për njerëzinë të mbante gjallë e të jepte fuqi.

            O shpirt i motrës! Ti linde në atë prillin e vështirë të dyzetekatrës, në familjen dhe në fisin tonë, që ishin lidhur si mishi me kockën me lëvizjen çlirimtare. Katër vetë nga Qirjazajt e Hundëkuqit kishin rrëmbyer armët për lirinë; një në male dhe tre të tjerë të gatshëm për të zënë llogoren e tyre në çdo moment. Dhe ata e treguan me vepra se çfarë ishin të gatshëm të bënin për t’u çliruar njëherë e mirë nga varfëria, mjerimi dhe robëria, se sa shumë e donin lirinë dhe tokën e tyre.  Urania, gruaja trime e xhaxha Tases, teksa çonte ndihma në mal, u kap befas nga armiqtë e tradhtarët e vendit dhe nuk pipëtiu e nuk nxori asnjë nga sekretet e luftës, por bëri sakrificën më sublime, duke lënë mbrapa pesë jetimë, në këmbim të asaj që i kërkoi atdheu në ato çaste. Ajo u bë Shotë e Norë, suljote e sopotare, Margaritë, Bule e Persefoni, Zonja Çurre e Hibe Palikuqi dhe prapë mbeti Urania burrëreshë, Urania jonë e dashur dhe e paharruar, e rrallë dhe e pakrahasueshme në jetën dhe në vdekjen e saj heroike...

            Ja, në këtë mjedis atdhetarësh dhe me këtë frymë u rrite ti, Qirkua im i shtrenjtë, në gjirin e ngrohtë të familjes, megjithëse shumë gjëra na mungonin në ato kohë të vështira. Duke u rritur shpejt, mësove çdo gjë dhe ëndrrat e shpresat e tua u forcuan si dielli i lirisë. Ato të dhanë jetë e shëndet dhe punove për shtëpinë që në moshë të njomë. U rrite e u bëre i mbarë dhe zgjodhe shoqërinë. Martesa të burrëroi dhe të njohu edhe më mirë me njerëzinë, krijove çerdhen tënde të re, me nusen dhe me mëmën e babanë pranë, i vure shpatullat shtëpisë e familjes dhe linde plot shtatë fëmijë të mrekullueshëm.

            Qirko, o vëlla, u rrite edhe në krahët e mi të njoma. Të mbështolla kudo me aq dashurinë si motra vëllain, ta ndjeva frymën tënde të ngrohtë e të pastër, që të mbështillnin ngado si kurora e një engjëlli, t’i dëgjova rrahjet e zemrës dhe, ndonëse e mitur edhe unë, e kuptova qysh atëherë se në derën tonë po rritej një filiz i mbarë, me një dashuri të madhe për njerëzit dhe me një bukuri e pastërti të rrallë shpirtërore. Edhe sot i kam para syve atë trupin tënd të vogël dhe duart e njoma, me atë ndjenjën e madhe të dashurisë  që të zbukuronte fytyrën dhe të bënte aq të afërt me të gjithë. Ja, me atë ndjenjë njerëzore, na deshe shumë dhe na rrethove të gjithëve, prindërit, motrat, vëllain, nusen dhe shtatë vajzat e tua të bukura si shtatë yje. Shtëpia jote ishte plot në çdo çast, se edhe ti plot e kishe zemrën. Dhe jeta ta shpërbleu siç dëshiroje, o vëllai i motrës. Të shtatë vajzat, i martove e i gëzove dhe pate lumturinë që ato nuk të turpëruan, po vetëm të nderuan. Ato krijuan vatrat e tyre familjare, lindën fëmijë, por edhe sot që janë nëna, edukatën dhe frymën tënde e mbajnë gjallë dhe nuk e heqin nga mendja, ashtu siç bëre edhe ti me prindërit e zemrës tënde...

            Sëmundja e rëndë të ndau nga jeta, që e kishe ndërtuar me aq mundime me ato duart e tua të palodhura dhe prisje prej saj aq shumë. Prisje të rriteshin nipat e mbesat dhe të të thoshin me dashuri: “Gjysh, o gjysh!...”, prisje të tjera gëzime dhe thurje ëndrra për të ardhmen.

            Po ti, vëllai im i paharruar, fli i qetë, se fëmijët, motrat e vëllai të kanë të parin e trapezit, të kanë të gjallë ndër të gjallët dhe nuk të ndajnë për asnjë çast nga kujtesa, me atë buzëqeshjen tënde, me këngët e vallet e bukura, që të kishin aq lezet.

            Kur na merr malli shumë, vijmë para varrit. Qëndrojmë për disa çaste në heshtje, shohim mermerin dhe fotografinë dhe sytë na mbushen me lot. Të flasim, po ti s’na flet me gojë, veçse unë e di që ti, o i miri i motrës, të gjitha me buzëqeshje i numëron. Të gjithë të puthim, ndezim qirinjtë, tufat me lule te koka t’i vëmë.

            Qirko, vëllai ynë, shpirti i zemrës! Me ty në gojë, gruaja e fëmijët do të qëndrojnë afër e nuk do të harrojnë kurrë. Të kanë të gjitha në zemër, të shohin çdo çast jo thjesht në atë fotografinë e madhe që rri si një ikonë e shenjtë në krye të dhomës, por në atë pasqyrën e zemrave të tyre, ku ti je i  pavdekshëm.

            Qofsh i paharruar!

 

       Motra jote, ARIKLI QIRJAZI.

 U LARGUA EDHE PANO PULERI. 

Nga Kostandin Jorgo.

 

            Ditë më parë, banorët e Leklit, përcollën për në banesën e fundit, Pano Pulerin, familja njeriun më të dashur, bashkëfshatarët e larguar, njeriun më të afërm, shëkët, mikun më të mirë. Largimi i Panos, na befasoi vërtet, sepse mosha e tij ishte akoma e re, sepse edhe pse i sëmurë rëndë, asnjëherë nuk nuk u besua, që do të largohej kaq shpejt nga ne. Ai e donte shumë jetën dhe sidomos Lekëlin. Shumë biseda bënte, shumë mendime kishte, shumë dëshira do të plotësonte, gjithmonë për Leklëlin, të cilat i pamë e i dëgjuam, disa javë më parë, në emisionin “Rrugëtim”,  në “TopCenell”, për Thanas Vajën dhe Lekëlin,  duke na lënë një kujtim të bukur, sa herë do ta shikojmë në DVD, ashtu të ulur mbi rrënjët e rrapit shekullur të sheshit të Çikurit.

            Panua, së bashku me Nondën, si shtëpi e parë në hyrje të lagjeve të Lekëlit dhe pranë rrugë, me bujarinë e lekëlotit dhe dëshirën e madhe për të nderuar edhe banorët e tjerë të lekëlit, në dy vitet e fundit, priti dhe përcolli disa grupe lekëlotësh, të larguar dekada më parë nga fshati, si dhe arkeologësh, restauratorësh, gazetarësh, udhëtarësh, të cilëve që iu gjend, jo vetëm si zot shtëpie, por edhe si intelektual lekëlot.

            Ai me diplomën e zooteknikut të lartë, munda ta braktiste Lekëlin, duke punuar e jetuar më mirë në qytetet e vendit, apo në emigracion, por ai nuk e dëshiroi asnjëherë këtë pozicion dhe nuk e ndërroi fshatin e lindjes, me asgjë tjetër në këtë botë.

            Me shumë dhimbje dhe sinqeritet, i drejtohemi Nondës, vajzës, Athina, djemve: Elton dhe Alvaro, si dhe nipit të vogël, Llazar edhe pse Panon, nuk do ta kemi pranë fizikisht, do ta kujtojmë dhe respektojmë, sa herë që do të ndjejmë largësinë e tij. Panua u largua, gati dy vjet më pas Sokratit, vjershëtorit dhe bilbilit të Leklit.

      JETOI DHE U LARGUA PA BUJË.    U nda nga jeta Aristotel Prifti. 

Më 2 dhjetor 2009, u largua përjetësisht nga ne, prej një sëmundjeje të pa shërueshme, Aristotel Prifti, i biri i Nanes dhe Çevi Koletes, nga Labova.  Largimi qiellor i tij, ishte i dhimbshëm dhe i trishtueshëm, pasi ndodhi kur ai ishte ende  i ri, vetëm 56 vjeç, duke ia këputur në mes ëndrrat dhe dëshirat që kishte për këtë jetë. Një nga pasionet e tij më të mëdha, ishte Labova. Ai krenohej për origjinën e fshatit të tij dhe e kujtonte atë  shpesh dhe shkonte atje, sa herë që i jepej mundësia.  Ai nuk ka munguar pa vajtur në Labovë, në në asnjë rast të ngjarjeve  madhore të fisit apo fshatit të tij, si në gëzime dhe hidhërime. Shoqëria, do të ruaj për të mbresat më të mira, si njeri i pa përtuar, i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij, sa herë që ajo nevojitej, i qetë dhe i urtë. Për Telin, siç e thërrisnin shkurt, të njohurit dhe miqtë e tij, një mekanik motorist duar artë, vitet e tranzicionit, nuk qenë shumë dashamirëse, por ai diti ta përballonte jetën me sakrifica edhe pse nuk krijoi dot familje. Edhe ditët e fundit të jetës, duke mos e përfillur sëmundjen, thurte ëndrra, për një punësim të shpejtë dhe martesë.

            Teli, jetoi e u largua pa zhurmë dhe pa bujë. Ai u përcoll me dhimbje dhe keqardhje nga të afërmit, bashkëfshatarët, shokët dhe miqtë, për tu prehur i qetë në varrezat e Sharrës, pranë e pranë me Nanen dhe Çevinë.

  Kostandin Thanasi

             

  

HISTORI PERSONALITETESH TĖ RRĖZĖS

 

Ç’U KËPUT NJË YLL E RA... 

 Pjesë nga libri “Unë, Oresti i vërtetë”

    -Më thuaj diçka për Sevo Cikon, të lutem. Cila është lidhja juaj me të, çfarë e kishte atë gjyshi yt? 

            Oresti: - Ndoshta djalë xhaxhai. Babai im thoshte se ata kanë qenë katër vëllezër, Sevua, Golia, ndërsa dy të tjerëve nuk jua mbaj mend emrat. Të thashë se Golia jetoi deri vonë në Hundëkuq. U shurdhua, u qorreps, po nga mendja e logjika ishte qiqër. Thonë se, kur u vra Sevua, ai ka qenë ngjitur me të.

             - E di ti se si u vra Sevua?  

            Oresti: - Nuk e kam të dhënë të saktë, por tregonin se vrasja ka qenë një organizim i shëmtuar i shtetit grek me vllejtë. Ata e kanë vrarë, diku në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë së sotme. Në ato vende vepronte Sevua më së shumti, atje bëri luftë, kreu misione të fuqishme dhe pati shumë sukses. Thonë se arriti të çlironte nga haremi ose nga sarajet e Sulltanit deri edhe gruan e një konsulli të përmendur rus. Thonë se rusja ra në dashuri me një pasha të bukur turk dhe ai nuk e futi në harem, por e mori atë për grua. Rusia, nga ana e  saj, i kërkoi grekut ta ndihmonte për ta kthyer përsëri gruan e ambasadorit në shtëpinë e saj. Dhe nga Greqia erdhi lajmi se duhej gjetur patjetër Sevo Cikua, pasi vetëm ai mund t’i delte në krye kësaj pune.

Në Stamboll, Sevua kishte xhaxhain e tij, ose vëllain e gjyshes nga ana e mëmës, që quhej Naqo ose Niko Stamo dhe punonte atje si bahçevan. Sevua ndenji gjatë në shtëpinë e Naqos dhe bëri planet se si do ta hidhte prapë në dorë Marien,  rusen e bukur. Mori me qira një anije ose varkë, i vuri flamurin turk dhe e la të priste tek këmba e urës së famshme të Bosforit. Pastaj doli në udhë dhe priti sa të vinte karroca e pashait të ri e të famshëm, që e çonte çdo ditë nusen e tij të re në Kishën e Shën Sofisë. Sevua kishte edhe shokë me vete. Sapo karroca u shfaq në krye të Urës së Gallatës, ata qëlluan pandërprerë në këmbët e kuajve. Kuajve iu prenë këmbët, karroca ra përtokë. Sevua nuk i ngau fare shoqëruesit e gruas, iu tha atyre të tregonin në saraj se rusja ishte kthyer përsëri tek i zoti, e rrëmbeu gruan dhe e çoi me shpejtësi tek varka. Aty, e veshi me rroba karakteristike shqiptare ose greke, ndërsa për vete u vesh me rrobat e turkeshës - ruse dhe mori një rrugë tjetër, në mënyrë që shoku i tij dhe rusja të kishin sa më shumë kohë në dispozicion për t’u larguar. Ai shkoi  pranë një manastiri, ku kishte lënë disa njerëz dhe një gomar për ta ruajtur, zhveshi rrobat grarishte, u vesh si prift ose kallogjer manastiri, ia hipi gomarit dhe kaloi mes përmes ushtarëve e policëve turq, që e kishin rrethuar vendin nga të gjitha anët, për t’i shtënë përsëri në dorë rusen dhe rrëmbyesit e saj. Ata as që dyshuan fare, e lanë priftin të kalonte bashkë me shoqëruesit e tij dhe kështu ai shkoi qetë-qetë në shtëpinë e Naqos, veshi rrobat e tij dhe u kthye prapë në Greqi.  

Dhe prandaj në këngën e tij është ai vargu: “...Mes përmes çave Stambollë...”, prandaj në këngë Sevua krahasohet me sorkadhin, sepse ai ka qenë një burrë i gjatë dhe i bukur, më i bukur se çdo grua që mund të fshihej nën atë kostumin grek me të cilin iu vodh Sevua rrethimit. Por grekët nuk u gëzuan nga kjo, ata i ngritën kurth dhe bënë atë që bënë...

Kur Sevua u kthye nga Turqia në Greqi, ai kërkoi shpërblimin e premtuar. Bëhej fjalë për shumë para, të cilat Greqia nuk ishte e gatshme t’i paguante dhe ia kërkoi ato Turqisë, ose ndoshta edhe Rusisë, se Sevo Cikua në interes të tyre kishte vepruar, domethënë Rusisë i kishte  kthyer mirë e shëndoshë gruan e konsullit, ndërsa Turqinë e shpëtoi nga telashet që lindin natyrshëm në raste të tilla rrëmbimesh. Përfundimisht, pagoi Turqia, por në atë kohë ajo kishte ndërruar kartmonedhën e saj, domethënë kishte prerë para të reja. Sevua nuk i njihte, nuk ishte mësuar me ato para, mendoi se ia kishin bërë me hile dhe i gjithë mundimi i shkoi kot. Pa e zgjatur shumë, ato para ua dha Dhimajve të Labovës së Vogël, të cilët deri atëherë ishin njerëz e punëtorë të zakonshëm, pa ndonjë irat e pasuri të madhe, por shumë shpejt u bënë milionerë të mëdhenj. Me paratë e Sevo Cikos u bënë, por kurrë nuk e pranuan këtë fakt.

Pas rrëmbimit të dyfishtë të ruses së bukur, Sevua mori famë të madhe dhe, me autoritetin e tij, u bë sa i rrezikshëm, aq edhe i bezdisshëm për arhondët grekë, të cilët, në bashkëpunim me çelnikët vllej, bënë plane për ta vrarë. Dhe e vranë, dihet ajo, se pritës mund t’i shpëtosh një herë, ja edhe dy ose tri herë, por jo kurdoherë.

 - Është e vërtetë se Sevua ka bërë edhe krime në disa fshatra greke? 

Oresti: - Nuk e besoj dhe për këtë kam një argument të fortë: Në vitet e para të çlirimit, kur isha në Gjirokastër, bëra shumë përpjekje që edhe Sevo Cikua të përfshihej ndër rilindësit tanë, të përmendej si atdhetar ose fundja si një kristian i devotshëm, që kishte bërë gjëra të mira për Shqipërinë. Takova disa historianë të njohur, shkova disa herë në Komitetin e Partisë dhe në institucionet e tjera, ku kisha shumë miq e të njohur, të cilët, në kushte të tjera dhe për punë e halle të tjera, nuk do të ma kursenin ndihmën, por kësaj here kërkesa ime nuk u pranua.

 - Po përse ndodhi kështu? 

Oresti: - Më thanë shkurt se Sevo Cikua ishte filogrek, njëlloj si Vangjel e Kostandin Zhapa dhe e gjithë veprimtaria e tij kishte shkuar në favor të Greqisë. Veç parave që ua dha me aq lehtësi Dhimajve, ai duhet të ketë pasur me siguri edhe para e pasuri të tjera, por edhe ato i mbetën Greqisë. Pra, kur ti vepron në interes të një shteti, kur edhe jetën e vë çdo çast në rrezik për t’i shërbyer atij deri në fund, si mund t’i bësh keq popullit të tij?!... Sigurisht, ato fjalët sikur Sevua gjoja ka vrarë e ka prerë nëpër fshatrat greke, deri edhe ka pjekur në furrë fëmijë, gra e të moshuar, janë sajime të mendjeve të çoroditura, në të cilat ziente urrejtja ndëretnike, sidomos pas ndërprerjes të çdo lloj marrëdhënieje midis dy shteteve e popujve që ndoshta kanë të njëjtën origjinë.     

 - Është interesante, Orest, por unë sot po e dëgjoj për herë të parë se kapedan Sevua, ose kapedan Sava, siç i thoshin, qenka vrarë në Greqi. E kam parafytyruar gjithnjë si një komit të zakonshëm, në krye të një çete komitësh apo hajdutësh, që herë vidhnin këtu, herë bënin një të mirë atje më tej dhe kështu iu shkonte jeta. Domethënë, një tip si Mero Lamçia, pak a shumë, por ndoshta më shpirtmirë dhe më të kultivuar. Këtë imazh ma kanë ngulitur ndoshta edhe tregimet e shumta të pleqve të fshatit për kapedan Savën, sidomos ajo që thoshte xha Llukani, - për Llukan Qirjazin e kam fjalën, djalin e hallë Maros, - për çastet e fundit të Sevos... 

Oresti: - E çfarë thoshte Llukani?

 - Sigurisht, Llukan Qirjazi tregonte atë që i kishte thënë Gole Cikua, i cili në atë kohë, ishte ende gjallë. Ai fliste për një natë gati fantazmagorike, heshtja e së cilës prishej nga troku i nxituar i kuajve dhe nga sokëllimat e kalorësve, që ngjanin me atë pamjen e tyre të egërsuar, me flokët e gjata dhe mjekrat e mustaqet e tyre të mëdha si xhinde të errësirës. Për një dash të lidhur pas kalit të kalorësit të parë dhe që komitët e mbanin me vete sepse ai e ndjente pritën më shumë se çdo gjallesë tjetër. Për faktin se diku dashi nguli dy këmbët e para dhe nuk donte të ecte më tej dhe pastaj për një zënkë të egër mes dy vëllezërve, Sevos e Goles. Golia kishte zbritur nga kali dhe e kishte kapur kalin e Sevos për frerësh dhe i thoshte vëllait të madh se nuk duhej të shkonin më tutje, sepse blegërimat e dashit tregonin që pak më tej ishte pusia, se ai mund të kalonte vetëm mbi trupin e tij të vdekur, ndërsa Sevua thoshte se do të shkonte patjetër drejt vendit për ku ishin nisur, qoftë edhe duke kaluar mbi trupin e të vëllait, të cilin do ta vriste me dorën e tij frikacak, nëse ai ngulte këmbë për ta penguar. Pastaj, nëpër terr vetëtiu presa e një jatagani, që Sevua e nxori me shpejtësi nga milli dhe zgjati krahun drejt vëllait të vogël. Dhe, vetëm në çastet e fundit, krahu dhe zemra e kapedanit u drodhën e u zbutën dhe në fytyrën e Goles nuk goditi presa e jataganit, por faqja e tij. Një vrajë e gjatë u vulos përjetësisht në fytyrën e Goles, e cila u mbulua nga gjaku. Ai i lëshoi frerët e kalit dhe Sevua doli në ballë të çetës dhe vazhdoi rrugën me kokëfortësi. Dhe, kur kishte bërë veçse disa metra rrugë, nata u mbush me krisma, dhe gjerdanët e varur kryq e tërthor në kraharorin e gjerë të Sevos morën flakë e shpërthyen në çast, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Kështu ka qenë fundi i Sevos, tregonte xha Llukani, duke kënduar “Ç’u këput një yll e ra!...” me atë zërin e tij si bubullimë. Dhe atë shenjën e jataganit Golia e ka në fytyrë edhe sot, vazhdonte ai me bindje. Ai thoshte se Sevua me gjithë çetën e tij ishin  duke ngrënë e duke pirë për shtatë palë qejfe në njërën nga bazat e tyre, kur aty nga mesnata kapedanit i hipi xanxa dhe sokëlliti:- Ngrehuni, mjaft hëngrëm e pimë! Tani është koha të bëjmë pre...- Dale njëherë, - i tha Golia me shqetësim, - nata është e pabesë, ti e di që të janë vënë pas dhe kërkojnë kokën tënde... Përse sonte, përse tani?!... Nesër, nesër...- Se kështu dua unë, tani, në këtë çast! Mos të pyeta ty se kur duhet të nisemi?!... Që kur ma ke zënë vendin dhe qenke bërë kapedan, more Gole vëllai?... Hajde, bëni gati kuajt e dashin dhe të nisemi, se s’na gjen gjë...Dhe u nisën, sepse kur engjëlli i vdekjes të troket në portë ose të flet në vesh, çfarë është nisur do të soset deri në fund. Këtë tregim e kam dëgjuar në shtëpinë e xha Sevos, në Labovë të Madhe dhe nuk do ta harroj gjer në frymën e fundit. Dhe nuk e di se përse kisha krijuar idenë që Sevua ishte vrarë diku aty pranë Hundëkuqit, pranë shtëpisë së tij, ndoshta në Hijen e Zezë, ose në Çorrolëng. 

Oresti: - Tani, unë e kam pasur njeri shumë të afërt Golen, kam folur me të me qindra herë, siç flas tani me ty dhe ai nuk kishte ndonjë shenjë në faqe. E dyta, unë jam edhe pak biolog dhe këto historitë me desh, cjepër e dhi që na e ndjekan rrezikun, janë përralla me mbret dhe, po t’i shkruash, të venë teneqenë. Ja, po të pyes: Përse Golia ia ka treguar me aq shumë hollësi  atë histori Llukanit  dhe jo ndonjë tjetri? Përse jo mua, që më kishte edhe më të afërt, njeri të gjakut të tij?... Me përjashtim të qenit (por qeni leh dhe mund t’i zbulojë të zotët, kur ata duan të udhëtojnë në fshehtësi), asnjë kafshë nuk e ndjen rrezikun sa kali. Që këtu, kuptohet që historia e Llukanit  është gjysmake, pjellë e fantazisë së tij. Jo, jo, në Greqi e kanë vrarë Sevon. Po edhe atje, pranë shtëpisë së tij të parë e ka dhënë frymën e fundit, në vendlindje, se fundja Cikajt nuk kishin shumë kohë që ishin larguar prej andej. E vërteta është se vdekja e tij sikur u preu krahët vëllezërve të tjerë, sepse mëria dhe zilia e vendasve dhe bejlerëve e agallarëve të Gjirokastrës u shtuan së tepërmi. Për ta zbutur sadopak goditjen e mundshme, ata vendosën të shpërndaheshin. Njëri shkoi në Lekël, tjetri në Labovën e madhe, tjetri në Labovën e Vogël, një tjetër diku në fshatrat e Lunxhërisë, ndërsa Golia dhe gjyshi i Kozmait nuk luajtën nga Hundëkuqi dhe pasardhësit e tyre jetojnë atje edhe sot.

  

                                   DJALI I KODRËS,    PUSHTOI ZEMRAT E ARGJENTINASVE

Sipas  librit “Atje larg, në fund të botës”,   Pirro Andonit

  

            Në një mbrëmje të vonë, një telefonatë më zgjoi nga gjumi. Ishte zëri i një bashkëkombësi.  Dallohej nga theksi dhe nga përzierja që u bënte fjalëve herë pas here. U prezantua në emër të dy personave, të vetes së tij, Llazo Koçi dhe të mikut, me të cilin ishte bashkë atë mbrëmje, guvernatorit të La Riojas, Carlos Saul Manem, i cili pas një viti do të zgjidhej president i Argjentinës.

 

            Xha Llazua, siç i flisnin shumë atdhetarë, ishte vendosur në Buenos Aires, në fillim të viteve 30. Aty kishte krijuar familjen duke u martuar me një grua argjentinase, me    të cilën kishte dy fëmijë. Dallohej nga shumë shqiptarë të tjerë e ishte në gjendje më të mirë ekonomike, kishte një rreth të gjerë miqsh në sferat e larta të qeverisë, në qarqet sportive të vendit dhe jashtë tij. Këto i kishte arritur nëpërmjet aftësive dhe karakterit të fortë të shqiptarit.

 

            Duke marrë për bazë përgatitjen fizike dhe karakterin e fortë, ai ishte zgjedhur si trajneri i boksierit me famë botërore, Pasqual Perez. Fama e këtij boksieri, e bëri të njohur edhe ekipin që punonte me të, në veçanti xha Llazon. Kjo ndikoi dhe në ekonominë familjare, sepse një punë e tillë i siguronte të ardhura të mira. Kështu që Llazo Koçi ishte midis shqiptarëve në gjendjen më të mirë ekonomike. Puna e kishte miqësuar me shumë figura politike të Argjentinës, midis të cilëve edhe me ish-presidentin e vendit, Carlos Saul Menem. Me këtë të fundit ai ishte mik i ngushtë. Siç më tregonte vetë xha Llazua, Menem kishte qejf të dëgjonte për historinë e Shqipërisë, për jetën e zakonet e popullit shqiptar, për situatën aktuale etj. Origjina siriane e Menem, e afronte shumë me vendin tonë dhe shtonte interesin e tij për Shqipërinë, sidomos për të kaluarën nën pushtimin osman.

 

            Atë mbrëmje, kur më telefonoi, ishte së bashku me Carlos Saul Menem. Pas bisedës, shakave dhe humorit të cilat xha Llazos i pëlqenin, erdhi edhe ftesa për të shkuar për vizitë në La Rioja, ku më prisnin për të kaluar bashkë fundjavën. Pas kësaj dite, miqësia ime me këta dy burra u forcua.

 

            Shpesh bisedonim për gjendjen në Shqipëri dhe xha Llazua, të cilit i kujtohej koha e fëmijërisë, varfëria dhe uria, tregonte njëfarë skepticizmi ndaj asaj që paraqisnim ne si model të një shoqërie ku të gjithë njerëzit jetonin mirë dhe shpesh u shmangej bisedave politike. Edhe propozimeve të bëra nga unë dhe paraardhësit e mi, për një vizitë në Shqipëri, ai nuk iu përgjigj pozitivisht. Asnjëherë nuk tha jo, me gojën plot, por as nuk pohoi, se kishte dëshirë të vizitonte vendin e të parëve të tij.

 

            I vendosur në Buenos Aires, bashkë më shumë shqiptarë të tjerë në vitet e krizave të mëdha të viteve 30 të shekullit të kaluar, ai u shmangej bashkatdhetarëve të tij.

 

            Rrallë, shumë rrallë merrte pjesë në veprimtaritë e shoqërisë politike “Skënderbeu”. Zëri i tij në të tilla takime nuk dëgjohej kurrë dhe ishte një kontrast i vërtetë për ne që e njihnim karakterin e tij impulsiv, polemik, kurajoz dhe guximtar,  kur vërenim se në të tilla raste ai nuk ngrihej të thoshte ndonjë fjalë, por në punë të tjera dhe nevojat që i paraqiteshin përfaqësisë, si në vitet e para të saj dhe më vonë, xha Llazo ishte i papërtueshëm. Në vitet e vështira të diktaturës i vetmi që dilte përpara gjërave me kurajo dhe u hapte rrugë shumë veprimtarive të Përfaqësisë në Argjentinë, ishte Xha Llazo. Ai njihte Levingstonin dhe Videlen, ishte mik i presidentit Peron, i kryetarit të partisë më të madhe të djathtë, Alsogaray dhe i shumë personaliteteve të tjerë të vendit. Këtë pozitë të respektuar ia kishte dhënë puna e tij. Duke qenë pranë boksierit të famshëm Pasqual Perez, Llazo Koçi tregoi karakterin e tij të fortë, besimin, shpirtin e sakrificës, optimizmin, të cilat shoqëroheshin me retorikën dhe fjalën e ngrohtë, jo vetëm në marrëdhëniet me boksierin, por edhe me publikun. Shpesh, “El Albanes” dëgjohej të thoshte se fitorja ishte e sigurt, se kampioni ishte i pamposhtur dhe këto fjalë vërtetoheshin duke festuar së bashku me mijëra tifozë vendas fitoret e Pasqual Perez. Në këto festa të mëdha, bashkë më Pasqual Perez ai zuri vendin e nderuar në shoqërinë sportive dhe në opinionin shoqëror të vendit.

 

            Llazo Koçi ishte një familjar shembullor. Fëmijët e tij ishin pasardhës të babait të tyre, duke u rreshtuar në radhët e partisë peroniste. Ai kujdesej për ta, polemizonte për problemet e kohës, urrente diktaturat. Ai tregohej i matur në qëndrime, me vështirësi merrte pozicion, sidomos për problem që nuk i njihte, ashtu si në rastet e tjera ishte i përmbajtur kur sulmonte të keqen, regresiven, të cilat  në disa raste i konkretizonte dhe me gjendjen e disa prej bashkëkombësve të tij.

 

            E kisha si detyrim shoqëro, një kërkesë të një kolegut tim, Piro Koçi, që ta bindja xhaxhain e tij të vinte një herë në Shqipëri. U përpoqa me sa pata mundësi, pa hequr dorë nga bindja se një ditë edhe xha Llazua do ta bënte një gjë të tillë. “Jo”- ja e tij nuk ishte dëgjuar dhe kjo më jepte shpresë. Aty nga fundi i viteve 80, xha Llazua u sëmur. Shkova në spital për ta vizituar. Kishte dhimbje të forta në kokë dhe gjendja e tij ishte e pashpresë. Ma vuri dorën në duart e tij dhe po ma shtrëngonte me sa fuqi që kishte. Nga sytë i dolën dy pika lot. Qëndroi pak, pastaj nisi të flasë duke iu marrë zëri:” Më vjen keq që nuk shkova një herë në vendin tim. Jam matur disa herë dhe e kam shtyrë. Nuk të kam thënë po, se po të të kisha thënë do ta bëja. Tani jam i sëmurë. Nëse do të shërohem,të jap fjalën se do të shkoj ta shoh edhe një herë vendin tim. Më mbetet një peng.”

 

            Fatkeqësisht ëndrra e tij nuk u realizua. Ai vdiq në moshë të madhe, por pa e përkulur asnjëherë trupin, pa u ligështuar, stoik, trim dhe kurajoz. Në përcjelljen e tij morën pjesë shumë miq dhe shokë, bashkatdhetar, ndërsa Presidenti i vendit, Carlos Saul Menem dërgoi një kurorë me emrin e tij.

 

            Llazo Koçi zë një vend nderi në plejadën e atyre që ngritën lart lavdinë e Argjentinës në sportin e boksit. Ai përgatiti një boksier të madh, jo  vetëm me mjeshtërinë e tij të rrallë, por edhe me karakterin e pamposhtur, fjalën e zjarrtë dhe frymëzuese, me shpirtin e paepur dhe të vendosur.

 

            Llazaro “El Albanes” u nderua kudo, në Lapaz, në Havana, në Montevideo, në Santiago, në Liam dhe në të gjithë Argjentinën.

             Në këtë figurë krenare, shqiptarët gjejnë pjesën etyre. Pirro  Andoni Ish-ambasadori i Shqipërisë në Argjentinë  LETRA E DYTË E KOSTANDIN ZHAPËS, DREJTUAR LEKËLIOTËVEShënim i redaksisë

Në numrat e kaluar të Gazetës « Odria »,  është botuar  letra  e parë e Zhapës, drejtuar pleqësisë së Lekëlit. Redaksia, ka siguruar edhe letrën e dytë, të kësaj korrespodence. Edhe në të flitet përsëri për shkollën.  Kësaj radhe shkruan nga Bukureshti,  ne shtator 1890.   Këtë herë, ndryshe nga letra e pare, ai tregohet i rreptë, sepse, sic dhe kuptohet lehtë,  vizioni i tij është mjaft i qartë dhe kërkon që çdo gjë te shkojë përpara pa nënvleftësime apo mungesë interesimi.

Letra e dytë u drejtohet disa Lekliotëve që banonin ne Vlorë. Ata kishin korrespodencë te rregullt me njeri tjetrin për problemet e shkollës se Lekëlit dhe fshatrave te tjera por edhe për probleme te tjera te bashkatdhetarëve. Siç do ta shihni edhe nga leximi i letrës, Zhapa edhe pse i moshuar,  76 vjeç, tregohet mjaft i përkushtuar për përparimin e bashkatdhetarëve, dhe  te ardhmen e kombit. Për këtë qëllim, ai  financon për dijet dhe shkollën, duke vënë në shërbim edhe  pasurinë e tij, jo vetëm  deri ne momentin e fundit te jetës, por edhe pas vdekjes. 

 

LET ËR

Drejtuar zotërinjve:      
Jorgo Lluka, Dhimitër E. Bezhani, Jorgo E. Bezhani,
Kristo I. Vaja, Josif Gjikondi, Dhimitër K. Bezhani, S. Kuri,
vëllezërve Josif dhe A.  Bezhani,  Thoma  Gjikondi  dhe
Dhimitër Evangjeli

 

Mora letrën tuaj te datës 1 te këtij muaji dhe e lexova me interesim,  sepse vinte nga bashkatdhetarët. Njëkohësisht me kënaqi interesimi që tregoni ne letrën tuaj për shkollën e Leklit,  për te cilën për shumë vite dhe ne mënyrë te përsëritur kam shkruar dhe kam kërkuar informata dhe llogaritë, por asnjë nuk me përgjigjej...

Megjithatë para disa javësh lajmërova drejtorin e shkollës Z. Boga se kam furnizuar Z. Noçka me paratë e .nevojshme që patjetër te bëhen riparimet e nevojshme. Por me shumë habi pash mungesën e interesimit për zbatimin e këtyre porosive te mia dhe ne përgjithësi mosinteresimin që te na jepen nga bashkësia, informata te shpeshta për gjendjen e shkollës dhe për shpenzimet e saj, e që kjo mungesë përveç se ne vetvete është pa vend, njëkohësisht rezulton e dëmshme dhe dëshmon se as për gjendjen e shkollës nuk me shkruajnë...

Letra e juaj me dha kënaqësinë se shfaqi kujdesin tim për shkollën, për te cilën me aq dashuri dhe shpresa dedikova për përparimin tuaj.

. 

    Dëftesa e notave të shkollës së Zhapës në Lekël Përgatiti Dr. Sofokli Duka 

Në fondin e dokumenteve, dorëzuar redaksisë së gazetës “Odria”, nga familja Bezhani, ndodhet edhe një dëftesë notash, e shkollës fillore “Zhapa” në Lekël. Ky është një nga dokumentet e rralla të asaj periudhe, që ka mundur t’i shpëtojë pluhurit të kohës. Nëpërmjet saj, mund të zbulojmë edhe elementë të pa njohur më parë. Konkretisht në  krye të dëftesës, është vendosur  figura e një bufi,  i cili në zonën e Rrëzës, për shkak të ndriçimit të syve dhe mprehtësisë së shikimit gjatë natës, simbolizon qenien që çan errësirën dhe ndriçon të ardhmen, mision të cilin e ka edhe shkolla. Në vijim shënohet, emërtimi i shkollës, e cila quhet “Shkolla Fillore Greke Zapios, Lekël”. Edhe nga dëftesa  në fjalë, vërtetohet se kjo ishte një shkollë greke, pasi siç rezulton, nuk ka ndonjë lëndë të gjuhës shqipe. Por sipas dokumenteve të tjera dhe dëshmive të bashkëkohësve edhe pse shkolla ishte greke, gjatë procesit mësimor përdorej edhe gjuha shqipe, me të shkruar dhe të folur. Një gjë e tillë, vërtetohet në librin e etnolog, Thanës Mesit, “Mësonjëtorja e Labovës”, si dhe në studimin e Prof. Dr. Fedhon Meksit, “Zhapa mes shqipes dhe greqishtes”.

Kjo dëftesë i përket vitit shkollor 1915-16, por ajo është e të njëjtit model që është përdorur kur u hap kjo shkollë, rreth 43 vjet më parë. Ndërkohë në vitin 1910, në Labovë, ishte  hapur shkolla e parë shqipe, nga patrioti, Nane Panajot Meksi, e cila për shkak të represionit të kohës, u detyrua të mbyllej pas disa muajsh jete. Shkolla greke e Zhapës në Labovë, vazhdoi të ekzistonte paralelisht me shkollën shqipe, por e ndarë prej saj, ashtu dhe më vonë.

Dëftesa që po analizojmë i përket nxënësit Theodhori Bezhani, 13 vjeç, lindur në Lekël, i cili ka ndjekur mësimet në klasën e katërt, të kësaj shkolle dhe  pas provimeve me shkrim e me gojë, është  vlerësuar me  nota të larta.  Në këtë shkollë, studioheshin nëntë lëndë dhe konkretisht: njohuri fetare, gjuha greke, matematikë, histori, gjeografi,         edukatë,  gjimnastikë, vizatim dhe bukurshkrim. Edhe pse është një shkollë fillore, programi i saj është mjaft i ngjeshur dhe tepër bashkëkohor, gjë që krijonte kushte për të përgatitur nxënës me dije të gjithanshme  dhe të thelluara, të konsiderueshme, për të vazhduar nivelet e tjera të shkollave të asaj kohe. 

            Dëftesa është nënshkruar  nga dy mësuesit e shkollës së Leklit, firmat e të cilëve, nuk mund të deshifrohen shumë saktë, por sipas konsultimeve me studiuesin Miltiadh Muçi, ka mundësi që të dy ata të jenë nga zona e Rrëzës: Margarit Boga (ose Poga) dhe Vasil Noçka, të cilët kanë administruar këtë shkollë edhe në vitin 1890, kohë në të cilën, Kostandin Zhapa, në një letër me kryepleqësinë e Lekëlit, interesohet për mbarëvajtjen e shkollë së këtij fshati, duke përmendur njëkohësisht edhe mbiemrat e mësipërm. Ky dokument është vulosur  me vulën e shkollës, ku  në qendër të saj, është përsëri figura e  një bufi, mbi një degë ulliri, ndërsa  anash saj emërtimi: Shkolla Greke Zapios, Lekël, 1872-1913. Me sa duket, viti 1872, duhet të jetë viti i fillimit të kësaj shkolle, ndërsa viti 1913, viti i prodhimit të vulës.

Vangjel Zhapa, në mes shqipes dhe greqishtes

PROF. DR. FEDHON MEKSI           

 

Në fillim të shekullit XIX, në vigjilje të përpjekjeve të Ali Pashë Tepelenës për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane si dhe të shpërthimit të Revolucionit Grek, shqiptarët dhe grekët mendonin se do të luftonin të bashkuar. Madje edhe për të ardhmen ata parashikonin një shtet të përbashkët, veçse, ndërsa grekët kërkonin një shtet panhelenik, ku të sundonin ata, shqiptarët ishin për një shtet të madh të pavarur shqiptaro-grek nën Ali Pashën ose nën shqiptarët. Partizanët më të zjarrtë të këtij projekti ambicioz ishin këshilltarët e afërt të Aliut, iluministi nga Përmeti, Kostandin Duka dhe Aleko Miço, Mantho Ikonomi etj.

Vangjel Zhapa i përqafoi këto ide dhe mbeti ithtar i tyre gjatë gjithë jetës. “Ai që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali Pasha dhe i kishte mbetur atij besnik deri në fund, ishte, me sa duket, në krye të herës, për një shtet shqiptaro-grek, ku shqiptarët të loznin rolin e madh që lozte Aliu” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", 1974, f. 220). Gjatë studimeve në gjimnazin "Zosimea", ku përvetësoi greqishten e vjetër dhe të re, V. Zhapa u magjeps nga kultura, arti, letërsia dhe qytetaria helene, për rigjallërimin, studimin dhe përhapjen e të cilave ai dedikoi një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit dhe sidomos të pasurisë së tij.

Gjatë Revolucionit Grek luftoi me trimëri kundër turqve në vijën e parë të frontit, aty ku luftimet zhvilloheshin trup me trup. Edhe pse luftoi nga dita e parë deri në të fundit (1821-1830) dhe u plagos pesë herë, pushtetarët grek të kohës e shpërblyen vetëm me medaljen e argjendtë dhe me një copë tokë të rreshkur, diku në periferi të Greqisë. Me zemër të thyer largohet për në Rumani, ku vetëm pas 10-15 vjetësh u bë njeriu më i pasur i atij vendi, pa harruar asnjëherë padrejtësinë që i bënë grekët. Nuk rreshti kurrë së kërkuari medaljet dhe gradat që meritonte, derisa më vitin 1843 Mbreti Oton u detyrua të dekretonte dhënien e gradës së kapitenit të falangës. I pakënaqur edhe nga kjo gradë, ai u dërgoi letrën e fundit autoriteteve greke. Tashmë milioner, kërkonte “vetëm gradat dhe medaljet që meritonte dhe jo shpërblime e lehtësi të tjera për t'u bërë barrë atdheut (Greqisë)” (Q. Hila, “Vangjel Zhapa", faqe 65).

Ishte viti 1845, kishte kaluar shumë kohë, por grekët nuk kishin harruar se Vangjel Zhapa kishte qenë përkrahës i zjarrtë i idesë për një shtet të madh shqiptaro-grek, ku do të udhëhiqnin shqiptarët. Letra e përmendur më sipër nuk do të kishte përgjigje, kurse Vangjel Zhapa do të ngelte vetëm një kapiten falange në lirim.

Pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë të viteve '30-'60 të shekullit XIX fillimisht ranë plotësisht në kurthin e “panhelenizmit”. Naum Veqilharxhi (1797-1854) kishte mendimin e ndritur që të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar me anë të përhapjes së kulturës në gjuhën amtare, veçse ai e shihte zgjidhjen politike të çlirimit të Shqipërisë “nëpërmjet një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku shqiptarët do të fitonin të drejta të barabarta me grekët vetëm kur të afirmoheshin mirë me kulturën dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", f. 226).

Edhe intelektualë të tjerë shqiptarë, që më pas u shquan si veprimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Thimi Mitko (1820-1890), Jani Vreto (1822-1900), Eftim Brandi (1817-1882) si dhe Anastas Byku (1829-1878) ishin “infektuar” nga teoria pellazgjike dhe pjella e saj “panhelenizmi”. Të gjithë ata harronin se shqiptarët banonin jo vetëm në jug, po edhe ne veri të Shqipërisë, madje më të shumtë ishin në veri sesa në jug dhe vazhduan të propagandonin deri rreth viteve '70 shtetin dualist në formën e federatës në mes shqiptarëve të jugut dhe grekëve.

Panhelenizmi i Vangjel Zhapës nuk vihet në diskutim. Pikërisht “Pellazgos” do të quhej gazeta e parë shqiptare në Lamia të Greqisë (1859-1861) që botohej nga Anastas Byku, por që në të vërtetë ishte në pronësi të Vangjel Zhapës. Në letrën që Vangjel Zhapa u drejton autoriteteve greke më 1845, me anë të të cilës evidenton sakrificat e tij dhe ankohet për vlerësimin e pamjaftueshëm nga autoritetet greke, ai e quan Greqinë si “atdheun e tij”. Veçse në testamentin përpiluar 15 vjet më vonë, e konsideron vendlindjen e tij “atdheu i veçantë”, duke shtuar “vendi i shenjtë i takimit me Zotin”.

Vangjel Zhapa, si edhe bashkëkohësit e tij ortodoksë, ishin viktima të propagandës panheleniste, të dëshpërimit dhe pesimizmit që u krijua pas shkatërrimit të shtetit të Aliut dhe bashkë me të edhe të ëndrrave që u thurën nga të gjithë shqiptarët gjatë asaj periudhe dhe veçanërisht të dobësisë së Lëvizjes së Rilindjes, që deri ne fillim te viteve '70, la një “zbrazëtirë” në drejtim të aktivitetit patriotik.

Historiografia e periudhës komuniste ka ndërhyrë brutalisht në faktet dhe të vërtetat historike. Si në letërsi, kinematografi etj., edhe në histori janë krijuar personazhe të ngjyrosura vetëm bardh e zi, patriotë ose tradhtarë, heronj ose armiq. Për të krijuar këto personazhe, pjesërisht të sajuar, janë eliminuar ose anashkaluar shumë fakte historike dhe dokumente për disa dhe janë ngarkuar më tej disa të tjerë. Pas viteve '30 të shekullit XIX Vangjel Zhapa ka qenë panhelenist, ashtu si edhe Naum Veqilharxhi, Jani Vreto ose Thimi Mitko etj., veçse të paktën ai mbështeste idenë, mbase utopike, të një shteti të përbashkët shqiptaro-grek që do të drejtohej nga shqiptarët. Ky fakt plotëson figurën e këtij shqiptari trim dhe krenar, që kishte besim dhe adhuronte popullin e vet, i cili vërtet pjesërisht kishte bashkëjetuar dhe bashkëqeverisur me pushtuesin, por sipas Zhapës, kishte të mundur t’i mbizotëronte grekët e rinj, tashmë të harruar nga bota dhe të tulatur nga pushtimi i gjatë turk.

Në vitin 1854 në Jena të Gjermanisë botohet “Studime shqiptare” me autor Johannes Georg von Hahn-in e madh, mikun e shqiptarëve. Hahn-i shpjegoi me anë të gjuhës shqipe shumë toponime ilire dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve ilire. Ai në këtë mënyrë arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes. Vepra e Hahn-it, që vërtetonte autoktoninë e shqiptarëve, ishte e shkruar në gjermanisht dhe nuk do të bënte pjesë në bibliotekën e Vangjel Zhapës; si rrjedhojë ai nuk do të njihej me konkluzionet e albanologut të madhe në lidhje me autoktoninë e shqiptarëve

Vangjel Zhapa, në mes shqipes dhe greqishtes

Edhe pse i larguar prej kohësh nga Shqipëria, Vangjel Zhapa ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për botimin e librave në gjuhën shqipe, ngritjen e shkollave ku mësohej edhe shqip dhe për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke. Vangjel Zhapën, tashmë milioner, e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve '40 të shekullit XIX, qëndronte shumë pranë Naum Veqilharxhit në Rumani dhe kishte “diskutuar me javë të tëra në lidhje me alfabetin e tij” (A. Buda “Studime historike”, 1965, nr. 2, f. 60).

Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes sonë, që jetonte në Rumani, ka dëshmuar se “Vangjel Zhapa daroviti 25.000 florinta për gjuhën shqipe dhe punoi bashkë me të pavdekshmin Naum Veqilharxhi për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra, por që foleja e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pabesë”.

Librat e Naum Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet donacioneve të Zhapës, janë “Evetari”, që në fakt është abetarja e parë e gjuhës shqipe (1844) dhe “Fare i ri Evetar shqip” (1845), nëpërmjet të cilëve gjuha shqipe u vu mbi baza shkencore. Këto abetare të Naum Veqilharxhit, të shtypura me paratë e Vangjel Zhapës, luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, pasi hodhën hapat e para të arsimit në gjuhën shqipe.

Historiografia shqiptare, duke mos njohur dokumentet ose duke i anashkaluar ato, mban për këtë rast një qëndrim të kundërt: “Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova etj., që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqip. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare” ("Historia e popullit shqiptar", vëll. II, f. 105). Sipas dokumenteve të shumta, Vangjel Zhapa, edhe pas vdekjes së Naum Veqilharxhit, vazhdoi të ishte aktiv në drejtim të problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e Naum Veqilharxhit u shtrua në mënyrë propagandistike se “në qoftë se nuk e mësojmë një popull në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.

“Për të arritur këtë qëllim, ishte hartuar një program i gjerë veprimtarish, që do të realizohej kryesisht me mbështetjen financiare të Vangjel Zhapës, i cili prej kohësh kishte dhuruar të holla për mbajtjen e shkollave në fshatrat e rretheve të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj.” (A. Buda, Studime historike, 1965, nr. 2, f. 60). Sipas programit të hartuar nga Anastas Byku dhe Vangjel Zhapa, parashikohej botimi në shkallë të gjerë i librave shkollorë në gjuhën shqipe, hapja e shkollave fillore shqipe në çdo fshat për vajza dhe djem, ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Berat, Përmet dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Labovë. Në libra do të përdorej alfabeti i A. Bykut. Ata do të mbështeteshin mbi botimet shkollore greke (“Pellazgos” 25.05.1860 dhe 24.12.1860). Ndërkohë Vangjel Zhapa i kishte ofruar A. Bykut postin e drejtuesit ose inspektorit të shkollave të tij në Labovë dhe gjetkë.

Në numrin e datës 31.03.1861 të “Pellazgos”, Vangjel Zhapa boton një artikull, ku vë në dukje “veprimet e veta në favor të shkollave në Shqipëri, ku ka futur edhe shqipen me funksion ndihmës, për sa kohë që është e nevojshme për të mësuar greqishten”. Ky formulim, siç duket, ishte “çelësi” për të hapur dyert e shkollave greke që ishin në pronësi të Patrikanës.

Po në këtë numër ai polemizon edhe me A. Bykun, i cili propozonte për të ngritur “një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”. Duke komentuar këtë polemikë, A. Buda beson se "ky qëndrim armiqësor i qarqeve heleniste në përgjithësi dhe V. Zhapës në veçanti u bë shkak që planet e A. Bykut të shembeshin dhe gazeta e tij të pushonte botimin”. Ngritja e një sistemi arsimor në gjuhën shqipe në Shqipërinë e mesit të shekullit XIX ishte utopi. Planet e Vangjel Zhapës, labovitit milioner me këmbë në tokë, synonin fillimin e menjëhershëm të mësimit të shqipes në shkollat e tij dhe në shkollat greke, që numëroheshin me qindra në Shqipërinë e Jugut.

Dhimitër Shuteriqi shkruan se “ Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", f. 247). Ky kontribut i Vangjel Zhapës duhet më në fund të njihet nga të gjithë shqiptarët. Mësimi i shqipes në mesin e shekullit XIX nga nxënësit shqiptarë dhe për më tepër në shkollat greke, kinse për të lehtësuar mësimin e greqishtes, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.

Shkolla e parë shqipe, Mësonjëtorja e Korçës, u lejua të hapej vetëm me miratimin nga qeveria e Stambollit më 7 mars 1887, pas një lëvizjeje të mirorganizuar nga rilindësit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, presionit efikas të vëllezërve Frashëri në Stamboll dhe për më tepër kur Perandoria Osmane ishte në prag të shpërbërjes. Kaluan edhe 23 vjet të tjera dhe labovitët, që guxuan të çelnin shkollën e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës, më 10 prill 1910, përfunduan në burgun turk të Tepelenës të paditur nga Mitropolia dhe konsullata greke, ndërkohë që u shkishëruan të gjitha familjet që dërguan fëmijët e tyre në shkollën shqipe, e cila u mbyll mbas disa javësh. Për sa i përket planit të Anastas Bykut për të ngritur “një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”, ai u bë i mundur të realizohej nga qeveria shqiptare vetëm pas Luftës së Parë Botërore, më vitin 1920.

Ndërkohë që Jani Vreto u rekomandonte shqiptarëve "të hiqnin dorë me vullnet nga gjuha e tyre dhe të bëjnë të tyre greqishten, pra të ç’kombëtarizohen” (Dh. Shuteriqi, Lufta midis shqipes dhe greqishtes, në "Gjurmime letrare", f. 213), Vangjel Zhapa kishte një pozicion krejt tjetër. Në një artikull që botoi në të përkohshmen “Elpis” të Athinës më 5.11.1860, shprehet se “shqipja mund të shkruhej për nevojat e përdorimit familjar dhe si mjet për të fituar më shumë dije” (Dh. Shuteriqi, Naum Veqilharxhi, në "Gjurmime letrare", 1974, f. 259). Vangjel Zhapa nxiti botimet në gjuhën shqipe. Së bashku me Anastas Bykun botuan gazetën e parë në gjuhën shqipe, "Pellazgu" (1859-1861). Anastas Bykun e mbështeti financiarisht edhe për botimin e librit “Preludi i çështjes pellazgjike” dhe abetares së tij “Gramë për shqiptarët” (1861).

Në një periudhë shumë të vështirë për shqiptarët, kur Perandoria Osmane dhe Mbretëria e Greqisë shtuan përpjekjet e tyre për të zhdukur gjuhën dhe kombësinë e popullit tonë, ndërkohë që lëvizja kombëtare shqiptare qëndronte në nivelin më të ulët, ishte vetëm laboviti Vangjel Zhapa, që me energjinë dhe pasurinë e tij, bëri të mundur që shqiptarët të mësonin gjuhën amtare jo vetëm në shkollat që ndërtoi vetë, por edhe në qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut. Vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh dhe pikërisht në fund të shekullit XIX, lufta për mësimin e gjuhës shqipe do të zinte një vend qendror në programin politik dhe kulturor të Rilindjes Kombëtare.

Labovitët e të gjithë brezave që jetojnë sot, krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të lidhur ngushtësisht me atdheun, gjithmonë protagonistë kur përcaktohen fatet e tij, prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se përfaqësuesi më i spikatur i familjes Zhapa, Vangjel Zhapa, ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera, përveç vendlindjes dhe atdheut të vet. Ai ka qenë nënshtetas rumun gjatë pjesës më të madhe të jetës, kurse për atdhe quante Greqinë, por “atdhe të veçantë” ose “vendi i shenjtë ku takohej me Zotin”, vendlindjen e tij, Labovën.

V. Zhapa kujtohet dhe nderohet me respekt në Rumani, pasuritë e tij të shumta kanë lumturuar dhe vazhdojnë t’i lumturojnë grekët, ndërsa ne, shqiptarët, inatçorë si gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, por edhe të drejtuar keq nga historiografia jonë, vazhdojmë të mos e shohim në 360 gradë figurën e tij poliedrike dhe bëhemi xhelozë me popujt e tjerë të Ballkanit që, në kohën kur jetonte bashkëfshatari ynë milioner, ishin në gjendje të thithnin investimet dhe donacionet e shumta që ofronte ky bamirës shqiptar i jashtëzakonshëm. Krahas parave të shumta që dhuronte, me delikatesën që e karakterizonte, ai kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve të Ballkanit, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të mesit të shekullit XIX.

Ne, shqiptarët e sotëm, kemi filluar ta kuptojmë dhe ta pranojmë bashkëfshatarin tonë, me eshtra që i prehen në dy varre te ndryshme, ashtu si ishte ai në të vërtetë, me virtytet e rralla dhe të metat e tij dhe ta konsiderojmë tashmë si qytetarin pararendës të Evropës së Bashkuar, të cilën po përgatitemi, më në fund, ta prekim edhe ne.

KËMBËKUQJA  Niko Gjoni.Humoristike. O ky Lekël majë malit,Rri sipër si shala kalit,Vend i lashtë, mijëra vjet,Thonë: dikur ka qenë qytet. Thonë në kohë të vjetër,Vinin princër e mbretër,Nga tërë Evropa mbarë,Për pushim e për të parë. Për të ngrënë e për të pirë,Ujin e Gurës, aq  të mirë,Që me forcë gurgullonteSi kazani që valonte. Janë shumë pak, këto që  thamëPër Lekëlin tonë me famë,Sepse kishte dhe  një sekret, Ruajtur me shumë marifet. Si kondizmat në sunduqe,  na quhej “Këmbëkuqe”,Këmbëkuqe , këmbëkuqe, I bëre njerëzit me huqe. Kush ta dha, ty këtë emër?Ishte mashkull apo femër?Kushdo që të njeh një herë,Të do  të të shoh përherë.   Ngrihen grate që pa u gdhirë, Ndezin zjarrin mirë e mire, Dhe me prrushin të kuq e flak, Mbulojnë saçin tërë merak. Venë saçin e stolisur,Mbi tepsinë e kallaisur, Me thëngjij si burbuqe, Piqu, piqu,  këmbëkuqe!  Këto gratë lekliote,Janë  të rralla,  s’kanë shoqe,Janë të mira për shtëpi, Dinë të bëjnë dashuri. Gruaja,  që është grua,Rri me burrë mish e thua,S’është se di vetëm të laj, Por të rritë dhe kalamaj. Edhe burrat s’janë pak,Tërë sedër e me gjak,Janë të fortë, faqet e kuqe,Se çdo javë hanë këmbëkuqe. Këmbëkuqen e uruar,Ai që  s’e ka provuar,Vrap në Lekël le të ngjitet, Me Mondë Puleren të piqet. Që ta çoj  tek Mali Toti, Një nga gratë e qëmoti, Dhe të bëjë porosi, Për Këmbëkuqen në tepsi.            Kushdo që e ka provuar, Lëpin gisht e lëpin duar,  Dhe gjithmonë nga ky “çik” vend, Janë larguar veç pa mend!  Tiranë, tetor 2009